Ndërmjet futbollit dhe së përditshmes

31 Maj 2016 - 08:02 - Flaka Surroi      

Është fatkeqësi e këtij vendi të udhëhiqet nga militantë partiakë, të cilëve Partia u ka borxh. Borxh të cilin për fat të keq e paguajmë të gjithë ne, përderisa ata kënaqen të ulur nëpër kolltukët që ua sigurojnë mundësinë e grabitjes së krejt asaj që kemi, pavarësisht dëmit që na bëjnë

Jemi shumë të zhurmshëm kur kemi të bëjmë me lajme që lidhen me futbollin – i marrim punët me aq emocione thuajse prej kësaj na varet jeta. Po nejse, mbase e kemi këtë një ventil shfryrjeje të krejt pezmit që na është akumuluar prej kohësh e diku duhet gjetur prehje. Qoftë për gëzim. Apo edhe për polemikë. Dhe derisa merremi me punë futbolli, gjërat e tjera vazhdojnë të ndodhin e të ecin qoftë larg vëmendjes sonë, qoftë dalin aq të komplikuara sa nuk dimë t’iu biem në fije.

Granit Xhaka u bë lajm, se prej Gjermanisë kaloi në Londër për t’u bërë pjesë e ekipit të Arsenalit. Paratë që u përmendën janë të mëdha. Pra, mirë ka bërë që ka shkuar, sepse është i ri dhe derisa të ketë fuqi, këtë do ta ketë burimin më të sigurt të të hyrave. Do t’i nevojiten për pension, sepse në futboll pensioni vjen bile 20 vjet më herët se në profesionet e tjera. E nga ana tjetër, jam e sigurt, do të ketë shumë fëmijë e të rinj që do të nisin të anojnë për Arsenalin, sepse aty e kanë idhullin e tyre të ri.

Lajmi tjetër futbollistik u bë reprezentuesi i Shqipërisë, Mërgim Mavraj. Refuzoi ta bartte fanellën me reklamën e prodhuesit të vetëm të birrës në Kosovë, për shkaqe fetare. Rezultati 1: një debat mos vet i nxehtë nëse pati apo jo të drejtë kur veproi kështu. Rezultati 2: një reklamë enorme pa pare për prodhuesin kosovar të birrave – garant ata që e kanë kundërshtuar vendimin e tij do ta rrisin konsumin, bile gjatë kampionatit. Dhe, siç tha një mik në FB, po qe se Mavraj do të shënonte, këtu goli do të festohej me birrë. Rezultati 3: një shmangie vëmendjeje nga telashet e përditshme, duke e shënuar një acarim dhe ndarje rigide ndërmjet përkrahësve të dogmës në njërën anë dhe të pragmatizmit në tjetrën. Dhe krejt kjo në emër të të drejtave të njeriut. Se si do të zgjidhet lëmshi mbetet të shihet. Porse atë që do ta komentoja në fund, është se birra prodhohet edhe pa alkool.

Dështimi i një misioni

Dhe përderisa ende vazhdon të flitet për futbollin, në mesjavë në Prishtinë u publikua vendimi i Gjykatës Kushtetuese, me të cilin njihet pronësia e Manastirit të Deçanit mbi tokën e falur nga Millosheviqi më 1997.

Kjo shkaktoi reagimin e deçanasve, që madje organizuan protesta dhe u përbetuan se nuk do ta respektojnë vendimin e GJK-së, të cilin e konsiderojnë kundërkushtetues, për shkak se vazhdojnë të besojnë se pronat shoqërore janë të deçanasve e jo të Manastirit.

Por, leximi i këtij aktgjykimi, pasi janë listuar krejt procedurat juridike dhe gjyqësore nëpër të cilat ka kaluar rasti i tokave të dy ish-ndërmarrjeve shoqërore – e jep një përgjigje të vetme: i gjithë rasti është një mishmash kompetencash, vendimesh e procedurash që besoj edhe dikush më kompetent sesa gjykatësit e kësaj Kushtetueseje s’do të mund t’i binte në fije. Dhe zanafilla e problemit paraqitet me shfaqjen e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit dhe me marrjen e kompetencave në sferën e privatizimit dhe të përfaqësimit juridik të ish-firmave shoqërore. E këtij lëmshi i ka ndihmuar pa masë edhe rregullativa ligjore e miratuar nga UNMIK-u, që do të mbajmë mend, është mbështetur mbi rregullore të mangëta dhe vendime ekzekutive të miratuara nga PSSP-të e ndryshëm, përgatitur nga eminenca gri: Zyra Ligjore e UNMIK-ut.

