12 vjet pas zgjerimit të madh BE-ja nuk feston më

4 Maj 2016 - 08:19 - Augustin Palokaj      

Më 1 maj të vitit 2004 u festua shumë në Evropë, u bashkuan ish-vendet komuniste në familjen e demokracive perëndimore. Kriza e parimeve që ka goditur BE-në, lodhja nga zgjerimi dhe mungesa e dëshirës për t’u zgjeruar, kanë bërë që të mos ketë festë në këtë përvjetor. Kosova, si dhe vendet tjera të Ballkanit, të cilat besojnë se kanë një perspektivë të anëtarësimit në BE, duhet të mbajnë këto ambicie, por jo që të shohin integrimin në BE si prioritetin e vetëm të tyre, sepse ky integrim nuk do të ndodhë shpejt.

Para 12 vjetësh, pikërisht më 1 maj, e tërë Evropa ishte në festë. Ndodhi i ashtuquajturi “zgjerimi i madh i BE-së”, pasi të njëjtën ditë asaj iu bashkuan 10 shtete të reja, tetë prej të cilave nga hapësirat të cilat deri në dhjetëvjetorin e fundit të shekullit të shkuar ishin pjesë e bllokut komunist, pra përtej perdes së hekurt. Të gjithë panë arsye të festojnë para 12 vjetësh. Vendet e Evropës Perëndimore, sepse kjo ishte dëshmi sesi ideali i Bashkimit të Evropës vazhdon t’i nxisë edhe gjeneratat e reja që shohin këtë proces historik si diçka që duhet të vazhdojë. Ato vende të cilat u bënë anëtare të BE-së u gëzuan, sepse përmbyllën një rrugë të gjatë dhe jo të lehtë të përmbushjes së kritereve të nevojshme për të hyrë në BE. Edhe ato vende të cilat nuk u anëtarësuan në këtë ditë panë arsye të festojnë, sepse këtë e panë si dëshmi se një ditë edhe ato do të hyjnë në BE. Bullgaria dhe Rumania morën garanci se, nëse jo më 1 janar të vitit 2007, atëherë së paku një vit më vonë do të bëhen anëtare të BE-së. Kroacia tashmë kishte marrë mendimin pozitiv të Komisionit Evropian dhe rekomandimin për statusin e kandidatit. Serbia kishte rrëzuar nga pushteti Slobodan Milosheviqin dhe llogariste në rrugë më të shpejtë drejt anëtarësimit në BE, Maqedonia kishte në shqyrtim e sipër kërkesën për anëtarësim, Kosova priste që sa më parë të shtrohet në tryezë çështja e statusit. Pra kishte një shpresë nga të gjitha anët. Presidenti i atëhershëm i Komisionit Evropian, Romano Prodi, e pati quajtur atë si “koha e shpresës” dhe fliste për vazhdimin e zgjerimit derisa në BE të mos anëtarësohen jo vetëm vendet e Ballkanit, por edhe vendet si Ukraina, Gjeorgjia dhe të gjitha vendet e kontinentit evropian. Madje ai thoshte se kjo është një gjeneratë me fat së cilës i ka rënë rasti që të realizojë ëndrrën e kamotshme për një Evropë të tërë, të bashkuar, në paqe dhe prosperitet.

Në 12-vjetorin e “zgjerimit të madh” nuk po festohet në Evropë. Kriza e parimeve që ka goditur BE-në, lodhja nga zgjerimi dhe mungesa e dëshirës për t’u zgjeruar, kanë bërë që të mos ketë festë në këtë përvjetor. Kosova, si dhe vendet tjera të Ballkanit, të cilat besojnë se kanë një perspektivë të anëtarësimit në BE, duhet të mbajnë këto ambicie, por jo që të shohin integrimin në BE si prioritetin e vetëm të tyre, sepse ky integrim nuk do të ndodhë shpejt.

