Mashtrimi si trade mark®

7 Qershor 2016 - 07:58 - Flaka Surroi      

Bastardimi i luftës e paqes dhe inskenimi i “çlirimit” nga “çlirimtarët”

“Hoteli ‘Victory’ do të duhej të shpallej objekt i trashëgimisë kulturore. I asaj kulture të grabitjes që e imponoi PDK-ja dhe që e kopjuan pak a shumë të gjitha partitë politike, pos VV-së. Shfrytëzimi gati 20-vjeçar i hotelit ‘Victory’ nga një individ i afërt me Hashim Thaçin e shpjegon trishtueshëm modelin e sundimit në Kosovë. Tash duhet të jemi të lumtur që ‘çlirimtarët’ po na ‘çlirojnë’ sërish”, e përfundoi me ironi postimin në FB miku Mentor Ll.

Dhe zor do të gjendeshin fjalë më bindëse dhe më të efektshme për ta përshkruar një tmerr të cilit iu nënshtruam i gjithë një popull. Nënshtrim që nisi me euforinë e pasluftës dhe lejen që heshtazi ua shqiptuam këtyre e atyre që të grabisnin çfarëdo që të mundnin në emër të meritave të luftës. Tepër shpesh është ndier tek përsëritej: “Nasht, se këta kanë luftu”. E luftëtar paraqitej i gjithë ai që vishte tesha të zeza; që i kishte flokët të shkurtër dhe që fliste me autoritetin e dikujt të cilit i ke borxh. E shumë syresh, në fakt dolën të ishin pikërisht asi çfarë i kishin portretizuar “Stupcat” në një skeç që kishim transmetuar natën e vitit të ri: mashtrues dhe grabitqarë.

Skandali i veteranëve

Gjatë javës, Qeveria miratoi raportin e Komisionit për evidentimin e veteranëve të luftës me të cilin u përcaktua se Kosova kishte hiq më pak se 46.230 veteranë – që sipas formulimit të ligjit i përfshinte jo vetëm ata me armë në dorë por edhe prapavijën logjistike. Logjikisht, këta të fundit do të mund të cilësoheshin ushtarë, edhe pa bartur armë në dorë, për shkak se kanë marrë pjesë aktive në luftë.

Se sa i tepruar është ky numër e përsëritën shumë njerëz, kurse faktin më të thjeshtë e paraqiti miku Agron D., në FB: sipas numrit të paraqitur, del se më 1999 Kosova paskësh pasur më shumë ushtarë per capita sesa Franca, Gjermania, Japonia e madje edhe se Serbia. E nëse paska qenë kështu, pse atëherë u desh që të ndërhynte NATO-ja që të na i shpëtonte kokat? Dikush do të thotë për shkak se nuk kemi pasur armatim të duhur. E dikush mbase se nuk kemi pasur aviacion ushtarak. E dikush, se nuk kemi pasur as marinë luftarake. Por, në fund e gjitha përkufizohet në një fjalë të vetme: mashtrim. Evidencimi i gjithë këtyre njerëzve është hipokrizi e paparë që nuk e di se pse duhet ta pranojmë dhe durojmë.

Po t’i futemi pakëz historisë së këtij muhabeti, do të na dalin gjëra të thjeshta që na e japin përgjigjen se pse ndodhi kjo që ndodhi.

Ligji për statusin e veteranëve u miratua më 2011. Ai parasheh kategoritë e luftëtarëve; të atyre që nuk kanë bartur armë, por kanë ndihmuar dhe të atyre që kanë ndihmuar me financim. Kush do që e ndiente se mund t’i përkiste ndonjërës nga këto kategori, do të mundë të merrte pension veterani.

