Evropa, mes dëshirës dhe realitetit

7 Korrik 2016 - 08:25 - Enver Robelli      

Nga Selaniku i vitit 2003 në qorrsokakun e vitit 2016: Kosova vazhdon të jetojë me ëndrrën evropiane.

21 qershori i vitit 2003 ishte një ditë me diell, një ditë siç e dëshirojnë të gjithë turistët në Greqi. Por ajo ditë për Selanikun dhe rrethinën nuk ishte ditë e zakonshme. Krahas turistëve në aeroportin e Selanikut po vinin edhe zyrtarët më të lartë të Bashkimit Evropian, kryetarë e kryeministra të shteteve anëtare dhe përfaqësues të vendeve të Ballkanit. Atë ditë në hotelin “Porto Carras Grand Ressort” afër Selanikut, buzë kaltërsisë së detit, po bëheshin premtime solemne. Në Samitin e Bashkimit Evropian me shtetet e Ballkanit Perëndimor u miratua një deklaratë, në të cilën, mes tjerash thuhej: “BE-ja thekson se përkrah pa asnjë rezervë orientimin evropian të shteteve të Ballkanit Perëndimor. E ardhmja e shteteve të Ballkanit gjendet në Bashkimin Evropian”.

Nuk mungonin as apelet për reforma, një ritual që dëgjohet deri më sot, pastaj thirrjet për arrestimin e të dyshuarve për krime të luftës dhe kthimin e refugjatëve. Bie në sy edhe ky konstatim në deklaratën e BE-së: “Ndarja dhe shkëputja sipas kritereve etnike është e papajtueshme me idenë evropiane, e cila është vendimtare për zgjidhjen e problemeve në rajon”. Në vitin 2016 shohim se në Kosovë BE-ja i ka hedhur në shportën e bërllokut këto premtime. Kosova është ndarë në zona etnike, është decentralizuar, komunat e reja janë krijuar jo duke u bazuar në logjikën gjeografike dhe të funksionimit të shteteve, por në krijimin e “rezervateve” për pakicën serbe. Ndonëse nuk thuhet hapur, evidente është se veriu i Kosovës funksionon si kanton më vete, ndërsa së shpejti minoriteti serb do të ketë një lloj qeverie të vetën, bashkësinë e komunave serbe, instrument për të bllokuar dhe sabotuar shtetin e Kosovës sa herë që këtë e kërkon Beogradi.

Më 21 qershor 2003 nëpër korridoret e “Porto Carras Grand Ressort” silleshin edhe politikanët e Kosovës, të cilët ishin pjesë e delegacionit të UNMIK-ut të prirë nga Michael Steiner, një diplomat gjerman i prirë për të fryrë tullumbace, të cilat çaheshin sapo i lëshonte në ajër. Për shembull Steiner kishte marrë vendim për «bashkimin e Mitrovicës» dhe gati të gjitha mediumet kishin rënë pre e kësaj tullumbaceje propagandistike. Në vitin 2016 e shohim se Mitrovica nuk është qytet i bashkuar, por i ndarë dhe me një përmendore të re. (Shqiptarët s’kanë arsye të ankohen për Car Lazarin e Mitrovicës, sepse ekonomia që e kanë zhvilluar më së shumti prej vitit 1999 është – ekonomia e përmendoreve, busteve, pllakave përkujtimore).

Nga të gjitha shtetet e Ballkanit delegacioni i Kosovës në Selanik ishte më i madhi. Përbëhej nga kryetari Ibrahim Rugova, kryeministri Bajram Rexhepi, kryeparlamentari Nexhat Daci, lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, dhe Milorad Todoroviqi nga koalicioni i atëhershëm “Povratak”. Tri ditë para se të mbahej Samiti i Selanikut organizata joqeveritare KACI (Aksioni Kosovar për Shoqëri Civile) kishte prezantuar rezultatet e një sondazhi, sipas të cilit 85,9 për qind e qytetarëve të anketuar nga të gjitha komunitetet ishin të mendimit se Kosova duhet të bëhet shtet i pavarur, i përfshirë në strukturat euroatlantike.

Ndërkohë Rugova nuk është më në mesin e të gjallëve, Rexhepi thuhet se punon si mjek në Mitrovicë dhe hove-hove i shpërthen zemërimi që partinë e tij, PDK-në, e ka marrë në dorë SHIK-u, mandej i bie pishman çfarë ka thënë dhe kthehet në forumet e partisë, kimisti Daci ka hyrë në histori si politikan që rregulloi dhëmbët me para publike dhe u dënua për këtë dhe si përçarës i LDK-së (bashkë me Fatmir Sejdiun), Milorad Todoroviqi është arrestuar në vitin 2008 në Vrajë të Serbisë për keqpërdorime financiare. Në karrierë ka përparuar vetëm Hashim Thaçi falë shkathtësive të tij për të manipuluar zgjedhjet dhe për të krijuar një sistem kleintelist politik, ndërsa Kosova sa u përket integrimeve evropiane stagnon si asnjë shtet tjetër. Mbetet po ashtu vendi më i varfër i rajonit, më i izoluar, me një shoqëri të polarizuar skajshmërisht, të dezorientuar dhe të dëshpëruar.

Nga perspektiva e sotme tingëllon cinike çfarë thoshte më 21 qershor 2003 presidenti i Komisionit Evropian, Romano Prodi. Profesori italian theksonte faktin se mungesa e statusit të Kosovës nuk duhet të jetë pengesë për integrimin e Kosovës në BE. Në fakt edhe statusi i zgjidhur i Kosovës për BE-në është shndërruar në problem. Në krahasim me vitin 2003 Kosova ka ecur me hapa kërmilli drejt integrimeve evropiane. Propaganda e pushtetit e përmend Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asociim, e cila në fakt më shumë është një shpikje e burokratëve të Brukselit për të penguar integrimin sesa për të shpejtuar atë. Sigurisht shkaqet për stagnimin e Kosovës nuk duhet kërkuar vetëm në Prishtinë. Disa prej shkaqeve gjenden në Bruksel. BE-ja ka harxhuar miliarda euro dhe ka dërguar mijëra ekspertë në rajon në kuadër të UNMIK-ut, EULEX-it, OSBE-së, Zyrës së BE-së, përfaqësive diplomatike, KFOR-it për ta bërë Kosovën shtet funksional. Rezultati është tepër modest.

Më 21 qershor 2003 në “Porto Carras Grand Ressort” ishte formuluar edhe ky konstatim: “Krimi i organizuar dhe korrupsioni janë pengesa serioze për krijimin e një demokracie stabile, për sundimin e ligjit dhe për zhvillimin e ekonomisë dhe të shoqërisë civile në rajon dhe në BE ngjallin shqetësime të mëdha. Luftimi i tyre (krimit të organizuar dhe korrupsionit, v.j.) gëzon prioritetin më të lartë”. Kështu përbetohej BE-ja në vitin 2003, kështu përbetoheshin Javier Solana me buzëqeshjen e tij 24-orëshe dhe Romani Prodi me zërin e tij të qetë. Në vitin 2016 krerë të krimit të organizuar, bartës të korrupsionit, shefa të nëntokës mund të krenohen: nën mbikëqyrjen e BE-së kanë arritur ta zaptojnë një shtet. Kosovën. Nga Selaniku i vitit 2003 kemi arritur në qorrsokakun e vitit 2016: Kosova vazhdon të jetojë me ëndrrën evropiane.

robelli@bluewin.ch 

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...