Në BE duan të lënë dy lloj përshtypjesh rreth zgjerimit: një për qytetarët e vendeve të tashme anëtare dhe një tjetër për qytetarët e vendeve kandidate apo aspirante. Për këto të fundit duan të dërgojnë porosinë se dyert e BE-së janë të hapura, dhe se edhe ata së shpejti do të integrohen në BE dhe do të gëzojnë beneficionet që sjell ky anëtarësim. Për qytetarët e vendeve të vjetra anëtare duan të dërgojnë porosinë se nuk do të ketë nxitim në procesin e zgjerimit, se asnjë shtet nuk do të hyjë nëse nuk do të jetë tërësisht i gatshëm dhe se, edhe nëse do të jetë ndonjë kandidat i gatshëm të hyjë në BE, kjo nuk do të ndodhë me automatizëm pa u vërtetuar se edhe Bashkimi Evropian është i gatshëm që të zgjerohet.

Në këtë kontekst duhet parë edhe gjendjen momentale në procesin e zgjerimit sot, 12 vjet pas zgjerimit të madh, kur Komisioni Evropian punon sipas agjendës së caktuar para se të niste mandatin Komisioni i Junckerit, i cili konstatoi se nuk do të ndodhë zgjerimi gjatë këtij mandati, pra deri në vitin 2019. Dhe porosia se “nuk do të ketë zgjerim deri në vitin 2019” nuk duhet kurrsesi të kuptohet se do të ketë zgjerim menjëherë në vitin 2020. Në fakt BE-ja e di se nuk do të ketë zgjerim së shpejti, por nuk e di se kur do të ketë.

Sesa e pamundshme është që të parashihet ndonjë zgjerim i BE-së në të ardhmen dëshmon edhe rasti i referendumit në Holandë për Marrëveshjen e Asociimit mes BE-së dhe Ukrainës. Edhe pse kjo marrëveshje nuk ka ndonjë rëndësi të madhe për qytetarët e Holandës, njërës prej themelueseve të BE-së, edhe pse me atë në asnjë mënyrë Ukrainës nuk i jepet ndonjë ofertë për anëtarësim në të ardhmen, kjo Marrëveshje u refuzua nga qytetarët e Holandës. Si pasojë ajo formalisht nuk do të mund të hyjë në fuqi edhe pse është ratifikuar nga të 27 shtetet tjera anëtare të BE-së.

Nëse qytetarët e Holandës votojnë për të mos pasur Marrëveshje mes BE-së dhe Ukrainës si do të pranojnë ata që në BE një ditë të hyjnë Turqia, Serbia apo Kosova. Si do të pranojnë një gjë të tillë francezët të cilët edhe në bazë të Kushtetutës do të duhet të votojnë në referendum për pranimin e ndonjë shteti të ri në BE. Të gjitha këto dëshmojnë se BE-ja tash ndodhet në një “Evropë të frikës” siç e quajti kohë më parë Romano Prodi, ish-kryetari i Komisionit Evropian nga viti 2004 kur ndodhi zgjerimi i madh.

Ajo që nuk i ndihmon zgjerimit është edhe situata në disa shtete si Hungaria dhe Polonia, ku kanë degraduar standardet e vlerave demokratike, lirisë së medieve dhe mospërzierjes politike në gjyqësor, parime të shenjta për BE-në. Po ashtu nuk ndihmon as gjuha dhe kundërshtimi që bëjnë shtetet si Sllovakia apo republika çeke për ndarjen e barrës së emigrantëve mes vendeve të BE-së për të dëshmuar solidaritet. Sikur të ishin kandidate ende disa nga shtetet të cilat hynë në BE në vitin 2004, sot vështirë se do të mund të bëheshin anëtare me nivelin e tashëm të respektimit të vlerave themelore evropiane.

BE-ja po ashtu ka humbur edhe fuqinë e saj tërheqëse. Jo vetëm për shtetasit e BE-së, por edhe të vendeve aspirante dhe të vendeve të ndryshme të botës. Pikërisht për shkak se BE-ja sot flirton me diktatorë, me njerëz që manipulojnë zgjedhje, me njerëz që shtypin opozitën dhe lirinë e medieve, ajo më as vetë nuk respekton parime mbi të cilat ishte themeluar. Kjo krizë e vlerave ka bërë që BE-ja edhe më pak të jetë e gatshme ta ketë prioritet zgjerimin e saj.

© KOHA Ditore 

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...