Gëzim për të mos harruar një krim

12 Maj 2016 - 08:36 - Enver Robelli      

Për gati dy dekada njerëz të lidhur me pushtetin kanë shfrytëzuar jashtëligjshëm prona, të cilat ose u takonin qytetarëve, ose shtetit. Përfitimet arrijnë në qindra miliona euro. Javën që shkoi disa prej uzurpatorëve u përzunë nga aty ku nuk e kishin vendin kurrë. Kjo nuk është arsye e madhe për gëzim. Vajtoni gati 20 vjet të humbura për të ndërtuar shtet funksional.

Kosova u çlirua në qershor të vitit 1999, për t’u pushtuar menjëherë nga matrapazët e rrezikshëm shqiptarë. Çfarë arritën të fusin nën thonj – e futën pamëshirshëm ata që thirreshin në «vlera të luftës».

Dhe jo vetëm ata. Në këtë kazan të madh të krimit e korrupsionit kanë notuar (dhe notojnë) edhe eksponentë të LDK-së, AAK-së dhe figura të fuqishme të nëntokës. U grabitën prona, u zaptuan banesa, troje, toka bujqësore. Qytetarë të frikësuar i shitën «vullnetarisht» shtëpitë e tyre – me çmime simbolike. U privatizuan me metoda mafioze fabrika, vreshta, punëtori, ndërmarrje publike, magazina. E gjithë kjo katrahurë ndodhi para syve tanë dhe nën parullën e keqbërësve: «Për çka kemi luftu!?» Dihej cilat lokale janë zënë dhe shfrytëzoheshin jashtëligjshëm nga të tmerrshmit e Prishtinës, Pejës, Prizrenit, Gjakovës, Mitrovicës, Gjilanit, Ferizajt... Diheshin emrat e tyre, dihej për afërsinë e tyre me «partinë më të madhe», e cila si asnjë tjetër i përfaqëson «vlerat e luftës», apo me parti të tjera që kishin fuqi muskujsh dhe mjaft armë. Policia rrinte anash, indiferente.

Ose shtypte në intervale të rregullta kohore djem e vajza, të cilëve për të protestuar kundër këtij pushteti nuk u kishte mbetur asgjë tjetër përveçse dy duarve për një kokë dhe ndonjë gur. Para do kohësh në KTV u njoftua se mbi 28 mijë hektarë tokë janë privatizuar për 98 milionë euro. Nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), një çerdhe e keqmenaxhimit dhe e dyshuar për aq shumë afera, u tha se hoteli «Grand» do të rikthehet në privatizim – bash ai hotel rreth të cilit u shtynë ta grabisnin me metoda të egra të nëntokës shumë figura të larta politike që gjatë këtyre viteve kanë vendosur edhe për fatin e Kosovës dhe të dy milionë banorëve të saj. Një zyrtar i AKP-së pranoi se që nga viti 1999 janë mbi 2186 ndërtime private joligjore në pronat shoqërore që menaxhohen nga AKP-ja.

Më mirë të mos pyesim se si dhe nga kush janë menaxhuar gjithë ato dyqane në Pallatin e Rinisë. Përfitimet nga operacioni mbarëkombëtar kosovar «Plaçkitim në luftë e liri për pavarësi» arrijnë në qindra miliona euro. Qe rrafsh 17 vjet kështu ecin punët e Kosovës. Mediumet e pavarura kryejnë detyrën e tyre, nxjerrin në sipërfaqe skandale, bëjnë publike fakte për korrupsion, denoncojnë krimin – dhe çfarë bën pushteti? Së pari ndërsen mediumet e tij për të nxitur debate të shpifura, pastaj pason «goditja finale» e stilit gebelisian: «Ku keni qenë ju kur kemi luftuar ne?». Paralelisht me këtë fillon presioni mbi autoritetet e drejtësisë dhe policisë për të bllokuar hetimet apo për t’i dirigjuar ato sipas interesave të partive në pushtet. 17 vjet janë shumë, gati dy dekada.

