Presidenti Obama dhe ekspertiza e tij për demarkacionin

20 Korrik 2016 - 18:54 - Augustin Palokaj      

Edhe pse nuk është dashur të ishte kusht për liberalizim vizash ratifikimi i Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, megjithatë është kusht. Pa përmbushjen e këtij kushti nuk do të hiqen vizat. Por edhe nëse ky kusht përmbushet kjo nuk garanton se vërtet do të hiqen vizat. Kur si argument politikanët e Kosovës përmendin mbështetjen ndërkombëtare, në këtë mënyrë ata vetëm pranojnë me vetëdije apo jo se nuk i kanë aq të forta argumentet për këtë marrëveshje.

Presidenti Amerikan Barack Obama me siguri se nuk e ka hall kryesor vrasjen e policëve dhe protestat nëpër rrugët e qyteteve amerikane, as kaosin në Turqi pas dështimit të grusht shtetit në këtë vend të rëndësishëm të NATO-s, as lufta kundër terrorizmit, as samiti i posapërfunduar i NATO-s, as zgjedhjet presidenciale ku do të zgjidhet pasardhësi i tij. Ai me siguri se më së shumti është i shqetësuar për fatin e disa kullosave apo maleve në Bjeshkët e Nemuna për të cilat disa thonë se i takojnë Kosovës e të tjerët që i takojnë Malit të zi. Ndoshta, pos kësaj teme për demarkacionin e kufirit mes Malit të Zi dhe Kosovës, ai si dert të madh ka edhe mospajtimet në Shqipëri rreth Ligjit e dekriminalizimit. Kështu fitohet përshtypja sikur të gjykohej nga deklaratat e politikanëve të Kosovës dhe të atyre të Shqipërisë dhe përcjelljen nga mediet të prononcimeve të tilla. Në vend që të shqetësohen se pse nuk mund ta zgjidhin asnjë problem pa ndërhyrje ndërkombëtare, ata mburren me ndonjë mbështetje që politikanët e huaj ua shprehin në mënyrë formale, pa u marrë me përmbajtjen.

Në përpjekjet për ta bërë Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi liderët politikë në pushtet në Kosovë më së shumti përmendin si argument se “këtë marrëveshje e ka përshëndetur edhe Presidenti Obama” dhe se kush është kundër saj është për izolimin e qytetarëve të Kosovës. Ata në këtë mënyrë, ndoshta edhe pa dashje, po lënë përshtypje se nuk kanë argumente të duhura. Edhe kjo “çështja e demarkacionit”, që është bërë një problem i rëndë për tërë Kosovën, është rezultat i sjelljes arrogante të qeverisë, e cila, së pari nënshkruan diçka krye në vete e pastaj bëhen si dele të gjithë në Kuvend do ta bekojnë atë.

Me nënshkrimin që në Vjenë ka vënë para një viti në Marrëveshjen me Malin e Zi në vend që të zgjidhin një problem Qeveria e Kosovës ka shkaktuar disa probleme. Pos që ka krijuar një kaos në skenën politike të Kosovës, ka rrezikuar edhe raportet me Malin e Zi dhe tash edhe liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Duhet pasur kujdes të gjithë ata që flasin për këtë çështje, sepse nuk i kanë të gjithë ekspertë për demarkacion. Pa hyrë në përmbajtje të marrëveshjes dhe gjykimeve se a është ajo e mirë apo jo, e drejtë apo jo, i fal apo jo Malit të Zi tokë të Kosovës, duhet përmendur disa fakte që këtë Marrëveshje e bëjnë së paku të nxitueshme, të paqartë. Gjithsesi është vështirë të thuhet se ekspert për demarkacion është Presidenti Obama, i cili, sipas presidentit të Kosovës Thaçi, e paska përshëndetur këtë marrëveshje. Kur pjesëtarët e bashkësisë ndërkombëtare, përfshirë edhe ministrat apo edhe presidentët e shteteve të tjera, përshëndesin këtë marrëveshje, ata nuk përzihen në përmbajtjen dhe kualitetin e saj. Ata thjesht përshëndesin arritjen e marrëveshjeve si parim. Besojnë se palët para se ta nënshkruajnë marrëveshjen kanë menduar mirë, kanë analizuar mirë, dhe janë marrë vesh me një kompromis. Dhe nuk ka arsye që marrëveshjet e tilla të përshëndeten.