Në nëntor 2012, pra një vit para zgjedhjeve komunale, nisi nënshkrimi i aplikacioneve për veteranë. I pari që e nënshkroi ishte Thaçi, dhe atëherë, kishte deklaruar kështu: “Çdo njeri që e ndien vetën UÇK, dhe çdo njeri që ka pasur emblemën e UÇK-së, do të ketë përkujdesje të përgjegjshme institucionale. Prandaj nuk kisha preferuar që në asnjë rrethanë të mos pretendon dikush që të vë në pozicione jo të volitshme dikë tjetër se është më çlirimtar se tjerët. Të gjithë janë meritorë”. Rezultati i kësaj deklarate qe që 66.500 veta e ndien veten më UÇK se të tjerët dhe aplikuan për status.

Kështu, u sigurua zvarritja e një procesi që hyri thellë në 2014 e që e mbërrini pikën e miratimit të ligjit me të cilin përcaktohej lartësia e pagesës për veteranët. Jo çuditërisht, ky ligj u miratua në prill të 2014-s, më pak se dy muaj para se të mbaheshin zgjedhjet parlamentare. Ani që ende nuk ishte përcaktuar numri, pra për pasojë, as që mund të caktohej saktësisht ngarkesa buxhetore, të cilën duhet ta përmbajë secili ligj.

Tash, një vit para zgjedhjeve komunale, miratohet lista e gati 50 mijë njerëzve të cilëve u njihet statusi i veteranit, ani që edhe IOM-i, vetë OVL-të dhe vetë komandanti i UÇK-së, Çeku, nuk kishin përmendur numër më të madh se 24.500 veteranë.

Matematika është e thjeshtë: nëse të gjithë këta veteranë kanë bashkëshort/e dhe e kanë nga një fëmijë të lindur menjëherë pas luftës, do të mundë të paramendohej se partia që e nisi ligjin (PDK), do të mundë të llogarisë në votën e së paku 90 mijë vetave (fëmijët vitin tjetër do të jenë 18-vjeç). Kjo nëse llogarisim se gjysma e veteranëve besojnë në PDK-në. Kjo do të vinte natyrshëm – sepse ky ishte një premtim të cilin Thaçi s’u lodh së përsërituri dhe i cili më në fund do të shndërrohet në shpërblim monetar, e që do të mundë të na kushtojë më së paku 100 milionë në vit. E çka janë 100 milionë për pushtet? Kurrgjë, meqë PDK-së ato para nuk i dalin prej xhepit. Sepse do të dalin prej arkës së madhe: buxhetit.

Sa imami, sa këngëtari e sa artisti do të bëhen çirak me këto para -- një zot e di. Ama bre të barazohet dikush që ka ndenjur në të sigurt me ata që përnjëmend kanë luftuar është turp që nuk kapërdihet. Është mashtrim e njëkohësisht ofendim.

Misionin e kryen, tash në bërllok

Ofenduese është deklarata e kryeparlamentarit që u paraqit menjëherë pasi dje u mbyll dhe konfiskua hoteli “Victory” në Prishtinë. Si aksion policor që nuk mund t’i ikte vëmendjes, sepse në të u përfshinë edhe pjesëtarët e ROSU-së, ky u shfrytëzua për marrje meritash. Natyrisht, e gjithë kjo në kontekstin e pozicionimit sa më të mirë politik në përgatitje për zgjedhjet e ardhshme, kurdo që të ndodhin. Ishte fejsbuku magjik ai i cili transmetoi fjalët e Mr. Kty-së: “E përshëndes veprimin e organeve të rendit dhe ligjit për lirimin e pronave të uzurpuara. Më vjen mirë që kërkesa ime publike për zbardhjen dhe vënien para përgjegjësisë të uzurpatorëve të pronave është duke u bërë realitet. Në Kosovë prona është e shenjtë, ligji vepron njësoj për të gjithë dhe qytetarët meritojnë të jetojnë në prosperitet dhe dinjitet”.

