Demokracitë iliberale

26 Maj 2016 - 08:12 - Enver Robelli      

Në shumë vende të Evropës Lindore BE-ja po shikohet si aleate e regjimeve të korruptuara. Për këtë arsye elektorati po përcaktohet për parti të ekstremit të djathtë apo pa identitet të qartë politik. Një fenomen fatal

Kur u rrëzua Muri i Berlinit në mbarë Evropën Lindore kishte aq shumë shpresa se tani po fillonte një epokë e lirisë e mirëqenies. Një politolog amerikan ishte ngutur të paralajmëronte fundin e historisë. Vendet e Evropës Lindore, me përjashtim të Jugosllavisë që u shpërbë në pellgje gjaku, nisën një proces të vështirë të reformave ekonomike dhe institucionale.

Hap pas hapi u anëtarësuan në NATO dhe në BE, dy shkurtesa me të cilat lidheshin ambiciet për një jetë në një ambient të sigurt dhe ekonomi të zhvilluar. Mbi të gjitha, popullsitë e vendeve lindore shpresonin se pas dekadave të shtypjes nga ana e regjimeve komuniste, tani Bashkimi Evropian do të ndihmonte të hiqen qafe edhe rrjetet e korrupsionit të dominuara nga qarqet ish-komuniste, të cilat treguan një aftësi të pashoqe të mbijetojnë edhe pas ndryshimeve demokratike.

Në vitin 2003, kur u mbajtën referendumet për hyrje në BE, përkrahësit e BE-së ishin në epërsi të paarritshme: 77 për qind në Republikën e Çekisë, 78 për qind në Poloni, 84 në Hungari, 94 për qind në Sllovaki. Këto të dhëna, të cilat i rikujtoi këtë javë gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, tregojnë entuziazmin për Evropën e bashkuar. Dikur.

Që më 2007, politologu bullgar Ivan Krastev shkroi mbi rrezikun që i kanosej demokracisë nga popullistët e Evropës Lindore. Gjithnjë e më shumë votues ishin të dëshpëruar që Brukseli nuk kishte ndihmuar në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, andaj orientoheshin drejt popullistëve. BE-ja shikohej si palë që ndërkohë ishte bërë mbështetëse e elitave të korruptuara. Rrjedhimisht, në shumë shoqëri të Evropës Lindore filloi të bëhet trend përfaqësimi i qëndrimeve iliberale. Demokracia iliberale është një formë e organizimit politik e shtetëror, ku politikanët e zgjedhur në mënyrë demokratike sapo të vijnë në pushtet fillojnë me kufizimin e të drejtave themelore të qytetarëve.

Në studimet e tij mbi historinë gjermane, historiani Fritz Stern, i cili vdiq javën që shkoi, ka përshkruar në hollësi se si filloi sulmi kundër liberalizmit në shekullin e 19-të dhe dekada më vonë kulmoi në nacionalsocializmin hitlerian. Natyrisht, vendet e Evropës Lindore janë larg një zhvillimi të tillë, por nga Polonia në Hungari dhe tutje në Serbi e Maqedoni, duke përfshirë edhe dy republikat me shumicë shqiptare në Ballkan, tendencat autoritare po bëhen të pranueshme në shoqëri. Urrejtja ndaj të huajve, mungesa e solidaritetit, përpjekjet për revidimin e historisë (siç po manifestohet në mënyrë të shtuar në Kroaci së fundi), futja nën kontroll absolut e mediumeve (sidomos në Serbi e Maqedoni), sjellja arrogante prej pronari të shtetit e elitave politike në Tiranë dhe Prishtinë tregojnë për një regres historik.

“Fati i demokracisë varet nga besimi në histori”, kishte konstatuar në vitin 1913 politikani socialdemokrat dhe shkencëtari gjerman Ernst Reuter. Në vitin 2016 duket se shumë shtete jo vetëm të Evropës Lindore janë përfshirë nga amnezia historike. Befas nuk çmohen sa duhet arritjet e mëdha pas vitit 1945, paqësimi i Evropës, tejkalimi i armiqësive mes kombeve dhe shteteve, madje vëllazërimi i tyre, hovi i madh ekonomik, liberalizimi i jetës publike, të drejtat e grave, revolucioni seksual.

Një bacil ka depërtuar në trupin e brishtë të demokracisë së Evropës Lindore. Shtrirja e këtij bacili është bërë para syve të BE-së, e cila nuk kishte strategji afatgjatë së pari për parandalimin e luftërave pushtuese të Serbisë në Ballkan në vitet ’90, por as më vonë nuk u shqua për politika të bindshme integruese. Për këtë arsye elektorati po përcaktohet për parti të ekstremit të djathtë apo pa identitet të qartë politik. Një fenomen fatal.

Nën tingujt e fanfarave në vitin e largët 2003, në Selanik, BE-ja kishte premtuar se të gjitha vendet e rajonit e kanë vendin në BE. Që nga atëherë shumica e këtyre shteteve stagnojnë ose, në rastin më të mirë, kanë bërë hapa modestë në rrugëtimin e gjatë drejt BE-së.

Mbajtja në izolim e Kosovës është një shembull tjetër eklatant i ndëshkimit të gati dy milionë njerëzve për shkak të elitave të paafta për të ndërtuar shtet funksional. Dhe ndëshkimi vazhdon: pas njoftimit se është dhënë rekomandimi për heqjen e regjimit të vizave, tani nga Brukseli dëgjohen zëra se asgjë ende nuk është e sigurt.

Imun ndaj bacilit që po shkatërron demokracinë nuk janë as vendet perëndimore, nëse të tillë e konsiderojmë edhe Republikën e Austrisë, ku në fundjavë një politikan nacionalist për pak u bë president i vendit. Norbert Hofer kishte treguar publikisht se ishte i armatosur me një revole «Glock 26» për shkak se gjendja e sigurisë në Austri na qenkësh e keqe.

Ndonëse presidenti austriak ka kompetenca kryesisht reprezentative, Hofer ishte kërcënuar se do ta shkarkonte Qeverinë nëse ajo s’do të punonte sipas ideve të tij. «Do të habiten se çka ka me qenë e mundshme». Kësaj radhe Hofer nuk foli. Presidenti i ri i Austrisë quhet Alexander Van der Bellen, një politikan i gjelbër.

robelli@bluewin.ch

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...