Hashim Thaçi “i Kosovës!”

15 Qershor 2016 - 08:10 - Augustin Palokaj      

Në kohën kur NATO-ja presidentit të Kosovës nuk i përmend zyrtarisht as postin e as shtetin nga i cili vjen, të flasësh për përparim drejt integrimeve euroatlantike të Kosovës duket paradoksale. Por “Hashim Thaçi i Kosovës”, siç e përmendin në komunikata të NATO-s, në Bruksel, ka pasur edhe shumë pohime, të cilat të bëjnë të pyesësh se qysh e sheh ndryshe ai realitetin e vendit të vet. Ka folur për problemet e BE-së, për sfidat e shteteve fqinje, por për Kosovën vetëm për përparime dhe suksese

Për dallim nga Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës, i cili ka qenë kryesisht i panjohur në Bruksel, para se të bëhej kryeministër, dhe nuk është shumë i njohur as pasi është bërë kryeministër, Hashim Thaçin e njohin mirë në Bruksel. Përderisa Thaçi është bërë i njohur, edhe për të mirë, edhe për të keq, Mustafa nuk është i njohur shumë as për mirë e as për keq. Prandaj kur nga NATO-ja javën e shkuar erdhi një njoftim i shkurtër se “sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, do të takojë Hashim Thaçin”, pak a shumë gazetarët e dinin se fjala është për presidentin aktual të Kosovës, të cilin tash e sa vite e shohin si liderin politik kryesor në Kosovë pa marrë parasysh se çfarë posti mban ai. E dinin këtë, edhe pse NATO-ja nuk ia përmendi as postin që mban e as vendin nga i cili vjen, duke lënë përshtypje se fjala është për takimin e shefit të NATO-s me një qytetar, i cili nuk dihet se nga vjen.

Kur një njoftim i ngjashëm kishte ardhur për takimin e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s me “Isa Mustafën”, gazetarët në Bruksel pyesnin se “kush është Isa Mustafa?” Një koleg madje kishte ndërhyrë, duke thënë: “Nuk është Mustafa, por Mustafi!”, duke menduar në futbollistin e Kombëtares së Gjermanisë, Shkodran Mustafi.

Në pyetjet tona në NATO se pse nuk e përmendin as Kosovën e as postet e politikanëve që i pranojnë në takime, nga burimet e NATO-s na është thënë se “kështu është vendosur për arsye politike!” Kjo gjithsesi për shkak të katër shteteve të NATO-s, të cilat nuk e njohin Kosovën e në NATO për gjithçka vendoset me konsensus. Në vërejtjen tonë se madje edhe Bashkimi Evropian, i cili po ashtu ka qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës, së paku në njoftime i përmend postet zyrtare që mbajnë politikanët që i takojnë dhe se vijnë nga Kosova, në NATO pohojnë se “secila organizatë vendos vetë sesi do t’i referohet dikujt”.

Dhe kështu nga NATO-ja pas takimit me Thaçin, takim pas të cilit nuk pati asnjë konferencë të përbashkët për gazetarë, që zakonisht i zhvillon shefi i kësaj Aleance, u postua një komunikatë në faqen zyrtare për takimin e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s me “Hashim Thaçin e Kosovës!” U tha së paku se ai është “i Kosovës”, edhe pse mbeti pyetje se pse e takon shefi i NATO-s një “njeri të Kosovës” pa i përmendur postin e tij.

Në kohën kur NATO-ja presidentit të Kosovës nuk i përmend zyrtarisht as postin e as shtetin nga i cili vjen, të flasësh për përparim drejt integrimeve euroatlantike të Kosovës duket paradoksale. Por “Hashim Thaçi i Kosovës”, siç e përmendin në komunikata të NATO-s, në Bruksel, ka pasur edhe shumë pohime të cilat të bëjnë të pyesësh sesa ndryshe e sheh ai realitetin e vendit të vet. Ka folur për problemet e BE-së, për sfidat e shteteve fqinje, por për Kosovën vetëm për përparime dhe suksese.

Madje sukseset e Kosovës në integrimet euroatlantike i quajti si suksese për të cilat pakkush ka mundur edhe të ëndërrojë. Foli për Kosovën si shembull në rajon dhe më gjerë, për Kosovën si kampione të luftës kundër radikalizmit dhe terrorizmit, për Kosovën me rritje ekonomike dhe me borxhin publik më të voglin në rajon. Për t’i bërë më bindëse pohimet e tij dy herë përmendi edhe Presidentin amerikan, Obama. Atë e përmendi edhe duke dashur ta tregojë si shumë të mirë Marrëveshjen për demarkacionin, të cilën tha se “e ka përshëndetur edhe Presidenti Obama”.

