Zanati i regjur

24 Maj 2016 - 07:55 - Flaka Surroi      

Kjo që kemi parë në 17 vjetët e fundit, e që e jetojmë aktualisht, është të regjurit e një zanati: pushteti, që prioritet të fundit e ka qytetarin. Pushtet që toleron dhe mbron krimin. Për më tepër, që e institucionalizon atë

Paramendoni se në çfarë shteti jetojmë, kur tema përvëluese e javës bëhet një nënshkrim i një ministri, në emër të garancisë bankare, për t’i blerë 51 autobusë për projektin e trafikut urban në Prishtinë. E pabesueshme që të shpenzohen madje 10 muaj e sa, për të konkluduar në fund se kjo ka qenë punë që ka mundur të kryhej pa zhurmë të madhe. Madje edhe me shfaqje para mediave, me shtrëngim duarsh të rivalëve politikë, sepse ja, bëhej një diçka nga e cila mund të përfitojnë kryeqytetasit.

Akrobatët

I pabesueshëm obstruksioni i ministrit të Financave dhe refuzimi që të merret me punën e tij pa synuar që, duke cituar rregullore e ligje, të shkaktojë dështimin e një projekti që mund të jetë kapital për qytetin. E që më pas të dalë e të thotë se sa e paaftë është udhëheqja komunale e Prishtinës – ajo e cila ia mori pushtetin shefit që “e fitonte pushtetin me duar në xhepa” në zgjedhjet e shkuara. Edhe më i pabesueshëm përshkallëzimi i gjuhës që rrodhi nga një komunikatë e degëve të LDK-së në Prishtinë, sipas të cilëve “qytetarët nuk do t’i lënë në mëshirën e grupit ekstremist majtist”. Përkthyer në gjuhën e përditshme, të qenit majtist të bën me automatizëm komunist. Pra, në këtë shoqëri, të jesh komunist, i bie njësoj si të jesh fashist – pra duhet të të ndalojnë me ligj.

Por, një gjë po e harrojnë anëtarët dhe simpatizantët e LDK-së: se LDK-ja u formua nga ish-LKK-ja dhe ish-LSSP-ja dhe se jo pak pjesëtarë të udhëheqjes së kësaj partie dikur kishin qenë zyrtarë të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës. Përfshirë edhe vetë kryetarin e tyre. A do të thotë kjo tash se duhet ndaluar edhe veprimin e tij dhe të tjerëve të ulur në Kuvend, Qeveri e asamble komunale, apo si është puna? Fakti se LDK-ja është deklaruar parti e djathtë, nuk ka ama kurrfarë domethënie. Sepse është deklaruar e tillë, nga po ata që para 20 vjetësh shquheshin si të majtë. Për më keq, problemi vazhdon të jetë ende i njëjti: në Kosovë zor se kush e kupton se çfarë është të qenit i djathtë, i majtë, i qendrës, i qoshes, i tavanit, i bodrumit..., sepse partitë tona politike janë aq labile ideologjikisht, sa posa ta marrin pushtetin, bëhen çka do që kërkohet të bëhen – edhe akrobatë po u desh.

Qëlloi aty

Para disa ditësh më ra ta lexoja një postim të një zyrtareje qeveritare duke e lavdëruar punën e shefit të vet: “Me kryeministrin Mustafa, MSA, MCC, Vizat, UEFA, FIFA ... NATO”. Po të mos kisha jetuar në Kosovë dhe po të mos i kisha përjetuar krejt ngecjet e shoqërisë kosovare si pasojë e drejtpërdrejtë e udhëheqjes së keqe politike të LDK-së, PDK-së dhe AAK-së, kisha thënë sa me fat qenkan kosovarët që e paskan një kryeministër kaq të aftë, që krejt këto punë i paskësh kryer për më pak se dy vjet. Njeri me shkop magjik, që krejt punët i kryen vetë, ani që tjetërkush na i ka bërë të mundura që të gjitha këto që u numëruan. Ja që ky qëlloi i ulur në kolltukun e kryeministrit.

