N’hava

5 Korrik 2016 - 09:10 - Flaka Surroi      

Problemi kryesor ndërnjerëzor po del të jetë mungesa e dialogut. Për më keq, është mungesa madje edhe e përpjekjes për t’u marrë vesh. Është insistimi i imponimit që jo rrallë për rezultat do të sjellë dhunë

Nuk e di nëse ju ka rënë hise ndonjëherë që të qortoheni pse veproni i hutuar dhe i shpërqendruar me thënien: “Eh, bre, trutë në hava i ke!” Unë për vete, jo rrallë, e kam marrë këtë vërejtje, porse sinqerisht, në fëmijëri, nuk e kuptoja se çfarë domethënieje kishte. Më vonë do të kuptoja se havaja ishte qielli, ashtu siç kuptova se qielli nuk kishte fund që shihej me sy, as themel, e as mund të prekej me dorë. Pra ishte diçka e largët që nuk e prekte tokën, por që dinte të mbushej me re, ndonjëherë edhe të zeza që sjellin terr.

E havaja rastisi të ishte ajo që e karakterizoi javën që po kalon.

Vrasje në emër të Zotit

Atatürk Havalimani (pra aeroporti kryesor i Stambollit), u bë cak i një sulmi të pakuptimtë të terroristëve të çmendur, që duke e shpërthyer veten me eksploziv, morën jetën e së paku 44 vetave dhe plagosën më shumë se 200 pasagjerë e kalimtarë rasti. Psenë e një veprimi të këtillë është vështirë ta deshifrosh: ama bash asnjë “luftë e shenjtë”, asnjë dogmë a ideologji s’e arsyeton vrasjen e njerëzve. Të thuash se po vepron në emër të Zotit, është rrenë e kulluar, sepse ata që besojnë, e dinë se Zoti u ka thënë “mos vrit”.

Se secili shekull ka pasur vrasësit, luftërat e shkatërrimet e veta, këtë tashmë e ka dëshmuar historia. Porse që edhe pas gjithë këtyre shekujve ende gjenden motive për vrasje masive tregon se në esencë njerëzit vazhdojnë të jenë primitivë – ashtu të egër çfarë na i kishin pasqyruar në shkollë. Asi, që hegjemoninë e tyre e sigurojnë me stupca e me shigjeta. Asi, që në ditët e sotme, besojnë sesi të dërguar nga i mbifuqishmi, kanë të drejtë të vendosin për jetën e të tjerëve. Asi, që paradite e urrejnë gjithë botën, e mbasdite edhe veten: pra, mund edhe ta vrasin veten, me kusht që me vete i marrin edhe dhjetë a njëzet të tjerë, që rastisin të jenë aty pari.

Edhe rasti i fundit në Stamboll e dëshmoi se problemi kryesor ndërnjerëzor është mungesa e dialogut. Për më keq, është mungesa madje edhe e përpjekjes për t’u marrë vesh. Është insistimi i imponimit që jo rrallë për rezultat do të sjellë dhunë.

Njësoj sikur në vitet ’90

Havaja, pra qielli, është bota e hyjve. Kështu na e mësoi mitologjia. Kurse mitologjinë më së miri e përpunuan serbët që veten e shpallën popull hyjnor. Duke qenë hyjnorë, ende besojnë në mite. Për më tepër, edhe jetojnë me to.

Dhe, kështu, të martën, në Mitrovicë e Gazimestan, u festua 627-vjetori i Betejës së Fushës së Kosovës. Lufta e humbur sërish u mitizua në fitore dhe si nga qielli na zbarkoi një car, me gisht të kthyer nga jugu – për të vërtetuar edhe njëherë sikurse në shumë vitet që kanë kaluar, se veriu i Kosovës moti nuk është i Kosovës.