Dhe pastaj ankohemi se investitorët po rrinë larg Kosovës, se po shkojnë në Serbi, Maqedoni, Bullgari. E pse të mos shkojnë kur, ta zëmë, qytetarë të Kosovës me banim në Perëndim investojnë në vendlindje qindra e mijëra euro apo franga, të fituara me punë të rëndë, dhe prapë s’mund të bëjnë gjë me pronat e tyre, të cilat i mbajnë të zaptuara njerëz me emra kumbues, të cilët thonë: «Zoti në qiell, unë në tokë». Nëse një biznesmen me mbiemrin Berisha a Kelmendi, që punon në Berlin apo Zürich, nuk arrin ta marrë pronën që e ka blerë legalisht në Prishtinë, atëherë mund të merret me mend sa do të ketë sukses me planet e tij afariste një investitor me mbiemrin Müller apo Meier.

Të dy do të pajtoheshin me atë që supozohet të ketë raportuar nga Tirana në Washington ambasadori amerikan: «Këta shpesh thonë që kjo lloj kulture e tyre është faji i pushtimit turk, por këta turkun do ta binin vërdallë 40 herë. Kaq të djallëzuar janë». Edhe në qoftë kjo anekdotë e sajuar nga mediumet e Tiranës, prapë ka vlerë, sepse e godet aq mirë realitetin shqiptar si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. 17 vjet janë shumë, gati dy dekada. Gjatë kësaj epoke në këtë vend kompetenca për të luftuar krimin e korrupsionin kanë pasur edhe Misioni i OKB-së (UNMIK), trupat e NATO-s, Misioni i BE-së për sundim të ligjit (EULEX), mundësi për të goditur të keqen kanë pasur edhe shumë ambasadorë, të cilët preferuan të bashkëjetojnë me kaosin për hir të stabilitetit (ç’absurd!), ka mundur të bëjë potere edhe OSBE-ja ndonjëherë, fundja edhe kjo organizatë si synim kishte ndërtimin e shtetit funksional.

Pas aksioneve të fundit për përzënien e uzurpatorëve është e natyrshme që aty-këtu në mesin e qytetarëve të vërehet edhe gëzim që, më në fund, paska mbetur një grimë shteti për të çuar dorë kundër keqbërësve. Por krahas gëzimit për aksionet e fundit, të cilat janë tejet modeste, qytetarët e Kosovës duhet të vajtojnë dy dekadat e humbura për të ndërtuar shtet. Edhe tani kundër krimit po veprohet, sepse ndryshe do të rrezikohej liberalizimi i vizave, pra s’po veprohet nga domosdoshmëria e brendshme. Këto veprime po i mbështet edhe EULEX-i, i cili pas dështimeve dhe harxhimeve marramendëse po përpiqet të sigurojë vazhdimin e mandatit në Kosovë.

Në mënyrë deklarative krimin duan ta luftojnë edhe ata politikanë që, në fakt, e kanë mundësuar, shtyrë dhe favorizuar shndërrimin e Kosovës në shtet pothuaj të dështuar, duke e ndukur si një pulë zaif. Shpresa e këtij soji politikanësh është që qytetarët do e hanë sapunin për djathë.

Dhe ndoshta ndokush gëlltit edhe më shumë se sapun. Sidoqoftë, sekuestrimi i 3 pompave të derivateve, 1 depoje në sipërfaqe prej 86 ari tokë, 56 hektarëve tokë në regjionin e Ferizajt, sekuestrimi i 5 lokaleve në Prishtinë dhe pak tokë e ndërtesa, mbetet vetëm një përpjekje e vogël përballë kodrës së madhe të krimit e korrupsionit, që ka pllakosur këtë vend.

Beteja fitohet vetëm me një klasë të re politike, e kurrsesi me ata që kanë mbytur çdo shpresë dhe plaçkitur miliarda, e tani luajnë rolin e të mirëve dhe përulen para popullit me skena e deklarata teatrale.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...