Mes pafuqisë dhe paaftësisë

14 Qershor 2016 - 07:54 - Flaka Surroi      

Kosova kaloi edhe një javë plot dëshmi për pafuqinë e institucioneve për të vepruar në veri, dhe paaftësinë për të vepruar aty ku duhet

Java përplot ngjarje, njëra nga to tragjike deri në skaj. Të tjerat ashtu siç na vijnë për çdo ditë – do të mira, do të këqija, do njësoj. Në përgjithësi, pasqyrim i një situate të keqe, me të cilën për fat të keq prej kohësh jemi mësuar ta jetojmë. Të një situate të pafuqisë së institucioneve për të vepruar në veri, dhe të paaftësisë edhe për shkak të mungesës së dëshirës për të vepruar aty ku duhet.

Tragjedia në Prizren

Një pjesë e një shtëpie të vjetër, të lënë pas dore, ani që nën mbrojtjen e shtetit, ia mori jetën një fëmije trevjeçar. E një anëtareje të një familjeje pa kulm mbi kokë dhe pa kurrfarë sigurie nga shteti, që jetën e siguron duke mbledhur kanaqe.

Sipas versionit zyrtar, reshjet atmosferike ishin ato që i kishin rrënuar kulmin, një tra i të cilit e kishte ndrydhur për vdekje vajzën, të cilën nuk mundi ta shpëtonte nëna. Gjithnjë sipas versionit zyrtar, familjen disa herë e kishin larguar prej aty, për shkak të pasigurisë së ndërtesës, porse në versionin zyrtar nuk thuhej po qe se familjes i ishte ofruar një strehim, duke e marrë parasysh se familja paraqet një rast tipik social, të një nëne vetëmbajtëse me fëmijë dhe pa punë.

Shtëpia e rrënuar mbase do të ketë pasur pronar. Mbase ende e ka. Por ka shumë vjet që në të nuk jeton askush, dhe ka shumë vjet që asgjë nuk është ndërmarrë që ndërtesa të rehabilitohet. Edhe pse është e locuar në një zonë të mbrojtur me ligj të veçantë, që ishte kundërshtuar një kohë shumë të gjatë, për shkak të alogjizmave që i përmban. Por, i cili ligj ishte shtyrë me gjoks nga ish-shefi i ICO-s, Feith, së bashku me Qeverinë Thaçi, për t’u miratuar nga Kuvendi. Dhe, ashtu siç veprojmë përherë, kalojmë ligje pa siguruar mbështetje financiare. Për më tepër, i kalojmë duke krijuar një konfuzion total të përgjegjësive, ku sa herë që ndodh diçka, faji përherë mbetet jetim.

Edhe kësaj radhe askush s’e merr fajin për vdekjen e vajzës. E madje as për shkatërrimin e ndërtesës, që ka mundur të rehabilitohej pa kurrfarë problemi me paratë që i kanë shpenzuar zyrtarët e komunës në shëtitje nëpër botë, e besa edhe duke ngrënë qebapa e pleskavica në llogari të buxhetit komunal.

Neglizhenca ndaj bërthamës së qytetit në Prizren është më se evidente, dhe deklaratat e zyrtarëve për atë se “...astenjiherë s’ka qenë qyteti ma i mbrojtur se tash”, janë rrena ashiqare, sepse veç dikush që nuk mund të shohë nuk i vëren. Ky degradim është pasqyra më e mirë e sundimit të PDK-së në Kosovë, e në veçanti në këtë komunë, të cilën shefi i saj (tash në hije) e pati shpallur Jerusalem të Kosovës.

E këtij sundimi joqytetar i vjen në ndihmë edhe Ministria e Mjedisit me deklaratën se deri në fund të vitit do të miratohet plani për sanimin e këtyre objekteve, ani që ligji i famshëm u miratua para katër vjetësh. Ndërkohë, objektet do t’i mbrojnë me gypa kanalizimi, me të cilët e kanë mbushur kalldrëmin.

Kush do të japë përgjegjësi për humbjen e jetës së njomë?

Kolonizimi i sërishëm

Me gjasë askush, pavarësisht deklaratave të prokurorit të Prizrenit, se do të merret me rastin. Ashtu siç po duket se askush nuk do të japë kurrfarë përgjegjësie pse ndërtohet një katund i tërë në veri të vendit.

Do të mjaftohemi me deklarata të stilit “ndërhyrja e Serbisë në sovranitet është e papranueshme” apo “do ta parandalojmë ndërtimin në veri”. Në fakt, të vetmen gjë që mund ta bëjnë është ta ndalojnë ndërtimin, sepse ai tashmë ka nisur me gur themel. E edhe atë nuk jam shumë e sigurt se do të mund ta bëjnë. Si? Kur asnjëri nga politikanët tanë nuk ia doli ta kalonte urën e Ibrit, kur kishte qenë e hapur për qarkullim, e lëre më tash kur përplasen aty me “Parkun e Paqes”.

E se asgjë nuk do të ndërmerret e vërteton edhe deklarata e nënkryetarit të Kuvendit, Xhavit Haliti, që thotë, po e parafrazoj, se Ahtisaari e ka paraparë ndihmën e Serbisë për serbët e Kosovës edhe në punë infrastrukture. Ta ndërtosh një rrjet kanalizimi apo ambulancë, e ta ndërtosh një katund të tërë me 300 shtëpi, megjithatë nuk është e njëjta gjë. Dhe absolutisht nuk e amniston këtë strukturë qeverisëse, e cila është fajtore shumë e madhe për situatën ku nuk mund ta kontrollojë veriun. E nuk mund ta kontrollojë për shkak se nuk ka ditur të negociojë dhe për shkak se ka pranuar të nënshkruajë një marrëveshje të keqe për Zajednicën.

