Përralla e Kartonit të Gjelbër dhe e targave

28 Maj 2016 - 09:56 - Adriatik Kelmendi      

Pavarësisht shumë premtimeve të dhëna nga Qeveria e Kosovës dhe nga përfaqësuesit e kompanive të sigurimeve, edhe sivjet ka gjasa që të mos ndodhë asgjë në aspekt të pajisjes së ngasësve kosovarë me Kartonin e Gjelbër, si dhe me heqjen e targave RKS gjatë kalimit nëpër territorin e Serbisë.

QYTETARËT E KOSOVËS me të drejtë u gëzuan javëve të kaluara me vendimet që erdhën nga jashtë, e që pavarësisht pengesave të mëdha politike e juridike flasin për liberalizime për qytetarët e Kosovës.

Një ndër lajmet më të rëndësishme sa i përket zhbllokimit të sportit kosovar erdhi me arritjen me të madhe – pranimin e Kosovës në EUFA dhe FIFA. Një ditë më vonë lajmi tjetër që flet për lirinë e fituar – rekomandimi i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për territorin e shteteve Schengen.

Përfundimisht të gjithë me të drejtë u entuziazmuan me fitimin e lirisë së mohuar padrejtësisht. Mirëpo, ka mbetur një aspekt i lirisë së njerëzve dhe i së drejtës për të udhëtuar, i cili si duket nuk është duke lëvizur fare. Pavarësisht shumë premtimeve të dhëna nga Qeveria e Kosovës dhe nga përfaqësuesit e kompanive të sigurimeve, edhe sivjet ka gjasa që të mos ndodhë asgjë në aspekt të pajisjes së ngasësve kosovarë me Kartonin e Gjelbër, si dhe me heqjen e targave RKS gjatë kalimit nëpër territorin e Serbisë.

MINISTRJA PËR DIALOG Edita Tahiri gjatë verës së vitit të kaluar kishte premtuar se shumë shpejt do të bëhej një zgjidhje si për Kartonin e Gjelbër, ashtu edhe për reciprocitetin në targa me Serbinë. Njëherë u përmend se nëse nuk do të ketë përgjigje nga Beogradi zyrtar, se edhe Kosova do të fillojë që të lëshojë targa të përkohshme për automjetet pas shtatorit. Pastaj u përmend Viti i Ri. Më vonë dimri, e dikur edhe mbajtja e zgjedhjeve në Serbi. Të gjitha këto tashmë kanë kaluar dhe as nuk kemi parë që Serbia ka filluar të lejojë autoveturat kosovare që të hyjnë në territor me targa RKS e as kemi parë që Kosova ka filluar ta ushtrojë reciprocitetin në këtë fushë.

Një përgjigje logjike për këtë vazhdim të lëshimit pe në një çështje thellësisht të lidhur me të drejtën e njeriut për të qarkulluar i lirë ende nuk e ka dhënë Qeveria. Beogradi, në mënyrë dhelparake, në kohën kur kjo çështje u bë e madhe në Kosovë, bëri vetëm një lëvizje, duke pranuar kartonin e sigurimit TPL+ dhe duke liruar çmimin për pajisjen me targa të përkohshme në vetëm 3 euro për dy muaj, në vend se 5 euro në ditë sa ishte më herët. Dhe me këtë hap, vazhdoi të mos e respektojë Marrëveshjen e lëvizjes së lirë të arritur në Bruksel dhe vazhdoi të tregojë se do të bëjë çdo përpjekje për ta bllokuar Kosovën sa herë që sheh një mundësi të vogël për ta bërë këtë.

Njëlloj po shohim se po ndodh edhe me Kartonin e Gjelbër. Fillimisht u premtua se do të bëhet i mundur për korrikun e vitit të kaluar. Nuk u bë. Vetëm se duke iu falënderuar presionit publik dhe Bankës Qendrore, Byroja Kosovare e Sigurimeve u detyrua që ta përgjysmojë çmimin e policës së sigurimeve për automjetet e mërgimtarëve dhe të shtetasve të huaj që hyjnë në Kosovë. Sidoqoftë, pastaj u premtua se me këtë 1 korrik përfundimisht Kosova do të anëtarësohet në Këshillin e Byrove të Kartonit të Gjelbër. Sërish duket asgjë. Pastaj u tha se Austria dhe Sllovenia mund të aplikojnë për Kosovën. Asgjë! Më vonë edhe se mund të hapet një zyrë në Kosovë për pajisjen e qytetarëve me Karton të Gjelbër. Sërish – balonë! Dhe, mbi të gjitha – askush të skuqet e të japë përgjegjësi.

17 VJET PAS luftës Kosova vazhdon të mbetet shteti i vetëm në Evropë pa liri të qarkullimit me automjete, njësoj si vendet e tjera. Qytetarët së shpejti mund të qarkullojnë pa viza, por jo edhe pa pengesa me veturat e tyre. Ngasësit më të varfër të Evropës po vazhdojnë t’i paguajnë më së shtrenjti policat e sigurimit për qarkullim, të maltretohen e të poshtërohen nëpër kufij. Si dhe bashkëqytetarët nga diaspora, që me mall presin çdo ardhje në vendlindje, do të vazhdojnë t’i kalojnë të gjitha shtetet me Kartonin e Gjelbër, vetëm me të hyrë në Kosovë do të detyrohen të paguajnë. Kjo vazhdon të jetë Kosova edhe në vitin 2016!

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Adriatik  Kelmendi
Adriatik Kelmendi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...