Mbi politikën pa kurriz

16 Maj 2016 - 08:09 - Lumir Abdixhiku      

Kështu, veç këndej, një politikan që kalon gjithë jetën si i djathtë gjen veten – brenda natës – si i majtë, dhe anasjelltas. Një kritikues e ofendues i patakt i partisë, i liderëve e i gjithë konceptit politik që ata përfaqësojnë, bëhet përqafues e lavdërues i tyre shembullorë. Kështu, veç këndej, degë të tëra partish transferohen te të tjerat – në grup – për t’u ritransferuar sërish, dikur, për të satën herë, shpeshherë, në parti të vjetra e të reja

-1-

Është bërë tanimë e zakontë, kulturë politike e mirëthemeluar pra, ndërrimi i qëndrimeve politike dhe mosbartja e pasojave për këtë. Si në pak vende e raste të tjera, klasa politike kosovare, në u trajtoftë si klasë, ka ndërtuar si në asgjë një diskurs politik që nuk ka kurriz. Hiç, asgjë, butakë në gjithë kuptimin e fjalës. Pra, tek ne dhe si askund tjetër, është bërë fare e zakonshme, e pritshme dhe formë trajtuese standarde, ndryshimi i gjithë pikëpamjeve, parimeve e bindjeve politike brenda natës. Për më tepër, ky ndryshim jepet pa skuqje e frikë rreth konsekuencave a gjykimeve qytetare. Ndoshta, e me siguri, sepse nuk ka gjykim qytetar për këtë.
Kështu, veç këndej, një politikan që kalon gjithë jetën si i djathtë gjen veten – brenda natës – si i majtë, dhe anasjelltas. Një kritikues e ofendues i patakt i partisë, i liderëve e i gjithë konceptit politik që ata përfaqësojnë, bëhet përqafues e lavdërues i tyre shembullorë.

Kështu, veç këndej, degë të tëra partish transferohen te të tjerat – në grup – për t’u ritransferuar sërish, dikur, për të satën herë, shpeshherë, në parti të vjetra e të reja. E keqja e gjithë këtij procesi është jo vetëm në hapat që të transformuarit bëjnë, por në lavdërimin që të gjitha partitë – pa përjashtim – u bëjnë formave transferuese. Thuajse kanë bërë namin. Nuk ka nam e lavdi në prostitucion politik.

-2-

Ka tri arsye themelore prapa një lunatizimi partiak e politik në Kosovë. E para, dhe më e rëndësishmja, ndërlidhet me mënyrën sesi këta përfaqësues, kryesisht mediokër në përmbajtje, e shohin politikën, partinë e përfundimisht pushtetin. Partitë politike e substanca përkrahëse e tyre e konsiderojnë pushtetin si plaçkë që duhet fituar dhe ndarë. Në vijë me këtë plaçkë bëhen dhe aleancat e grupizimet. Kështu ka qenë gjithherë, në të gjitha nivelet madje. Kujtoni ndryshimin e mendimeve e qëndrimeve që transferuesit e të gjitha partive bënin sa herë që dilnin e ktheheshin në parti. Kujtoni të gjitha aleancat e panatyrshme për pozitë e opozitë e gjithë lehtësinë me të cilat ato ndërtohen e prishen më pas. Kujtoni koalicionet e shpejta, të fëlliqura e të pamarre që shiteshin lehtësisht në vend. Të gjitha bëjnë pjesë në një interes më të madh për ta, më fatkeq për ne, në pazarin e ndarjes së plaçkës së bollshme që pushteti jep.

