Nga spiunazhi në politikën e lartë!

13 Maj 2016 - 08:11 - Halil Matoshi      

Ndonëse Kadri Veseli nuk është përjashtim – ai synon të ndërtojë një imazh si lider ndryshe nga pararendësi i tij Hashim Thaçi – edhe pse nuk u durua pa e thënë se ai do ta ndjekë me besnikëri rrugën e ish-liderit të PDK-së, pra ende pa ia nisur mirë detyrës, u dëshmua mendërisht Hashim!

Shoqëria kosovare i ka pranuar me zemërgjerësi - të përbuzurit e vet të dikurshëm - “djemtë e luftës” siç cilësoheshin ish-guerilët e UÇK-së!
Kur erdhën si fitimtarë, pakkush i njihte, porse mendoheshin si njerëzit “tanë”, që janë biologjikisht të rinj e idealistë dhe që mund të mësojnë shpejt politikën dhe moralin!?

Pos që vinin nga shtresat e varfra e të deklasuara të shoqërisë – si shumica e shqiptarëve të Kosovës – pra “si na”, pakkush e dinte se kush ishin vërtet dhe çfarë idesh politike përfaqësonin dhe as cili ishte sfondi politik që i kishte prodhuar, porse të gjithë ata që mendonin e dinin se lindja e “brezit të ashpër” ishte derivat i rrethanave poshtëruese nën okupimin serb dhe i mosveprimit të elitës politike në kahun e ndryshimit të kësaj gjendjeje të padurueshme.

Prandaj, shumica e shqiptarëve kosovarë, pos një grupi po ashtu të fortë fanatikësh brenda LDK-
së dhe gazetës “Bota sot”, u duartrokitën atyre pasi që NATO-ja për shtatë javë e bombardoi
“bishën e luftës” të Slobodan Milosheviqit dhe ata hynë triumfalisht në katundet dhe qytetet e
Kosovës!

Kjo shoqëri i shpërbleu ata duke ua dhënë emrin “çlirimtarë” dhe duke ua dhënë votën me
bollëk, pasi që këta u çmistuan nga një dorë kuaziintelektualësh të proviniencës etnocentriste
dhe unioniste që të organizoheshin politikisht, për ta fuqizuar kështu një regjim kakistorkratik
të pashembullt e cila sot zotëron dhe drejton me çdo gjë në vend.
Madje edhe me tituj akademikë!
Kadri Veseli nuk bën përjashtim nga “çlirimtarët”, pos që vjen në politikën e lartë kosovare nga kuazi-spiunazhi (sepse organizata e tij SHIK nuk ka pasur as resurse dhe as dije që të merrej me çështje klasike të abulimit dhe kundërzbulimit, me mësymjet e Serbisë dhe makinerisë së saj ushtarake e policore, por që thjesht e ka luajtur rolin e një falange, duke vendosur arbitrarisht se kush ka të drejtë të mendojë politikisht e kush jo, kush të ndiqet e të vritet e kush duhet të jetojë (!!!), duke iu imponuar si “pushtet frike” shoqërisë kosovare, pra duke i aplikuar dendur frikën dhe frikësimin.

Partia e Ibrahim Rugovës (LDK) në anën tjetër me organin e vet të shtypit “Bota sot” e ka akuzuar drejtpërdrejt këtë organizatë për vrasje të dhjeta aktivistëve të saj, që nuk janë zbardhur asnjëherë!?
Dhe as që ka ekzistuar ndonjë vullnet politik për t’u marrë me këtë punë, sepse PDK-ja e ka instaluar frymën e shpërfilljes deri në përbuzje të viktimave.

Veseli në këtë histori ka qenë i pari dhe gjatë e ka ushtruar heshtjen, prandaj edhe sot e kësaj dite në shoqërinë kosovare nuk flitet për krimet dhe nuk ka raport normal me vendosjen e drejtësisë! Duke qenë se ka heshtur gjatë, ashiqare që Veseli e ka të vështirë të mësojë fraza përmendësh, prandaj shpesh ngatërrohet duke mos mund ta shqiptojë edhe një fjali të vetme!?
Ekziston perceptimi i gjerë në publik se Kadri Veseli në aleancë më Hashim Thaçin do t’i dërgojnë në burgje tërë Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë (UÇK) dhe të gjithë komandantët e zonave, për të mbetur vetë, të fundit nga kjo epokë, mirëpo, ata ende nuk janë sqaruar para publikut, nëse kanë ditur për krimet ose jo, megjithëse është historikisht e ditur se të mbijetuarit rëndom rrudhin supet!

“Nuk kemi ditur”!?
Liderët politikë ballkanikë janë mësuar tashmë që të mbijetojnë vetëm nga krizat e shkaktuara nga vetë ata dhe në kriza e sipër ata i dominojnë shoqëritë e tyre, ende të pavetëdijshme politikisht.
Kështu ndodh në Shkup, Beograd e Podgoricë, në Tiranë e Prishtinë…

Gruevski si një lider autoritar, njashtu si Vuçiq, Rama e Thaçi si vazhdues të kauzave të mëdha kombëtare e me mundësi të vogla (tash edhe Veseli) natyrisht se do të “sundojnë” ende shoqëritë gjysmë trial-ballkanike.

