Privatizimi i procesit

29 Maj 2016 - 08:00 - Elmaz Isufi      

Ç’na duhet një proces që në themel vetë është privat, që hairin i panë vetëm ata që vunë dorën mbi të, duke luajtur rolin edhe të shitësit edhe të blerësit të pronës shoqërore

Afaristit Sh. Aliu i janë dashur pesë minuta që nga një ndërmarrës i suksesshëm të shndërrohet në një “hiç”. Njeriu, për të cilin sidomos në Gjilan ishin vënë në dijeni se do të jetë njëri nga pronarët e fabrikës së radiatorëve “Jugoterm”, në vend se të gëzonte veprimtarinë që e kishte ushtruar brenda dhe jashtë për gati 20 vite, nisi të bredhte nëpër institucionet qendrore në Prishtinë, me shpresën se është duke denoncuar një “krim”. Ishte përpjekur që çështja e shitblerjes së kësaj fabrike të alarmohej jo vetëm në Agjencinë e Privatizimit (atëbotë quhej Agjencia e Mirëbesimit), por edhe në medie. Madje, ishte i gatshëm të paguante edhe çmimin për përfshirjen e tij në një skemë të jashtëligjshme.

Ëndrra e Sh. Aliut, më 2006, ishte përmbysur nga ata që nuk e kishte pritur, nga ata për të cilët ishte gati të fuste duart në zjarr. Ishin shokët e tij të partisë, të biznesit, ishin miq shtëpie. Dy ministra të Qeverisë së dalë nga zgjedhjet e vitit 2004, Fatmir Rexhepi e Lutfi Haziri, sipas tij, ia kishin bërë gropën e madhe.

Teksa po e uronin familjarë e bashkëpunëtorë për atë se oferta e tij dhe e “miqve” aksionarë kishte dal fituese, ai sheh në një kanal televiziv partnerin e tij me krah të fortë, vëllanë e ministrit Rexhepi, tek u drejtohej medieve si pronar i ri i fabrikës. Duke e menduar këtë si paraqitje edhe në emrin e partnerëve, atij nuk i kishte shkuar mendja te më e keqja. Edhe kishte arsye - me ta kishte ndarë të mirën e të keqen për shumë vite, ashtu siç kishin projektuar bashkë edhe ortakërinë në biznesin e ardhshëm.

Por, s’kishte vonuar shumë dhe atij i kishte shkuar në vesh lajmi se nuk do të ketë hise në fabrikë, që ishte shitur/blerë për aq sa Sh. Aliu ka thënë të kishte vlerë vetëm lënda e parë e trashëguar në ditën e bërjes pazar.

I trishtuar jashtë mase që po i rrëshqiste nga dora fabrika, ai bashkë me vëllanë e tij, kishin kërkuar takim me dy ministrat – biznesmenë dhe shokë të partisë, së cilës parti Sh. Aliu i kishte dhënë para pa fund që prej fillimit të viteve ‘90. Rrëfimi që kishte dhënë në medie, atëbotë, por edhe disa vite më pas është i gjatë. Vëllezërit Aliu, që ndiheshin viktima të një loje të “pistë”, kishin kërkuar sqarim nga ministri biznesmen Fatmir Rexhepi se prej nga ai dhe i vëllai na u bënë pronar të vetëm. Atyre u ishte sqaruar nga ministri se kanë shumicën e aksioneve për të qenë pronarë legjitim të fabrikës, përfshirë aty edhe 10 për qind të aksioneve të ministrit tjetër, Lutfi Haziri. E ishte edhe vetë Sh. Aliu që kishte meritat për dështim - kishte pranuar se nga “respekti” ia ka dhënë 5 për qind të aksioneve ministrit Haziri, për të mos e lënë jashtë projektit të “shokëve të partisë”. Dhe derisa Aliu zemërgjerë i kishte tkurrur aksionet për hesap të shokëve, partneri i tij i madh, i kishte rritur ato, para se ta sillte para aktit të kryer.

AKM-së dhe organeve të drejtësisë, Sh. Aliu u kishte treguar me letra sesi ky grup i aksionarëve ka konkurruar në garë me tri oferta, sesi është manipuluar procesi dhe si ishte përdorur fuqia e dy ministrave për marrë në kontroll fabrikën. Kishte rrëfyer të gjithë skenarët, rolin e tij në mashtrim, por edhe të tjerëve, përfshirë dy zyrtarë të lartë të Qeverisë. Por, AKM-ja, ku ishin edhe dy ministra të koalicionit LDK-AAK, Bujar Dugolli e Haki Shatri, kishin refuzuar që procesi të kthehet në ritenderim ani që, sipas organizatës Çohu, raporti i auditorit të brendshëm kishte konstatuar se ka pasur kurdisje të ofertave, duke dëshmuar për ekzistencën e piramidave korruptive.