Në një atmosferë kishtare-politike u mbajtën një sërë fjalimesh patetike për Kosovën serbe; u dëgjuan ankesa serbësh se nuk kanë kurrfarë të drejtash në Kosovë; se e kishin të penguar lëvizjen e lirë; dhe iu dha vulë ndasisë së thellë të veriut, që me lëshime pe të vazhdueshme të palës shqiptare kosovare, do të përfundojë me një çintegrim territorial dhe pasuror të asaj treve. Sikurse në kohën e Millosheviqit, shqiptarët u përbuzën sërish; thuajse në atë që është Mitrovica veriore sot, nuk ka pasur kurrë asnjë shqiptar; thuajse asnjë pronë nuk u është marrë me dhunë e vrasje; thuajse ai territor nuk figuron në stemën e Republikës së Kosovës.

Mbase kush më mirë nuk e shpjegoi ngjarjen e së martës se miku im në FB, Bekim S.:

“Refuzimi i rusëve për ta vizituar bregdetin turk e shtyri Erdoganin t’i kërkojë falje Rusisë.

Serbia jo që nuk i kërkon falje Kosovës, por madje haptas e thonë se do ta zhbëjmë shtetin e Kosovës.

Kosova vetëm për një muaj (prill 2016), sipas Agjencisë së Statistikave, ka importuar nga Serbia rreth 32 milionë euro mallra. Ndërsa në vit nga Serbia importon rreth 300 milionë euro. Nga ana tjetër, Serbia për çdo vit investon vetëm në teknikë ushtarake rreth 100 milionë euro. Pjesën tjetër të pareve tona e shfrytëzojnë për të bërë cara e krala në Kosovë”.

Kështu, serbët carat i sjellin nga havaja, aty ku duket se janë stacionuar politikanët tanë.

FB politika

E havaja ka një copë kohe që e ka marrë formën e një rrjeti gjigant merimange, ç’prej u shpik interneti. Një prej nënzbulimeve të këtij zbulimi është edhe Fejsbuku, që tashmë është shndërruar prej kohësh në zëdhënësin e Qeverisë së Kosovës.

Që nga koha e Thaçit në krye të Qeverisë është bërë praktikë neveritëse që politikanët të komunikojnë me votuesit vetëm nëpërmjet faqeve të tyre zyrtare në FB. Duke hequr dorë prej moti nga komunikimi i drejtpërdrejtë me qytetarët dhe duke e pasur prioritet të fundit interesimin se çfarë në të vërtetë janë gjërat që i preokupojnë qytetarët, këta kanë zgjedhur të postojnë fjalime e mendime, jo rrallë ultimative, për ta arsyetuar një qëndrim politik.

Duke e anashkaluar mundësinë e debateve publike me qytetarë (që preferohet kur bëhet fjalë për miratimin e ligjeve, ta zëmë) dhe duke e shmangur edhe debatin në shtëpinë e sovranit, në Kuvend, politikanët i plasojnë qëndrimet e veta aty – duke ditur se mediumet do t’i citojnë. Dhe jo pse domosdo kanë thënë diçka të mençur, por për shkak se kjo tashmë po bëhet forma e vetme në të cilën po mund të kuptohet se çfarë mendojnë këta njerëz (do të ishte tejet interesante po qe se mediumet vendosin një ditë që të mos ua shikojnë më faqet, e që të mos i citojnë. Çfarë do të ndodhte, athua?)

As kjo javë s’qe përjashtim në këtë nivel të komunikimit për havaje. Kësaj radhe kryeministri, pasi e mori aminin nga kryetari Thaçi (“...duhet të vendoset për demarkacionin brenda dhjetë ditësh”), në një postim me mjaft gabime gjuhësore, shkroi edhe këtë: “...Qytetarët tanë dhe përfaqësuesit e tyre në Kuvend duhet ta dinë qartë se demarkacioni është një obligim yni para bashkësisë ndërkombëtare, obligim edhe për liberalizim të vizave. Nuk është çmim për liberalizim, sepse askush nuk e ka argumentuar asnjë metër të territorit të Kosovës se po jepet për viza. Por nëse nuk bëhet demarkacioni Kosova do të humbë shansin për të lëvizur pa viza. Ndërkaq ekziston, po ashtu, rreziku që Kosova të futet në një cikël, ku individët mund të shkaktojnë incidente kufitare me një vend mik, anëtar të NATO-s.