Arsyeja e dytë, ndërsa, ndërlidhet me mungesën e mendimit intelektual e kritik brenda këtyre partive. Pra, sa herë që ndodh një transformim, qoftë nga partia në parti, qoftë e gjithë partisë për një koncept e bashkëpunim të ri (në pozitë e opozitë pa dallim), zërat moralë e gjykues zhbëhen. Partitë politike, për fatin tonë të keq, nuk kanë mekanizma rregullues e kritik, intelektual e me karakter në vete. Kanë pazarbërës që mund të jenë të edukuar e të lexuar, por që në thelb mbeten vetëm pazarbërës të lodhtë e pa moral. Për ta krahasuar me një demokraci të mirëthemeluar, një lidership a një politikan evropian e ka të pamundur të ndryshojë bindje e mendim lehtë, jo pse domosdo nuk do vetë, por sepse ka rregullues të brendshëm që nuk lejojnë një gjë të tillë.
Dhe arsyeja e tretë, e jo më pak e rëndësishme, se Kosova ka votuesin më tolerant të mundshëm që sot dikush mund të gjejë nëpër Evropë. Pra trajtimi pa respekt që politikani e partitë u bëjnë votuesve të vet, është rrjedhojë e një tolerance të pritur nga ta pavarësisht se çfarë bëjnë a çfarë mund të bëjnë. Dhe kur toleranca bëhet e praktikë e shpeshtë, atëherë ajo shndërrohet në normë shoqërore politike. Sikur, në të kundërtën, transformimet e tilla të përcilleshin me reagim, refuzim e marrosje publike, transformimet eventuale do të bëheshin, së paku, me shumë vështirësi.

-3-

Në transformimet e bindjeve përjashtim nuk bën as gjenerata e re politike në vend, e cila madje është treguar shpeshherë të jetë më e paskrupullt e më joparimore sesa “të vjetrit” që i përgojojnë thuajse për gjithçka. Partnerë të deridjeshëm, mbrojtës të pashoq, bëhen copë e llom pas ndarjeve të shpejta e të papritura. Pa konsideratë e respekt, thuajse nuk ishin bashkë asnjëherë. Dhe gjithë këtë mësymje ndaj partnerëve të deridjeshëm e shesin si iluminim të tyrin, një përvojë e re e thonë.

Problemi nuk qëndron natyrisht në ndryshimin e mendimeve. Problemi qëndron në intensitetin e ndryshimeve dhe iluminimeve që këta kanë. Sepse janë të shpeshta këto iluminime, e me shpeshtësinë e tyre humb edhe kredibiliteti i nesërm i tyre. Si mund t’i besosh dikujt që ndryshon qëndrimet orë e çast?! Dhe nuk po flas për qëndrime të parëndësishme, po flas për parime thelbësore e bindje orientuese, të cilat së bashku – në fund të fundit – ndërtojnë vetë identitetin e një politikani.

Këta të rinj që vlerë kanë veçse idenë se janë të rinj, dhe moshën e shesin si diçka të vlefshme, në faza të parailuminimit kanë qenë bashkëpunëtorë e zëvendës të krimit e mbrojtësve të krimit. Nëse nuk kanë qenë të përfshirë vetë, toleranca e tyre pakurrizore, e këmbyer për një karrige e privilegj publik, ka shërbyer si zgjatëse e jetës të kapësve tash e sa vjet. Dhe kjo zgjatje e jetës nuk mund të transformohet sot si në asgjë. Pra, pas disa vjetësh bashkëpunimi e bashkëqeverisjeje me kapësit e kriminelët, dalja nuk ka sesi të shfaqet veç si gabim e mësimi prej iluminizmi. Ka një proces tjetër, që duhet të ndodhë domosdo si fazë e ndërmjetme, që ndërlidhet me ribindjen e publikut e qytetarit se këtë herë do të jesh më i kujdesshëm.

Në përgjithësi, të vjetër e të rinj, pa dallim, të transformuar të natës e iluminues të vonshëm, nuk duhet të kenë vend për protagonizëm në publik. Të tillët meritojnë veçse nënçmim. Kjo shoqëri nuk ka pse të zgjedhë mes pakurrizorëve. Kjo shoqëri nuk e ka fatin e vet të ndërlidhur veç me ta. Fati i pakurrizorëve natyrisht është i ndërlidhur me këtë shoqëri, dhe si Pazarxhinj të këqij e me hile, ata kanë ndryshuar, ndryshojnë e do të ndryshojnë pa fije marre secilën bindje, besim e mendim. Sepse ndryshimi e pakurrizorizmi është besimi i tyre i njëmendtë.

abdixhiku@facebook.com

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...