Demarkacioni nuk do të duhej të lidhej me vizat

18 Maj 2016 - 08:27 - Augustin Palokaj      

BE-ja si kusht për liberalizimin e vizave i ka dhënë Kosovës ratifikimin e një marrëveshjeje për diçka që as BE-ja nuk e di a është “kufi” apo “linjë administrative”. Por edhe kjo ka më pak rëndësi sesa vetë fakti se një kusht i tillë nuk është dashur asnjëherë të lidhej me liberalizimin e vizave. Është vështirë të besohet se Qeveria e Kosovës mund të jetë aq destruktive, saqë vetë të kërkojë nga BE-ja që kjo të bëhet kusht. Por është evidente se me këtë kusht kërkohet rrugëdalje për Qeverinë dhe i bëhet presion opozitës

Pas shumë vjetësh dështimesh dhe zhgënjimesh të qytetarëve, pas shumë premtimeve të parealizuara të politikanëve, edhe për Kosovën procesi i liberalizimit të vizave për udhëtimin e “njerëzve të Kosovës” pa viza në vendet e BE-së po hyn në fazën përfundimtare. Është ky vërtet një lajm i mirë për qytetarët, edhe pse duhet pasur kujdes nga euforia, sepse puna nuk është kryer ende. Pasi në BE nuk ka ndonjë stabilitet dhe parashikueshmëri për asgjë, është e vështirë të jepen garanci se kur mund të përmbyllet ky proces dhe prej cilës datë “njerëzit e Kosovës” mund të lëvizin pa viza në BE. Nga ana tjetër edhe Komisioni Evropian, i cili në parim e ka përfunduar pjesën e vet të punës duke dhënë rekomandimin për liberalizimin e vizave, ka qenë shumë preciz në formulimin e konkluzioneve të raportit duke thënë se “Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret nga Udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave”, por nuk ka thënë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet. Kjo, sepse Kosovës, sikur të mos ishin mjaft mbi 90 kushte që i kishte me Udhërrëfyes, iu vunë edhe kushte shtesë të cilat nuk ishin aty. Dhe ato tashmë janë reduktuar në dy. Për nga numri duken pak, por për nga pesha që kanë mund të bëhen pengesë e realizimit të liberalizimit të vizave.

Një prej këtyre kushteve është tërësisht politik dhe në praktikë duket sikur i shkon për shtat Qeverisë së Kosovës si një rast për të arsyetuar ratifikimin e një marrëveshjeje e cila ka shkaktuar shqetësim në një pjesë të publikut, por për të cilën me nënshkrimin e saj Qeveria ka marrë obligime ndërkombëtare. Fjala është për ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, të cilën Kosova e ka nënshkruar gjatë Samitit të Vjenës në verën e vitit të shkuar. Kushti i dytë, për të cilin kanë simpati edhe opozita edhe qytetarët, është dhënia e dëshmimeve, përmes rezultateve konkrete, më të mëdha për luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivel të lartë. Qytetarët e Kosovës sa i përket këtij kushti madje dinë të thonë se “nëse ky kusht përmbushet dhe hiqen vizat, do t’i kemi dy të mira përnjëherë, edhe do të na hiqen vizat, edhe do të përfundojnë në burg kriminelët”.

Pra, këto dy kushte krijojnë mundësi për ndonjë strukturë apo ndonjë shtet në BE i cili do të dëshironte ta vononte edhe më shumë liberalizimin e vizave për kosovarët që të shfrytëzojnë këto për ta bërë një gjë të tillë.