Madje ata shkojnë në zgjedhje vetëm kur u konvenon atyre, pra në kulmin e krizave politike dhe duke qenë se i kanë kapur institucionet e shtetit, ata llogarisin në fitore të lehtë.
Ashtu siç Veseli e mori drejtimin e partisë më të madhe në vend, pa kurrfarë debati demokratik dhe pa kundërkandidat.
Me aklamacion, natyrisht!

Veseli nuk dallon asgjë nga politikanët folklorikë dhe neoenveristë në Kosovë, të cilët pushtetin e kuptojnë si tepër personal dhe përfitues (ekstaraktiv) dhe jo gjithëpërfshirës (inkluziv.)
Por çfarë duhet të bëjë Veseli për të qenë i pranueshëm gjerësisht si lider politik dhe në të ardhmen i nominuar për kryeministër?
Ta kapërcejë jo vetëm historinë në sfondin e UÇK-së, por edhe vetveten, ish-shefin e tij partiak dhe mentorët, kushdo që të jenë ata!?

Për ta kapërcyer egocentrizmin që është sindromë gjithëballkanike dhe jo vetëm shqiptare, Veseli duhet ta rimendojë veten, SHIK-un, luftën e UÇK-së, të fuqishmit që sot janë në burgje, e që para pak kohësh ai i ka mbyllur sytë para bëmave të tyre si dhe të bërit politikë në të mirën e një shoqërie dhe një shteti që pretendon t’i përqafojë vlerat e përbashkëta evropiane, t’i "çelë" letrat, si shef i SHIK-ut dhe të rrëfejë çfarë ka ndodhur gjatë dhe pas luftës në Kosovë?
Kush dhe përse i vrau kundërshtarët politikë?
Çfarë ai di për ato vrasje, ndjekje dhe tortura?
Për mizoritë eventuale…

Të iniciojë në Kuvend që e drejton vetë një komision (në përbërje ekskluzivisht nga opozita) për ta hetuar SHIK-un; të instalojë atë frymën e luftës për të vërtetën, njëjtë siç veproi themeluesi i Afrikës moderne të Jugut, Nelson Mandela, i cili i pati themeluar komisionet e së vërtetës, e ku xhelatët ballafaqoheshin me viktimat.

Unë nuk e di se çfarë mendon Veseli, por pa të vërtetën dhe pa inicimin e kësaj drejtësie kurrë Kosova nuk do të ketë sukses në emancipim, as të perëndimorizohet dhe as të modernizohet dhe nëse Kosova dështon si shoqëri dhe shtet, atëherë Veseli dhe jo vetëm ai do të mbahen fajtorë historikë për këtë dështim.
Dhe ai besohet se e di këtë!

Veseli si lider politik dhe shtetëror duhet të dëshmojë konsistencë mes fjalëve dhe veprimeve dhe të dëshmojë etikë të lartë të pushtetit, duke e instaluar frymën demokratike e të debatit brenda partisë që e drejton, por edhe në shoqërinë kosovare, nëse mësyn ta marrë pranueshmërinë e gjerë të publikut kosovar, si burrë shteti.
Atëherë, nuk do të kishte asnjë arsye që të mos pranohej si një politikan popullor (e jo popullist) që ndjek mësymjet racionale të një shoqërie.

Duke qenë se mosbesimi ndaj kësaj kaste politikanësh batakçinj, që nuk e duan atdheun e tyre Kosovën, në pritje të realizimit të projekteve të mëdha unitariste/etnocenriste, (duke mos e njohur përhershmërinë e shtetit kosovar dhe identitetet të saj) është enorm i madh, thjesht dikush duhet të bëjë mrekulli që ky besim t’i rikthehet qytetarit.

E besimi se një politikan ka etikë krijohet kur Veseli & Co të japin dëshmi se Kosovën nuk e duan vetëm si plaçkë lufte, për ta zhvatur dhe rrjepur por që e duan edhe për brezat që vijnë dhe mbi të gjitha i duan njerëzit e këtij vendi edhe kur nuk mendojnë njësoj si ata'!?

I madh është ai politikan a politikane qe e depersonalizon pushtetin dhe e deetnizon shtetin, që e liberalizon mendësinë politike dhe e përafron me vlerat e përbashkëta evropiane, qe ka ide të mëdha politike – që na mban bashkë dhe nesër në komb - dhe që i sendërton ato, që rrit demokracinë dhe sundimin e ligjit, si dhe që inicion reforma për ta bërë këtë vend të jetueshëm e jo ai që rrit fuqi rreth vetes përmes frikësimit!

