Para BE-së, Kosova duhet të synojë NATO-n

3 Korrik 2016 - 08:00 - Agron Bajrami      

Pyetja që na shtrohej para BREXIT-it ishte: nëse Britania del nga BE-ja, dhe BE-ja nis të rrënohet prej brenda, cila rrugë i mbetet Kosovës? Tani që Britania vendosi të largohej, edhe Kosova duhet të marrë vendimin strategjik: të orientohet më shumë nga NATO-ja

Java e parë pas rezultatit shokues të referendumit britanik është dominuar nga parashikimet se si e ka ndryshuar botën perëndimore vendimi për largimin e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian. Derisa BE-ja ka ndërmarrë hapat e shpejtë për të qartësuar dhe shkëputur sa më parë lidhjet me “tradhtarët” e Evropës në Londër, skena politike britanike tashmë është zhytur në kaos të plotë, ku të gjitha partitë po përjetojnë kriza të brendshme. Pozita e nxehtë e kryeministrit, prej së cilës David Cameron e ka dhënë dorëheqjen një ditë pas referendumit për BREXIT, tani duket të jetë posti më i padëshiruar politik në gjithë Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa vetë britanikët kanë nisur të pendohen për votimin që bënë.

Paralelisht, e gjithë bota është duke vëzhguar ç‘po ndodh përtej La Manshit dhe pasojat që ky vendim do t’i ketë në organizmin politiko-ekonomik të Evropës së bashkuar. Tregjet ndërkombëtare janë destabilizuar, ndërsa parashikimet për të ardhmen janë nga më të ndryshmet: dikush këtu sheh fillimin e fundit edhe të BE-së, edhe të Britanisë, e të tjerët shohin mundësi për zhvillime të reja, pozitive, nga ky termet politik.

Të shumtë janë, sidomos përtej Atlantikut, që vëzhgojnë, jo pa drojë, nëse trendi nacionalist politik në Britani dhe Evropë mund të jetë shtysë për një fitore të kandidatit populist republikan, Donald Trump, që konsiderohet të jetë një rrezik edhe më i madh global për unitetin e demokracive perëndimore sesa largimi i Britanisë nga BE-ja. Andaj, mbetet shumë diskutabile nëse dalja e Britanisë nga BE-ja do të jetë ngjarja e vitit 2016, apo ndoshta këtë epitet do ta grabisë rezultati i zgjedhjeve në SHBA.

* * *

Debati post-BREXIT tashmë është përqendruar në efektet afatgjata të shkurorëzimit politik mes Britanisë dhe Bashkimit Evropian. Shumë emra kredibilë tashmë parashikojnë se brenda pesë vjetësh Britania e Madhe mund të mos ekzistojë më kështu si është, meqë Skotlanda preferon mbetjen në BE, dhe është e gatshme që për këtë të pavarësohet nga Britania, ndërsa edhe gjysma e popullatës së Irlandës Veriore mund të kërkojë ndarje nga Londra, po ashtu, për t’iu bashkuar Republikës së Irlandës, e cila mbetet anëtare e BE-së.

Sado ogurzeza të jenë parashikimet për Britaninë në pesë vjetët e ardhshëm, edhe më hijerënda janë ato për BE-në. Një numër i madh analistësh amerikanë, por edhe disa evropianë mendojnë se pas thyerjes britanike projekti evropian do të duhej të pësonte ndryshime rrënjësore, ose do të përballej me shpërbërje të mëtutjeshme. Madje, disa si Richard Haas nga Këshilli për Marrëdhënie të Jashtme me seli në Washington dhe John McLaughlin, që ka qenë ushtrues detyre i shefit të CIA-s në vitin 2004, mendojnë se viti 2021 do ta gjejë BE-në të braktisur edhe nga disa anëtarë të tjerë, ndërsa projekti evropian do të mbijetojë vetëm si një formë e organizimit të disa shteteve të eurozonës rreth Gjermanisë, si shtetit dominues politik-ekonomik. Haas nuk parashikon zhdukjen e BE-së, por e sheh atë si organizëm më të dobët, me të cilin shtetet e tjera do të krijojnë lidhje të veçanta, varësisht nga interesat, ndërsa Ian Bremmer nga Grupi Euroasia thotë se pesë vjet prej sot projekti i gjerë i BE-së do të konsiderohet i dështuar.

Sigurisht, ka edhe të tillë që parashikojnë zhvillime shumë më pozitive, por njëkohësisht ka vlerësime se Evropa tashmë po lëviz drejt përsëritjes së vitit 1933 – kur nisi periudha e konflikteve politike, mllefit, vendimeve të rrezikshme dhe izolimit që quan në Luftën e Dytë Botërore!

Sidoqoftë, ajo që duhet vërejtur nga debati global rreth BREXIT-it, me gjithë rezervat, është se një numër i konsiderueshëm i njohësve të zhvillimeve gjeopolitike dhe historike globale shohin një mundësi reale që projekti i një Evrope të madhe të bashkuar të përfundojë!

Me çka vijmë edhe deri tek pyetja shumë relevante për ne: Cila është rruga e Kosovës, nëse BE-ja zhduket si opsion?

Që do të thotë, nëse pas Britanisë së Madhe nga BE-ja vendosin të dalin edhe disa shtete, vendet si Gjermania e Franca vendosin të krijojnë aleanca të tjera funksionale politiko-ekonomike, dhe Brukseli gradualisht shndërrohet në qytet periferik të politikës evropiane, cila është rruga që do të marrë Kosova?

Cila është aleanca strategjike e Kosovës në kërkim të sigurimit të perspektivës politike, ekonomike dhe të sigurisë?

Kush do të jetë garanti që raportet e tensionuara mes Kosovës dhe Serbisë nuk përshkallëzojnë në një konflikt të hapur, e madje edhe kthim në përplasje të armatosur?

Deri më tani, lidershipi i Kosovës ka pasur vetëm një përgjigje në pyetje të tilla: “Integrimi evropian është rruga e Kosovës, dhe ajo nuk ka alternativë”!

Por, pas BREXIT-it dhe pasojave që sjell ai, kjo përgjigje nuk mjafton. Madje, është e paqëndrueshme.

Koha është që Kosova të gjejë alternativën.

* * *

Në një bisedë të para disa javëve me ca miq, kur diskutuam mundësinë e daljes së Britanisë së Madhe nga BE-ja, më shumë si skenar i pamundur që nuk e besonim askush se do të ndodhte, u shtrua edhe kjo pyetje: nëse Britania del nga BE-ja, dhe BE-ja nis të rrënohet prej brenda, cila rrugë i mbetet Kosovës? Cila është alternativa?

Përgjigjja ime atëherë ishte kjo që e kam dhe sot: NATO-ja!

Në fakt, mendoja atëherë dhe jam edhe më i bindur sot se afrimi me NATO-n do të duhej të ishte prioritet më i madh për Qeverinë e Kosovës sesa afrimi me BE-në!

Procesi i anëtarësimit në NATO sigurisht se është i komplikuar dhe problematik, por jo më shumë sesa anëtarësimi në BE. Aq më tepër që brenda NATO-s kemi shumë më shumë aleatë të vërtetë sesa në BE, marrë parasysh se aty fjalën kryesore e ka SHBA-ja, ndërsa anëtare është edhe Shqipëria.

Dhe, po ashtu, Britania e Madhe!

Andaj, para BE-së, Kosova duhet të synojë NATO-n!

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. 

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...