Një këndvështrim antihistoricist

29 Prill 2016 - 08:19 - Halil Matoshi      

Iluminizmi që u skalit nga përpjekja e çlirimit nëpërmjet arsyes nga këmbëngulja dhe përfytyrimi, paragjykimet dhe ideologjitë dhe emancipimi si filozofi e çlirimit, trajtohen në dy librat më të mirë filozofikë nga autorë shqiptarë, “Aporitë e modernes” nga Astrit Salihu dhe “Metafizika e emancipimit” nga Blerim Latifi. Që të dytë i bëjnë një kritikë idesë se historia ka një drejtim linear progresiv dhe dialektik, sepse tashmë janë shpërbërë instancat (Zoti, klasa...) që vendosin këtë progresivitet?

Së fundmi në Fakultetin Filozofik u promovua libri i Blerim Latifit “Metafizika e emancipimit - Ideja e emancipimit të njeriut në historinë e mendimit perëndimor”, për të cilin nga kritikët (Astrit Salihu, Ardian Gola) u tha se është ndër librat më të mirë të shkruar shqip në fushë të filozofisë.

Vite më parë, kur ishte bërë trend “Fundi i historisë” (Francis Fukujama), Astrit Salihu në librin “Aporitë e modernes” u pati bërë një kritikë iluminizmit dhe idesë së një drejtimi linear - progresiv dhe dialektik (Hegelian) të historisë.

Latifi e cilësoi emancipimin “tregim të vogël” dhe jo “metanarrativë”, kurse duke e kontekstualizuar idenë e emancipimit të njeriut në historinë e mendimit perëndimor, ai zuri në gojë rikthimin e së drejtës natyrore (në mendësinë perëndimore) për ta parandaluar vrasjen e një kombi (kosovarëve) përmes bombardimit shtatëjavësh të një shteti sovran që quhej RFJ (Serbia) përkundër të drejtës së shteteve sovrane (Parimi Westphalian.)

Studiuesi i filozofisë kishte arritur që në studimin e përmendur më lart të jepte një interpretim koherent të teleologjisë filozofike, që nga cogito karteziane deri te shumësia e negociueshme e të gjitha vlerave universale dhe ka mëtuar që të japë një përgjigje: Rrëfimet e mëdha kanë humbur legjitimitetin, prandaj të filozofuarit sot më tepër është një shumësi botëkuptimore për botën e jo filozofi koncensuale për vlerat universale, në mungesë të një instance supreme që do ta interpretonte të vërtetën si të pakontestueshme dhe do t’u jepte legjitimitet atyre vlerave universale. Dhe, autori na thotë me bindje se “shtigjet është dashtë të kalohen” (aporitë e modernes) që të jemi sot më afër artit dhe estetikës dhe më larg frymës absolute teologjike dhe më afër shmangies së mendjes së instrumentalizuar iluministe (nazizmit dhe komunizmit), si dhe më larg drejtimit linear historik dhe dialektik dhe më afër (përmes demokracisë liberale) arritshmërisë së lirisë dhe mendimit të së ardhmes që po vjen.

Salihu pati bërë një vështrim të historisë së filozofisë që nga cogito ergo sum karteziane, përmes Kantit për mendjen kritike e deri në ditë të sotme, duke e kontestuar rrëfimin e madh të mendjes përmes “Dialektikës së iluminizmit” të Adorno/Horkheimer dhe shkoqitjes së “mendjes së instrumentalizuar” të Horkheimer’it.

Mendja e instrumentalizuar sipas Horkheimerit ngjiti në pushtet nazizmin dhe legalizoi kampet e përqendrimit (të cilat i kam njohur dhe prekur vetë), kjo është ajo “hapësira për jetë të zhveshur” e Agambenit, që rezervohet për ata që nuk mendojnë sikur na!
Në këtë hapësirë për jetë të zhveshur jemi të gjithë dhe këtë e ndiejmë edhe sot, jemi të mishëruar me të. Sepse, burgu/kampi/ekzili/deportimi/zona internacionale e aeroporteve moderne… është fatum i secilit njeri që mendon, udhëton, vëren dhe lyp më shumë liri.
Të menduarit e hapësirave për jetë të zhveshur është e mishëruar me të keqen universale.

Kështu ka ndodhur pas rënies së çdo instance supreme të së vërtetës së pakontestueshme, që e ka legjitimuar veten të jetë interpretja e vetme e saj.
Si fashizmi edhe komunizmi.
Dhe së fundi në vitet ’90 neofashizmi serb i epokës së Slobodan Milosheviqit.
Sidoqoftë, as Salihu sikur Feaucolt nuk i beson legjitimitetit të instancës së të vërtetës supreme që e përfaqëson filozofia karteziane, dhe pas saj hegelizmi dhe iluminizmi.
Salihu sikur përligj intencën e Giani Vattimos që preferon “rikthimin” tek shkrimi, arti dhe përjetimi estetik i botës dhe mendjes së decentruar!