Presidenti i Kosovës ka paralajmëruar se Kosova do të ratifikojë këtë Marrëveshje me Malin e Zi, për të cilën në Kosovë janë shfaqur shumë dilema. Ai po ashtu tha se së shpejti do të nisë punën grupi punues për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që po ashtu është temë e kontestuar nga opozita në Kosovë dhe nga një pjesë e opinionit. Tha se do të merret vendimi për vazhdimin e mandatit të EULEX-it, edhe pse edhe për këtë një pjesë e opozitës ka dyshime. Tha se ai personalisht ka qenë në krye të procesit për krijimin e Gjykatës Speciale, duke shtuar se “Kosova nuk ka çfarë të fshehë” dhe se “Kosova nuk do të vuajë nga njollat e padrejta të së kaluarës”. Dhe ajo që ka shkaktuar më së shumti habi në mesin e njerëzve që kishin ardhur të dëgjonin fjalimin e tij në Këshillin Evropian të politikës së jashtme ishte pohimi i tij se me Serbinë raportet janë shumë më të mira sesa që paraqiten në opinion. Edhe ata pak diplomatë të huaj që ishin të pranishëm privatisht thoshin se mos presidenti i Kosovës po i thotë këto gjëra për shkak se ai e di se çfarë ka dëshirë të dëgjojë Brukseli. Se nuk kishte edhe aq shumë interes nga diplomatët e huaj për ligjëratën e presidentit të Kosovës u pa nga numri i pjesëmarrësve që mbetet i vogël nëse hiqen anëtarët e delegacionit të presidentit, të Ministrisë së Integrimeve Evropiane dhe diplomatët nga Ambasada e Kosovës në Bruksel. Kjo jo për shkak se Thaçi nuk është interesant në Bruksel, por për shkak së në Bruksel, pikërisht për problemet me të cilat po përballet BE-ja e të cilat me shqetësim i përmendi edhe vetë Thaçi, nuk ka fare interes për Ballkanin dhe për zgjerimin. Me këtë pjesë të Evropës merren vetëm ata në Bruksel, të cilët e kanë përshkrim të vendit të punës.

E ata pak veta që merren me Kosovën e dinë sesa ndarëse për skenën politike dhe opinionin ka qenë zgjedhja e Thaçit si president i Kosovës. Prandaj ata u habitën edhe kur dëgjuan nga Thaçi për rolin e tij unifikues në Kosovë, sesi prej kur ai është zgjedhur në këtë post shërben si element unifikues në Kosovë dhe se prej këtij momenti në Kosovë, sipas tij, nuk ka pasur më as gaz lotsjellës e as hedhje të koktejit të molotovit, por dialog, respekt dhe mirëkuptim. Madje në NATO, pasi ndoshta edhe ata i kanë dëgjuar këto pohime të “Hashim Thaçit të Kosovës” nuk munguan as lëvdatat për “maturinë politike dhe përgjegjësinë e treguar në Kosovë”.

Thaçi ka thënë se ka raporte shumë të mira institucionale me Maqedoninë, raporte të shkëlqyera me Shqipërinë (për të cilën tha se ka sfida ekonomike dhe konflikt politik), raporte “ekselente” me Kroacinë, ndërsa problem më së shumti ka në raportet me Bosnjë-Hercegovinën, për shkak të bllokadave që në atë shtet paraqet entiteti Republika Srpska. Ai befasoi edhe kur tha se raportet me Beogradin janë aq të mira, saqë nga ta është kërkuar që të ndërhyjnë për të hequr pengesat për zhvillimin e raporteve të Kosovës me Bosnjë- Hercegovinën, por është thënë se as ata nuk ka ndikim, sepse vetëm Rusia atje mund të ketë ndikim. Këtu, duke dalë në rrafshin gjeostrategjik, Thaçi ia tërhoqi vërejtjen BE-së se Rusia mund ta zërë boshllëkun që BE-ja mund ta lërë në rajon.

Vizita e Thaçit në Bruksel megjithatë nuk ishte sipas planit. As të tij e as të BE-së. Për shkak të asaj që në BE në atë moment e vlerësuan si “mungesë të progresit në negociatat për vazhdimin e mandatit të EULEX-it” atij iu anulua (apo u shty për më vonë) takimi me presidentin e BE-së, Donald Tusk. Dhe nuk ka dyshim tash se ai takim do të ndodhë. BE-ja me shtyrjen e tij përsëri dërgon porosi se takimet me krerët e BE-së, fotot e shtrëngimit të duarve me ta, duhet të meritohen. Thaçi me shkëmbimin e letrës me përfaqësuesen e lartë, Mogherini, që e dërgoi posa u kthye nga Brukseli në Kosovë, tashmë i ka merituar takimet edhe me krerët e BE-së. Të shpresojmë se kur së shpejti të vije në Bruksel të mos jetë vetëm “Hashim Thaçi i Kosovës”, por të përmendin edhe postin e tij dhe vendin nga ai vjen. 

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...