Të harrojmë politikën për pak me ethet e futbollit

8 Qershor 2016 - 08:13 - Augustin Palokaj      

Ata që nuk e duan futbollin, ata që nuk do të mund të shikojnë lajme, telenovela, emisione kontakti etj. për shkak të futbollit, duhet thënë që të blejnë ndonjë televizor tjetër ose të durojnë një muaj. Ose thjesht le të shkojnë diku në pushim vjetor. Kur të shkoni mysafir keni mirëkuptim për mikpritësit nëse ata janë duke shikuar futboll dhe mos mendoni se e kanë humbur bujarinë nëse nuk ju japin çehre shumë. Nëse nuk u pëlqen aq shumë futbolli duroni dhe bashkojuni atyre, do ta bëni atmosferën vetëm më të gëzueshme. Bëni kinse u pëlqen. Por mbani mend se fjala është për sport, për ndeshje futbolli

Këtë javë fillon evropiani të cilin shqiptarët e kanë pritur me më shumë padurim sesa cilindo para tij. Dhe kanë arsye që t’i gëzohen dhe të mendojnë në futboll më shumë sesa në gjërat tjera. Vërtet është koha e provimeve për studentët, fundi i vitit shkollor për gjimnazistët dhe për filloristët, koha e para pushimeve të verës për familjet, koha e punës nëpër fusha dhe kuptohet se nuk duhet lënë anash punët për shkak të topit. Por asnjëherë nuk ka pasur kombëtare të Shqipërisë në ndonjë kampionat të tillë dhe kjo është arsyeja e parë pse e presim kësaj radhe me aq padurim. Orët e mëngjesit mund të shfrytëzohen për të mësuar për provime, për kryerjen e punëve në fushë, në shtëpi apo në zyrë. Dhe pasditja dhe mbrëmja t’i kushtohet futbollit. Shpresojmë të jetë vërtet një festë dhe gjithçka në Francë të kalojë mirë, sepse kësaj radhe ndihet një dozë e shqetësimit duke pasur parasysh sulmet terroriste që kishin ndodhur në këtë shtet dhe kërcënimet e vazhdueshme që vijnë nga grupet ekstremiste. Dhe tifozët, me shpresë se Shqipëria nuk do të koritet në këtë pjesëmarrje të parë në evropian, duhet të mos harrojnë se fjala është për sport dhe të mos vajtojnë edhe në raste të dështimit eventual. Është në frymën sportive që të dëshirosh sukses, por po ashtu që të pranosh në fund rezultatin.

Ky do të jetë padyshim njëri nga evropianët më interesantë dhe me më shumë ndeshje sesa më parë për shkak të numrit më të madh të pjesëmarrësve. Kjo kurrsesi nuk e ul kualitetin siç pretendojnë disa duke përmendur se, fal sistemit të ri dhe rritjes së numrit të pjesëmarrësve nga 16 në 24 në të marrin pjesë edhe Shqipëria dhe Islanda. Të tillët duhet rikujtuar se Shqipëria dhe Islanda do të ishin kualifikuar edhe sipas sistemit të vjetër, sepse kanë zënë vendin e dytë në grup. Islanda, sado e vogël i duket dikujt kjo kombëtare e një shteti me rreth 300.000 banorë, dy herë në kualifikime ka mundur Holandën. Sot nuk ka më skuadra kombëtare të dobëta. Dhe asnjë skuadër në këtë evropian nuk do ta ketë të lehtë ta mposhtë asnjë skuadër tjetër. Prandaj na pret një festë e vërtetë e futbollit dhe kësaj radhe do të kemi edhe skuadrën tonë për ta mbështetur.

Atyre që nuk e duan futbollin, atyre që nuk do të mund të shikojnë lajme, telenovela, emisione kontakti etj. për shkak të futbollit, duhet thënë që të blejnë ndonjë televizor tjetër ose të durojnë një muaj. Ose thjesht le të shkojnë diku në pushim vjetor. Kur të shkoni mysafir keni mirëkuptim për mikpritësit nëse ata janë duke shikuar futboll dhe mos mendoni se e kanë humbur bujarinë nëse nuk ju japin çehre shumë. Nëse nuk u pëlqen aq shumë futbolli duroni dhe bashkojuni atyre, do ta bëni atmosferën vetëm më të gëzueshme. Bëni kinse u pëlqen. Por mbani mend se fjala është për sport, për ndeshje futbolli.

