“Një puç jo i përgjakshëm në Amerikë”

9 Qershor 2016 - 08:09 - Enver Robelli      

Çfarë do të bëhet në Amerikë nëse fiton Donald Trump? Shkrimtari i famshëm amerikan Richard Ford përgjigjet: “Kam një vizion, fantazi se në këtë vend mund të ketë një puç jo të përgjakshëm ushtarak, nëse vërtet bën vaki që Trump të zërë vend në Oval Office. Kjo është vetëm një fantazi, por unë e kam atë: që kokat e ushtrisë amerikane, të konfrontuara me këtë personalitet krejtësisht jostabil, i cili tani do të kishte qasje ndaj telefonit të kuq dhe do të ishte komandant i armëve bërthamore, mund të nxisin një puç jo të përgjakshëm”.

Richard Ford është njëri prej autorëve më të njohur amerikanë. Figurat e tij nga kritika letrare janë quajtur “amerikanë tipikë”. Njëri prej tyre është Frank Bascombe, të cilin gazeta gjermane DIE ZEIT e quan personazh të pavdekshëm të letërsisë. Romanet dhe novelat e Fordit, i cili jeton në Montana, New Orleans dhe në Boothbay/Maine, nuk bartin tituj ambiciozë: “Reporteri i sportit”, “Dita e pavarësisë”, “Situata në vend”, “Frank”.

Ford është një autor që flet hapur për vetveten. Në një intervistë në numrin më të ri të gazetës gjermane “DIE ZEIT” ai tregon se si në rini ka vjedhur vetura dhe është rrahur me njerëz: “Shumica e njerëzve që më njohin e dinë se unë jam një njeri me prirje të lindura për dhunë. Kur më zemërojnë, atëherë do ta ndiejnë mllefin tim”.

Ford është mbi të gjitha një vëzhgues i kujdesshëm i politikës amerikane dhe kritik i ashpër i Donald Trumpit. Atëherë: si është gjendja në Amerikë? Ford: “Gjendja politike e vendit është alarmante. Nga njëra anë kemi një president të mirë, i cili me pak distancë kohore do të klasifikohet si njëri nga presidentët më të mëdhenj – Obama ka arritur shumë për grupet tradicionalisht të diskriminuara të popullsisë. Në anën e djathtë të spektrit politik kanë ndodhur gjëra të neveritshme dhe të çuditshme: racizëm që pothuaj s’fshihet, habi përballë zhvillimit demografik të vendit, ndjenja e njerëzve se janë mashtruar. Një qeveri që është paralizuar nga konservatorët. Fundosja e diskursit politik”.

Shefi për fundosjen e diskursit politik ka një emër: Donald Trump, miliarder, provokator, ofendues, naiv dhe i rrezikshëm në vlerësime politike, nxitës i racizmit sidomos ndaj myslimanëve, të cilët i atakon në mënyrë përgjithësuese. Sipas të gjitha gjasave, Trump do të emërohet kandidat i Partisë Republikane për garën presidenciale. Si asnjë politikan tjetër, Trump pasqyron Amerikën e përçarë dhe të polarizuar. Dhe si asnjë politikan tjetër, Trump arrin të mobilizojë ato shtresa të popullsisë që mendojnë se janë mashtruar prej dekadash, andaj tani ka ardhur momenti që “populli” ta marrë fatin e tij në duar dhe të vendosë për të ardhmen - me Donald Trumpin në krye.

Trump ka sukses për shkak se “dallon aq shumë nga të gjithë politikanët e tjerë sa i përket retorikës politike që dëgjohet - para së gjithash ai dallon nga fjalët e Obamës, të cilat janë të menduara mirë dhe theksojnë përherë logjikën”, thotë Ford. Trump ka arritur të mobilizojë sidomos shtresat e popullsisë së bardhë, të cilat frikësohen se koha e tyre po mbaron dhe tani po vjen epoka e dominimit të atyre që janë konsideruar si pakica të përhershme – sidomos latino-amerikanët.

Ky zhgënjim i të bardhëve, sipas Fordit, duhet parë në kontekst më të gjerë historik. “Gjithçka filloi me Reaganin, profet-babanë e republikanëve. Ai u premtoi njerëzve të shtresës së mesme se nëse ata i përkrahin të pasurit, atëherë do të tërhiqen përpjetë, në mirëqenie. Flitej për trickle-down effect (efekti i rrjedhës së pasurisë teposhtë, v.j.). Por Reagan shkaktoi të kundërtën. Pasuria nuk rrëshqet teposhtë, çdokush në Partinë Republikane e di këtë. Pasuria pikon poshtë vetëm atëherë kur shteti merr masa, të cilat e detyrojnë atë ta bëjë këtë. Përndryshe kurrë! Besoj se kjo e vërtetë sot e përcakton situatën shoqërore të Amerikës më shumë se në vitet ‘80”, mendon Richard Ford.

Ford dyshon se Trump di të lexojë, por prapë nuk parasheh një katastrofë nëse në zgjedhjet në nëntor do të fitojë ky populist kundër Hillary Clintonit, e cila po ashtu nuk po arrin të ngjallë entuziazëm.

“Nuk besoj se do të shkaktohej ndonjë katastrofë (nëse fiton Trump, v.j.). Kemi mjaft rrjete të sigurisë në sistemin tonë, të cilat do ta pengojnë atë të bëjë diçka katastrofale. Pastaj kam një vizion, fantazi se në këtë vend mund të ketë një puç jo të përgjakshëm ushtarak, nëse vërtet bën vaki që Trump të zërë vend në Oval Office. Kjo është vetëm një fantazi, por unë e kam atë: që kokat e ushtrisë amerikane, të konfrontuara me këtë personalitet krejtësisht jostabil, i cili tani do të kishte qasje ndaj telefonit të kuq dhe do të ishte komandant i armëve bërthamore, mund të nxisin një puç jo të përgjakshëm”.

Me gjithë tonin agresiv të Trumpit kundër të huajve, disa përgjigje të Richard Fordit tregojnë sa i madh është dallimi mes Evropës dhe Amerikës sa i përket përkatësisë etnike, kombëtare, racore. Pyetje: “Trump ka origjinë gjermane. A shikohet ai nga ndonjë amerikan si gjerman?” Ford: “Mos ma shtroni këtë pyetje”. Pyetje: “Pse jo?” Përgjigje: “Ju kërkoni nga unë të them një përgjithësim etnik, dhe unë refuzoj ta bëj këtë”. “Jo, nuk po pyes nëse ju e shini atë si gjerman, por nëse këtë e bëjnë pjesë të opinionit publik amerikan”. Përgjigje: “Jo. Më shtroni pyetjen e radhës.

Ne në këtë vend nuk anojmë nga përgjithësimet etnike. Vetëm palaçot e bëjnë këtë. Ndoshta gjermanët e bëjnë këtë. Amerikanët nuk e bëjnë”. Pyetje: “Sigurisht?” Përgjigje: “Shumë sigurt”. Pyetje: “Përse nuk e bëjnë? Për shkak se nuk u interesojnë dallimet etnike?” Përgjigje: “Sepse e dinë vetë më mirë! Sepse e dinë se këso përgjithësimesh janë marrëzi. Hebrenjtë kanë hundë të gjatë? Gjëra të tilla janë qesharake! A dinë të gjithë zezakët të vallëzojnë? Pallavra!”

robelli@bluewin.ch

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...