Një sondazh kontrovers në një vend që ka rënë në duar idiotësh (2)

2 Korrik 2016 - 08:17 - Halil Matoshi      

KIPRED në studimin e vet “fajëson” pavarësinë e Kosovës edhe për relativizimin (zbehjen) e identitetit të fortë etnik (në globalizim), por edhe në relativizimin e nacionalizmit shqiptar, ngase simbolet kosovare nuk përmbajtkan asgjë shqiptare, por sipas këtij “studimi” del se identitetin e fortë etnik në Kosovë po e zëvendësuaka identiteti fetar islam!? Pa u kujtuar se shteti modern është kulmi i organizimit të një shoqërie politike dhe se “identitetet etnike” tashmë kanë dalë nga historia… Dhe kur së fundi, profesori David Philips demantoi hapur pretendimet e prestigjiozes newyorkeze se Kosova na qenkësh “tokë e pëlleshme e ISIS-it”, pati guximin të thoshte se pretendimet e NYT përkojnë me agjendat serbe karshi Kosovës!?

Vijon nga numri i djeshëm i gazetës

Dhe në fund lexoni tre faktorët jologjikë të KIPRED-it që paskëshin rritur radikalizmin islam në Kosovë. Pa asnjë reference në studime paraprake empirike dhe pa iu ndërruar çehrja, autorët e studimit vlerësojnë në mënyrë arbitrare se Pavarësia e Kosovës ka krijuar hapësirë shtesë për të manovruar dhe forcuar identitetin fetar (mysliman)!?

“Fillimisht, Pavarësia e Kosovës nënkupton se elita politike kosovare, në veçanti Qeveria, e kishte rritur autoritetin, si dhe përgjegjësinë në lidhje me të gjitha çështjet e rëndësishme në vend. Së dyti, Shpallja e Pavarësisë formalizoi fillimin e një procesi të krijimit të një identiteti të ri kosovar për shqiptarët e Kosovës. Një proces i tillë krijoi një hapësirë shtesë për të manovruar dhe forcuar identitetin fetar (mysliman). Së treti, Shpallja e Pavarësisë së Kosovës koincidoi me ekspansionin global të rrjeteve radikale islamike, të ashtuquajturave “Pranvera Arabe” dhe krijimin e të ashtuquajturit “Shtetit Islamik të Irakut dhe Sirisë “(ISIS). Këta faktorë së bashku kanë krijuar një realitet që ka rezultuar në radikalizmin dhe ekstremizmin e shtresave të caktuara të shqiptarëve myslimanë në Kosovë.”

Pra të konkludosh se formalizimi i fillimit të një procesi të krijimit të një identiteti të ri kosovar për shqiptarët e Kosovës ka krijuar hapësirë shtesë për të manovruar dhe forcuar identitetin fetar mysliman është tezë jo vetëm e rreme, porse kundërhistorike dhe manipuluese. Kurse faktori i tretë (duket se studiuesit e KIPRED-it kanë dashur të thonë se koha (momentum) e Shpalljes së Pavarësisë koincidoi me ekspansionin global të rrjeteve radikale islamike (…), sepse Shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk ka koinciduar me këtë ekspansion, në asnjë pikë referenciale dhe me asnjë rrethanë.

Pra këtu kemi të bëjmë me huqje të logjikës së brendshme të gjuhës.
Pastaj analiza e KIPRED-it ka probleme serioze jo vetëm me mosnjohje të thellë të dallimit mes etnisë dhe kombit, si dhe dallimet komb etnik dhe komb qytetar, sepse Kosova sipas Pakos Ahtisaari është projektuar si një shtet-komb shumetnik me bazë qytetare.
Ndërsa qasja e KIPRED-it për raportet identitare komb-fe në Kosovë është qasje etnonacionaliste, që mohon shumetnicitetin në kombin e ri kosovar (Zaten autorët i shmangen termit “komb kosovar” dhe e përdorin nocionin “identitet kosovar”), duke u bazuar gjithnjë në ekskluzivitetin e kombit unik shqiptar.
Autorët po ashtu nuk e vërejnë rrugën e ndryshme të kombformimit simbolik në Kosovë (vetëvendosjen jashtë kontekstit kolonial.)

Lexoni me vëmendje se me çfarë konstatimesh paushall del KIPRED-i: “Për sa u përket religjionit dhe ndërrimit të identitetit në mesin e shqiptarëve të Kosovës, krijimi i identitetit të ri kosovar paraqet një pasojë tjetër të rëndësishme të Pavarësisë së Kosovës.

