Domosdoshmëritë e Kosovës në vitin 2014

12 Maj 2014 - 21:51 - Enver Robelli      

Një udhërrëfyes për të kapërcyer të keqen dhe për të përqafuar të ardhmen e Republikës

Mbi domosdoshmërinë e gijotinës politike!

Mjeku Joseph Ignace Guillotin (1738-1814) kishte idenë që ekzekutimet e të dënuarve në vend se të kryheshin me shpatë apo me sëpatë, të bëheshin me një teh mekanik. Guillotin ishte i bindur se ekzekutimet e tilla do të ishin më të shpejta, më të sigurta dhe do t’u shkaktonin më pak dhimbje të dënuarve. Një mjek me emrin Louis ishte i ngarkuar të zbatonte teknikisht ekzekutimet. Njëherë, derisa Louis dhe Guillotin po diskutonin në Pallatin e Mbretit mbi problemet që dilnin gjatë ekzekutimit me tehun e gijotinës në formë të hënës, në zyrë u fut vetë Luigji XVI. Në kohën e lirë Mbretit i pëlqente të merrej me përpunimin e metalit, andaj ai propozoi që për ekzekutime të përdorej një teh i pjerrët. Njëri prej të dënuarve të parë, që u ekzekutua me gijotinë, ishte vetë Luigji XVI.
Morali i këtij rrëfimi?
Po vijnë zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Çdo qytetar ka mundësi të përdorë votën si gijotinë politike për të ndëshkuar qeverisjen e keqe, korrupsionin, mashtrimin, krimin. Keqbërësit të shkojnë në burg dhe opozitë, t’u jepet shans alternativave të reja. S’kemi kohë të presim derisa cubat dhe banditët të bëhen demokratë. Sepse cubat dhe banditët kurrë nuk do të bëhen demokratë!

Mbi domosdoshmërinë e mjekrës politike!

Cari Pjetri i Madh i Rusisë dëshironte me çdo kusht t’i evropianizonte bashkëkombësit e tij. Ai kërkonte që rusët të visheshin si evropianët. Dhe të dukeshin si evropianë. Meqë evropianët nuk bartnin mjekra, Cari dha urdhër që çdo rus që bart mjekër duhet të paguajë tatim ekstra. Tatim për mjekër! Kush s’kishte mundësi ta paguante këtë tatim, ishte i detyruar ta rruante mjekrën.
Morali i këtij rrëfimi?
Po vijnë zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Çdo qytetar ka mundësi që me votën e lirë e demokratike t’ua lëshojë mjekrën politikanëve të papërgjegjshëm, të cilët në fund të mandatit po përpiqen ta mashtrojnë popullin edhe një herë me premtime të rrejshme dhe marramendëse. T’ua lëshosh mjekrën cubave është akt patriotik. Vetëm kështu mund të përqafohet e ardhmja e Republikës.

Mbi domosdoshmërinë e këndelljes nga gripi politik!

Në vitin 1943 presidenti amerikan Roosevelt shkoi në Teheran për të diskutuar me Stalinin dhe Churchillin për të ardhmen e Evropës, e cila kanosej nga nazizmi. Fillimisht Roosevelti negocioi vetëm me Stalinin për shkak se Churchillin e kishte zënë gripi. Roosevelti u tregua i përzemërt ndaj Stalinit, të cilin madje e quante “Uncle Joe”. Presidenti amerikan për pak e pranoi propozimin e liderit sovjetik që Armata e Kuqe t’i pushtonte mbarë Gjermaninë dhe Francën. Për fatin e mirë të Evropës, Churchilli e kaloi shpejt gripin dhe u kyç në negociata - me ç’rast udhëheqësi britanik i prishi planet e Stalinit.
Morali i këtij rrëfimi?
Po vijnë zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Çdo qytetar ka mundësi që me votën e lirë të zgjedhë politikanë e parti që e dinë për çka po negociojnë në Bruksel, në ambasada dhe në zyra të tjera. Kësaj shoqërie i duhet një këndellje nga gripi politik shumëvjeçar. Këndelljen nuk mund ta bëjnë ata që e kanë sjellë gripin e rëndë. Këta që janë në pushtet dhe duan të mbesin në pushtet janë shumë të interesuar që shoqëria e Kosovës të vazhdojë të jetë apatike, e painteresuar për fatin e vet, moskokëçarëse, e zhytur në plogështi. Zgjedhjet janë rast ideal për këndellje. Janë vaksinë kundër gripit politik që po infekton gjithë vendin.

