Si i keqpërdori dhe si u tall Hitleri me myslimanët

23 Qershor 2016 - 08:34 - Enver Robelli      

Para se të merrte pushtetin Adolf Hitleri e shihte veten si katolik të mirë dhe ithtar të devotshëm të Jezu Krishtit. Kur mori pushtetin ankohej përse gjermanët nuk janë myslimanë për të pushtuar botën me shpatë. Një lojë me kapuça nazistët e luajtën edhe me shqiptarët dhe boshnjakët naivë.

Feste. Fes. Fjalori i Gjuhës Shqipe ka këtë shpjegim: «Kësulë a kapelë pa strehë, zakonisht prej cohe të kuqe dhe më e ngushtë në majë, e cila mbahet kryesisht nga burrat në disa vende të Lindjes së Afërme dhe të Afrikës Veriore». I shkruar në epokën e komunizmit Fjalori fsheh shumë të vërteta, një ndër to është edhe heshtja e faktit se festen apo fesin e kanë bartur edhe shqiptarët e kamur në Perandorinë Osmane. Këtë mbulesë koke në Shqipëri e kanë hequr Mbreti Zog dhe më vonë Enver Hoxha, te shqiptarët e Jugosllavisë këtë e ka bërë klasa e komunistëve shqiptarë me biografi partizane dhe ambicie të emancipimit perëndimor të shqiptarëve.

Në Luftën e Dytë Botërore kishte një përpjekje për ta popullarizuar fesin – nga ana e regjimit të Hitlerit, i cili synonte t’i përfitonte myslimanët e Ballkanit në luftën për të pushtuar botën.
Në nëntor të vitit 1943 erdhi një ngarkesë me fesa, por njëri nga prijësit nazistë Heinrich Himmler nuk u tregua fare i kënaqur. Atij nuk i pëlqente ngjyra bojëgjaku, sepse kësisoj fesat u përngjanin atyre të marokenëve, të cilët ishin armiq. Himmler propozonte që fesave t’u ndërrohej pak ngjyra para se të mbërrinin në destinacion.

Dhe destinacioni ishte Ballkani, ku nazistët kishin rekrutuar kolaboracionistë myslimanë në Bosnjë, Kosovë dhe Shqipëri. Boshnjakët përbënin njësinë «Hanxhar», shqiptarët të ashtuquajturin «Divizionin Skanderbeg», një njësi e mitizuar tej mase nga nacionalistët shqiptarë, e cila në thelb ishte një trupë qesharake, pjesëtarët e së cilës ishin të paaftë të luftonin, dembelë të papërmirësueshëm, siç përshkruhen nga oficerët gjermanë, të cilët bëheshin aleatë të gjermanëve vetëm sa për të pasur të drejtë të bartin armë dhe të pajisen me çizme të reja.
Themelimi i «Divizionit Skanderbeg» i ishte besuar Bedri Pejanit, i cili më 1943 ishte i internuar në jug të Shqipërisë si bolshevik, ndërsa më vonë u bë «djathtist» në shërbim të trupave naziste.

Siç shkruan Shaban Sinani në librin e tij të vlefshëm «Shqiptarët dhe hebrenjtë», Bedri Pejani iu kishte premtuar nazistëve se do të mobilizojë deri në 150 mijë vullnetarë shqiptarë. Kjo ishte tepër iluzore, siç u pa në shtator 1944, kur divizioni kishte 6491 pjesëtarë, shumica joaktivë; një mijë prej tyre dezertuan që në ditën e parë, sapo morën armët. Ish-legati i Rajhut të Tretë në Beograd, Hermann Neubacher, në kujtimet e tij e quan gabim të madh themelimin e divizionit nazist me shqiptarë. Ai shkruan: «Këta nuk njohin kurrfarë disipline, janë të regjistruar sa për të marrë armën, për të cilën kanë një adhurim të veçantë, dhe pastaj ia mbathin për në shtëpitë e tyre; madje dhe këpucët e pajimet i hedhin shkurreve, sepse janë mësuar të ecin me opinga». Vetë oficerët nazistë nuk ngurronin të përdornin fjalë raciste kundër shqiptarëve: i quanin «primitivë» si «zezakët që s’kanë mbathur kurrë këpucë më këmbë», «qenie me sjellje egërsirash».

