Në gjumë të thellë

21 Qershor 2016 - 08:06 - Flaka Surroi      

Gjërat në Kosovë nuk do të ndryshojnë vetvetiu, as nuk do të ketë fuqi nga jashtë që do të vijë të na shpëtojë. Derisa nuk e kuptojmë këtë, do të vazhdojmë të ankohemi nëpër shtëpi, kafe e rrjete sociale. Do të vazhdojmë ta kultivojmë “revolucionin” e qyqanave, që mund t’i përpijnë të gjitha. Edhe nëpërkëmbjen e dinjitetit. E madje edhe humbjen e jetës

Si quhet dikush që jeton në një vend ku ligjin supozohet duhet të ta imponojë një mision shumë i shtrenjtë që tetë vjet është marrë me kapjen e gilicave; një vend ku një ministër që përfshihet me aktakuzë nuk jep dorëheqje as morale bile, por kërkon të lirohet nga posti deri në marrjen e aktgjykimit; një vend ku për me i ble 51 autobusë, bëhemi përrallë dhe e shkruajmë një telenovelë, ku rolin kryesor e luan një inatçi kalkulant; një vend që vlerat e vetme që ia kanë lënë babë e babagjysh shikon me i shkatërru në emër të “ruajtjes së ligjshmërisë”; një vend që i ka dy milionë qytetarë, që ka 17 vjet zëri u është shuar fare, aq sa as veten më nuk dinë ta mbrojnë?

Kosovar në gjumë të thellë, pra.

Shumë rrena vetëmbrojtëse

Në ditën kur u luajt ndeshja ndërmjet Shqipërisë dhe Francës në “Euro 2016”, në Prizren shoqëria civile ftoi qytetarët që të protestonin për vdekjen e trevjeçares, viktimë e shembjes së një shtëpie në Qendrën historike të Prizrenit.

Dëshpërimi nuk pati kufi. Në Shadërvan u mblodhën jo më shumë se nja 100 qytetarë. Për të kërkuar përgjegjësi për vrasjen e vajzës. Për të kërkuar përgjegjësi institucionale për shkatërrimin e vendit më të bukur që ka Kosova. Më shumë se gjysma s’ishin nga Prizreni.

Një natë para protestës simbolike, në Interaktiv e dëgjuam shefin e Inspektoratit të Komunës së Prizrenit tek shpjegonte se si Komuna e as institucionet e tjera nuk kishin ndërmarrë asgjë për t’i sanuar objektet që një nga një po rrëzohen në rrugën Marin Barleti, për shkak se nuk dihej se kush janë pronarët (sic!). Shumë joreal dhe jobindës ky argumentim, kur dihet se në qendër të Prizrenit krejt kojshitë njihen në mes vete. Pra, edhe po të ishte shitur prona, do të dihej kujt. E edhe nëse nuk është shitur, dihet me emër e mbiemër emri i pronarit/pronares. E, të supozojmë se nuk paska këso informatash dhe nëse, siç thotë inspektori, shtëpitë janë të serbëve, atëherë Kisha ortodokse serbe, që me zor u bë palë në “ruajtjen “ e trashëgimisë monumentale e kulturore në Prizren, e di me siguri emrin e pronarit/pronares. Kjo për fillim.

E dyta, shefica e negociatave në Bruksel, Fjolla Tahiri, e cila është nga Prizreni, ua ka sjellë dokumentet kadastrale të skanuara. Ato, pa asnjë dyshim i tregojnë emrat e pronarëve të shtëpive. Sepse Serbia, me faktin që nuk i kthen librat, ka për qëllim të “dëshmojë” se krejt pronat janë të serbëve vendas.

E treta, kur ka situata emergjente, komuna duhet të veprojë edhe pa i pyetur pronarët. Kështu veproi Komuna e Prishtinës para dy javëve në qendër të Prishtinës: knaufat që qeveria komunale e Ismet Beqirit e më pas edhe e Isa Mustafës i kishin vendosur nën çatitë e objekteve në qendër (atëherë kur u lyen fasadat), e që ishin shkapur prej aty, u larguan nga zjarrfikësit, për shkak se paraqisnin rrezik për frekuentuesit e lokaleve ku gjendet selia e gazetës. Shyqyr që nuk u vra kush. E ka mundur. Ashtu siç vdiq Xheneta.

Debakël

Me gjithë irritimin që shkaktonin deklaratat e kota të inspektorit dhe me gjithë faktin se ka shumë kohë që Komuna e Prizrenit krejt i ka prioritete veç qytetin e Prizrenit jo, në qendër të tijin u mblodhën një grusht njerëzish. Me një çast, pati më shumë kameramanë e gazetarë sesa pati protestues. E më pas, pati shumë vëzhgues pasivë që kishin zënë hijet te dyqanet përreth, për të shikuar nëse do ta gjenin në masë ndonjë kojshi a mik, e që më pas të bashkoheshin ose jo. Natyrisht, nuk u bashkuan, por nisën ngadalë të largoheshin prej qendrës, thuajse ajo mbledhje aty s’kishte fare të bënte me ta dhe me qytetin e tyre. Thuajse vajza që kishte humbur jetën ishte një qenie që kishte jetuar diku larg, larg. Thuajse nuk bëhej fjalë për dikë që te çdo njëri normal do të duhej të nxiste ndjenja edhe të hidhërimit e edhe të pikëllimit, për shkak të fatit të zi që e kishte gjetur.