Mbi domosdoshmërinë e përdorimit të veglave të duhura në kovaçhanën politike!

Rreth shtatë dekada pas vdekjes së Dante Alighierit, poeti nga Firenca Franco Sacchetti (1330-1400) e tregoi këtë anekdotë: një kovaç i recitonte me zë të lartë dhe gabimisht vargjet e Dantes. Një ditë Dante hyri i zemëruar në kovaçhane dhe ia përplasi kovaçit të gjitha veglat përtokë. Kovaçi u përgjigj: “Ç’po bën kështu? Ti po m’i shkatërron veglat dhe punën”. Dante u përgjigj menjëherë: “Përse të mos e shkatërroj punën tënde? Edhe ti po ma shkatërron punën”. Kovaçi uli kokën, mblodhi veglat dhe u betua se kurrë më nuk do të recitojë vargje të Dantes.
Morali i këtij rrëfimi?
Prej shumë vjetësh në skenën politike të Kosovës dominojnë disa kovaçë, të cilët përdorin vegla të dëmshme për shtetin dhe shumë të dobishme për kuletat e tyre personale. Në zgjedhjet e ardhshme parlamentare qytetarët e Kosovës kanë shansin e artë që politikanëve të papërgjegjshëm t’ua marrin veglat shtetshkatërruese. Këta që e sundojnë me kaq dashakeqësi këtë vend me gjasë mendojnë se Dante ka qenë kovaç.

Mbi domosdoshmërinë e dërgimit të kafshëve për të pirë ujë!

Dante Alighieri e pyeti një qytetar të Firences: “Sa është ora?” Qytetari u përgjigj: “Është koha kur kafshët shkojnë për të pirë ujë”. Dante ia ktheu: “E ti ç’po pret këtu?”
Morali i këtij rrëfimi?
Ka ardhur koha që qytetarët e Kosovës shumë politikanëve t’u thonë: “E ti ç’po pret këtu?” Zgjedhjet e ardhshme parlamentare janë një shans i papërsëritshëm për t’i dërguar jo pak cuba politikë te lugu i bagëtive.

Mbi domosdoshmërinë që në Kosovë macet të ndjekin minjtë!

Kur François-René de Chateaubriand (1768-1848) humbi autoritetin dhe nuk ishte më ministër i Punëve të Jashtme i Francës, ai u përpoq që këtë disfatë ta kalonte me dinjitet. Dy orë pasi mori letrën mbi largimin e tij nga posti, ai u kthye në shtëpinë e tij modeste. Nga kabineti i tij luksoz Chateaubriand mori vetëm dy mace. “Të dashurat e mia”, iu drejtua ai atyre, “mbaroi koha kur silleshim si zotërinj me nam. Në të ardhmen ju seriozisht duhet të gjuani minj”.
Morali i këtij rrëfimi?
Po vijnë zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Nëse në pushtet vjen një qeveri e re, atëherë në kabinete ministrash nuk do të gjejë as mace, as minj, as karrige, as tavolina, as dokumente, as protokolle. Javët para se të ikë kjo qeveri do t’i shpallë “Javë të pastrimit pranveror” (me fjalë të tjera: “Javë të zhdukjes së gjurmëve”). Në të ardhmen na duhen mace (lexo: prokurorë e prokurore) që do të merren seriozisht me ndjekjen e minjve të dhjamosur politikë.

Mbi domosdoshmërinë e ndryshimeve politike. Ose: bëhet mirë kur bëhet thellësisht ndryshe!

“Natyrisht, nuk mund të them nëse do të bëhet mirë nëse bëhet ndryshe; por, kaq mund të them: duhet të bëhet ndryshe për t’u bërë mirë”, pati thënë Georg Christoph Lichtenberg. Edhe diçka pati thënë ky matematikan gjenial gjerman: “Duhet bërë diçka të re, për të parë diçka të re”.
Morali i këtij rrëfimi?
Po vijnë zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Vetëm ndryshimet, po qe nevoja edhe dramatike, mund ta shpëtojnë këtë vend nga një grusht cubash, që ditën fusin duart në arkën e shtetit dhe natën në thasët me kokainë (sipas raporteve të NATO-s). Zgjedhjet janë shans për ta shpëtuar Kosovën!

