Pse na bashkoi aq shumë futbolli gjatë një muaji që shkoi aq shpejt

13 Korrik 2016 - 08:08 - Augustin Palokaj      

Për fat të mirë të dashamirëve të futbollit me përfundimin e këtij Evropiani nuk ndahemi nga futbolli. Tash na presin kualifikimet për botëror dhe do ta kemi për herë të parë në kualifikime edhe Kosovën. Pra do të shkruhet përsëri historia. Si Kosova ashtu edhe Shqipëria ndodhen në grupe jashtëzakonisht të vështira. Është vështirë të besojmë në kualifikim, sepse Shqipëria duhet të jetë më e mirë sesa Spanja dhe Italia. Sepse Kosova është në grup ku nuk ka asnjë skuadër që nuk është e fortë, Kroacia, Turqia, Ukraina, Islanda dhe Finlanda. Por prapë do t’i gëzohemi secilit sukses, secilit gol. Do të ndiejmë prapë emocione pozitive.

Pata rastin dhe kënaqësinë që një prej tri ndeshjeve të Kombëtares së Shqipërisë në Evropianin e këtij viti ta shoh në stadium. Në Lyon të Francës, shumë afër kufirit me Zvicrën, jo aq larg Italisë, m’u duk sikur kishin ardhur shqiptarë nga e gjithë bota. Nuk kishte dialekt që nuk dëgjoje, nuk kishte emër të ndonjë vendbanimi nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Lugina e Preshevës, që nuk e dëgjoje ose që nuk shihej e shkruar diku në ndonjë flamur.

Dëgjoheshin edhe variante të ndryshme të anglishtes nga Amerika, Anglia, Australia e deri te Zelanda e Re. Për gjermanishte, italishte e frëngjishte të mos flasim. Fëmijë dhe të rritur të veshur me veshje kombëtare nga shumë treva ku jetojnë shqiptarët. Me siguri që kishte së paku 40 mijë shqiptarë atë ditë në atë qytet dhe në stadiumin ku Shqipëria fitoi për herë të parë në histori një ndeshje në një turne zyrtar futbolli. Tërë ditën para loje dhe tërë natën pas saj nëpër qytet festuan, kënduan, brohoritën. Pa bërë asnjë problem.

Kam parë tarraca të restoranteve në Lyon ku ishin mbledhur me qindra shqiptarë duke pirrë birra dhe asnjë gotë nuk ishte hedhur në tokë. Aty-këtu ndonjë rumun shihej nëpër qytet, por shqiptarët vetëm bënin foto me ta për kujtim. Ndjenjat janë shumë të rëndësishme për njerëzit. Ndjenja e unitetit është edhe më e rëndësishme. Dhe që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008 shqiptarët nuk kishin festuar aq shumë sa festuan atë ditë.

Nuk ishin stolisur veturat, dritaret e shtëpive, e edhe vetë njerëzit, nga këmbët e deri në kokë, aq shumë kuqezi që nga ajo ditë. Kombëtarja e Shqipërisë në futboll, me kualifikimin e saj të parë në histori, dhe me një paraqitje të mirë dhe dinjitoze (asnjë tifoz i vërtetë nuk mund ta quajë të shkëlqyeshme kur skuadra e tij eliminohet në rundin e parë) u dha shqiptarë një arsye për të qenë krenarë, për ta ndier forcën e unitetit, për t’u ndier krenarë dhe mbi të gjitha për t’u ndier të barabartë me të tjerët. Dhe lanë përshtypje të mirë edhe tek të tjerët.

Tash kur kaloi muaji i futbollit mbeten përshtypjet dhe shkëmbimi i tyre. Mbeten kujtimet dhe rikujtimet se kush ishte ku në cilin moment të kësaj historie.

Futbolli i bashkoi shqiptarët, edhe ata të cilët e duan këtë sport, edhe ata që nuk e kanë dashur deri tash dhe do ta duan nga tash, edhe ata që nuk kanë lidhje me futboll, por kanë dashur të jenë pjesë e momenteve të tilla historike, edhe ata që filluan të ndjekin këtë kampionat, sepse u bë modë në facebok dhe nuk donin të ndahen nga të tjetër. Pse nuk ka më shumë elemente që do ta stimulonin më shumë ndjenjën e unitetit dhe dashurisë që shqiptarët kanë me njëri-tjetrin.