Në fillim të karrierës së tij Hitleri e shihte veten si katolik të mirë dhe ithtar të devotshëm të Jezu Krishtit. Gjatë një fjalimi në München më 1925, ai e kishte përshkruar veten si besimtar praktik. Hitleri e krahasonte veten me Jezu Krishtin, i cili «në fillim ishte vetëm», por sot doktrina e tij «sundon botën».

Kur e pa shansin e mobilizimit të myslimanëve kundër hebrenjve, Hitleri filloi të lavdërojë fenë muhamedane: «Fatkeqësia jonë është që kemi fenë e gabuar... feja muhamedane do të ishte për ne më e përshtatshme se krishterimi me durimin e tij të brishtë». Për krerët nazistë islami ishte «fe e burrave», «shumë e ngjashme me botëkuptimin tonë», citohet të ketë thënë Heinrich Himmleri. Kulti i burrit, i sakrificës, premtimi se atë e presin 72 virgjëresha në parajsë, për Himmlerin ishte shembull që duhet ndjekur edhe nga ushtarët gjermanë.

Në kujtimet e tij «arkitekti i nazistëve», Albert Speer, e citon Hitlerin si vijon: «Kur muhamedanët në shekullin e tetë u përpoqën që përmes Francës të depërtonin në Evropën e Mesme, ata u mposhtën në Betejën e Poitiers. Sikur arabët të kishin fituar këtë Betejë, bota sot do të ishte muhamedane», rrjedhimisht ata do t’ua kishin imponuar islamin fiseve gjermane. Kjo fe, sipas Hitlerit, ishte e përshtatshme për gjermanët, sepse përhapej me shpatë. Hitleri ishte i bindur se muhamedanët ishin racë më e ulët, andaj me kalimin e kohës prijës të botës do të ishin bërë gjermanët muhamedanë. Një perandori islame e udhëhequr nga gjermanët: kjo ishte një nga ëndrrat e Hitlerit, i cili në veprën e tij «Mein Kampf» arabët i kishte quajtur racë të pavlerë, ndërsa luftën e tyre antikolonialiste kundër Francës dhe Britanisë së Madhe «një koalicion sakatësh».

Në dy libra të botuar në dy vjetët e fundit (David Motadel: «Islam and Nazi Germany's War», Cambridge University Press, 2014, dhe Francis R. Nicosias: «Nazi Germany and the Arab World», Cambridge University Press 2015) shpjegohet, mes tjerash, se si Hitleri u tall me kryemyftiun e Jerusalemit Amin al-Huseini. Kur e priti në Berlin në vitin 1941, Hitleri refuzoi të pinte kafe me teologun mysliman sipas «traditës arabe», doli nga takimi i mllefosur, pastaj u kthye dhe urdhëroi një përkthyes t’i sillte hoxhës një gotë me limonadë. Al-Huseini u keqpërdor edhe si instrument propagande dhe u dërgua pranë divizionit «Hanxhar» për të bekuar luftëtarët myslimanë në shërbim të Hitlerit.

Një bekim djallëzor që njollosi myslimanët e Ballkanit dhe u dha shans historianëve propagandistë serbë t’i quajnë boshnjakët dhe shqiptarët pa dallim bashkëpunëtorë të nazistëve. Kjo propagandë ka lënë gjurmë deri më sot. Tek viteve të fundit nga pala shqiptare janë bërë disa përpjekje për të korrigjuar këtë tregim duke prezantuar fakte e shifra për shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore.

robelli@bluewin.ch

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...