8 supermenët e Gjykatës Speciale

25 Qershor 2016 - 09:44 - Adriatik Kelmendi      

Bëhet fjalë – jo për dhjetëra procedime krimesh, jo me dhjetëra individë ose grupime – por me 8 individë. Pra, nëse vërtetohet përfundimisht se Gjykata Speciale po themelohet për të proceduar vetëm 8 individë, pyetja është: kush qenkan këta 8 supermenë, të cilëve nuk paska pasur çka t’u bëjë asnjë gjykatë e deritashme, duke e ditur se në Kosovë është arrestuar deri edhe kryeministri në detyrë me akuzën për krime lufte nga Tribunali i Hagës? Eksperimentet vazhdojnë...

ME MIRATIMIN e buxhetit nga Këshilli i Bashkimit Evropian, për mbështetje fillestare të dhomave të Gjykatës Speciale, prej afro 29 milionë eurosh, është shënuar edhe hapi i parë i prekshëm për themelimin e gjykatës kundërthënëse.

Pas një presioni të pashembullt ndërkombëtar dhe një debati më tepër të mbështetur në dëshira individuale ose partiake sesa mbi thelbin e materies (Gjykata... nuk do të merret me vrasjet politike ndërshqiptare të pasluftës), edhe Kuvendi i Kosovës kishte votuar verën e kaluar për themelimin e tij.
Mbetet që të fillojë edhe procesi i përzgjedhjes së gjykatësve të Gjykatës Speciale, pas përmbylljes në maj të konkursit për stafin administrativ.

A i bie kjo se përfundimisht drejtësia do të merret me “hallkën e fundit” - krimet e supozuara të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, siç thuhet, ndaj pjesëtarëve të komuniteteve pakicë në periudhën ndërmjet viteve 1998-2000?!
Me të filluar puna – një herë e mirë do të vendoset drejtësia për viktimat e luftës në territoret e ish-Jugosllavisë?!

Duartrokas! Do të ishte shumë e dëshirueshme kjo. Mirëpo, fatkeqësisht, jam thellë i bindur se ky episod vetëm sa do ta bëjë edhe më utopike idenë e dënimit të fajtorëve.
Arsyeja: Gjykata Speciale është një rrëfim që tashmë e kemi parë me Tribunalin e Hagës, UNMIK-un, EULEX-in e edhe gjyqësinë kosovare.

PAS SHUMË SPEKULIMESH, informata nga burime të besueshme ndërkombëtare të afërta me rrjedhat tregojnë se do të bëhet fjalë – jo për dhjetëra procedime krimesh, jo me dhjetëra individë ose grupime – por me 8 individë.
Pra, nëse kjo edhe vërtetohet përfundimisht, i bie se fati i drejtësisë në ish-Jugosllavi qenka lidhur me procedimin gjyqësor të vetëm 8 individëve.

Kush qenkan këta 8 supermenë, të cilëve nuk paska pasur çka t’u bëjë asnjë gjykatë e deritashme, duke e ditur se në Kosovë është arrestuar deri edhe kryeministri në detyrë me akuzën për krime lufte nga Tribunali i Hagës?
Besoj kureshtja do të na shuhet së shpejti, por jo domosdoshmërisht të na mbushet mendja se ata nuk kanë mundur të procedohen edhe nga gjykatat ekzistuese.
Por të shkojmë me radhë: Tribunali i Hagës - duke qenë edhe ndërmarrja më e kushtueshme gjyqësore e fundshekullit - ka dështuar, pasi që nuk ia ka dalë të faktojë fajësinë e kryekriminelit të Ballkanit, Slobodan Milosheviq, dhe shumë të akuzuarve të tjerë për të cilët edhe minjtë në tavan e dinë se kanë pasur përgjegjësi për krimet në territorin e ish-Jugosllavisë.

P.sh. me lirimin që u është bërë si të pafajshëm edhe Jovica Stanishiqit, Franko Simatoviqit dhe Momçilo Perishiqit, del se asnjë serb i Serbisë nuk paska pasur gisht në krimet e kryera në Kroaci e Bosnjë. A ka dikush që e beson këtë, kur vetë këta protagonistë janë krekosur për rolin e tyre në spastrimin etnik në Bosnjë dhe atë të synuar në Kroaci?!

Tribunali i Hagës e ka mbyllur aktivitetin pa arritur dënimin e kriminelëve kryesorë, pa ndikim në ripajtimin e popujve, pa vërtetuar gjenocidet, dhe pa ndjenjën e drejtësisë për viktimat.
Për më tepër, duke mos dënuar serbët e Serbisë, Tribunali në njëfarë forme vetëm sa ka legalizuar spastrimin etnik të bërë në Bosnjë.