Mund të bëjmë shumë përpjekje për të kuptuar se pse BE-ja kërkon që të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës Marrëveshja me Malin e Zi, por nuk gjejmë që një rast i tillë të ketë ekzistuar diku tjetër. Në fakt, asnjë shtet i krijuar në territorin e ish-Jugosllavisë nuk e ka deri në fund të rregulluar tërë linjën kufitare. Ndoshta që nga muaji i kaluar Mali i Zi dhe Bosnjë- Hercegovina janë bërë të vetmet shtete në këtë hapësirë që e kanë të demarkuar tërë kufirin, sepse parlamentet e të dyja këtyre vendeve i kanë ratifikuar marrëveshjet e nënshkruara po në Vjenë të njëjtën ditë kur u nënshkrua edhe ajo e Malit të Zi me Kosovën. Ajo madje ka hyrë edhe në fuqi. Por vendet e tjera, Kroacia me Serbinë, Bosnjë-Hercegovina me Kroacinë, Kroacia me Malin e Zi, e madje edhe Kroacia me Slloveninë kanë ende shumë mospajtime rreth kufirit dhe nuk po arrijnë t’i zgjidhin. Për asnjë nga këto shtete kjo çështje jo vetëm se nuk ka qenë kusht për vizat, por nuk ka qenë kusht për asgjë, vetëm është kërkuar që këto mospajtime të zgjidhen përmes bisedimeve politike, me mjete paqësore, ose përmes mekanizmave gjyqësorë ndërkombëtarë. Pra, me rëndësi është që të këtë vullnet që ose të merren vesh ose të shkohet në arbitrazh ndërkombëtar, dhe kështu po veprojnë këto shtete pa nxitim. Edhe vëllezërit kur e ndajnë tokën e trashëguar merren vesh ose kërkojnë ndihmën e gjykatës për të zgjidhur mospajtimet. Pse pra për Kosovën po vihet ky kusht.

Madje BE-ja si kusht për liberalizimin e vizave i ka dhënë Kosovës ratifikimin e një marrëveshjeje për diçka që as BE-ja nuk e di a është “kufi” apo “linjë administrative”. Edhe pse Kosova dhe Mali i Zi e njohin njëra-tjetrën, dhe së paku Mali i Zi është shtet i njohur nga të gjitha shtetet e BE-së, në deklaratën e BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën kësaj marrëveshjeje i referohet BE-ja si “marrëveshje për kufi/linjë administrative” (Border/Boundary në gjuhën angleze) , njëlloj sikurse i referohen edhe kufirit mes Kosovës dhe Serbisë. Madje as vetë Serbia nuk e mohon se ky është një kufi ndërshtetëror, por mes shteteve të Malit të Zi dhe Serbisë, sepse e tërë Kosova është “pjesë e Serbisë” për ta. Dhe kur disa politikanë naivë nga radhët e partive në pushtet pohojnë se “edhe Serbia sikurse opozita është kundër kësaj marrëveshjeje” duhet ta kenë parasysh se ajo është kundër, sepse e konsideron kufi të saj me Malin e Zi dhe se Beogradi do të duhej të vendoste për një gjë të tillë.

Por edhe kjo ka më pak rëndësi sesa vetë fakti se një kusht i tillë nuk është dashur asnjëherë të lidhej me liberalizimin e vizave. Është vështir të besohet se Qeveria e Kosovës mund të jetë aq destruktive, saqë vetë të kërkojë nga BE-ja që kjo të bëhet kusht. Por është evidente se me këtë kusht kërkohet rrugëdalje për Qeverinë dhe i bëhet presion opozitës. Asnjëherë askush nuk ka dashur të marrë përsipër përgjegjësinë pse është vonuar aq shumë liberalizimi i vizave, por tash duan t’i marrin meritat kur është afruar momenti që ky liberalizim edhe të ndodhë në praktikë. Tash Qeveria mund të shtyjë ratifikimin duke u thirrur në interesin madhor të heqjes së vizave, ndërsa opozitën mund ta kritikojë që me sjelljen e sajë po e pengon lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe ajo do të jetë fajtore për mbajtjen e izolimit për kosovarët. Nuk mund të shprehet kushdo që do lidhur me atë se a humb apo jo Kosova tokë me këtë marrëveshje. Kjo është diçka që do të duhej të bëhej nga ekspertët, nga ata të pavarur dhe të paanshëm e jo nga ata që paguhen nga Qeveria për të arsyetuar atë që Qeveria tashmë ka vendosur. Nuk mund ta dimë se cila është e vërteta sa i përket përmbajtjes së marrëveshjes, por është evidente se presioni dhe lidhja e kësaj çështjeje me liberalizimin janë jokorrektë ndaj Kosovës dhe ndaj qytetarëve të saj dhe është diçka që nuk është dashur të kishte ndodhur.

© KOHA Ditore 

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...