Ceaușescu përballë Erdoganit

23 Korrik 2016 - 10:57 - Adriatik Kelmendi      

Si do të ishte rrjedha e ngjarjeve të dhjetorit 1989 në Rumani nëse Ceaușescu do të kishte pasur një telefon mobil me internet në kohën kur ishte arratisur? A do të ishte ndryshe fati i Rumanisë nëse ai do ta përdorte Facetime të iPhone-it për t’i treguar popullit se është gjallë dhe për ta thirrur popullatën e forcat e sigurisë për t’i kundërshtuar protestuesit? A është më e fuqishme një porosi e duhur në çastin e duhur sesa mijëra persona të armatosur?

PRANVERA E VITIT 1989 ishte përfshirë nga demonstratat e shteteve satelite të Bashkimit Sovjetik me kërkesa për liri dhe kundër udhëheqësve të tyre tiranikë.

Perdja e hekurt në mes të Lindjes e Perëndimit po i afrohej fundit.
Përveçse në Rumani.

Aty në krye të piramidës së pushtetit po qëndronte tash e 25 vjet Nicolae Ceaușescu, diktatori aq paranojik saqë kishte emëruar gruan e tij dhe shumë familjarë në pozita shtetërore e partiake. Njëkohësisht, i inspiruar nga një vizitë në Kinë, ai ishte obsesionuar me kultin e prijësit, duke filluar kështu edhe reformat e mëdha të zhvendosjes së popullatës dhe ndërtimin e ngrehinave megalomane. Secili që ngrinte zërin kundër tij burgosej ose ekzekutohej.

E gjithë kjo deri në muajin dhjetor kur një ndihmëspastor i urtë me prejardhje hungareze kishte vendosur të fliste në kishën e tij kundër regjimit. 37-vjeçari László Tőkés kishte denjuar ta quante diktator udhëheqësin dhe hakmarrja i kishte ardhur në formë të mbylljes së kishës dhe zhvendosjes.

Forcat e sigurisë kishin shtënë në turmën që po protestonte në mbrojtje të klerikut, duke lënë qindra të vdekur. Ceaușescus’e kishte llogaritur se plumbat e shkrepur me urdhër të tij do të linin të vdekur disa protestues, por në të njëjtën kohë do të ngjallnin dhjetëra mijëra të tjerë. Protestat tejkaluan qytetin Timisoara dhe arritën në Bukuresht.

Përnjëherë, njeriu me elozhetë për të cilin fillonte secili edicion i lajmeve në televizion, e gjeti veten plotësisht të izoluar dhe pa qasje te masat. Më 22 dhjetor, bashkë me gruan Elenën, do ta braktiste kryeqytetin me një helikopter, duke e lënë popullatën pa drejtues e orientim.

Ceaușescu do të rishfaqej sërish në televizion tri ditë më vonë. Vetëm se kësaj radhe pamjet do të tregonin se si ai dhe Elena po qëlloheshin për vdekje nga një skuadron ushtarak, pak orë pasi që një trup gjykues ushtarak i shpalli fajtorë për vrasje masive dhe krime të tjera ndaj popullatës.


ME NJË LËVIZJE të shpejtë të ngjarjeve, 27 vjet më vonë, një tablo tjetër shpërfaqet në një shtet afër me Rumaninë.

Natyrisht, do nënvizuar, se secili krahasim çalon, së këndejmi nuk mund të krahasohet direkt figura dhe konteksti i Rumanisë së Ceaușescut me atë të Turqisë së Rexhep Taip Erdoganit.

Mirëpo, janë disa pyetje që ngulmojnë për përgjigje.

Për shembull, si do të ishte rrjedha e ngjarjeve të 1989-s në Rumani nëse Ceaușescu do të kishte pasur një telefon mobil me internet në kohën kur ishte arratisur?

Çka nëse ai do ta përdorte Facetime të iPhone-it për t’i treguar popullit se është gjallë dhe për ta thirrur popullatën dhe forcat e sigurisë për t’i kundërshtuar protestuesit?

A do të ishte ndryshe fati i Rumanisë?

A është më e fuqishme një porosi e duhur në çastin e duhur sesa mijëra persona të armatosur?

Erdogan sot po përshkruhet si kryetari që i shpëtoi puçit ushtarak falë mundësisë që na jep zhvillimi bashkëkohor teknologjik.

Në kohën kur i gjithë vendi – i njohur për puçe të suksesshme ushtarake – ndodhej në ethe të asaj që po ndodhte, Erdogan ia doli të komunikonte me masat. Ai përçoi porosinë e tij në mënyrën më ironike për të. I njohur për censurimin e internetit, presidenti kundërthënës turk shfrytëzoi pikërisht një videoaplikacion të lidhur me internet për t’iu drejtuar popullit, gjë që ia dha goditjen vendimtare tentim grusht shtetit ndaj tij.

Për të qenë grotesku edhe më i madh, në mesin e komplotistëve të puçit ishte edhe oficeri Ahmet Zeki Gerehan, të cilin mediat po e përshkruajnë si guru të kibernetikës, autor i disa librave për rolin e internetit në ndërmarrje luftarake.

Ai bashkë me grupin kryengritës të ushtrisë, ndonëse kishin kryer komunikimin e fshehtë nëpërmjet të aplikacionit telefonik WhatsApp, kishin harruar krejtësisht fuqinë e internetit, duke vepruar sipas doracakut të puçit të Ankarasë së vitit 1980.

Ushtarakët kishin ngarendur për t’i ndërprerë kanalet e komunikimit me pushtimin e televizioneve të rëndësishme, TRT-në dhe CNN-in turk, si dhe duke marrë nën kontroll aeroportin, por nuk e kishin izoluar Erdoganin.

Fjalët e pamjet që vinin nga Facetime u përcollën në dy televizione private turke dhe kaq. Mori fund gjithçka.

Rezultati - Erdogani më autokrat, më i fortë dhe më i zemëruar se kurrë: së paku 232 persona të vrarë dhe mbi 1.400 të plagosur, më se 9.000 të arrestuar dhe rreth 50 mijë të tjerë të dëbuar nga puna nën akuzat për komplot.


ASHTU SIÇ DHJETORI i ftohtë i Rumanisë së ’89-s i dëshmoi botës se asnjë individ nuk është i paprekshëm, edhe Turqia e natës së 15 korrikut duket se i dha të njëjtës botë leksionet e saja: Ky shtet më assesi nuk do të jetë ai që ka qenë, porse as bota më nuk është ajo që pandehej të ishte.

Se u konfirmua që revolucioni më i madh i kohërave moderne është – revolucioni teknologjik.

Se mjafton një aplikacion i thjeshtë në telefon për të vendosur se kush do të jenë fituesit dhe kush humbësit e një lufte, e një “revolucioni”.

Se komunikimi/porosia determinon fitoret dhe humbjet e kohës moderne.

Se fituesit dhe humbësit e përplasjeve të sotme janë ata që të parët “pushtojnë” përçuesin më të madh të porosive komunikuese - internetin.

Ose, se... ne ende nuk po jemi gjithaq koshientë se sa rrënjësisht po ndikohen jetët tona nga diçka që nuk ka ekzistuar vetëm 10-15 vjet më parë dhe që ndoshta as përafërsisht nuk po e dimë se çfarë ndryshimesh të tjera do të na sjellë në 10-15 vjetët e ardhshëm... e lëre më më vonë!

Adriatik@kohavision.net
Twitter: @adriatikk

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

 

comments powered by Disqus
Adriatik  Kelmendi
Adriatik Kelmendi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...