Bajraktarizmi kronik

26 Prill 2016 - 07:55 - Flaka Surroi      

Formimi i koalicionit parazgjedhor AAK-Nisma e shkapi krahun e luftës nga VV-ja dominuese, jo vetëm me ide por edhe me veprime. E gjitha u reduktua te problemi i bajraktarizmit, ku me rëndësi është se kush do të jetë i pari në listë dhe me çfarë çmimi është i gatshëm të mbërrijë në pushtet. Apo më mirë thënë, një copëz pushteti

Dy lajme të jashtëzakonshme gjatë javës e zbukuruan panoramën tonë gri: Majlinda Kelmendi sërish u shpall kampione e Evropës në xhudo, kurse Jetmir Idrizi, fotografi i ri kosovar, fitoi në kategorinë e fushatës profesionale në garën Sony World Photography Awards. Dy të rinj, për të cilët shkruam jo vetëm ne, adhuruesit e punës së tyre, porse të gjitha mediat botërore. Duke na ofruar kështu satisfaksionin e rrallë që të shohim se për Kosovën dhe kosovarët mund të flitet edhe mirë.

Atë që e arriti Majlinda kësaj radhe qe edhe një fitore politike: fillimisht duke e bartur në shpinë akronimin e Kosovës, e më pas duke e mundur me ippon kundërshtaren e saj, u ngjit më së larti në podium. U kthye nga flamuri shtetëror i Kosovës, nën përcjelljen e himnit pa fjalë, por edhe me nderimin ushtarak të gardës së shtetit rus që refuzon të na njohë. Do të jetë kjo fotografi e cila do të hyjë në analet e sportit kosovar dhe ngjarje për të cilën do të flitet edhe në shumë dekadat që do të vijojnë.

Në hijen e Majlindës mbeti Nora Gjakova, e cila u stolis me medaljen e bronztë – por e cila ia doli t’i mbledhë pikat e nevojshme për t’u kualifikuar në Olimpiadë. Pra, edhe një gëzim, për shkak se pjesëmarrja e këtyre vajzave në ngjarjen më të madhe sportive në botë do të ndodhë për shkak të meritave vetjake. Por, edhe për meritë të trajnerit të tyre Toni Kuka, njeriut që Kosova duhet ta nderojë për afirmimin e jashtëzakonshëm që i ka bërë shtetit tonë në botë.

Natyrisht se kulminacioni i suksesit të tyre do të ishte medalja olimpike. Por edhe nëse kjo nuk ndodh, për Kosovën e vogël pjesëmarrja e tyre atje do të jetë fitore e madhe. Një shembull se si me punë e dinjitet dhe pa shkurtica e mashtrime, mund të arrihet një diçka e madhe. E pastër si loti!

Blamazha

Por lotët rrallëherë janë të gëzimit sikur te Majlinda. Për shumicën e kosovarëve, lotët janë të dhimbjes dhe dëshpërimit për gjendjen në të cilën janë. Janë të dëshpërimit për shkak të ndjenjës së defetizmit. Thuajse jemi pajtuar me fatin se asnjë gjë nuk mund të ndryshojmë, për shkak se nuk ka as kush të na udhëheqë; për shkak se nuk jemi në gjendje t’i artikulojmë protestat tona aq zëshëm sa për t’i lëkundur nga komoditeti i vet ata që janë kurulldisur nëpër poste politike.

Një pjesë të madhe të fajit për këtë gjendje e kanë vetë qytetarët. Të kufizuarit për të kritikuar nëpër kafe dhe llafe ndërmjet shokësh, por pa as përpjekjen minimale për ta dëshmuar pakënaqësinë me ndonjë veprim ku do t’u dëgjohej zëri -- kjo është e tëra që kanë dëshmuar në disa vjetët e fundit. Mbase për shkak se mbështeten në idenë se në një shtet, që bile nga pamja e jashtme duket demokratik, veprimet kundërshtuese duhet t’i udhëheqë në rend të parë sindikata e më pas edhe opozita. E këto të dyja, thuaja se nuk janë.

Për sindikatën apo sindikatat nuk kemi çka të themi. Vetë fakti se as sivjet nuk do të marshojnë në shenjë proteste për 1 Majin, mjafton për të treguar se janë instrument i këtij pushteti. Ankesat e kohëpaskohshme nëpër televizione dhe dalja sa për sy e faqe nëpër rrugë – vetëm sa e dëshmojnë pafuqinë e trupit që supozohet se duhet t’ua mbrojë të drejtat punëtorëve. Në Kosovë mund të jenë pak të punësuar, por megjithatë edhe këta vuajnë nga shkujdesja dhe nga eksploatimi që nuk sanksionohet. Dhe arsyeja është e thjeshtë: ka aq shumë të papunë, sa zëvendësimet gjenden sa ora.

Për opozitën kemi shumë çka të themi, dhe jo domosdo fjalë të mira. Kthimi i diskursit akuzues ndërmjet partive që deri dje përpiqeshin të paraqiteshin si bllok opozitar, vetëm sa e dëshmoi se e gjithë përpjekja e gjashtë muajve të fundit ka qenë e panatyrshme dhe në fund, e paefektshme. E paefektshme në kuptimin e animimit të popullsisë për të kërkuar të drejtat që shkelen me këmbë e me duar në të gjitha sferat e jetës në Kosovë.
Formimi i koalicionit parazgjedhor AAK-Nisma e shkapi krahun e luftës nga VV-ja dominuese, jo vetëm me ide por edhe me veprime, sado që u kritikuan nga shumëkush këtu brenda e gati absolutisht nga krejt që vinin nga jashtë. E gjitha u reduktua te problemi i bajraktarizmit që e pasqyron më së miri natyrën e funksionimit të partive politike në Kosovë. Se nuk është me rëndësi çfarë programi ke si parti. Me rëndësi është se kush do të jetë i pari në listë dhe me çfarë çmimi është i gatshëm të mbërrijë në pushtet. Apo më mirë thënë, një copëz pushteti.