Prizreni i së mërkurës qe pasqyrimi më i qartë i qytetarisë të pazë në Kosovë.

I qytetarisë së vetëngufatur dhe të vetëndrydhur që ka çuar duar prej të gjithave, dhe që pret që zgjidhjen për problemet të cilat i ka t’ia sjellë dikush nga jashtë. Dikush që është i fortë. Dikush që e di më mirë se vetë qytetarët se çka u nevojitet këtyre që t’i realizojnë të drejtat e tyre.

Ishte pasqyrimi më i qartë i njerëzve që në popull njihen si “qyqana”, që janë pajtuar ta vuajnë e ta jetojnë të keqen, për shkak se nuk kanë guxim dhe i janë dorëzuar frikës.

Ishte pasqyrim i defetizmit – të faktit tashmë të vulosur se e keqja na ka kapluar dhe nuk ka zot që e shpëton këtë vend, pos nëse ndodh ndonjë termet a vërshimë e i merr me vete të gjithë të këqijtë.

Ishte pasqyrim i kësaj qytetarie që krejt mllefin ndaj pushtetarëve tiranë e shpreh nëpër shtëpitë e veta, dhe mundësisht brenda dollapëve që fjalët të mos dalin jashtë, e ndonjëherë edhe në FB me ndonjë status, sa për të thënë se “detyra qytetare” u përmbush me kaq.

Po të ishin mbledhur disa mijëra njerëz në Shadërvan të mërkurën, porosi tjetër do t’u shkonte të gjithëve, posaçërisht politikanëve. Do t’u lëkundej bile pak rehatia e të qenit dëshmitarë të pafuqisë së vetimponuar të qytetarëve që nuk janë në gjendje as ta artikulojnë si duhet një kërkesë, e lëre më që atë ta shtyjnë para për ta arritur një cak. Po të ishin disa dhjetëra mijëra njerëz atë ditë, dhe po të ishin ndalur para ndërtesës së Komunës, me siguri se Ramadan Muja do të kishte dhënë dorëheqje. Po të ishin mbledhur 100 mijë njerëz, dorëheqjen do ta kishin dhënë edhe ministrat e Ambientit dhe ai i Kulturës — për shkak se shefi i tyre në Qeveri do të frikësohej për kolltukun e tij.

Po ja që atë ditë në Prizren u mblodhën 100 veta, që vëzhgoheshin nga policë që më parë u ngjanin civilëve paqësorë sesa policëve të uniformuar me këmisha të bardha, e të armatosur me armë të vogla, pa asnjë siklet të vetëm. Se si ata ashtu edhe protestuesit e dinin se kjo që kishte ndodhur në Prizren ishte një dështim për shoqërinë civile që e kishte thirrur protestën. Për më keq, e dinin se ky kishte qenë debakël për qytetarinë e Kosovës, që sërish e vërtetoi se nuk zgjohet nga koma qe 17 vjet.

* * *

Për krejt vendimet e këqija politike që janë marrë në këta 17 vjet, fajin e kanë ekskluzivisht politikanët tanë të padijshëm, demagogë dhe mashtrues. Por, për fuqinë që u është dhënë për t’i marrë këto vendime, fajin ekskluzivisht e kanë qytetarët. Ata që kur dalin të votojnë, votojnë jo për ndryshim, por për vazhdimin e iluzionit se gjërat do të ndërrojnë vetvetiu, ani që të njëjtit ua marrin votat. Ata që nuk dalin të votojnë, për shkak se janë dorëzuar, dhe që e besojnë se si dolën si s’dolën në votime asgjë nuk do të ndryshojë. Ata që heshtazi e pranojnë imponimin e filozofisë së sundimit me dhunë. Ata të cilët pajtohen se “kumandantat mund edhe të vjedhin, sepse kanë luftuar”. Ata të cilët janë pajtuar se në Kosovë nuk mund të ketë jetë më të mirë, dhe se kështu e kanë të shkruar të jetojnë deri në vdekje.

Gjërat në Kosovë nuk do të ndryshojnë vetvetiu, as nuk do të ketë fuqi nga jashtë që do të vijë të na shpëtojë.

Derisa nuk e kuptojmë këtë, do të vazhdojmë të ankohemi nëpër shtëpi, kafe e rrjete sociale. Do të vazhdojmë ta kultivojmë “revolucionin” e qyqanave, që mund t’i përpijnë të gjitha. Edhe nëpërkëmbjen e dinjitetit. E madje edhe humbjen e jetës.

flaka@koha.net 

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...