Në postmoderne, kush e di dhe kush e ka supremacinë “legjitime” ta thotë të vërtetën supreme, të vërtetën e pakontestueshme dhe cila është ajo instancë?
Cila është ajo forcë inteligjibile, as këtë askush s’e di.
Nëse qytetari përjashtohet nga pjesëmarrja në krijimin e së vërtetës, sepse ka kush mendon për të, kjo e vërteton tezën e Sartor’it katërcipërisht, se ata (qytetarët) do të shndërrohen në një masë amorfe, të nënshtrueshme, ndërkaq që legjitimohet instanca supreme e së vërtetës.

Ndërsa duke iu qasur historisë dhe fundit të pretenduar të saj nga Fukuyama edhe Salihu, edhe Latifi pajtohen se historia nuk ka një drejtim linear progresiv dhe dialektik, sepse tashmë janë shpërbërë instancat (Zoti, klasa...) që vendosin këtë progresivitet?
Fukuyama si një Hegelian pretendonte se pas vdekjes së Zotit nietzschean vendin po e zinte
njeriu i fundit apo një formë e re e njeriut!?
Dhe Latifi me konsekuencë e ndjek rrugën e kolegut të tij, duke i dhënë shpirt debatit nëse ideja e emancipimit në perëndimsynon fundin e historisë (dhe posthistorinë) apo ajo është vetëm mësymje e realizimit të çlirimit të njeriut.

Mirëpo Salihu dhe Latifi e kritikojnë qasjen historiciste, pasi që historia moderne ka dhënë shumë shembuj të riciklimit të së keqes në histori, edhe në modernitet e postmodernitet.
Në anën tjetër një koleg bëri vërejtje se si është e mundur që një filozof, si autori i këtij libri të pranojë kushtet e moçalit (aluzioni është për Universitetin publik të Prishtinës) dhe të jetë aq afër politikanëve dhe politikës së ditës...

Salihu ndërsa po thoshte se ky autor, dega e filozofisë dhe posaçërisht ky libër si produkt i një profesori të këtij universiteti e demantojnë pandehmën e krijuar në “Facebook” se UP-ja është një moçalishte e dijes...

E sa i përket politikës që nga Paltoni e Aristoteli e deri në ditët e sotme filozofët janë shumë të interesuar për politikën, për humanizimin e saj...
Hugh Gusterson, shkruan në “Foreign Policy” se Robert Gates, sekretar amerikan i Mbrojtjes, ka ideuar projektin “Minerva” që fton profesorët (ekspertizën akademike) në ushtri, për të kontribuar nga historia, sociologjia, biologjia evolucionare dhe, më së shumti, nga disiplina e antropologjisë. (Hugh Gusterson: “When Professors Go to War”, - Kur profesorët shkojnë në luftë; Foreign Policy, 23 Jul 2008.)

Në fund ai ngul këmbë që kjo ide të vendoset në sferën civile,në të kundërtën rrezikon të përziejë dhe unifikojë sferën civile me atë ushtarake.
Gazeta “Washington Post” e cilësoi këtë projekt sikur një spiun të futet në mendjen tuaj. Nëse e kontekstualizojmë këtë projekt të “injektimit të spiunëve” në trurin e intelektualëve me mendjen instrumentale, kjo do të thotë se përmes ndërlidhjes së mendjes subjektive me “vlerën operative” të shkencave pozitive dhe propagandës, mund të lëvizen njerëzit e tjerë për të projektuar struktura mendore johumane. (Shih për këtë edhe Salihu, Astrit; “Aporitë e modernes”; Fq. 122.

“Arsyeja është e thjeshtë, mendja subjektive është lidhur krejtësisht me ‘vlerën operative’ të shkencave pozitive. Nocionet desubstancializohen dhe shndërrohen krejtësisht në mjete për organizmin e materialit të thjeshtë të njohjes, ndërkaq gjuha instrumentalizohet krejtësisht në një ‘recept’ për procedurë, si mjet për të lëvizur njerëzit e tjerë, si udhëzuese, mbështetje e kujtimit ose propagandë”.)