Procesi i demarkacionit nuk përmbyllet me ratifikimin e tij, në çdo rast kur dikush në Kosovë argumenton se ka bazë ligjore për të kërkuar korrigjim, kjo mund të bëhet, në harmoni edhe me deklarimin e Malit të Zi.”

Është interesante se sikurse edhe për rastin e marrëveshjes së gushtit, Mustafa nuk e bëri as përpjekjen minimale për t’i dëgjuar ata që e kundërshtojnë marrëveshjen për demarkacionin. Marrëveshje të cilën e ka nënshkruar Thaçi në cilësinë e ministrit të Jashtëm, dhe për të cilën nuk ka dhënë sqarim tjetër, pos që ky është propozimi i dakorduar nga komisionet ndërshtetërore. Në asnjë çast të vetëm – derisa demarkacioni nuk u bë çështje debati të zëshëm brenda dhe jashtë Parlamentit, nuk doli askush për të thënë se metoda e zbatuar në këtë rast ishte ajo kadastrale.

Prej fillimvjeshtës së vjetme e deri sot kanë kaluar dy stinë dhe pushtetarët vazhdojnë të ecin mbi re, në pritje që edhe problemet të shkojnë për havaje. Në gjashtë-shtatë muajt e fundit, nuk është bërë asnjë përpjekje e vetme që të mblidhen kundërshtuesit nga njëra anë dhe hartuesit nga tjetra për t’i këmbyer argumentet. Pushtetarët u kënaqën me vlerësimin e një komisioni ad hoc pro forma, dhe me aq e mbyllën kapitullin. Dhe, tash, me kërcënimin e liberalizimit dhe të problemeve hipotetike të sigurisë me një shtet të NATO-s, insistojnë, gjithsesi përsëri prej së larti, që kjo punë të kryhet para datës 15 korrik.

Nuk është e vërtetë, siç e thotë kryeministri, se qytetarët nuk janë ankuar për humbje territori. Është së paku një qytetar, që njëkohësisht është profesor i së drejtës ndërkombëtare dhe anas i Pejës, i cili thotë se demarkacioni i fundit është i gabuar. Pa hyrë në elaborime të gjata teknike, ai e ofron së paku një provë që do të duhej ta shtynte kryeministrin ta qiste gishtin në tëmth: një hartë që e mban emrin Peć 3 List 152 e që është botim i Institutit gjeografik-ushtarak (të ish-Jugosllavisë, kuptohet) – punuar në bazë të përmasës topografike nga viti 1925 dhe që është plotësuar më 1952. Sipas asaj harte, po citoj: “Vija kufitare kalon nëpër kuota Starac 2426, kuota 2410, kuota 1993, kuota 1928, Kërshi i Çikës kuota 2046, Çakorr 1849… Bjelluha është thellë në territorin e Kosovës. Ndarja e bërë i përgjigjet kriterit të ujëndarjes (vodomedja në serbo-kroatisht dhe watershed në anglisht)”.

Para se të bëhet vonë, Qeveria do të bënte mirë që t’i rikthehej dokumentit. Dhe do të duhej ta korrigjonte gabimin po qe se konstatohet se marrëveshja nuk është e mirë dhe shkon në dëm të Kosovës. Të gabosh është njerëzore. Porse është irracionale ta mbrosh një gabim, veç pse nuk do që ta pranosh atë.

* * *

Sado që më së shumti i afrohen havasë, Bjeshkët e Rugovës megjithatë janë të arritshme dhe të prekshme. Ato, në fakt, janë figurativisht klithja e fundit që i fton palët e konfrontuara që të ulen e të bisedojnë. Që të gjejnë zgjidhje. Qe të arrijnë konsensus.

Shteti nuk mund të udhëhiqet duke pretenduar se problemet nuk ekzistojnë, sepse ato ndodhin në tokë, përderisa trutë i mbajmë në hava. Nuk mund të shkohet përpara nëse e gjithë politika është krijimi i armiqve dhe i armiqësive me ata që nuk mendojnë njësoj dhe të cilët nuk e pranojnë imponimin si metodë sundimi.

Sepse, e thotë fjala e urtë, ku përlahen dy, përfiton i treti. Hyjnori.

flaka@koha.net 

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...