Ndoshta dikujt do t’i duket e tepërt dhe jokorrekte ndaj politikanëve shqiptarë, por ata kanë fajin më të madh për krijimin e atmosferës së konfliktit, grindjeve e shpesh edhe në kufi të urrejtjes mes njerëzve. Ata, duke manipuluar edhe mediat edhe opinionin në tërësi, i kanë lënë popullit aq pak elemente të unitetit. Futbolli ishte ai që i bashkoi shqiptarët më shumë sesa gjithçka tjetër. Sa shqiptarë shkuan për të parë ndeshjet në Francë, sa u mblodhën për të përjetuar së bashku emocionet nëpër sheshet e qyteteve. Politikanët nuk mund ta bashkojnë më askënd, pos atyre që u paguajnë që të vijnë në tubime apo i shpërblejnë me vende pune nëse bëhen aktivistë partiakë. Nuk bëjnë asgjë për të ndalur ndasitë që po mbjellin në komb, përfshirë edhe përmes interpretimeve apo keqinterpretimeve të figurave kombëtare, të cilat i kanë bashkuar shqiptarët me shekuj.

Shikoni vetëm skenën politike në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni dhe do ta kuptoni se për çfarë është fjala. Shikoni sesi akuzojnë pushteti dhe opozita njëri-tjetrin. Shikoni çfarë fjalori përdorin për njëri-tjetrin. Nëse mendoni se të tillë janë politikanët gjithkund e keni gabim. Ata e kanë krijuar situatën në të cilën duket sikur nuk mund të funksionohet pa konflikte politike. Njerëzit gjithnjë e më shumë po ua kthejnë shpinën, po thonë se janë ngopur me ta. Dhe kur ata e shohin sesa njerëz shkojnë pas sportit, sidomos futbollit, përzihen në futboll kur duhet e edhe kur nuk duhet. Bëhen sikur ata të ishin meritorë për sukseset e kombëtares. Lënë përshtypjen sikur i gjithë ky sukses (e quajmë sukses vetëm duke marrë parasysh fuqinë reale të skuadrës kombëtare të Shqipërisë) ishte rezultat i një strategjie të përpunuar mirë kombëtare, në të cilën rolin kryesor e kanë luajtur ata, pra politikanët. Për shkak të atyre politikanëve dhe dështimeve të tyre me mua nuk patën mundësi të vijnë edhe disa shokë nga Kosova për shkak se u duhej viza e u besonin premtimeve të politikanëve se ato do të hiqen deri në fillimin e këtij evropiani.

Po i lëmë tash rezultatet nga aspekti garues sportiv, sepse një skuadër tjetër që do të kishte rezultatin sikur Shqipëria do ta prisnin duke i gjuajtur me vezë apo domate e jo me nderimet më të mëdha sikur të ishin bërë kampion të Evropës. Për ne kjo paraqitje dinjitoze ishte sikur për dikë tjetër titulli i kampionit për shumë arsye. Sepse ishim aty për herë të parë. Sepse e kemi futbollin në shtëpi të sëmurë. Sepse disa skuadra nga Shqipëria njihet jo për rezultatet, por për kurdisjen e ndeshjeve. Sepse, nëse shihet interesi në bastore, del se për lojërat e skuadrave të Shqipërisë në para kualifikime për kupat e Evropës interesi më i madh është në Kinë, Vietnam, Ukrainë dhe Kazakistan.

Në një paraqitje në Parlamentin Evropian nga organizata “Federbet” u raportua se golat që pësoi Skënderbeu në minutat e fundit të ndeshjes me Dinamon e Zagrebit i kanë sjellë miliona euro dikujt në Kinë, ku kishte rritje marramendëse në vënien e basteve se Skënderbeu do të pësojë më shumë gola pasi kundërshtari mbeti me një lojtar më pak. Shikojeni se si sillen në fushë lojtarët e Teutës së Durrësit në ndeshje në Kazakistan ku humbën 5:0, pikërisht me rezultatin për të cilin kishte shumë baste. Një trajner serioz do i përzinte në shtëpi sikur të silleshin ashtu në stërvitje e jo në një lojë. Në këto rrethana, kur më shumë njerëz sheh në bastore sesa në stadiumet e Shqipërisë dhe Kosovës kur luhen lojërat e ligave vendore, të krijosh një kombëtare të tillë është mrekulli. Por kjo mrekulli ndodhi falë diasporës.

Ky evropian na rikujtoi edhe një herë se futbolli është sport i rastit, fatit, përgatitjes fizike, disponimit. Do të mendojmë shumë gjatë sesi do të shkonin punët sikur të kishte dhënë penalti për Shqipërinë referi kur Lihshtajner i Zvicrës tërhoqi Lenjanin në zonën e penalltisë, sikur lojtari më i shkurtër i Francës, Griezman, të mos kishte shënuar në minutat e fundit të lojës, sikur Portugalia të mos kishte barazuar me Hungarinë, sikur Turqia të mos kishte fituar nga Çekia, sikur Italia të mos kishte humbur nga Irlanda, sikur Gashi apo Sadiku të kishin shënuar kundër Zvicrës.

