Fundi i ikjeve ilegale

15 Maj 2016 - 08:00 - Valbona Mehmeti      

Nëse nuk do të ketë përmirësim të gjendjes ekonomike e sociale, kosovarët do të vazhdojnë të ikin për në vendet e BE-së edhe pas liberalizimit të vizave. Ikjet tani do të jenë të lehta, pa frikë e rreziqe

Pesëmbëdhjetë shqiptarë, mes tyre shtatë fëmijë, patën humbur jetën tragjikisht në tetor të vitit 2009 gjatë kalimit të kufirit për në Hungari, nëpërmjet lumit Tisa. Po të njëjtës rrugë një foshnjë 18-muajshe ka vdekur në shkurt të 2015-s në valën e migrimit masiv që kishte përfshirë edhe prindërit e saj. Këto janë dy rastet më tronditëse, sepse për më shumë se dy dekada shumë shqiptarë të Kosovës kanë gjetur vdekjen rrugëve ilegale dhe të rrezikshme të ikjes në Perëndim.

Arsyet e ikjeve (pa përfshirë këtu dëbimet masive gjatë luftës së viteve 1998-99) ishin politike, ekonomike apo personale. Dikush për t’u shpëtuar përndjekjeve të ushtrisë e policisë serbe, dikush për të mbijetuar skamjen, të tjerët për t’u bashkuar me familjarët, për t’u shëruar, për të studiuar apo për t’u martuar. Të gjitha me të njëjtin qëllim: për jetë të lirë dhe pa frikë persekutimi, për të realizuar ëndrra apo për një vend pune që siguron të ardhura të mjaftueshme për veten dhe për familjen në atdhe.

Shumë rreziqeve iu ekspozuan emigrantët kosovarë për të arritur këto të drejta themelore të njeriut që në vendet e zhvilluara janë të garantuara, por që për qytetarët e mbetur në Kosovë vazhdojnë të mbeten sfidë e përditshme.

Secili nga ata që ikën në mënyrë ilegale ka një histori për të rrëfyer. Si për peripecitë e përjetuara ashtu edhe për shumat e mëdha të parave që u kanë paguar matrapazëve dhe trafikantëve të qenieve njerëzore. Për shumicën besoj që ishte sakrificë që ia ka vlejtur. Kjo, shkaku i ngjarjeve të luftës dhe krizave ekonomike e politike në Kosovën e pasluftës.

***

Udhëtimeve ilegale të shqiptarëve të Kosovës nëpër kufijtë e Evropës duket se po u vjen fundi. Javën e kaluar Komisioni Evropian ka rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën. Deri në vendimin final për heqjen e vizave duhet të kalojnë edhe disa muaj dhe disa procedura, por kosovarët si optimistë që janë po e marrin si punë të kryer. Pritjet nga liberalizimi janë të mëdha. Tashmë kanë filluar përgatitjet dhe planet. Dikush për të vizituar të afërmit, shumica për të gjetur një vend pune “në të zezë” në kompanitë e familjarëve dhe të miqve.

Liberalizimi është bërë tema kryesore e bisedave të përditshme. Lajmi për mundësinë e heqjeve të vizave nxori në rrjetet sociale gjithë kreativitetin për tallje dhe barsoleta në llogari të diasporës për “mysafirët” nga Kosova që do t’ua zënë derën pa paralajmërim. Parashikonin madje edhe “ftohje” të raporteve ndërmjet nipave, dajave dhe xhaxhallarëve. Tek qytetarët tashmë vërehet një çlirim i përgjithshëm se së shpejti do të dalin nga izolimi dhe do të mund të udhëtojnë dinjitetshëm dhe të lirë në shtetet e Bashkimit Evropian. Gjatë e kanë pritur këtë mundësi. Vizave dhe pengesat që sjellin ato në afrimin e njerëzve shqiptarët madje u kanë kënduar edhe këngë.

Heqja e vizave hap shumë mundësi, por nuk i zgjidh problemet e shumta ekonomike dhe sociale të kosovarëve. Përveç lëvizjes së lirë dhe shpëtimit nga procedurat torturuese të marrjes së një vize, liberalizimi u ofron qytetarëve mundësi më të mëdha të kontaktit mes njerëzve në aspektin social, profesional apo të bërit biznes e tregti.