Mbase nuk do të ketë shembull më të mirë sesa ndërtimi i nisur me bekimin e Teodosijes dhe fjalimin patetik të Gjuriqit për të përshkruar atë çfarë do të ndodhë po qe se fuqizohet marrëveshja për Zajednicën: Serbia do të bëjë çfarë t’i teket qejfi dhe kur t’i teket. Sepse, do të kujtojmë, marrëveshja e gushtit ua jep kompetencat këtyre komunave të disponojnë me gjithçka, se jo veç me pronat, ashtu siç ua merr mendja.

E meqë e përmenda Gjuriqin – si i dërguar i Qeverisë së Serbisë për Kosovë, hiç nuk po ndalet. Kah do që ka serbë, aty do të jetë edhe Gjuriqi, duke derdhur vrer kundër Kosovës. Po i dërguari i Qeverisë së Kosovës në Beograd, çfarë bën ai? A mos e di kush si quhet?

A nuk turpërohen bash hiç?

Në gazetë e kuptuam se qysh quheshin përcjellësit e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Kulturës, Shala, në vizitë turistike Festivalit të Kanës. E kuptuam se në mesin e 11 anëtarëve të delegacionit me zyrtarë “të lartë”, ishte edhe bashkëshortja e tij, zyrtare e financave në Baletin Kombëtar të Kosovës; një zyrtar i trashëgimisë kulturore në MKRS; shefi i Zyrës ligjore të MKRS-së dhe zyrtarja për teatër në po këtë ministri.

Pa dyshim, delegacion i kalibrit të madh burokratik, ku asnjëri, ama bash asnjëri, nuk kanë lidhje me filmin, ashtu siç nuk kishin edhe dy anëtarë të tjerë të delegacionit që janë punëtorë puro administrativë.

Nuk e di sesa ka qenë kostoja e kësaj shëtitjeje “profesionale”, e as nuk e di se cili do të ketë qenë rezultati i vizitës Festivalit, pos që me para të taksapaguesve këtyre iu dha rasti ta shihnin e ta shijonin Kanën e shtrenjtë. Porse është e sigurt se paratë që janë shpenzuar me rastin e kësaj ekspedite të kotë kanë mundur të shfrytëzoheshin për rregullimin e atij kulmi që e vrau trevjeçaren. Dhe të mos na dalin zyrtarët për të na thënë se e kemi buxhetin e vogël e nuk na mjafton që të merremi me arsimin, shëndetësinë e kulturën – sepse buxhetin e kemi të madh, në këtë fukarallëkun tonë kolektiv. Se po të menaxhohej si duhet, e po të mos shpenzoheshin paratë në shëtitje, blerje veturash e mobilesh, shumë gjëra do të ishin më ndryshe këtu.

A bash asnjë fije turpi nuk ndiejnë këta që kënaqen mëditje, e dreka e darka? A bash aq ngushtë kishin qenë me ardhë në pushtet për me e kasapitë buxhetin ashtu si po ia bëjnë? A mendojnë se dikush u beson kur thonë se janë të ndershëm e transparentë? Po të ishin të tillë, do t’i kishin bërë publike shpenzimet e tyre. Do të bëhen me shumë shtëpi kur t’i përfundojnë mandatet. Me mëditje, kuptohet.

“Euro 2016” i shqiptarëve

Kush e di edhe sa mëditjen do ta marrin kur të shkojnë në Francë në javët në vijim. Natyrisht me arsyetimin se shkojnë aty që të përkujdesen për diasporën, që është shpërndarë nëpër disa ekipe që do të luajnë në Evropian. Për t’iu dhënë përkrahje morale dhe për të kërkuar që paratë e kursyera t’i investojnë në Kosovën që lulëzon. Nga korrupsioni kuptohet.

Do të na ndodhë që bile për disa javë t’i harrojmë problemet e korrupsionit, të demarkacionit, të Zajednicës, të viktimave të pakujdesisë institucionale, të vjedhjeve të barnave, të vazhdimit të misionit të EULEX-it e me të edhe të tre gjyqtarëve ndërkombëtarë të Kushtetueses, përherë në formë kundërkushtetuese. Krejt këto do të na i qesë në harresë ngjarja e parë sportive e vitit me shumë peshë për shqiptarët, që kësaj radhe janë kombi më i përfaqësuar në këtë kampionat me gjithsej 30 lojtarë.

Këta do të jenë ata të cilët do të na mbajnë në ankth me paraqitjen e tyre. Mbase edhe do të dinë të na ofrojnë ndonjë gëzim, së paku një gol, e mbase edhe ndonjë fitore.

Krahasuar me të tjerët, ne do ta kemi një përparësi: do t’i kemi dy ekipe, për të cilat do të bëjmë tifo, natyrisht pas ndeshjes së sotme, ku e besoj shumica do të jemi me kuqezinjtë. Do të kemi mundësi të gëzohemi me cilëndo arritje të Shqipërisë, por edhe të Zvicrës me gjysmë ekipi shqiptarësh që do të mund t’i tregojnë Evropës dhe botës se dimë të bëjmë edhe gjëra të mira, me përpjekje vetjake.

Por e keqja e gjithë kësaj është se kampionati për ne mund të përfundojë më herët. Dhe sa më herët që të përfundojë, aq më shkurt do të na zgjasë shmangia nga makthi në të cilin na e kanë shndërruar jetën në Kosovën e pavarur dhe neutrale, të hapur këndej e andej, dhe në fund të papërfunduar si shtet.

Sa të zgjatë, le të zgjatë!

flaka@koha.net 

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...