Dhe këtë të fundit duhet ta kenë parasysh edhe mediat. Ju lutemi që të na jepni sa më shumë informata për sport, për futboll, për formën e lojtarëve, analizat e lojës. Na kurseni ju lutemi media të nderuara, portale, nga transmetimi i postimeve të politikanëve në “facebook”. Na kurseni nga urimet, komentet, porositë dhe inkurajimet që politikanët ua dërgojnë lojtarëve. Na kurseni nga ekspertizat e tyre të lojës. Ato nuk na interesojnë shumë. A mos nuk na mjaftojnë t’i shohim tërë vitin duke na torturuar me premtime, zotime, mburrje për të arritura, dhe duke u prezantuar si specialistë të gjithanshëm saqë t’u jepet hapësirë edhe për të na e prishur qejfin e futbollit.

Ata, politikanët, do të donin të besonim se falë zotësisë së tyre Shqipëria ia doli që për herë të parë të kualifikohet për një evropian, se Kosova arriti të bëhet anëtare e familjes botërore dhe evropiane të futbollit. Ata do të donin që për secilën pritje të portierit, për secilin gol të futbollistëve, të mendojmë se meritat i kanë politikanët tanë.

Por në plan të parë duhet të jetë loja, lojtarët, tifozët, specialistët e jo politikanët. Një gjë e mirë për ne që me aq emocione e ndjekim futbollin, mes tjerash, ky evropian na jep edhe një mundësi të rrallë që të harrojmë aq sa është e mundur politikën dhe politikanët.

Nuk dyshojmë se politikanët do të bëjnë përpjekje për të qenë të pranishëm në opinion edhe përmes ekspertizave të tyre për futbollin. Por mediat nuk duhet t’ua japin atë hapësirë.

Se për çfarë është fjala mund ta kuptoni nëse kujtoni se çfarë është shkruar në portalet kosovare javën e shkuar, për shembull, për ndeshjen e parë të pranuar ndërkombëtare të Kosovës. Përplot gjejmë lajme për mendimet e politikanëve, urimet e tyre, postimet e tyre për ndeshje. Por shumë pak analiza të lojës e madje ata që nuk kanë pasur raste ta shohin nuk e kanë pasur lehtë aq ta gjejnë rezultatin.

Kjo është një verë sportive dhe duhet t’i gëzohemi. Menjëherë pas evropianit na fillojnë Lojërat Olimpike. Kosova do të marrë pjesë në to për herë të parë dhe, shpresojmë, përmes Majlinda Kelmendit ka gjasa edhe të fitojë medaljen. Por me apo pa të, me vetë pjesëmarrjen Kosova fiton. Fundi i fundit edhe motoja e njohur e lojërave moderne olimpike, e thënë nga i ati i tyre Pierre de Coubertain, është se më e rëndësishme sesa të fitosh është të bësh përpjekje.

Kur flasim për një zhvillim të madh sportiv dhe përmendim politikanët, sa për të mbetur e shënuar, t’i rikujtojmë ata se nuk u realizua edhe një premtim i tyre, ai se në Francë, kosovarët do mund të shkojnë pa viza gjatë evropianit. Kjo nuk ndodhi, por shpresojmë të ndodhë së paku para fundit të këtij viti. Por edhe në Francë do të ketë padyshim mjaft tifozë kuqezi dhe edhe për ta ky do të jetë një debutim dhe duhet të lënë përshtypje sa më të mirë.

Ndeshja e parë e Kombëtares shqiptare do të jetë një fenomen në vete dhe për këtë shkruajnë edhe mediat e huaja. Përderisa gjashtë shqiptarë luajnë për kundërshtaren e parë të Shqipërisë Zvicrën, një numër i lojtarëve të Shqipërisë janë edhe zviceranë. Dy vëllezër do të përballen kundër njëri-tjetrit. Le të jetë kjo një festë dhe tifozët të përmbahen nga fyerjet. Nuk janë tradhtarë ata që do të luajnë për Zvicrën. Ata i kanë borxh edhe atij shteti po ashtu. Ata në të gjitha ndeshjet tjera padyshim do të jenë tifozë të zjarrtë edhe të Shqipërisë. Dhe ne, sikur jemi mburrur me ta edhe më parë, edhe kësaj radhe do t’i gëzohemi edhe suksesit të tyre, pos në ndeshjen parë kundër Shqipërisë. Ata kanë bërë shumë për popullarizimin e futbollit në mesin e shqiptarëve dhe për promovimin e Kosovës në skenën ndërkombëtare. Pra le të jetë një festë e vërtetë e futbollit kësaj radhe me pjesëmarrje edhe aktive të shqiptarëve. 

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...