Liberalizimi rrit shpresën se shqiptarët e diasporës nuk do të martohen më ad hoc “për letra” me djemtë e vajzat nga Kosova, siç kanë bërë deri tani. Lëvizja pa viza do t’u mundësojë vajtje-ardhje më të shpeshta për të njohur më mirë ose edhe për të bashkëjetuar me të zgjedhurin e jetës, në mënyrë që të mos lidhin martesa të shpejta, të predestinuara të dështojnë.

Shqiptarët që jetojnë në Kosovë duke vizituar familjarët që jetojnë në shtetet e BE-së do ta kenë mundësinë të njihen për së afërmi me jetën, jo gjithmonë të lehtë që bëjnë bashkatdhetarët në diasporë. Kjo do t’i shkrijë paragjykimet se diaspora fiton shumë para dhe vazhdimisht duhet të mbajë me dërgesa familjarët në Kosovë, që nuk marrin mundin të gjejnë një punë qoftë edhe me pagë të vogël, sepse e dinë që vëllai apo motra nga kurbeti nuk do t’i lërë të heqin keq për bukë. Por edhe mërgimtarët nuk do të mund t’u mburren më miqve e familjarëve për jetën luksoze që bëjnë në Perëndim dhe se sa shumë i “do” shefi.
***

Por më të ngazëllyer se qytetarët me paralajmërimin për heqjen e vizave dolën të jenë qeveritarët tanë. Si zakonisht, kur Kosova shënon suksese në arenën ndërkombëtare (siç ishte pranimi në UEFA e FIFA), ata u ngutën të dalin me deklarata për “meritat” e tyre në hapjen e perspektivës evropiane.

Nga ta pritet të ulin kokën dhe të heshtin për vonesat në përmbushjen e kushteve për liberalizim dhe premtimet e rrejshme që u kanë bërë qytetarëve në çdo fushatë zgjedhore se heqja e vizave është çështje ditësh. Janë ata që e sollën popullin në gjendje kaq të mjerueshme saqë edhe tetë vjet pas shpalljes shtet mezi pret hapjen e mundësisë për të ikur nga Kosova.

Kur ndodhi tragjedia e Ticës kryeministër ishte Hashim Thaçi. Atëbotë ai nuk dha kurrfarë përgjegjësie për vdekjen e 15 qytetarëve të vet, si pasojë e politikave të tij të gabuara ekonomike dhe politike. Kur vdiq foshnja 18 muajshe, kryeministër ishte Isa Mustafa. Ai lëre që nuk mori përgjegjësi për ikjen masive të qindra mijëra qytetarëve, por fajësoi prindërit e foshnjës që morën rrugën e rrezikshme të migrimit ilegal.

Rekomandimi për liberalizim nuk erdhi si rezultat i politikës së mençur të këtyre dy qeveritarëve, por si pasojë e rrethanave politike të krijuara në Evropë pas valës së refugjatëve nga zonat e luftës, si Siria e Iraku.

Nën udhëheqjen e Thaçit dhe të Mustafës, Kosova vazhdon të mbetet vend me varfëri, korrupsion e papunësi të lartë. Si pasojë e kësaj, shumica e kosovarëve mund t’i gëzohen liberalizimit vetëm si një arritje kolektive, sepse shumë prej tyre nuk arrijnë të sigurojnë as gjërat elementare për jetesë e lëre më të ndajnë para për udhëtime turistike nëpër Evropë.

Mustafa e Thaçi tani duhet të angazhohen që t’u sigurojnë vende pune qytetarëve që ata të mos detyrohen që edhe pas liberalizimit të kërkojnë azil në vendet e BE-së, apo t’u nënshtrohen rreziqeve të punës në “të zezë”. Duhet të zhvillojnë politika që do të ndalin “ikjen e trurit” dhe që joshin studentët të cilët studiojnë jashtë të kthehen dhe të kontribuojnë në Kosovë. Thjesht, duhet të përpiqen ta kthejnë besimin e humbur të qytetarëve në shtet. Nëse nuk arrijnë t’i realizojnë këto, do të duhej të shkonin. Të paktën një herë të marrin përgjegjësi për dështimet e veta.

valbona@koha.net 

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...