Mbi domosdoshmërinë e ndëshkimit të selfie-mentalitetit dhe vetëlavdërimit pervers!

Poeti romak Ovidi ishte i vetëdijshëm për vlerën e veprës së tij dhe nuk ngurronte që këtë ta thoshte hapur. Në pasthënien e “Metamorfozave” ai shkroi: “Tani e përfundova një vepër, që nuk mund ta shkatërrojnë zemërimi i Jupiterit, as zjarri, as hekuri, as mosha gërryese. Emri im nuk mund të shkatërrohet assesi, dhe për aq kohë sa pushteti romak do të ekzistojë mua do të më lexojë populli dhe unë gjatë gjithë shekujve do të jetoj në lavdi”.
Morali i këtij rrëfimi?
S’ka moral. Ka vetëm një citat: “Tempujt e dijes dhe të shkencës janë rreze drite për kombin dhe njerëzimin”. Thënë nga selfie-klouni dhe gravuar në një pllakë që u vendos e pastaj u hoq nga ndërtesa e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. A thua ku gjendet ajo pllakë sot? Në zyrën e cilit ministër? Do të ishte dhuratë e mirë lamtumire për selfie-palaçon që këto ditë po e ushtron buzëqeshjen pasi - duke u thirrur në liri, pavarësi, shtetësi e ushtri - i vodhi nja 400 milionë euro në emër të asfaltit patriotik, 200 milionë në emër të sigurimit për lëvizje jo të lirë dhe pa karton të gjelbër, dhjetëra e dhjetëra miliona të tjerë në emër të privatizimit dhe lulëzimit të rrejshëm ekonomik, qindra miliona të tjerë nga pompat e benzinës. Pronto, pompa dhe perversitete – duhet të marrin fund!

Mbi domosdoshmërinë që në Kuvendin e ardhshëm të kemi deputetë që mbahen mend për fjalime e veprime të mençura dhe asnjë harabel e qelepirxhi!

“Hapi i parë që secili duhet ta bëjë është të çlirohet nga mendësia e skllavit”.
“Mirëqenien e përgjithshme ne e kuptojmë kështu: a) mirëqenie për çdo individ, b) mirëqenia e të gjithëve është më shumë se mirëqenie e individit, dhe c) mirëqenia e tërësisë është diçka më shumë dhe i përfshin të gjithë”.
“Fuqia jonë duhet të jetë: orientimi dhe jo irritimi”.
“Pjesë e demokracisë është edhe aftësia për t’i toleruar të tjerët ndaj dhe pranë vetes, jo si të nënshtruar, por si pjesëmarrës në garë. Përndryshe, nuk kemi të bëjmë me demokraci, por me pseudodemokraci”.
“Po terrohet. Retë po marrin ngjyrë trëndafili. Ka ardhur koha të ndërmerret diçka”.
“Ndërtimi i shtetit social mbetet detyrë e jona po aq sa ruajtja e të drejtave civile liberale”.
“Jam mësuar të më fishkëllejnë, të më ngërmohen dhe të më godasin. Nuk turpërohem për këtë. Një ditë të tjerët do të turpërohen”.
Të gjitha këto janë thënë nga Herbert Wehner, politikan socialdemokrat gjerman, ministër për Çështje Mbarëgjermane, shef i Grupit parlamentar të Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD) – dhe njëri prej talentëve më të mëdhenj retorikë të shekullit XX.
Morali i këtyre citateve?
Po vijnë zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Në Kuvendin e ardhshëm është e domosdoshme të kemi deputetë të përgjegjshëm, që me retorikën e tyre sjellin ligje dhe ndryshime të dobishme. E pamë shumë mirë se ku na çon retorika brilante e Azem Sylës (mashtrues sigurimesh në Zvicër), e Ukë Rugovës (prostitutë politike), e Halit Krasniqit (harabel antiparlamentar) dhe e Kamishit (qelepirxhi dhe qatip).

robelli@bluewin.ch
 

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...