E se në Kosovë asgjë pos pushtetit nuk është e shenjtë e dëshmon fakti se ky hotel ka qenë i uzurpuar që nga fundi i luftës, nga një njeri që ka qenë pjesë e strukturave udhëheqëse të PDK-së, dhe për më tepër, që ka qenë deputet i po kësaj partie gjatë periudhës 2001-2004, kur kjo parti drejtonte Qeverinë e Kosovës. Në të njëjtën kohë kur ia linte partisë në dispozicion hotelin e tij, i mbante nën kontroll edhe 12 pompa benzine, me një kontratë kontestuese me UNMIK-un.

Ta dëgjosh tash kryeparlamentarin tek paraqitet si luftëtar për sundim ligji dhe jetë të dinjitetshme të qytetarëve, nuk del asgjë tjetër pos hipokrizi e mbështetur mbi kalkulimin e pastër politik: ja e shihni, unë jam njeriu me vizion të ri. Nuk jam si ai tjetri që më bëri kryetar partie. Por jam njeri i ndershëm, që nuk e duron krimin. Ani që e kam udhëhequr një organizatë të nëntokës, anëtarët e së cilës tash gjykohen dhe dënohen për krime.

Po në shërbim të kujt paskësh funksionuar Selmani deri tash? Të vetes? Me gjasë që po. Porse pompat e benzinës me qarkullim milionësh dhe hoteli i uzurpuar që e mbante Statujën e Lirisë për simbol të gabueshëm kujt ia kishin mbushur arkat? Atyre që ia kishin dhënë lejen ish-deputetit dhe shumë të tjerëve që të vepronin pa mbulesë ligjore. Atyre të cilët i kishin bërë ortakë e financues vetjakë e partiakë – me të cilët do ta kenë ndarë tallin në të zezën. Ashtu që të mos mbetej asnjë gjurmë tjetër pos shumë banesave dhe shtëpive të njerëzve që punësimin e parë në jetë e kanë pasur në Kuvendin apo në Qeverinë e Kosovës.

Është shumë mirë që ka nisur lirimi i objekteve të uzurpuara. Pyetja është vetëm sa do të zgjasë ky skenar. E ky mund të zgjasë shumë dhe mund të përfundojë me zënien e kryeuzurpatorëve po qe se dikush si ish-deputeti vendos ta hapë zemrën, e të nisë të tregojë se sa prej parave që i vishen t’i ketë qarkulluar, kanë shkuar nëpër xhepat e atyre që ia dhanë lejen për të vepruar kështu.

Por, gjasat që kjo të ndodhë do të jenë minimale. Për shkak se ish-deputeti ka kohë që është larguar prej Kosovës, me gjasa të vogla që të kthehet për të bërë zarar. Ai tashmë e ka kryer misionin e tij 17 – 18-vjeçar. Ka kryer krejt detyrat që është dashur deri në çastin kur është vendosur se aktivitetet e financimit duhet t’i marrë dikush tjetër nën kontroll, me emër dhe firmë tjetër. Tash i ka ardhur radha të shkojë në bërllok, sikur të ishte faculetë për një përdorim – por jo pa u siguruar se do të mund ta vazhdonte aktivitetin e tij kudo dhe larg duarve të drejtësisë.

E të dalësh e të thuash se si shteti është i vendosur të punojë për interesat e qytetarëve, duke e përdorur gjithë aparatin e dhunës që ka në dispozicion, është edhe një mashtrim dhe hipokrizi e radhës. Është trejdmark i kësaj garniture udhëheqëse politike që këtë shtet e mban për vete dhe vetëm për t’i përmbushur interesat e veta të ngushta që përherë synim do ta kenë mbajtjen e pushtetit në grusht.

Se po të mos kishin qenë mashtrues e hipokritë, moti ishin larguar nga politika; moti kishin pranuar se janë pasuruar në emër të luftës dhe në krah të popullit dhe moti, vullnetarisht, kishin pranuar të përballeshin me drejtësinë.

Kështu, vetëm sa i kanë bastarduar edhe luftën e edhe paqen, me inskenimin pompoz të “çlirimit” nga “çlirimtarët”.

flaka@koha.net 

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...