Nga Brexiti shqetësime ka edhe jashtë Evropës

25 Maj 2016 - 08:31 - Augustin Palokaj      

Vetë thirrja e referendumit në Britani të Madhe për mbetjen apo daljen nga BE-ja ka pasur pasoja në vendet e tjera të BE-së, ku po ashtu qytetarët do të donin të kishin të njëjtën mundësi. Nëse britanikët vendosin të dalin, atëherë pasojat mund të jenë të mëdha. Evropa do të jetë në ethe deri më 23 qershor, deri kur të gjitha prioritetet e tjera të BE-së do të jenë në pritje

Qytetarët e Francës dhe ata të Italisë, sipas hulumtimeve të publikuara nga agjencia Ipsos, do të donin po ashtu të kishin të drejtën për të votuar në referendum për anëtarësimin e vendit të tyre në Bashkimin Evropian. Dhe në atë rast numri i atyre të cilët do të votonin për t’u larguar nga Bashkimi Evropian do të ishte pothuajse i njëjtë me numrin e atyre që do të ishin për të vazhduar jetën në union.

Vetë thirrja e referendumit në Britani të Madhe për mbetjen apo daljen nga BE-ja ka pasur pasoja në vendet e tjera të BE-së, ku po ashtu qytetarët do të donin të kishin të njëjtën mundësi dhe jo vetëm në Francë dhe në Itali. Sikur britanikët të vendosnin të dilnin, atëherë pasojat mund të ishin të mëdha. Evropa do të jetë në ethe deri me 23 qershor, deri kur të gjitha prioritetet e tjera të BE-së do të jenë në pritje.

Pse qytetarët e Evropës ndihen aq larg BE-së, saqë vënë në pikëpyetje edhe arsyen e ekzistimit të saj dhe pjesëmarrjen e vendeve të tyre në këtë familje të përbashkët evropiane. Para disa javësh edhe vetë presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Junker, pa dyshim njëri prej liderëve kryesorë të BE-së në 30 vjetët e fundit, ka pranuar se Bashkimi Evropian “është përzier tepër në jetën e njerëzve aty ku nuk është dashur”. Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz, mendon se qytetarët janë të zhgënjyer, mbështetja për partitë populiste është në rritje dhe, herët apo vonë, ose ekstremi i majtë ose ai i djathtë do të vijë në pushtet. Ai si pasojë e daljes eventuale të Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja e sheh edhe fillimin e shpërbërjes së saj, pikërisht për shkak se edhe vendet e tjera do të mund të bënin një gjë të tillë. Anketat tregojnë se, ndonëse besojnë se në fund britanikët do të votojnë për të mbetur në BE, shumica e qytetarëve të Evropës në vendet ku është zhvilluar anketa, janë të mendimit se nëse largohen britanikët, edhe vendet e tjera do të pasojnë.

Nuk ka dyshim se BE-ja dhe ideja e Bashkimit Evropian janë në krizë. Euroskeptikët në disa raste kanë të drejtë kur e kritikojnë Bashkimin Evropian, por shpesh kjo bëhet në mënyrë të padrejtë dhe duke ekzagjeruar. Për shembull, kur duan ta përqeshin BE-në dhe disa direktiva të saj, euroskeptikët përmendin rregullat sipas të cilave duhet të shkruhet në pakot e peshkut se “ky prodhim përmban peshk”, edhe pse peshku shihet. Askujt nuk i shkon mendja tek njerëzit të cilët janë alergjikë nga peshqit, qoftë edhe nëse ata janë të paktë.

Nuk janë vetëm euroskeptikët ata të cilët mbajnë përgjegjësi për uljen e vlerës së BE-së në sytë e qytetarëve. Problemi qëndron edhe me partitë e qendrës, të majtë apo të djathtë. Shpesh edhe liderët të cilët janë në favor të BE-së flasin për takimet në Bruksel si vend ku ata i mbrojnë interesat kombëtare. Për gjithçka që shkon mirë mundohen të marrin merita për vete, ndërsa për të gjitha të këqijat ta fajësojnë Bashkimin Evropian. Për shembull, kur vendi ka rritje të mirë ekonomike, atëherë thuhet se ekonomia kombëtare po lulëzon. Por kur ndodhet në problem, me deficit në buxhet, atëherë qytetarëve u thuhet se “Brukseli na detyron të ndërmarrim masa të shtrëngimeve financiare”. Sot në Itali, Greqi e shumë vende të tjera Brukseli shihet si qendër nga e cila u vihet një diktat që është i rëndë për qytetarët. Por nuk u sqarohet se nuk është Brukseli ai i cili ka shkaktuar krizën, por është ai që përpiqet të dilet nga ajo, pikërisht duke mbrojtur parimet të cilat i kanë miratuar vetë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.