Shqiptarët e Kosovës, të cilët kanë kultivuar një identitet të fortë etnik, pas Pavarësisë janë përballur me një realitet paksa konfuz. Pas përfundimit të projektit politik për një Kosovë të pavarur, ata papritur iu ekspozuan lojaliteteve divergjente. Natyrisht, duke qenë një shtet i pavarur, Kosova u përball me sfidën e krijimit të një identiteti kombëtar shekullar, i cili do të mund të tejkalonte ndarjet etnike dhe fetare. Si rezultat, simbolet e shtetit të ri, si flamuri dhe himni kombëtar iu shmangën çdo simboli kombëtar shqiptar nga e kaluara.

Megjithatë, “ribrendimi” i Kosovës ka pasur në mënyrë të pashmangshme një ndikim denacionalizues mbi shqiptarët e Kosovës. Fatkeqësisht, në vend se identiteti shtetëror i Kosovës dhe ai shqiptar të trajtoheshin si komplementare, debatet politike në Kosovë shpeshherë i kanë portretizuar ato si ekskluzive. Si pasojë, besnikëria e shqiptarëve të Kosovës nga koha e Pavarësisë është zhvendosur ngadalë nga shqiptaria dhe shteti i Kosovës, në një identitet fetar, me shfaqjen e elementeve të islamit radikal.”

Ky konstatim është arbitrar së këndejmi oponent (armiqësor) kundrejt pavarësimit të Kosovës dhe është i barasvlershëm me kundërshtarët e Pavarësisë së saj, që sovranitetin dhe identitetin e kombit të ri nuk e shohin si identitet shtetëror laik dhe identitet shoqëror e kombëtar shekullar, por si identitet islam!?
Ndërkohë që një pandehmë e një portali kosovar (që e citon KIPRED-i) se në Kosovë qenkëshin ngritur “kampe të zeza” para ushtarake të xhihadistëve, pa pasur vullnet dhe interes (?) që këtë thashetheme ta konfirmojë tek organet zyrtare, nga Qeveria e Kosovës dhe segmentet e saj të sigurisë, dëshmon qasjen joserioze, indolente dhe të rrezikshme të KIPRED-it?

Në studim thuhet se dokumentari u ka dërguar një mesazh të qartë institucioneve të Kosovës dhe shoqërisë së gjerë në lidhje me kompleksitetin dhe seriozitetin e islamit radikal në vend.
“Dokumentari zbuloi se ISIS dhe “Al-Nusra” kanë trajnuar rekrutë të ardhshëm në dy kampe në afërsi të qytetit të vogël të Vitisë.”
Po ashtu në studim thuhet se Partia e Drejtësisë ka promovuar në fushatë zgjedhore vlerat e Sheriatit, por kjo nuk argumentohet me asgjë. Nuk jepet ndonjë pjesë programore e kësaj partie ose ndonjë ligjëratë e ndonjë eksponenti të saj në publik.
Thjesht mbetet hamendësim i autorëve.

Ndërsa thirrja në gazetën “e respektuar” amerikane “The New York Times” është po ashtu bindje dhe kurrsesi argument, sepse së pari ministri i Brendshëm kosovar, Skënder Hyseni, e demantoi NYT –in , pastaj u botua një shkrim i Freedom House që vlerëson se shtetet e Ballkanit po i dështojnë qeveritë ekstraktive (përfituese) e jo besimtarët ose ndonjëfarë radikalizmi fetar!? (https://freedomhouse.org/blog/terror-southeastern-europe-s-failing-states.)

Në këtë vazhdë, pas shkrimit të NYT që Kosovën e shihte “si tokë të pëlleshme të ISIS-it” edhe "Politika" e Beogradit u ngut që të jepte versionin e saj.

