Tregtarët e dhimbjes njerëzore

30 Prill 2016 - 08:16 - Adriatik Kelmendi      

Është e poshtër dhe krejt jonjerëzore që të trajtohet me lehtësi e papërgjegjësi një ndër dhimbjet më të mëdha të pasluftës – fati i personave të pagjetur. Rrëfimet për “të burgosur të fshehur” vetëm sa relativizojnë fshehjen e krimeve që ka bërë Serbia, ose kriminelët e tjerë gjatë luftës, duke penguar gjurmimin e varrezave masive dhe dhënien e përgjegjësisë

MREKULLI, synonte të magjepste një titull. E jashtëzakonshme, e kishte përkufizuar dikush tjetër. I treti kishte vendosur të përdorte nocionin: emocionuese.

Bëhej fjalë për titullin e njëjtë, me këta mbiemra përshkrues: “Sejdi Thaçi nga Klina kthehet në Kosovë pas 17 vjetësh i zhdukur në Serbi”.

Në kronikën televizive, të përcjellë pastaj me tituj bombastikë nëpër portale informative, na shfaqej rrëfimi i një personi, i cili tregonte se si xhaxhai i tij ishte kthyer në shtëpi në janar pasi që ishte “zhdukur në Pejë pas rastit Panda”. Mirëpo, i njëjti nuk mundte të vërtetonte asgjë: “Gjendja e tij nuk është e mirë, as psikisht e as fizikisht, nuk ka njohur ku ka gjeneruar apo kush e ka mbajtur, veç i kujtohet kur është arrestuar. Nuk mund të lidhet në tema deri në fund. Por ka ardhur përmes veriut të Mitrovicës...”.

Vërtet, nëse do të qëndronte kjo, lajmi gjithsesi se do të cilësohej edhe si mrekulli, edhe si i jashtëzakonshëm e edhe si emocional.

Ka tash 15 vjet që asnjë person i pagjetur nuk është kthyer nga Serbia në Kosovë, që pas amnistimit të të burgosurve shqiptarë atje. Dhe ka mijëra e mijëra familjarë të cilët edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të kenë shpresë se një ditë një lajm i këtillë do të vijë.

Mirëpo, ky lajm ishte shumë i mirë për të qenë i vërtetë.

Një ditë më vonë, vetë Sejdi Thaçi deklaron se në asnjë moment nuk ka qenë në burg, por ka shkuar në Serbi më 6 janar 1999 për t'i rregulluar dokumentet e pensionit dhe se ka jetuar si shitës cigaresh.

Sidoqoftë, dëmi tashmë është bërë. Tregtarët e dhimbjes njerëzore i kanë siguruar vetes vazhdimin e punës.

“KA NJË BABA i cili thuajse çdo javë shkon deri në Merdar, ku i jep një serbi para, këmisha e pantallona, çorape e ushqime me idenë se djali i tij po mbahet në një burg të fshehur. Ai nuk pranon asnjëherë as të na tregojë se kush është personi, të cilit po ia jep këto, duke u frikësuar se mund t’i ndodhë diçka të birit në Serbi!”.

Këto po m’i thoshte në “Rubikon” vetëm para disa ditësh Bajram Qerkini. Ai vetë nuk di për fatin e të birit dhe ka udhëtuar edhe në Serbi për t’u interesuar për familjarin e tij dhe të bashkëfatësve të tij në pikëllim.

Rrëfime që flasin për matrapazë, të cilët për shuma të caktuara parash mbajnë gjallë shpresat e kategorisë më të përvuajtur në Kosovën e pasluftës – familjarët e të pagjeturve. Ka familjarë që deri më tash i kanë shpenzuar të gjitha paratë, si dhe kanë shitur prona, duke u manipuluar nga matrapazë të ndryshëm me besimin se të dashurit e tyre janë të gjallë.

Për më tepër, familjarët, që në këtë mes janë viktima të dyfishta, janë aq të dëshpëruar, saqë nuk lëshojnë rastin që të shkojnë pas çfarëdo lloj informacioni që dikush mund t’ua servojë. Njësoj, këto kontakte ata kujdesen që t’i mbajnë krejtësisht të fshehura nga organet e rendit, në këtë mënyrë edhe janë pre e lehtë për kriminelët.

Shumë nga ata, me të dëgjuar për lajmin e rremë mbi Sejdi Thaçin, ia kishin mësyrë derës së tij me shpresën se do t’u kumtonte ndonjë informacion për ata që mungojnë.

Edhe kësaj radhe ishin zhgënjyer.

NË KËTË FRYMË s’ka se si të arsyetohet mendjelehtësia.

Është e poshtër dhe krejt jonjerëzore që të trajtohet me lehtësi e papërgjegjësi një ndër dhimbjet më të mëdha të pasluftës – fati i personave të pagjetur.

Që në fillim ka qenë e qartë se “lajmi” për kthimin e një “të pagjeturi” nga Serbia pas 17 vjetësh në Kosovë, me aludimin se ai është arrestuar nga forcat serbe dhe është mbajtur diku i mbyllur ose burgosur, është vështirë i besueshëm.

Zyrtarisht, janë edhe 1.666 persona të listuar si të pagjetur. Prej tyre shumica janë shqiptarë, teksa rreth katërqind llogaritet të jenë serbë, romë e joshqiptarë të tjerë.

Ashtu siç ka familjarë shqiptarë që vazhdojnë të mbajnë shpresa se të dashurit e tyre mund të jenë të mbajtur peng të gjallë diku në Serbi, ashtu ka edhe nga serbët e romët që konsiderojnë se familjarët po u mbahen diku fshehur në Kosovë ose në Shqipëri.

Është vështirë e kapshme të besohet se mbi 1.000 persona mund të mbahen peng e të fshehur nga bota tash e 17 vjet, se në ndonjë rast këta nuk do të zbuloheshin.

Sidoqoftë, ky nuk është fenomen vetëm i Kosovës së pasluftës. Rrëfime të këtilla janë të kronikuara në pjesën më të madhe të shteteve postkonfliktuoze ose ish-tiranike, duke filluar nga Argjentina e deri në Koretë. Shpesh kalojnë 30, 40 e 50 vjet dhe familjarët vazhdojnë të besojnë se të dashurit e tyre mund të jenë fshehurazi gjallë, diku, në anën tjetër, dhe derisa të vdesin mbesin edhe vetë pengje të tregtarëve të dhimbjes.

Mirëpo, institucionet dhe pjesëtarët e tjerë të shoqërisë duhet të jenë ata që do të punojnë që ta zbulojnë fatin e personave që mungojnë, e jo të kontribuojnë në dhimbjen e familjarëve shpresëthyer.

Aq më shumë që rrëfimet për “të burgosur të fshehur” vetëm sa relativizojnë fshehjen e krimeve që ka bërë Serbia, ose kriminelët e tjerë gjatë luftës, duke penguar gjurmimin e varrezave masive dhe dhënien e përgjegjësisë.

Rasti i fundit nuk është i vetmi që tregon se sa me shkurtpamësi e mendjelehtësi i është qasur temës së personave që mungojnë.

Mendjelehtësia po na kushton. Me këto mend vështirë se jepet shpresë se shpejt do të bëhet diçka më tepër për fatin e tyre.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

adriatik@kohavision.net

Twitter: @adriatikk 

comments powered by Disqus
Adriatik  Kelmendi
Adriatik Kelmendi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...