Gjarpri kafshon sërish

Copëtimi i sërishëm i opozitës natyrisht se është fitore e madhe e Thaçit, ani që formalisht nuk është në krye të partisë së tij që nga shkurti. Ama mënyra se si ia ka dalë që në mënyrë konstante t’i mbajë nën kontroll shefat e AN-së, tregon për naivitetin e këtyre dhe fuqinë kërcënuese të tij. Derisa Haradinaj ishte për së dyti në Hagë, e joshi nënkryetarin e tij të parë që të shndërrohej në koordinator të negociatave, pa e pasur të qartë se çfarë në të vërtetë po koordinonte. Më pas Haradinajt ia shtroi atë të famshmin tepih të kuq dhe e bindi që ta votonte Marrëveshjen e prillit, duke ia premtuar Kryeministrinë. Apo së paku duke ia krijuar bindjen se kjo do të ndodhte.

Limajn, nga ana tjetër, e mban në dorë për shkak të informatave që mund t’i ketë për të dhe për punën e këtij të pari derisa ka qenë ministër i Transportit. Në të njëjtën mënyrë se si i janë ngritur aktakuzat, në të njëjtën mënyrë ato mund të bien – po qe se ky është çmimi që duhet paguar për të ndenjur i heshtur dhe për ta kontrolluar elektoratin e vet, që gjithsesi prej tash është bërë pjesë e hesapit që do ta sjellë kontrollin në Kuvend.

Protesta që do ta organizojnë në maj do ta tregojë fuqinë e tyre të vërtetë. Do të mund t’iu dalin në ndihmë edhe simpatizantët e PDK-së për t’ua bërë numrat, porse do të jetë vështirë e besueshme se kësaj proteste do t’i bashkohet VV-ja. E nëse edhe u bashkohet, porosinë që do ta përçojnë do të jetë ajo e një disonance totale, ku do të dilet për të protestuar, por, nuk do të kuptohet qëllimi i protestës. Apo është se do të protestojnë AN kundër VV-së dhe anasjelltas.

Por esenca e kësaj lëvizjeje ndarëse nga “krahu më i vogël i luftës” duket të jenë kalkulimet me numra: po të kishte zgjedhje të hershme, ajo e cila do të humbte më së shumti do të ishte LDK-ja. Nuk është larg mendsh që një pjesë të konsiderueshme të votave të tyre t’i shkonin VV-së. Po qe se do të supozohej se AAK-ja dhe Nisma do t’i siguronin përafërsisht votat e njëjta sikurse herën e shkuar, atëherë mbajtja e pushtetit nga PDK-ja do të realizohej nëpërmjet koalicionit me AN-në dhe, natyrisht, pakicat. LDK-ja, që tashmë ka shërbyer mirë për ta realizuar ëndrrën e Thaçit për t’u bërë kryetar, tepron në këtë kombinim. Dhe duke ditur se LDK-ja e prishi VLAN-in, kjo do të ishte goditja hakmarrëse e AN-it që do ta linte në opozitë. Madje si subjekt të cunguar.

Gjë që parandihej

Ndërkohë do të paraqitej shansi për Haradinajn që sërish ta negocionte postin e kryeministrit për vete – një aspiratë që kurrë nuk e ka fshehur, pavarësisht se tash mund të deklarojë diçka tjetër. Limaj, nga ana tjetër, do të luftonte për t’u kthyer i pastër në jetën politike të Kosovës, duke kërkuar që t’i hiqen të gjitha akuzat që e ngarkojnë, ngase ato ngarkesa kanë rrjedhur më parë nga politika që i ka ditur hesapet sesa prej hetuesisë.

E se ky veprim do të mund të jetë planifikuar më herët, e tregon fakti se me çfarë lehtësie kaloi aktgjykimi i Kushtetueses në lidhje me zgjedhjen e Thaçit. Edhe pse rasti u dorëzua në Kushtetuese nga përfaqësuesit e të tri partive, me gjasë hartuesi i parashtresës së dobët juridike duket të ketë dalë nga VV-ja. Po ta kishin pasur seriozisht përpjekjen për ta rrëzuar Thaçin me argumentin “Pacolli”, do t’u kishte mjaftuar t’i gjenin dy juristë të mirë, e të mos rrezikonin që kërkesa t’u refuzohej si e papranueshme.

Askush nuk tha asgjë tjetër që s’e kishim dëgjuar më parë (se Kushtetuesja kontrollohet nga PDK-ja), porse ajo u shqiptua me zë aq të butë, saqë askujt nuk i la asnjë përshtypje. Rasti u mbyll, Thaçi e organizoi cirkun e inaugurimit, dhe opozita u shpartallua.

* * *

Kosova nuk ka Kuvend, ose e ka, por ky thuajse funksionon vetëm formalisht. Ka Qeveri, e cila sheh ëndrra me sy të çelur, që nuk është në gjendje të dinamizohet e riformatohet për më shumë se dy muaj. Ka një gjyqësor të keq dhe të paefektshëm me rezultate minimale në luftë kundër korrupsionit. Ka polici që ua ndalon gazetarëve përcjelljen e ngjarjeve institucionale dhe ka krizë të thellë ekonomike, me varfëri të skajshme. Ka rënë në amulli, prej së cilës do ta lëkundë përkohësisht diaspora. Por, në të cilën do të bjerë sërish. Për faj të bajraktarizmit anakronik, dhe për më keq, kronik.

flaka@koha.net 

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...