Pra ish-gazeta e komunistëve e pastaj e fashistëve të Beogradit e citoi profesorin e Harwardit, Niall Ferguson - qe si një armik i përkorë - paskësh thënë se "do të mbetej i befasuar nëse nuk ndodh parashikimi atavist i NYT në Kosovë", sepse, sipas tij: "Amerika ka krijuar shtet jostabil dhe të rrezikshëm".
Ashiqare, gazetarë të profileve të ndryshme, që disa nga ta e dëgjojnë për herë të parë në jetë emrin Kosovë, të zënë nga “ethet e arit” janë çmistuar që t’i vërsulen Kosovës, pa u kujtuar që po kafshojnë shpirtrat e njerëzve edhe ashtu në halle të mëdha me varfërinë dhe qeveritë përfituese në kurrizin e tyre…

Ndonëse edhe disa njerëz në Kosovë, të mbetur pa asnjë kauzë të vërtetë dhe të drejtë po e dëshirojnë kataklizmin...
Sepse duan t’u përmbushen parashikimet apokaliptike!?
Qarqe edhe brenda ShBA-së dhe gjithandej nëpër botë synojnë që t’ia atribuojë gabimin për çlirimin dhe njohjen e Kosovës administratës amerikane për ta zhvlerësuar pavarësinë e saj kombëtare eventualisht për ta shpallur Kosovën “shtet të dështuar”!

Kjo ishte njëra nga poentat e shkrimit të NYT për Kosovën.
Dhe, së fundi, duhet theksuar deklarata e fortë e profesorit David Philips nga Universiteti i Kalifornisë, i cili i demantoi hapur pretendimet e prestigjiozes newyorkeze!?
Philips madje tha se pretendimet e NYT përkojnë me agjendat serbe karshi Kosovës!?

(http://www.telegrafi.com/david-philips-artikulli-neë-york-times-perkon-agjenden-serbe-kunder-kosoves/)
Së fundi (28 qershor 2016) u bë edhe një demant nga policia kosovare ndaj një shkrimi të paargumentuar dhe fyes për Kosovën, këtë herë në Radion “Evropa e lirë”, që “ecte” gjurmëve “të hulumtimit” të NYT, me të vetmin dallim, që gazeta newyorkeze ishte më tahmaçare në cilësime, pra me më shumë kujdes e cilësonte Kosovën “tokë të pëlleshme për ISIS-in”, ndërsa REL shkon më tej, e quante “fabrikë” të xhihadistëve, duke e cilësuar Kosovën e vogël si “ kontribuuesen më të madhe në Evropë me luftëtarë për ‘Shtetin Islamik’”!?

Policia thotë se në tetë muajt e fundit asnjë kosovar nuk u është bashkuar organizatave terroriste në Siri e Irak.
Filozofi francez, Jean Baudrillard, pati guximin që të na e testojë “tronditjen e së vërtetës” të përjetuar kur ndodhi akti terrorist i paparë në histori, më 11 shtator 2001. Për të 11 shtatori ishte imazhi që përdhunshëm po merrte hak ndaj botës së kthyer në simulacrum virtual. Krimi i pafalshëm i “Al-Qaeda”-s ishte se i rrëmbeu mediat “më në fund për një ngjarje të vërtetë” – të vërtetë, sepse pa fije dyshimi ajo kishte domethënie simbolike të mirëfilltë.
Por kjo domethënie duhet të kuptohet si realitet që buron prej vetë fajësisë sonë të papranuar që mund të formulohet kësodore: ”…ata” e bënë, por ne e dëshiruam.” (Shih: “Postmoderna’ - shkurt e shqip - nga R. Appignanesi & Ch. Garrat dhe Z. Sardar & P. Curry; “Rrokullia”, Prishtinë, 2006.)

Pra, sipas Baudrillard, “11 shtatori nuk e përfaqëson lakminë e Botës së Tretë për pasurinë tonë dhe liritë tona të privilegjuara. Ai na përfaqëson ne, perëndimorëve, që donim ta shihnim Amerikën tek ndëshkohet për përparimin që na e garanton.”
A domethënëë kjo se në këtë kontekst “ne duam ta shohim” sesi ndëshkohet Kosova, si një projekt që implikon qasjen kundër-Westphaliane të Perëndimit madje edhe “ndrydhjen” e vet nacionalizmit shqiptar kundrejt Kosovës së pavarur!?

A “duam” ta shohim Kosovën si projekt të dështuar, të dale ndoresh, projekt “të rrezikshëm e jostabil” (Ferguson) të amerikanëve në Evropë, i cili vërtet do të na befasonte – ne perëndimorëve - nëse nuk realizohen parashikimet apokaliptike të NYT!???

Analogjitë me atë që tha Baudrillard për 11 shtatorin janë krejtësisht të vlefshme.
“Ata (mund?) e bënë – ne e dëshiruam.”
Pra, qytetaria kosovare e ka në dorë larinë e Kosovës – larinë e vet – që di dhe do ta ruajë!

- Fund -

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...