Por, kujtesa megjithatë nuk më ka lëshuar krejt dhe po më kthehen detajet sikurse është votimi i Marrëveshjes së Brukselit – që u bë nga deputetët e LDK-së, me udhëzimin e Mustafës. Më kujtohet posaçërisht nënshkrimi i marrëveshjes së gushtit për legalizimin e Zajednicës, po nga Mustafa me dorë të veten. Po më kujtohet se si ai zgjodhi që më parë t’i besonte Jabllanoviqit sesa nënave të Gjakovës, të cilat ky i quajti “egërsira” dhe për shllag, gratë e Kosovës i bëri pjesëtare të Fermës së Shtazëve. Por, ato që më së shumti po më kujtohen janë fjalët kategorike se kurrë nuk do të bënte koalicion me PDK-në dhe gjithë atë të keqën që kjo parti dhe udhëheqësit e saj paraqesin. Po më kujtohet edhe mënyra se si e braktisi VLAN-in për ta rehatuar veten në post, duke çuar duar nga parimet e deklamuara që dolën të jenë krejt të pasinqerta. Dhe po më kujtohet arroganca me të cilën injoronte opozitën, punë që e shkaktoi krizën, duke u thënë se “s’kishte çfarë të diskutonin për marrëveshjen e gushtit, dhe se ai do të dilte aty t’ua mbante një fjalim, sa për të kryer formë”. Më kujtohet se si lejoi që të zgjidhej kryetar i partisë duke e mbytur demokracinë e brendshme dhe me aklamacion si në kohë të Titos. Më në fund, po më kujtohet trysnia që ua bënte deputetëve të vet, posa e mori komandën me sy e ballë nga Thaçi, që këtë të fundit ta zgjidhnin kryetar shteti.

Atë që po e shoh qetash është që nuk ka fare kontroll mbi Qeverinë e vet, së paku për t’i obliguar që të marrin pjesë në mbledhjet plenare të Kuvendit. Porse, nuk ka as kontroll mbi deputetët e tij të cilët nënshkruhen për mëditje, por ikin nga mbledhja. Nuk ka kontroll mbi ministrat që paraqiten kundër shtetit, ministra të të cilit janë, e ky nuk ndërmerr masa, sepse i nevojiten votat e serbëve. E nuk i nguc as zëvendësministrat që dalin e kritikojnë eprorët e tyre publikisht, sepse i nevojitet PDK-ja për ta mbajtur postin.

Atë që po shoh është se Kosova nuk del prej krizës, dhe se me Mustafën Kosova nuk do t’i punësojë 200 mijë veta (apo ndoshta mendon në ata 200 mijë që do të ikin prej këtu posa të liberalizohen vizat); Kosova nuk do të ketë rritje më të madhe ekonomike se 2 a 3 % në vit; Kosova nuk do të ketë investime të huaja përderisa e ka nivelin kaq të lartë të krimit dhe se nuk do të ndalet së prodhuari analfabetë funksionalë.

Qasja e njëllojtë, qëllimi i njëjtë

Kjo që kemi parë në 17 vjetët e fundit, e që e jetojmë aktualisht, është të regjurit e një zanati: pushteti, që prioritet të fundit e ka qytetarin. Pushtet që toleron dhe mbron krimin. Për më tepër, që e institucionalizon atë.

Shembulli i fundit, në masën e shumë gjërave të këqija që na ndodhin përditë, e që për fat të mirë a të keq nuk i marrim vesh menjëherë, është gjendja në Onkologji. Prapë s’ka citostatikë dhe pacientët detyrohen të presin me javë për ta marrë një bar të shtrenjtë, i cili megjithatë gjendet në të zezën. Që del nga depoja zyrtare e shpërndahet anekënd nëpër farmaci private.

Është edhe lajmi tjetër që doli dje në gazetë: se tenderi i ri i barnave do ta ngarkojë buxhetin shumë herë më shumë seç e kishte ngarkuar në të shkuarën. Se një bar që vjet ka kushtuar 2,93 euro, tash do të paguhet 25 euro apo se një tjetër që ka kushtuar 3,90 euro tash do të paguhet 12,90 euro. Po të bëhej një llogari se sa kanë përfituar kompanitë që merren me tregtinë e barnave në këta vjetët e fundit, me siguri se do të kishim ndërtuar një spital të ri ultramodern dhe me robotë për mjekë e infermiere, e nuk kishim pasur nevojë t’u qaseshim qendrave klinike jashtë Kosovës për shërbime shumë më cilësore dhe shumë më të lira.

