Symbyllur drejt qorrsokakut

30 Qershor 2016 - 08:34 - Enver Robelli      

Vendimi i një shumice të ngushtë të britanikëve për të braktisur BE-në është pasojë e një fushate të ndërtuar me gënjeshtra. Rrjedhimisht, edhe shumë mbështetës të Brexitit janë të tronditur, ndërsa politikanët që i prinë fushatës tani heshtin ose duan të ruajnë privilegjet për ekonominë britanike në BE.

Ka gjuetarë që kur dalin në mal e qëllojnë cakun. Ka të tillë që nuk e qëllojnë cakun. Dhe ka gjuetarë që gjuajnë në të gjitha drejtimet, duke shkaktuar ushtimë në mal pa e goditur cakun. I tillë duket deputeti i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Ben Blushi, i cili pas vendimit të një shumice të ngushtë të britanikëve për t’ia kthyer shpinën BE-së, i gjeti fajtorët për krizën e madhe që ka kapluar BE-në. Fajtorë, shkruan Blushi, janë gjermanët.

«Gjermanocentrizmi», vazhdon ai analizën e tij symbyllur dhe sypatrembur,«është kthyer në një shqetësim për të gjithë evropianët që nuk janë gjermanë. Francezët rrëzuan një president para katër vjetësh, sepse menduan se ai ishte kukulla e Merkelit. Kryeministri i parafundit italian mendonte se Gjermania i bëri puç për ta larguar atë nga pushteti. Grekët shkuan në falimentim, duke besuar se ishin bankat gjermane ato që i zhytën në krizë.

Në përgjithësi rritja e ndikimit gjerman i ka ftohur evropianët. Evropa nuk është krijuar si një bashkësi, ku njëri është më i madh dhe më i pasur se të tjerët. Ky projekt është ndërtuar mbi bazën e barazisë së të drejtave dhe jo diferencave të pasurisë. Gjermania e dhjetë vjetëve të fundit e shkatërroi me ndërgjegje dhe megalomani këtë traditë, duke i shkëmbyer të drejtat me para. Kjo është hera e dytë që e bën brenda një shekulli: herën e parë më armë, herën e dytë me para».

Ndërlidhja që Blushi i bën Gjermanisë së sotme fund e krye demokratike me Gjermaninë naziste lëre që është ahistorike, por edhe perfide. Në betejën për t’i mashtruar votuesit britanikë edhe Boris Johnson, ish-kryetar i Londrës, e kishte krahasuar Bashkimin Evropian me Hitlerin dhe planet e tij për një supershtet. Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, kishte reaguar kundër deklaratës së Johnsonit, duke thënë se ai i kishte kaluar «kufijtë e diskursit racional» dhe kishte dëshmuar «amnezi politike». Kjo vlen edhe për Ben Blushin.

Sipas tij, krejt fajin e kanë pasunarët gjermanë, të cilët me kapitalin e tyre po e mbajnë nën kontroll, madje po e poshtërojnë dhe varfërojnë Evropën. Grekët nuk qenkan fare fajtorë që lejuan që shtetin e tyre me dekada ta qeverisin keq dy dinasti familjare, duke e shndërruar në gërmadhë burokratike. Fajtorë s’qenkan as francezët, ku e majta me dekada lufton me çdo mjet çdo reformë në tregun e punës. Fajtorë s’qenka as e majta italiane, as e djathta (Berlusconi!) për problemet e ekonomisë italiane, jo, fajtor është Berlini, është i bindur Blushi. E si ndodhi që në zgjedhjet e fundit në Romë socialdemokratët e shokut Matteo Renzi të pësojnë debakël dhe postin e kryetares ta fitojë një avokate 37-vjeçare pa përvojë politike nga lëvizja populliste “Pesë Yjet”?

Argumenti i Blushit se britanikët për shkak të historisë së lavdishme nuk duan t’i nënshtrohen Evropës, është absurd, sepse hesht disa të vërteta.
Rrëfimi për Britaninë e Madhe si superfuqi ka marrë fund më 1945, ndonëse ishte fituese e Luftës së Dytë Botërore. «Që nga fillimi i viteve ’60 në ishull ka mbretëruar një krizë e përhershme ekonomike, e karakterizuar nga papunësia në rritje, inflacioni po ashtu në rritje dhe që nga mesi i viteve ’70 është shënuar një rënie e vazhdueshme e fuqisë blerëse të funtës. (...) Ashtu siç quhej Perandoria Osmane ‘e sëmura e Bosforit’, kur filloi të shkatërrohet, edhe Britania e Madhe nisi të quhej ‘njeriu i sëmurë i Evropës’. Sëmundja ishte në boshtin kurrizor: një deindustrializim i pandërprerë; pikërisht në atë vend që dikur kishte qenë lokomotivë e industrisë evropiane».