Shtegtimi shumëvjeçar i këtij rasti përfundoi me një konkludim të shumicës së gjykatësve të Kushtetueses (pos Bekim Sejdiut, që sërish votoi kundër): res judicata, apo rast tashmë i gjykuar, që nuk mund të rihapet për shqyrtim.

Se a veproi drejt apo jo Kushtetuesja, këtë do të mund ta thoshte Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Por, Kosova nuk ka qasje në të, për shkak se nuk është anëtare e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Prandaj ky aktgjykim është i formës së prerë dhe nuk do të ndërrojë edhe nëse cilido gjykatës shqiptar do të shpallej tradhtar i kombit. Porse, megjithatë, mbetet shija shumë e hidhur se një vendim i Qeverisë së Millosheviqit nga viti 1997 të jetë marrë si absolut, pa shikuar se çfarë dëmesh do të mund të shkaktonte në sferën e të drejtave të njeriut. Sepse ishte mu UNMIK-u ai që shfuqizoi krejt vendimet diskriminuese të Serbisë para vitit 1999 – dhe është pikëpyetje se përse nuk u shikua edhe ky vendim me atë prizëm.

Në fund, do të rikujtojmë, megjithatë, se kjo Gjykatë Kushtetuese ende i ka në përbërjen e vet tre gjykatësit ndërkombëtarë, mandati i të cilëve u zgjat në mënyrë kundërkushtetuese. E kjo ndodhi me një veprim që lehtë ka mundur të konsiderohej shkelje e Kushtetutës nga Jahjaga në kohën kur Kosova kishte hyrë në krizën e parë të thellë politike të bllokimit të gjithçkaje nga vetë GJK-ja e Babës. Se sa janë legjitime të gjitha vendimet e kësaj përbërjeje, mbase do të vijë një kohë për t’i gjykuar e vlerësuar. Ndërkohë, dëmet veç sa po shkojnë e po shtohen.

Demarkacioni i kontestuar

Në këtë kontekst, mbase do të duhej pritur, dhe pa befasi, që Kushtetuesja të merrej edhe me çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, që është njëri nga kushtet për liberalizimin e vizave.

Atë që nuk e bënë politikanët vendës, e bëri korrespondenti ynë në Bruksel, Augustini, e pas tij edhe raportuesja e posaçme e Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, Tanja Fajon: ngrenë çështjen e psesë së kushtëzimit të liberalizimit me demarkacionin. Ky nuk kishte qenë rasti ama bash me asnjërin shtet të ish-Jugosllavisë, pra pse duhej t’i imponohej Kosovës. Aq më parë kur dihet se çështja, së bashku me Zajednicën, e ka shkaktuar krizën e dytë të thellë politike të cilën e jetojmë.

Dje opozita përmendi dyshimin se ndoshta këtë kusht e ka imponuar vetë Qeveria në bisedime me palën evropiane – që kur e mendon hollë e hollë se çfarë është në gjendje të nënshkruajë, bëhet element që nuk duhet përjashtuar. Sido që të jetë, demarkacioni tash po shkakton së paku një përçarje vizuale ndërmjet deputetëve të partive të koalicionit qeverisës. Përderisa LDK-ja thotë po e votojmë ligjin, PDK-ja po thotë hajde të mendojmë për arbitrazhin. E, duket se asnjëra palë nuk e dëgjon njërin nga zërat e arsyes, profesorin Zejnullah Gruda, që e argumenton me fakte thjesht të kuptueshme se kjo çfarë është nënshkruar është e dëmshme për Kosovën. Në librin e tij Kufijtë në dëm të shqiptarëve (do të dalë në Panairin e Librit brenda dhjetë ditësh) e argumenton me bollëk se metoda kadastrale e aplikuar dhe e përkrahur nga komisioni ad-hoc i “ekspertëve” të emëruar nga Jahjaga është e gabuar. Me pak fjalë, nuk ia vlen shantazhimi se do ta fitojmë lëvizjen e lirë, nëse duhet falur tokë, që madje edhe institutet ushtarake të ish-Jugosllavisë e përkufizojnë të Kosovës.