A s’mund të thuhet se njësoj ka ndodhur në Kosovë me dështimin e UNMIK-ut dhe të EULEX-it në raport me krimet e luftës e edhe ato të pasluftës?
Sigurisht se në Hagë, në UNMIK e në EULEX kanë punuar ose punojnë disa nga gjykatësit dhe prokurorët më të mirë ndërkombëtarë.

Atëherë, me cilët gjykatës dhe prokurorë do të përbëhen Dhomat e Veçanta të Gjykatës Speciale, nëse këta ekzistuesit paskan dështuar?
Pse nëse dështuan tri ndërmarrje, nuk do të dështojë e katërta, e përbërë me brumë të njëjtë?

NJË ARGUMENT QË PËRDORET shpesh është se dëshmitarët shqiptarë janë kërcënuar e frikësuar, ose se kanë ndryshuar deklaratat fillestare në proceset gjyqësore në Hagë e Kosovë. Sigurisht se mund të ketë shumë të vërteta këtu. Por nëse ky qenka problemi kryesor që ka bërë që kriminelët sot të jenë në liri, atëherë a ka kush që do të na tregojë sesi do të bëjë kjo Gjykatë e re që këta dëshmitarë të njëjtë, ose të tjerë të rinj, të mos sillen njësoj?

Çka do të ketë aq speciale e që s’e paskëshin pasur deri më tash gjykatësit e prokurorët ndërkombëtarë e vendorë e që po e paskan këta të rinjtë, të cilët mund të angazhohen në Gjykatën Speciale?
Argument tjetër është se në Kosovë nuk janë gjykuar aq shumë shqiptarë për krime të luftës dhe pas saj sa është dashur. Edhe këtu mbase mund të ketë të vërteta.

Mirëpo, deri në vitin 2014, kur u bë e qartë këmbëngulja për formimin e Gjykatës..., Fondi për të Drejtën Humanitare kishte të evidencuar 85 procedime penale në Kosovë, prej të cilëve të akuzuar ishin 62 shqiptarë dhe 22 serbë. Nëse shikohet me proporcionin e etnisë së viktimave të luftës, i bie që janë proceduar më shumë shqiptarë se serbë.
Nga gjithsej 13.146 persona që llogariten si të vrarë, të rënë dhe të zhdukur në Kosovë për periudhën janar 1998 - dhjetor 1999, 10.495 janë shqiptarë, 2.077 serbë dhe 574 joshqiptarë e joserbë dhe të papërcaktuar. 7.965 shqiptarë janë civilë, 2.008 ushtarë/policë dhe 522 me status të panjohur, kurse civilë serbë janë 1.118, ushtarë/policë 859 dhe 103 më status të panjohur.
Janë 1.090 fëmijë shqiptarë të evidencuar si të vrarë dhe të zhdukur nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë. 185 prej tyre më të vegjël se 7 vjeç. Askush deri më tash nuk është dënuar për vrasjet e tyre!

Edhe një herë, të gjithë kriminelët duhet të ndiqen, por pse krijohet përshtypja e paqenë se dikush nuk është ndjekur fare dhe dikush tjetër shumë?
Ose në një krahasim tjetër: në Serbi aktualisht ka shqiptarë që akuzohen për krime lufte ndaj serbëve, duke u akuzuar se e kanë goditur shuplakë viktimën.
Paramendojeni sesa prej nesh gjatë viteve ’90 jemi goditur me shuplaka e grushte nga policët e paramilitarët serbë – pa hyrë këtu në keqtrajtimet dhe dëmtimet e tjera. E paramendojeni nëse secili prej nesh do të donim që ata serbë që i kanë bërë këto ndaj nesh të përfundonin të arrestuar e në gjykatore. Sa do të ishte numri, 20 mijë, 40 mijë apo më shumë?

JANË DISA ARSYE KRYESORE përse është shtyrë përpara nga qarqe të caktuara ky eksperiment i ri.
Burime diplomatike perëndimore më kanë thënë se avokuesit dhe lobuesit kryesorë të Gjykatës Speciale për Kosovën janë individë që kanë qenë të angazhuar në Tribunalin e Hagës, prej të cilëve disa kanë mbetur pa punë, e disa të tjerë vlerësojnë se UÇK-ja nuk e ka marrë dënimin e merituar për viktimat serbe të luftës.
Fondi i përfolur për mandatin funksional të këtij organi sillet në rreth 300 milionë euro. Kjo Gjykatë...pritet të trajtojë kryesisht pretendimet nga raporti i Dick Martyt, por – gjithnjë sipas burimeve të njëjta perëndimore – nuk do të pësojë asnjë nga “peshqit e mëdhenj” të UÇK-së.