Kjo është ajo që Douglas Kellner e quan “irracionalja e prodhuar nga mendja”, në trajtën e mendjes instrumentale, e cila ka prodhuar makinën militare dhe kampet e vdekjes. (Kellner, Douglas: www.gseis.ucla.edu/faculty/kellner/essays)
Pse Latifi nuk beson në trajektoren lineare të progresit të historisë?

Sepse, sipas tij, historia ka ditur që të bëjë kthesa të habitshme dhe emancipimi e përndritja po ashtu kanë ditur të jenë në shërbim të së keqes duke u shndërruar në “mendje kriminale”.
Kantiani Habermas e pranon se vetë intervenimet humanitare dhe ato ushtarake të autorizuara nga Këshilli i Sigurimit ose të paktën (si në rastin e intervenimit të NATO-s në Kosovë) të legjitimuara më pas nuk flasin për një forcim të dukshëm të OKB-së.

Përkundrazi, OKB-ja po zhbëhet, e së bashku me të edhe e drejta klasike ndërkombëtare. Kështu që nëse e kemi parasysh se përparimi drejt konstitucionalizmit të së drejtës ndërkombëtare paraqitet si realizim i suksesshëm i së drejtës imperialiste (hegjemonia qëllimmirë) Kosova nuk do ta ketë problem anëtarësimin në OKB. Habermas është më afër oponencës së Naom Chomskyt rreth unilateralizmit amerikan (edhe në rastin e njohjes së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran) duke u përafruar me tezën e tij për “humanizmin ushtarak” amerikan, term i cili duket sarkastik dhe therës.

Neoliberalët, ndërkaq, (por në rastin e Kosovës edhe neokonservatorët si Rumsfield etj.) mendojnë se e drejta ndërkombëtare klasike është një lloj Kushtetute “botërore” (siç e cilëson Jurgen Habermas’i) dhe së këndejmi ajo edhe mund të amendamentohet, pra edhe të ndërrohet.
Unilateralizmi amerikan ose do ta reformojë OKB-në dhe të drejtën klasike ndërkombëtare, në bazë të vullnetit dhe parimeve etike të hegjemonisë mirëdashëse (vullnetmirë), ose do ta dërrmojë fare konstitucionalizmin e së drejtës ndërkombëtare sipas projektit kantian, të tillë çfarë është, duke e zëvendësuar atë me “Leviatanin” hobbes’ian!?

Habermas’i është ndër përqafuesit pa rezervë të projektit kantian dhe ndër fanatikët e fundit në Perëndim që beson tek fuqia e OKB-së dhe multilateralizmit (pra ithtar besnik i projektit kantian) që akuzon administratën e George W. Bush-it për “kthim prapa” të amerikanëve në të drejtën ndërkombëtare.

Idealin kantian, të modifikuar si “shtetësia kosmopolite”, filozofi më i madh gjerman i gjallë, Jurgen Habermas ia përballë “grossraumit” schmittian dhe “leviatanit” modern hobbesian të identifikuar në SHBA, porse kjo ide kritikohet nga teorikët modernë si utopi. Sepse ideja bazë e politikës mbetet kriteri mik-armik dhe për këtë është e vetëdijshme Amerika. Shumëkush do të thotë, po kjo nuk është e drejtë, jo vetëm kritikët e mëdhenj të shtetit, si Poper në shekullin e kaluar dhe Çomsky aktualisht. Porse në këtë aspekt duhet arsyetuar amerikanët (gjë që e bën Blerim Shala në tërë studimin e tij) që besojnë në luftën e së mirës dhe së keqes, dhe nëse kthehemi në nismë të këtij vështrimi, do të konkludojmë se SHBA-ja ka vlerësuar drejt se botës i duhet një “leviatan” modern hobbesian, për të mos u kthyer në logjikën e gjendjes natyrore dhe këtë e kanë arritur duke ecur. Sepse duke ecur janë bërë udhët, pa pyetur se “a është kjo e drejtë?” sipas asaj që thoshte Buchanan: “Çka është e drejtë e çka e zbatueshme, janë dy gjëra të pangjashme” (James Buchanan, presidenti i 15-të i SHBA-së.)

Radovan Karadzic ishte një malazez, i pari fshatar i anës së tij i shkolluar.
Psikiatër me profesion. Pra, i pajisur me dije humane. Dhe në Srebrenicë ia ngriti përmendoren e turpit iluzionit evropian iluminist. Fabrikën e zëvendëson kampi.
Racionalizmi dhe teknologjia e lartë e zëvendësuan Zotin. Profesori ushtarin.