A ka uzdajë që Veseli mund të bëjë hapa kthese në politikën kosovare?
Duke e pasur parasysh se Partia Demokratike e Kosovës tash e tri mandate është në pushtet (me koalicione) pas pavarësimit të vendit dhe një mandat para, shihet që është shndërruar në Parti-Shtet dhe është e vështirë të çohet në opozitë. Kadri Veseli vjen në krye të PDK-së si njeri i avanskenës - nga spiunazhi - kështu që është pak i njohur si politikan dhe njeri, pra atë e rrethojnë shumë enigma.

E për t'u ngjitur në majat e pushtetit shtetëror, ai duhet ta zbardhë së pari jetëshkrimin e tij.
Natyrisht që Veseli do të mësyjë rimendimin dhe renovimin e PDK-së, sepse kjo parti ka nisur të rrëzbitet nga brenda, por edhe e vënë nën llupën e hetuesve vendorë e ndërkombëtarë, ajo është në fazën kur po i humb njerëzit e vet kryesorë, të cilët dyshohen për vepra kriminale.

Së këndejmi, PDK-ja është në teposhtën e saj të madhe dhe është nisur drejt kalimit në opozitë, porse duke qenë se shoqëria kosovare ende nuk ka prodhuar asnjë ide të re politike dhe duke qenë “nën sundimin” e një elite të korruptuar politike dhe një elite kulturore që e ka prostituuar dijen, Kosova mbetet në vullnetin e Thaçit dhe Veselit për t’i tejkaluar egot e tyre, pra veten!?
Kosovarët duhet të jenë realistë dhe të bëjnë dallimin mes të dëshirueshmes dhe të mundshmes.

Jo vetëm PDK-ja por të gjitha partitë politike kosovare kanë protagonistë por jo ide politike dhe thjesht nuk kanë fare demokraci të brendshme.
Partitë kosovare janë së pari rajonale dhe së dyti lideriste dhe brenda strukturave të tyre është instaluar mekanizmi i frikës (frika rëndom shpie në dhunë!?) që parandalon njerëzit për të folur dhe debatuar.
Dhe në këtë aspekt nuk bën përjashtim as Partia Demokratike e Kosovës e themeluar nga Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi dhe Fatmir Limaj (këta dy të eliminuar nga Thaçi) dhe me bekimin e ish-shefit të SHIK-ut, Kadri Veseli, i cili është në prapaskenë të kësaj partie që nga themelimi.

Veseli do të përpiqet që ta menaxhojë partinë në periudhën më të rëndë të saj, kur po rrënohet miti i komandantëve të luftës dhe kur PDK-ja po i "humb" me radhë figurat qendrore të saj, për shkak të dyshimeve për aktivitete kriminale.

Veseli do të bëjë përpjekje që ta rinovojë partinë me fytyra të reja nga shoqëria civile, duke i joshur në orbitën e vet edhe të pakënaqurit e partive e nismave të tjera (siç ndodhi me fraksionin e Ajnishahe Halimit nga Lëvizja Vetëvendosje!), porse natyrisht duke kërkuar njerëz luajalë, që do ta mbështesin atë pa bërë shumë pyetje e po ashtu pa dilema, deri sa të ngjitet në majat e pushtetit, në postin e kryeministrit të vendit.
Mirëpo, ndërkohë PDK-ja do të jetë shumë e dobësuar dhe gjasat që Veseli do të grumbullojë aq pushtet në Kosovë po zvogëlohen përditë.

PDK-ja ka drejtuar Qeverinë e Kosovës katër herë n’gjim, duke e pasur parasysh edhe Bajram Rexhepin (2002) dhe këtë të fundit në koalicion me PDK-në, pos që kryeministri vjen nga LDK-ja, që dikur sillej si viktimë e drejtpërdrejtë e partisë së Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit!

Dhe drejtësia vendore dhe ndërkombëtare po e krijon pasqyrën reale të PDK-së përditë dhe do të dëshmohet hala më shumë se kjo parti e ka dëmtuar seriozisht vendin.
E ky fakt më shumë flet për mentalitetin primitiv të shoqërisë kosovare se sa për ndonjë drejtim politik modern të saj!
PDK-ja tashmë është interes klientelist i mijëra qytetarëve (duke qenë se Qeveria kosovare është punëdhënësi më i madh në vend!???) dhe jo vetëm ide e drejtim politik.

Natyrisht, pas përzënies së Jakup Krasniqit dhe Fatmir Limajt, mbetën këta dytë që ta drejtojnë “fabrikën” e pushtetit dhe parasë, qoftë edhe përmes proceseve të fabrikimit industrial të votës së lirë!
Këta njerëz, më 1990, kanë qenë të përbuzurit e shoqërisë prandaj sot përbuzin këtë shoqëri!

A do të ndërrojnë?
Vështirë e besueshme, paçka se e dëshirueshme!?
Shpresa është barrë më e lehtë kur disa indikatorë flasin se dyshja Hashim&Kadri “flenë gjumë” dhe trashin fuqinë e tyre kur nuk kanë marrë obligime të drejtpërdrejta dhe janë të zgjuar kur u jepen detyra konkrete nga Washtingtoni dhe Brukseli…

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...