Tash këta avokues natyrisht se janë duke i shfrytëzuar gabimet e mëdha që janë bërë edhe nga gjykatësit e prokurorët dhe politikanët shqiptarë në Kosovë.
Gjyqtarët vendorë deri më tash ose nuk janë lejuar, ose edhe kur kanë marrë pjesë në ndonjë proces gjyqësor të krimeve të lidhura me luftën, janë distancuar nga verdikti. Ose politikanët të cilët kërkonin në Kuvend që të lirohen të akuzuarit nga EULEX-i për krime, ose kur kërcënonin me dëbim të EULEX-it në kohën kur arrestoheshin bashkëpartiakët e tyre. Të gjitha këto veprime, të dështuara, vetëm sa e kanë bërë edhe më të brishtë gjyqësinë kosovare, por edhe qëndrueshmërinë e institucioneve të Kosovës, në përgjithësi. Kritikët këto gjithnjë do t’i përdorin si argumente të mungesës së kapaciteteve, të përkushtimit dhe të vizionit për ta bërë Kosovën një shtet ku sundon rendi dhe ligji.

Mirëpo, Gjykata Speciale nuk mund të ndihmojë në këtë situatë. Nëse mendohet për të mirën e Kosovës, për pastrimin, për katarzën, për sundimin e ligjit, për drejtësinë ndaj viktimave, për ripajtimin e popujve, përse këto të synohet të arrihen mbrapshtë?
Nëse kanë dështuar të gjitha segmentet e gjyqësisë sa u përket krimeve të lidhura me luftën, që kanë vepruar si në Kosovë ashtu edhe jashtë saj, atëherë duhet menduar sesi të gjendet një formë e re që të sanohen ato gabime që janë bërë deri më tash nga të gjitha palët.
Absolutisht, besoj fuqishëm, se kjo bëhet vetëm duke investuar në gjyqësinë brenda Kosovës dhe në gjykatësit dhe prokurorët vendorë. Meqë jam i bindur se vetëm kur një gjyqtar shqiptar i Kosovës do të punojë me aq profesionalizëm sa të mund ta dënojë një shqiptar tjetër për krime eventuale të luftës ose krime të tjera të mëdha – kjo do të jetë një ditë e madhe për një Kosovë evropiane.

GJYQTARËT SHQIPTARË TË KOSOVËS ka mbi 25 vjet që janë privuar ta bëjnë drejtësinë me kapacitetet që do të duhej. Gjatë viteve ’90 shumica janë dëbuar nga puna, kurse pas luftës e deri më tash kanë punuar me kompetenca të kufizuara, duke ia lënë lëndët më të ndjeshme UNMIK-ut dhe EULEX-it.

Kjo periudhë do të ndikojë edhe psikologjikisht te popullata si dhe vetë gjyqtarët shqiptarë, të cilët nuk do të mund ta marrin me mend se një ditë do të duhej që një prokuror ose një gjykatës shqiptar i Kosovës ta ndjekë penalisht një shqiptar ose serb të Kosovës për krimet e ndërlidhura me luftën, ose edhe krime të tjera të rënda. Por, pa ardhur kjo ditë, asnjëherë nuk do të mund ta bëjmë Kosovën shtet normal.

Për këtë arsye, nëse do të mendohej për të mirën e Kosovës, ose edhe të rajonit, do të duhej që vendorët e ndërkombëtarët të merren vesh për krijimin e një gjykate të besueshme që do të merrej me shkeljet e të drejtave të njeriut gjatë viteve ’98-2000 në Kosovë, e përbërë nga gjyqtarë të BE-së dhe të vendit; kjo kombinuar me një komision rajonal për evidencimin e humbjeve njerëzore dhe materiale nga luftërat në ish-Jugosllavi.
E nëse do të investoheshin rreth 300 milionë në gjykatat e Kosovës, jam i bindur se suksesi do të ishte shumëfish më i madh sesa krijimi i çfarëdo Gjykate Speciale me formulë të vjetër - tashmë të dështuar.

Adriatik@kohavision.net
Twitter: @adriatikk

(Ky tekst është shkruar për publikim në gjuhën shqipe, serbokroate dhe angleze, në portalin e KOMRA-s www.rekom.link- komision rajonal për vërtetimin e fakteve mbi krimet e luftës dhe shkeljet e tjera të rënda të të drejtave të njeriut të kryera në Ish-Jugosllavi, që nga 1 janari 1991 deri më 31 dhjetor të vitit 2001, për themelimin e së cilës angazhohet Nisma për KOMRA)

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Adriatik  Kelmendi
Adriatik Kelmendi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...