Puçi i Erdoanit

21 Korrik 2016 - 08:23 - Enver Robelli      

Në Turqi ka dështuar përpjekja për grusht shteti. Në vend se këtë sinjal ta shfrytëzojë për të kërkuar dialog me kritikët e tij, presidenti Rexhep Taip Erdoan po e hap rrugën drejt një diktature civile.

Duket se atij po i pëlqen shumë poza e triumfuesit. Ndërsa në rrugët e Stambollit dhe të Ankarasë ende po pastrohen gjurmët e gjakut, Rexhep Taip Erdoan ka nisur fushatën e kundërgoditjes pas puçit të dështuar ushtarak. Duket se ai mezi e ka pritur këtë rast. Ai tani nuk po flet si kryetar i përgjegjshëm shteti, por si prijës fetar, kur aksionin diletant të një grupi oficerësh po e quan “dhuratë prej Allahu” dhe po paralajmëron “pastrimin e ushtrisë”. Duke pasur parasysh mbi 200 të vdekur, kjo është një gjuhë shumë cinike.

Veprimet e deritanishme të Erdoanit paralajmërojnë një të ardhme të zymtë për Turqinë. Gjatë fundjavës regjimi largoi nga puna apo suspendoi gati 3000 gjyqtarë, arrestoi mijëra oficerë dhe ushtarë, madje po diskutohet edhe për rikthimin e dënimit me vdekje, i cili ishte hequr nën presionin e Bashkimit Evropian. Demontimi i shtetit ligjor edhe ashtu të dobësuar po vazhdon me shpejtësi të madhe. Pjesë e botëkuptimit të Erdoanit ndërkohë është edhe përbuzja e thellë që ai ndien ndaj rivalëve, gazetarëve të pavarur, nëpunësve të sistemit të drejtësisë, opozitarëve.

Gjuha po e tradhton Erdoanin. Të dielën ai para mbështetësve të tij që brohorisnin në lagjen “Fatih” të Stambollit tha: “Në të gjitha institucionet e shtetit do të vazhdojë procesi i pastrimit nga këto viruse. Sepse ky trup, vëllezërit e mi, ka prodhuar metastaza. Për fat të keq, virusi i kancerit e ka përfshirë tërë shtetin”. Në vend se t’iu qaset kritikëve të tij, presidenti Rexhep Taip Erdoan po e hap rrugën drejt një diktature civile. Pas dështimit të oficerëve për të marrë pushtetin në mënyrë ilegale, tash Turqisë po i kërcënohet një puç nga Erdoani.

Shefi i shtetit ka vetëm një cak para syve: sundimin e plotë dhe vetëm nga ana e tij. Ai po synon të rikthejë një sistem presidencial, i cili i jep atij po atë pushtet që kishte themeluesi i Turqisë moderne, Mustafa Kemal Ataturku. Nëse në këtë rrugëtim nuk ia prish planet populli turk, Erdoani synon që planet e tij për ndryshimin e sistemit politik të Turqisë t’i përfundojë deri në vitin 2023 – tamam në 100-vjetorin e themelimit të Republikës. Ajo Turqi do të ishte një tjetër prej asaj që e ka ëndërruar Ataturku. Turqia është Republikë dhe ajo është shtet ligjor, demokratik, laik dhe social, thuhet në nenet 1 dhe 2 të Kushtetutës së Turqisë. Erdoan dhe përkrahësit e tij janë të mendimit se Turqisë i duhet një “Kushtetutë religjioze”. Kjo është një fjalë tjetër për sheriatin. Kur me një rast Erdoan ishte pyetur nëse nuk kishte frikë nga ushtria, ai ishte përgjigjur: “Në këtë udhëtim ne jemi nisur të mbështjellë me qefinët tanë”.

Nga mbështetësit e tij Erdoan lartësohet në qiell, sepse pas fitores në zgjedhje në vitin 2003 ai e ka bërë të mundshme një mrekulli ekonomike, prej së cilës me vite të tëra kanë përfituar shumë qytete në provincë. Karriera e Erdoanit prej shitësit ambulant te kryetari i shtetit është reprezentative për ngjitjen në shkallën sociale të “turqve të zinj”, provincialistëve nga Anadolli dhe rajoni i Detit të Zi, të cilët tani përbëjnë shtresën e mesme dhe fetare në qytete të mëdha, si Stambolli, Gaziantepi apo Konia, dhe kanë vetëbesim të madh. Këta burra me mustaqe, këto gra me shami të lidhura fort janë përbuzur nga elita kemaliste dhe nga ushtria. Tani ata, të shtypurit të dikurshëm, janë në pushtet dhe po bëhen shtypës. Këtë e tregojnë edhe rastet e vetëgjyqësisë nda ushtarëve të rinj, të cilët nuk dukeshin si puçistë këmbëngulës, por më shumë si lojtarë të hutuar të pokemonit.

Përpjekja e një grupi oficerësh për të marrë pushtetin ilegalisht është shenjë e zemërimit të madh kundër Erdoanit në disa pjesë të ushtrisë, e cila është e detyruar të zhvillojë një luftë me shumë humbje kundër kryengritësve kurdë – një luftë që e ka ndezur dhe e ka dashur Erdoani. Por të zemëruar nuk janë vetëm disa gjeneralë, por miliona turq me orientim perëndimor. Ata tani janë në grushtin e Erdoanit, i cili, si çdo autokrat, po e shfrytëzon momentin për hakmarrje. Si është e mundur që pa gati asnjë arsyetim të hiqen nga puna rreth 3 mijë gjyqtarë? A thua, lista me emrat e tyre ishte e gatshme dhe Erdoan vetëm e priste dakikun për të goditur?

Bota gjatë fundjavës ka përjetuar puçin e parë në livestream. Falë Twitterit dhe transmetimit telefonik me Facetime Erdoan ia doli shumë shpejt t’i mobilizojë mbështetësit, të cilët dolën me mijëra në rrugë. Pikërisht Erdoani, i cili mediat sociale i ka quajtur instrumente të dreqit dhe shpesh ka bllokuar qasjen ndaj tyre, kapi telefonin e mençur dhe i gjunjëzoi puçistët. Duket se edhe në Turqi kanë kaluar kohërat kur armata merrte pushtetin gjatë natës dhe këtë mileti e kuptonte tek në mesditë nga radioja shtetërore.

robelli@bluewin.ch

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...