Në Britani të Madhe po ashtu ka shumë keqkuptime nga anëtarësimi në BE. Nuk u thuhet njerëzve se, edhe në rast të daljes nga BE-ja, nëse do të donin të kishin raporte tregtare me të, do të duhej t’i përmbushnin kriteret e njëjta të prodhimit sikur të ishin anëtar, dhe në atë rast nuk do të kishin të drejtë të merrnin pjesë në vendimet e BE-së siç kanë tash.

Qytetarët e vendeve të BE-së, por edhe ata të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kanadasë, Australisë dhe Afrikës së Jugut, pra partnerëve kryesorë të Britanisë së Madhe në skenën ndërkombëtare, pajtohen se largimi i Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja do ta dëmtonte edhe fuqinë ekonomike të BE-së, edhe rolin e saj në botë, dhe do të kishte ndikime negative edhe për Britaninë.

Nuk habit prandaj fakti se edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, personalisht u ka bërë thirrje britanikeve që të votojnë për të mbetur në BE. Të gjithë partnerët britanikë jashtë Evropës kanë porositur se nuk do ta konsideronin Londrën si partnere aq të rëndësishme sikur ajo të ishte jashtë Bashkimit Evropian.

Pasoja nga largimi i Britanisë së Madhe nga BE-ja do të kishte edhe në aspektin e sigurisë. Për këtë kanë tërhequr vërejtjen edhe pesë ish-sekretarë të përgjithshëm të NATO-s në një letër të përbashkët të botuar në mediet britanike para disa ditësh. Peter Carrington, Javier Solana, George Robertson, Jaap de Hoop Scheffer dhe Aners Fogh Rasmusen kanë shkruar se “në këtë kohë të krizës dhe kërcënimit global largimi i Britanisë së Madhe nga BE-ja do të ishte inkurajim për armiqtë e Perëndimit”.

Pra, kur të votojnë britanikët në referendumin e 23 qershorit, ata pikë së pari do të vendosin për fatin e vendit të vet, por me votën e tyre do të ndikojnë në zhvillimet ndërkombëtare, të cilat në rast të fitores së atyre që janë kundër anëtarësimit në BE do të mund të kenë dridhje të mëdha.

Edhe pse shpesh britanikët në BE shihen si “euroskeptikë” të cilët edhe ashtu tërë kohën me një këmbë janë brenda e me një jashtë, për shkak se nuk janë pjesë e valutës së përbashkët euro, nuk janë pjesë e lëvizjes së lirë në zonën Schengen, nuk bëjnë pjesë në politikën e përbashkët të azilit, evropianët e tjerë janë të vetëdijshëm se BE-ja po ashtu do të humbte arsyen dhe pamjen që ka ndërtuar në këto më shumë se 60 vjet, nëse pjesë e saj nuk do të ishte Britania e Madhe. Prandaj edhe presin që të mbretërojë arsyeja tek qytetarët britanikë dhe ata të votojnë me shumicë për të mbetur pjesë e familjes së përbashkët evropiane në BE. BE-ja, e mirë apo jo, ndonëse nuk është e përsosur dhe ka shumë mangësi, është deri me tash integrimi më i suksesshëm që ka parë ky kontinent. Është integrim i bazuar në vullnetin e lirë të qytetarëve të lirë të shteteve të pavarura që janë bashkuar me interesa të përbashkëta dhe kanë rritur prosperitetin me parimin e solidaritetit. Prandaj nuk mund të krahasohet as me perandoritë e shuara si ajo romake, otomane apo edhe fashizmi i Hitlerit, siç pohojnë disa politikanë kontrovers në Britani të Madhe në fushatën në prag të referendumit. Për momentin anketat tregojnë se 44 për qind të britanikëve do të votojnë për të mbetur në BE dhe 40 për të dalë, që dëshmon se sa i ndarë vazhdon të jetë opinioni në këtë shtet. Por trendi është krijuar, sepse dallimi ka qenë më i madh në të kaluarën në favor të atyre që janë për të dalë nga BE-ja. Të shpresojmë se britanikët nuk do t’ia japin një goditje BE-së, të cilën, ajo e lënduar siç është me krizat e saj, nuk do ta kishe të lehtë ta përballonte.  

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...