Pluhuri i tretë

Me zhurmë ia nisëm, me zhurmë po e përfundojmë këtë kolumne.

Propozimi i emrave për zëvendëskryeministër të parë dhe ministrat e Jashtëm dhe të Drejtësisë ngjalli debatin e përhershëm – a janë kandidatët për këto poste më të qëlluarit apo jo.

Para se të hyhet në elaborimin nëse janë ose s’janë, vetëm një koment nga korneri: pse s’është fare çudi që asnjëri nga të propozuarit nuk është i gjinisë femërore? Për shkak se kjo shoqëri, me në krye politikanët e saj, vazhdon të sillet si në patriarkat. Për më tepër e ushqen filozofinë e odave kur veç burrat flasin, kurse gratë shërbejnë për dekor. Po për këtë, njëherë tjetër.

E tash, se nënkryetar i Qeverisë do të bëhej Kuçi, nuk ka pasur shumë dilema. Ai është xhoker për partinë e tij – sa herë që duhet treguar diçka më të komplikuar del ai dhe flet aq shpejt dhe sjell fjalët me aso mjeshtërie, sa në fund mbetesh pa marrë vesh se çfarë deshi të thoshte autori.

Hoxhaj -- as kjo nuk ishte befasi. A nuk ishte ai që i thuri vjersha liderit të vet, me një laritje të paparë, që dikush do të mund ta quante madje neveritëse? Po nejse, ai kthehet në postin e vjetër. Dhe nëse asgjë tjetër, së paku mund të fryhet me faktin se gjatë mandatit të tij si ministër i Jashtëm, Kosova ka pasur më shumë njohje sesa në kohën e shefit të vet të përjetshëm, Thaçit, që e mbylli mandatin me dy sish.

I treti, dhe më i kritikuari, qe qarkullimi i emrit të Gani Kocit për ministër të Drejtësisë. Jo s’ka përvojë, jo jep mësim në një universitet privat, jo ka marrë pjesë në dy konferenca ndërkombëtare. Kur t’ia lexosh biografinë e sheh që njeri ka doktoruar. Qysh e tek, ajo është tjetër muhabet. Po doktor shkence janë edhe Azem Syla dhe shumë dajallarë të tjerë, dhe kurrgjë kurrkujt. Pse përnjëherë Gani Koci është problematik e nuk është asnjëri nga ministrat e tjerë të kësaj Qeverie? Çka e dallon këtë njeri nga ata ministra që kanë kryer fakultete e mastera në universitete private të pasluftës; çka e dallon nga cilido ministër a deputet që nuk ka kohë me u marrë me punët shtetërore, sepse ka prioritete të tjera. Çka e dallon këtë njeri nga Hajredin Kuçi që e ka kontrolluar dikasterin e drejtësisë në shtetin me korrupsionin më të shprehur dhe të dëmshëm në rajon, nëse jo në Evropë? Është njeri i Partisë, dhe si i tillë duhet të shpërblehet, ashtu siç janë shpërblyer të gjithë të tjerët që janë të ulur qaty ku janë.

* * *

Të ulurit aty janë ata të cilët e kanë votuar Marrëveshjen e Brukselit. Ata të cilët me vetëdije kanë legjitimuar diskriminimin etnik në gjykata. Aty ku shqiptarët që konkurrojnë duhet të jenë shtetas të RKS-së e ta kenë provimin e dhënë të judikaturës këtu, kurse komunitetet (lexo serbët) mund të mos jenë shtetas të RKS-së dhe mund ta kenë kryer provimin gjyqësor kudo qoftë. Aty ku shqiptarët duhet t’i kenë së paku tre vjet përvojë pune, e komunitetet mund të kenë përvojë “të shkurtuar”.

Janë po këta ata që i pranojnë që të gjitha që u imponohen vetëm për t’ia ruajtur vetes rehatinë e të kënaqen me paratë e të gjithë neve. Pavarësisht dëmit që na bëjnë. Thuajse u kemi borxh gjë.

Gjynah që futbollistët s’i kemi politikanë. Ata s’na kanë borxh gjë, e prapë ia dalin të na gëzojnë, pa lypur gjë në këmbim.

flaka@koha.net 

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...