Politikën e zëvendësoi biopolitika. Jetën e civisit e zëvendësoi jeta e zhveshur (nga çfarëdo e drejte). Srebrenica, përmes Dubravës dhe Lipjanit (Kosovë), “Zabela” (Požarevac, Serbi) deri në Guantanamo janë nomosi i ri i planetit. Ndjenja e fajit për “vrasjen e Zotit” ka krijuar kulturën e frikës, nga e cila Perëndimi vështir të lirohet, që Srebrenica të mos harrohet – për të mos u përsëritur. Primo Levi, autori i “A është, vallë, njeri...?” nuk e përjashtonte mundësinë dhe mendësinë e përsëritjes së Holokaustit edhe pas Gjermanisë naziste, në një intervistë dhënë gazetarit Daniel Deaff më 1982, gjatë një vizite në Aushvitz. “Është e vështirë që në pak dekada, në 50 apo 100 vjet të lindë një tjetër nazizëm në Gjermani apo një tjetër fashizëm në Itali... Unë mendoj se ka vende ku ekziston dëshira, por jo synimi. Mendimi nuk ka vdekur. Asgjë nuk vdes. Gjithçka ngrihet e rilindur”. (Levi, Primo: "A është, vallë njeri", botoi "Pegi", Tiranë 2002. Fq. 90.)

Karadzic e ka krijuar “veprën” më të madhe të inspiruar nga iluzioni iluminist evropian, në orbitën e të cilit sillet sot edhe strategjia luftarake në Perëndim, kur profesorët veshin uniformat e ushtrisë dhe shkojnë në frontet e luftës. Srebrenica ka ndodhur në emër të së vërtetës historike, racës, kombit apo qytetërimit kristian të iluminuar, ajo nuk është prodhim i verbër i Karadzicit, por i mendjes së instrumentalizuar.

Adorno dhe Horkheimer shkruajnë se miti është iluminizëm (Horkheimer&Adorno). Po aty. Iluminizmi është dalja e njeriut nga varësia e vetëfajësuar nga religjioni dhe iluminizmi kthehet në mitologji, për shkak se iluminizmi bën që mendimi të bëhet çështje e sistemeve të zhvilluara, por të mbyllura brenda ligjeve që funksionojnë po sikurse miti. Kështu që, sipas këtyre dy autorëve, krishterimi, idealizmi dhe materializmi të cilët në vete përmbajnë të vërtetën, janë përgjegjës edhe për aktet barbare të kryera në emër të tyre.

“Fatkeqësisht, mbrojtja ndaj së keqes është e sigurt atëherë kur njeriu presupozohet të jetë krejtësisht i papërmirësueshëm. Kjo është një dilemë të cilën liberalët internacionalistë që i nënshtrohen idesë së Progresit nuk e kanë zgjidhur kurrë me sukses. Një politikë që e bën pjesë të veten këtë perceptim të zymtë të natyrës njerëzore është ‘balanca e pushteteve’ – ose, më saktësisht, balanca – midis frikës – dhe- frikësimit. Duke qenë se kjo ide nuk është as e re, as interesante dhe as frymëzuese, ajo hidhet poshtë shpesh kur debati fokusohet në hartimin e projekteve të mëdha, si parandalimi i vrasjeve në masë. Por balanca e pushteteve është diçka sine qua non, pa të cilën parandalimi i gjenocidit është i pamundur”.(Kaplan, D. Robert. Po aty, fq. 126.)

Horkheimer dhe Adorno, (sipas Jürgen Habermas’it) pohojnë se “nënshtrimi i njerëzve të sotëm nuk mund të ndahet nga përparimi shoqëror. Zhvillimi i produktivitetit ekonomik që në njërën anë krijon kushtet për një botë më të drejtë, u jep mundësi, në anën tjetër, grupeve dhe aparatit teknik që disponojnë me të, pra u jep mbifuqi të pamatshme ndaj popullatës tjetër”.
(Habermas, J: “Filozofski diskurs moderne”. Fq. 107. Cituar sipas Salihu, Astrit; Po aty, fq. 114.)

Ky bashkëdyzimi i dijes me fuqinë, në iluminizëm, dhe shpallja e dijes dhe e fuqisë për “sinonime” siç shprehen Horkheimer & Adorno e ka mundësuar një depërtim të dhunshëm të ratios, një spirale dhune në të cilën së fundmi e përfshin edhe njeriun, ose subjektin. Përfshirja e subjektit (jo vetëm njeriut nga ana tjetër/kombi tjetër por i të gjithëve, në shtetin që nuk ruan jetën njerëzore por idealet e manipuluara të madhështisë së sovranit, kryetarit, mbretit...) çon pashmangshëm në biopolitikë dhe në atë barazimin e viktimës dhe xhelatit në përmasat e jonjeriut.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...