Natyrisht, fitimi i majmë për firmat “e jashtme” e ka çmimin e vet: kontributin për ata që vendosin – qofshin ato pagesa individuale apo financime për partinë. Sepse fakti se asnjëra parti politike nuk auditohet tregon se ato kanë shumë për të fshehur, posaçërisht burimin e financimit që i ka bërë më të fuqishëm se vetë shteti. E po qe se rrugës e merr nën kontroll edhe shtetin, vetëm sa të shtohen mundësitë për ta zgjeruar pasurimin “për aktivizëm partiak”. Më të mëdha mundësitë për t’u ofruar atyre që jetojnë në tetik të ligjit, që të vazhdojnë me aktivitetet e tyre të “ligjshme” për të mbledhur para të pista, e që më pas të kthehen në sistem të pastruara. Dhe krejt kjo, natyrisht, në emër të ligjit dhe respektimit të rregullave të prokurimit.

Krimi thuajse nuk është

Jo në emër të ligjit, por në emër të intervencave për të “ndihmuar”, thuhet se kanë vepruar dy duzina njerëzish në krye me Ukë Rugovën. Ish-deputetin e një degëzimi të LDK-së që iu bashkua PDK-së, për t’u kthyer në LDK, në Këshillin e Përgjithshëm. Vetëm pse është djali i Rugovës, e jo pse ka treguar ndonjë kapacitet intelektual debatues në Kuvend. Por me gjasë do të ketë pasur tjera afinitete, meqë ishte treguar i shkathtë për të bërë allishverishe me produktin më të kërkuar në Kosovë: vizat Schengen. Por, e gjithë drama rreth punës së Rugovës dhe ish-ministrit të Kulturës nga radhët e LDK-së, Astrit Haraqisë, përcillet me heshtje të thellë në LDK. Ashtu siç kishte kaluar edhe aktgjykimi me dënimin më të rëndë të shqiptuar deri tash ndaj një individi: 37-vjetëshi i Enver Sekiraçës për nxitjen e vrasjes së një polici. Të po atij Sekiraçe që përflitet si gangster i llojit të Al Capones, si të shokut të po atij Ukë Rugovës dhe si të financuesit të LDK-së, që nga koha kur Rugova e kishte udhëhequr këtë parti.

Lidhja me krimin, qoftë ajo edhe në formë të tërthortë nëpërmjet këtyre rasteve, do të duhej të nxiste reagim nga partia. Fillimisht me përjashtimin e Rugovës nga LDK-ja dhe më pas me përshëndetjen e punës së gjyqësisë në rastin e Sekiraçës. Por në vend të kësaj, LDK-ja i qaset një skandali tjetër: ia mbyll derën dhe dhunshëm nuk e lejon Donika Gërvallën të marrë pjesë në Këshillin e Përgjithshëm. Tre burra ia bllokuan hyrjen dhe e shtynë një grua me gjatësi mesatare, që pos fjalëve për ta shprehur hidhërimin, nuk ka mjet tjetër “lufte”. Duke përçuar mesazhin kështu, se rreziku për këtë parti nuk vjen nga krimi, por nga intelekti.

* * *

Mjerë Kosova në duart e kujt ka rënë. Në të atij që gati sa nuk e ka shkatërruar krejt këtë vend dhe tash nga pozita e kryetarit na mban ders e na tregon se si duhet luftuar të këqijat, përderisa çdo ditë e më tepër merr nga fuqitë ekzekutive të Qeverisë, duke u imponuar dhe duke mos e pyetur askënd për leje. Dhe në të këtij, që pos ironisë së trashë dhe inatit, ka treguar se për nga zanati është i njëllojtë me të parin.

Janë politikanë pa vizion, të rrethuar nga njerëz që kanë për detyrë ta mbajnë establishmentin gjallë; që e besojnë se e vetmja mënyrë e komunikimit me popullin është me statuse bajate në FB dhe që e dinë se janë të paprekshëm – për shkak se i kanë shpërndarë njerëzit e vet kudo që kanë mundur. Për ta kontrolluar paranë. E me të, edhe pushtetin.

Zanat që është mjeshtëri për ta, e kiamet për Kosovën.

flaka@koha.net 

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...