Është vështirë të gjesh ndonjë rast tjetër të çështjeve të pazgjidhura që kanë të bëjnë me demarkacionin e kufijve ku përfaqësuesit e shteteve të huaja janë shprehur se kujt duhet t’i takojë cila pjesë e livadhit. Në territorin e ish-Jugosllavisë ka me dhjetëra, ndoshta edhe me qindra pika kontestuese në shënimin e vijave kufitare mes shteteve. Rasti më i përmendur në opinion është ai mes Kroacisë dhe Sllovenisë. Ai nuk është zgjidhur ende ndërsa e vetmja gjë që bashkësia ndërkombëtare kërkonte, nuk ishte zgjidhja e atij problemi, por që ai të mos përdoret për të bllokuar anëtarësimin e Kroacisë në NATO dhe BE. Kroacia nuk e ka të zgjidhur tërë demarkacionin e kufirit as me Slloveninë, as me Bosnjë e Hercegovinën, as me Malin e Zi e as me Serbinë. Dhe kjo nuk i ka penguar jo vetëm në çështje vizash, por as në nisjen, zhvillimin dhe përfundimin e negociatave të anëtarësimit në BE dhe në NATO e as për anëtarësim.

As Serbisë, as Malit të Zi e as Bosnjë e Hercegovinës nuk i kanë penguar mosratifikimet e marrëveshjeve për kufirin që të marrin liberalizimin e vizave. As në rastin e Gjeorgjisë, e cila nuk e kontrollon një pjesë të madhe të territorit të vet, Osetinë Jugore dhe Abhazinë, që mbahet nga separatistët e ndihmuar nga Rusia, nuk përmendet si problem për heqjen e vizave. As në rastin e Ukrainës, e cila po ashtu nuk i ka nën kontroll kufijtë e vet, nuk përmendet kjo si argument për të mos hequr vizat. As në rastin e Turqisë, e cila mban të okupuar një pjesë të Qipros, e që është anëtare e BE-së, kufiri nuk është problem për heqjen e vizave. Madje as për Kosovën kufiri me Serbinë, për të cilin vërtet ka mospajtime serioze, nuk përmendet si problem për liberalizimin e vizave.

Pse atëherë erdhëm në situatën që shkëmbinjtë, kullosat dhe pishat në Bjeshkët e Nemuna të na dalin si barrikada në rrugë drejt liberalizimit të vizave. Sepse duket se kështu është bërë një llogari se, duke e bërë kusht për vizat, do të konsiderohet si “heroizëm” e jo “tradhti” vota në këtë kuvend për këtë marrëveshje.

Edhe pse nuk është dashur të ishte kusht për liberalizim vizash ratifikimi i Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi tash është kusht. Pa përmbushjen e këtij kushti nuk do të hiqen vizat. Por edhe nëse ky kusht përmbushet kjo nuk garantojë se vërtet do të hiqen vizat.

Në këtë rast, sikur edhe në marrëveshjet me Serbinë, ka munguar një debat politik, me përfshirjen e opozitës dhe debat publik para se të arrihej marrëveshja. Është besuar se pasi të nënshkruhet Thaçi e Mustafa do ta sigurojnë mbështetjen. Me këtë sjellje kanë nënçmuar edhe opozitën, edhe Kuvendin edhe opinionin. Madje edhe sot e kësaj ditë, siç na thonë diplomatët e BE-së, presidenti dhe kryeministri vazhdojnë t’u thonë se “I kanë votat”. Për këtë arsye edhe rritet zemërimi se pse atëherë, pasi na i paskan votat, nuk po e ratifikojnë këtë Marrëveshje në Kuvend. Por tash edhe në BE kanë nisur të dyshojnë se vërtet janë votat në Kuvend për këtë marrëveshje.

 

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...