Alo, Beogradi?! Jam Jovica nga Sërbica!

14 Maj 2016 - 11:04 - Adriatik Kelmendi      

Serbët e Kosovës kanë nevojë të madhe që fillimisht të dialogojnë me Beogradin zyrtar. Ta detyrojnë Qeverinë serbe që t’ua bëjë të qartë synimin e tyre të vërtetë përfundimtar.Se nëse vazhdohet si deri tash, druaj se fatkeqësisht serbët kosovarë do të vazhdojnë të mbesin të jetojnë në lajthitje, gjithmonë duke mbetur si të dëmtuarit kolateralë edhe të shumicës shqiptare në Kosovë e edhe të politikanëve nga Beogradi.

PROBLEMI I SERBËVE të Kosovës në masën më të madhe është prodhim i qyqarllëkut të udhëheqjes në Beograd. Të gjitha qeveritë e deritashme në Serbi në mënyrë perfide kanë bërë përpjekje sizifiane për t’ua fshehur serbëve kosovarë faktin që ata e dinë - se Pavarësia e Kosovës është proces i pakthyeshëm.

Sinqerisht, nëse ulesh e mendon se si të përmbushen kërkesat e një komuniteti të caktuar, në këtë rast komunitetit serb, me gjithë vullnetin më të mirë, vështirë të arrish një përfundim se si do të mund të ndikonte dikush në përmirësimin e jetesës së tyre, krahasuar me ato që sot i gëzojnë. Me rrezikun që të jep qasja që në këtë rast mundet padrejtësisht të etiketohet si paternale (e urrej nëse tingëllon si e tillë, meqë vjen nga një pjesëtar i një etnie shumicë për një etni pakicë në një shtet), me qëllimet më të mira jam bindur se serbët e Kosovës janë futur në labirint për interesa krejtësisht meskine e egoiste të elitave politike në shtetin e tyre amë.

PRA, QEVERIA në Beograd, për interesa të veta elektorale, si dhe bishtnimit të ballafaqimit me dobësitë e zhvillimit ekonomik, hapjen e vendeve të punës, rritjen e mirëqenies dhe çështje të tjera, vazhdon të mos jetë e sinqertë me serbët kosovarë. Përndryshe, si shembull, fare nuk do të ekzistonte plani për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Pse? Meqë nuk ka se si të kuptohet si diçka që do t'i shërbejë integrimit, nëse ne shohim se kërkohet formimi i një trupi me kompetenca ekzekutive i bazuar ekskluzivisht në kriterin etnik. Të mos harrojmë, gjatë gjithë kohës edhe bashkësia ndërkombëtare ka qenë ekskluzivisht e angazhuar për të krijuar në Kosovë një shoqëri multietnike dhe ekskluzivisht për të akomoduar komunitetin serb në këtë shoqëri, ndonëse i papërfillshëm në përqindje të popullatës krahasuar me shqiptarët. Atëherë, si mund të ketë integrim ndëretnik nëse kërkojmë të krijomë trupa të reja njëetnike?

Besoj se do të ishte shumë më në rregull, më e ndershme dhe më e dinjitetshme, nëse në këtë rast edhe Beogradi e edhe serbët e Kosovës do të angazhoheshin për të arritur një plan për ndarjen e Kosovës. Mund të jetë aspiratë e tyre, që mbase s’do të duhaj ta fshihnin. Së paku që askush askujt të mos tentojë t’ia shesë sorrën për shqiponjë. Sepse, logjikisht deri diku është e kuptueshme përse serbët kanë kërkuar që të ketë decentralizim bazuar në strukturën etnike të popullatës. Natyrisht, nëse duan shërbime të drejtpërdrejta e jashtë burokracisë nëpër komuna në këtë fazë të zhvillimit të vendit, si serbët ashtu edhe shqiptarët do ta kishin më të lehtë nëse përfaqësuesit aty në masën më të madhe janë nga etnia e tyre.

Besoj se secili do të gëzohej sikur të shihet se ka rezultate pozitive në shërbimin e qytetarëve, si pasojë e decentralizimit. Mirëpo, çka do t'i përmirësojë këto shërbime lidhja e këtyre komunave në një asociacion njëetnik? Përkundrazi, nëse bëhemi të drejtpërdrejtë, kjo i bie krejtësisht e kundërta e idesë së decentralizimit. Nëse decentralizimi është kërkuar që të ketë më pak ndikim nga institucionet qendrore mbikomunale për ta evituar burokracinë, përse tash sërish duhet shkuar në drejtimin e kundërt, të hyhet në burokraci të niveleve mbikomunale! Si do ta përmirësojë ky rikomplikim jetën e komunitetit serb në këto komuna? Si do ta ndihmonte kjo integrimin? Nuk ka ndonjë shpjegim që ta mbushë mendjen se me këtë qasje kjo mund të ndodhë. Ideja e fshehur këtu nuk është fare praktike dhe e drejtuar në përmirësimin e jetës së qytetarëve serbë në komunat ku e bëjnë shumicën.

Asociacioni nuk e bën këtë. Besoj se pikërisht këtu është edhe hileja e Beogradit me serbët. Ata ia kanë mbushur mendjen vetes se Kosova është e humbur. Por, duke e ditur këtë, aktivisht prapa kulisave janë angazhuar që serbët brenda Kosovës kurrë të mos integrohen në jetën kosovare, meqë në bazë të Asociacionit një ditë territoret që ai mbulon mund edhe të shkëputen nga Kosova. Dhe, natyrisht, një aspiratë e këtillë, edhe nëse duan serbët kosovarë, edhe nëse shqiptarët tregohen më gjenerozët e mundshëm, nuk do të arrijë të nxitë integrimin dhe kthimin e të dyja komuniteteve rreth problemeve praktike të jetesës dhe mirëqenies së tyre.

NË KËTË KONTEKST, besoj se serbët e Kosovës kanë nevojë të madhe që ta sqarojnë pozicionin e tyre me Beogradin zyrtar. Ta detyrojnë Qeverinë serbe që t’ua bëjë të qartë synimin e tyre të vërtetë përfundimtar. Se nëse vazhdohet si deri tash, druaj se fatkeqësisht serbët kosovarë do të vazhdojnë të mbesin të jetojnë në lajthitje, gjithmonë duke mbetur si të dëmtuarit kolateralë edhe të shumicës shqiptare në Kosovë e edhe të politikanëve nga Beogradi. adriatik@kohavision.net

Twitter: @adriatikk

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Adriatik  Kelmendi
Adriatik Kelmendi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...