Ndoshta Blushit nuk do t’i acarohen nervat që këtu po e citojmë një gazetë të pasunarëve gjermanë - «Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung». (Përndryshe Britania ka hyrë në BE në vitin 1973, kur tashmë ndodhej në krizë ekonomike).
Një aspekt tjetër që Blushi e hesht është fushata e mbështetësve të Brexitit, e cila u bazua në gënjeshtra, premtime aventuriere, injorancë dhe frikësim të qytetarëve nga ardhja e të huajve. Fakt është që në Britani për çdo vit vijnë deri në 300 mijë të huaj, kryesisht nga Bashkimi Evropian, por ata nuk po ua marrin vendet e punës vendasve, por po kryejnë punët që vendasit nuk duan t’i kryejnë më (kantieret e ndërtimtarisë në Britani janë të mbushura me punëtorë polakë, spitalet me infermiere nga Evropa Lindore).

Në fund të fushatës mbështetësit e Brexitit thanë se po qëndroi Britania në BE do të vërshohet nga 70 milionë turq. Kjo ishte një shpifje, sepse gjasat që Turqia të hyjë në BE janë minimale në 50 vjetët e ardhshëm. Lideri i popullistëve antievropianë në Britani, Nigel Farage, tha gjatë fushatës se Britania për çdo javë transferon në Bruksel, në arkën e BE-së së urryer, 350 milionë funte. Këto para pas daljes nga BE-ja dhe «rikthimit të pavarësisë» do të investoheshin në sistemin shëndetësor britanik, premtoi Farage.

Sapo u bë e qartë se një shumicë e ngushtë e britanikëve kishin rënë viktimë e përrallave të tij, Farage e tërhoqi premtimin me 350 milionë funte, sepse nuk i kujtohej të kishte premtuar diçka të tillë. Në fushatë ka luajtur rol edhe frika nga ardhja e refugjatëve sirianë, ndonëse edhe mbështetësit e Brexitit e dinin se kriza në Siri dhe tregu i përbashkët evropian i punës dhe lëvizja e lirë e punëtorëve brenda BE-së nuk kanë asgjë të përbashkët. Por kujt i interesonte kjo! Siç nuk ishte me rëndësi të pranohej se ishte lufta e gabuar e George W. Bushit dhe Tony Blairit në Irak më 2003, që nisi si një ortek, i cili destabilizoi mbarë Lindjen e Mesme dhe u dha krahë fanatikëve islamikë dhe sot pasojat e kësaj krize po i bart edhe Bashkimi Evropian.

Dalja nga BE-ja nuk është dëshmi e krenarisë britanike, siç supozon Ben Blushi. Ajo është shprehje e frustrimit kundër krizës financiare që filloi në vitin 2008 dhe një kaste elitare britanike që për interesa të pushtetit brendapartiak luan me fatin e vendit. David Cameron ka ardhur në pushtet me premtimin se do t’ia mundësojë popullit të thotë mendimin e tij për Brukselin dhe kur luftoi për të mbetur Britania në BE nuk dukej fare i besueshëm.

Boris Johnson para referendumit kaloi në taborin e mbështetësve të Brexitit me shpresën se do të bëhet pasardhës i David Cameronit. Tani kur dihet rezultati i referendumit, Johnson flet fjalë të mira për Evropën, kërkon që vendi i tij të ruajë disa privilegje nga tregu i punës dhe u thotë reporterëve se nuk ka shumë kohë të flasë, ngase po shkon të luajë kriket.

Por kohërat nuk janë bash për lojë. Në të dy partitë e mëdha britanike (te konservatorët dhe te laburistët) mbretëron kaos pas referendumit, Skocia dhe Irlanda Veriore ndihen të mashtruara nga Anglia dhe Uellsi, madje kryeministrja e Skocisë ka përmendur mundësinë e një referendumi të ri për pavarësi. Në Skoci dhe Irlandën e Veriut shumica ka votuar për qëndrimin e Britanisë së Madhe në BE. Rezultati i këtij referendumi të organizuar me guxim bixhozçiu nga Cameron është një komb i përçarë, një skenë e partive politike me udhëheqje të diskredituara, pasiguri në ekonomi.

Sa i përket Gjermanisë: ky vend nuk e ka kërkuar rolin udhëheqës në Evropë, madje shpesh e ka injoruar këtë mundësi. Është e vërtetë që viteve të fundit ndonjë politikan gjerman pak si tepër ka shëtitur nëpër Evropë me gisht tregues, duke dhënë leksione sesi duhen bërë gjërat më mirë.

Por thelbi i problemit për krizën e BE-së është tjetërkund: te paaftësia e së majtës për reforma dhe tek agresiviteti i politikanëve nacionalistë si Nigel Farage, Marine Le Pen, Norbert Hofer, Geert Wilders. Po t’i kishte parasysh këto fakte Ben Blushi, me gjasë do ta godiste cakun dhe nuk do të shkaktonte vetëm ushtimë në mal me polemikën e tij kundër Gjermanisë.

robelli@bluewin.ch

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...