Në futboll ekzistojë shumë pyetje se çfarë do të ndodhte “sikur”. E shihni sesi erdhi Portugalia në finale. Me fat. Deri në gjysmëfinale arritën pa fituar asnjë ndeshje në kohë të rregullt. Kroacia dhe Zvicra shkuan në shtëpi pa asnjë humbje në kohë të rregullt. Strategjia, zgjuarsia e trajnerit, janë shumë të rëndësishme, por sot skuadrat janë aq të barabarta, saqë shumë varet nga fati. Sot askush askënd nuk mund ta mposhtë me lehtësi. Dhe kjo është e mira e këtij kampionati, sepse dëshmoi se ishte vendim i qëlluar që të ketë 24 pjesëmarrës e jo vetëm 16 sikur deri më tani. Ata që mendojnë se me këtë rritje të numrit të pjesëmarrësve pësoi kualiteti e kanë gabim. Shikoni vetëm se cilat kombëtare nuk ishin aty.

Nuk ishin Holanda, Greqia dhe Danimarka, të tria këto ish-kampione të Evropës. Nuk ishin as skuadrat e forta si Bosnja e Hercegovina, Norvegjia, Serbia, Bullgaria, Skocia dhe Sllovenia. Islanda ishte befasi vetëm për ata që nuk dinë asgjë për futboll. U befasuan kur kjo skuadër, që pret Kosovën në kualifikimet për botëror, mposhti Anglinë. Harruan se tash e 5 vite Islanda është një skuadër shumë e fortë. Doli e dyta në grup me Shqipërinë, Slloveninë, Norvegjinë dhe Zvicrën në kualifikimet për botërorin në Brazil dhe fati deshi që të humb na barazh nga Kroacia dhe të mos shkojë në Brazil. Në Evropian u kualifikuan duke mposhtur Holandën vetëm disa muaj pasi Holanda, kjo superfuqi futbolli, kishte dalë e treta në botë duke mposhtur Brazilin për vendin e tretë. Islanda kishte mposhtur Turqinë edhe Çekinë. Nuk ka më skuadër të dobët në Evropë.

Për fat të mirë për futbolldashësit me përfundimin e këtij Evropiani nuk ndahemi nga futbolli. Tash na presin kualifikimet për botëror dhe do ta kemi për herë të parë në kualifikime edhe Kosovën. Pra do të shkruhet përsëri historia. Si Kosova ashtu edhe Shqipëria ndodhen në grupe jashtëzakonisht të vështira. Është vështirë të besojmë në kualifikim, sepse Shqipëria duhet të jetë më e mirë sesa Spanja dhe Italia. Sepse Kosova është në grup ku nuk ka asnjë skuadër që nuk është e fortë., Kroacia, Turqia, Ukraina, Islanda dhe Finlanda. Por prapë do t’i gëzohemi secilit sukses, secilit gol. Do të ndiejmë prapë emocione pozitive.

Që në shtator në Turku të Finlandës do të shkruhet përsëri historia. Për herë të parë Kosova do të zhvillojë një ndeshje zyrtare kualifikuese. Sikur Kosova të ishte përgatitur me kohë për pranim në FIFA dhe EUFA, sikur politikanët e Kosovës vërtet ta donin futbollin aq sa do t’ia ndërtonin këtij vendi një stadium me standardet evropiane (këto standarde asnjëherë nuk harrojnë pa i përmendur sa herë që flasin për çfarëdo) atëherë edhe me 6 tetor do të shkruhej historia në Kosovë ku do t’i shihnin lojtarët si Luka Modriq, Ivan Rakitić, Ivan Perišić dhe Mario Mangjukiq kur Kosova për herë të parë si nikoqire luan një lojë kualifikuese kundër Kroacisë. Në rregull, do t’i shohim në Shkodër, por kjo tregon se në Kosovë futbolli nuk merret aq seriozisht sa fitohet përshtypja nga postimet nëpër facebook. Infrastruktura është edhe më keq sesa ajo e Shqipërisë e ajo e Shqipërisë është e mjerueshme po ashtu.

Këto 30 ditë të Evropianit megjithatë ishin aq të mira saqë vërtet presim me padurim rastin e ardhshëm. Nëse jo për dy vjet në botëror atëherë për katër vjet prapë në Evropian, me Shqipërinë apo me Kosovën, apo me të dyja nëse na punohet dhe na prin pak edhe fati.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. 

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...