Më pas rasti kishte shkuar në shqyrtim gjyqësor dhe procesi ishte pezulluar deri në një vendim të gjykatës. Ishte dashur të kalonin më shumë se pesë vite që të merret një vendim. Por, asnjë nga argumentet që kishte deponuar “viktima” nuk ishin marrë parasysh – pra as se procesi ka qenë i komprometuar dhe i politizuar. E fabrika me vendim të Dhomës së Posaçme ishte bërë pronë e vëllait të ministrit të qeverisë Çeku.

Për mënyrën se si ra në kurth Sh. Aliu, nuk e vlen të qahet. Atij mund t’i jepet notë pozitive vetëm për kontributin qytetar. Mund të jetë, ndoshta i vetmi që për kaq vite dëshmoi publikisht për një skemë mashtruese dhe bëri të ditura disa nga metodat që janë përdorur gjatë privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore, sidomos të atyre që janë konsideruar se kanë të ardhme në treg. Dëshmoi sesi njerëzit e politikës që u ishte besuar përgjegjësia publike, kanë shfrytëzuar postet për të çuar para agjendat e bizneseve të tyre. Rrëfeu për teknikat dhe metodat që janë përdorur gjatë përgatitjes së dosjes së tenderit, për konkurrimin me më shumë se një ofertë, përkatësisht lidhjet që kanë pasur ofertuesit me qëllim të devalvimit të vlerës së aseteve që ishin në shitje, por edhe për marrëveshjet e fshehta mes tyre. Tregoi për rolin e Qeverisë në vendimmarrjen e Agjencisë që është menduar se është institucion i pavarur, për fuqinë e njerëzve të veshur me pushtet dhe që prioritet e kishin pasurimin e tyre, por edhe heshtjen e organeve të drejtësisë ndaj të gjithë dyshimeve të bëra publike.

Privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore, si njëri nga proceset më të ndërlikuara të pasluftës, nga kjo dhe dyshime të tjera të panumërta, del se jo vetëm që ka ndihmuar pushtetarët dhe mashtruesit që të pasurohen, por edhe më keq, nuk ka prodhuar asnjë efekt pozitiv ekonomik për vendin. Përveç se janë lënë pa punë afro 80 mijë veta, se ndërmarrjet industriale janë shitur për skrap, ndërsa tokat e shitura për 3 euro janë tjetërsuar, edhe parat e grumbulluara nuk u janë kthyer qytetarëve. Ato mbahen të bllokuara për vite dhe përdorimi i tyre nuk do të bëhet i mundur për sa kohë që do të ketë lëndë për shqyrtim në gjykata - e kjo i bie afro 100 vite. Kështu e kishte parashikuar edhe ish-kryetari Bordit të drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Dino Asanaj, pak kohë para se të gjendej i vdekur në rrethana misterioze. Asanaj pati thënë se AKP-ja do t’i shpenzojë të gjitha mjetet e fondit të privatizimit deri në fund të mandatit të saj për shkak të zvarritjes së procesit të privatizimit. Disa vite më vonë, edhe Petrit Gashi, një tjetër kryetar i Bordit të AKP-së gjatë raportimit para deputetëve ka thënë se me këtë dinamikë të privatizimit dhe të zgjidhjes së kontesteve në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme do të duhet edhe një shekull për të finalizuar procesin. Pra, sipas Asanajt dhe Gashit, ky proces ka për ta ngrënë vetveten. Dhe, nga kjo perspektivë e zymtë, shtrohet pyetja - çfarë rëndësie ka kohëzgjatja e një procesi që fund e krye ishte i dështuar, që gërryhet pamëshirshëm nga brenda e nga jashtë. Ç’na duhet një proces që në themel vetë është privat, që hairin i panë vetëm ata që vunë dorën mbi të, duke luajtur rolin edhe të shitësit edhe të blerësit të pronës shoqërore.

Biznesmeni Sh. Aliu ka mundur fare lehtë të jetë i dënuar për atë që e ka pranuar publikisht për veten dhe partnerët e tij në rastin e fabrikës “Jugoterm”. Por, po aq e lehtë është të dihet edhe arsyeja pse dëshmitë e tij u injoruan dhe u heshtën nga AKP-ja dhe hetuesia. 

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...