Loja e froneve – versioni kosovar

25 Prill 2016 - 08:17 - Lumir Abdixhiku      

Politika kosovare është një imitim i dobët i “Game of Thrones”, ku secili bëhet me secilin, kundër gjithsecilit. Për dallim nga “GoT”, megjithatë, në Kosovë karakteret nuk ndryshojnë. Mbesin të njëjta nëpër secilin sezon

-1-

Sa më evidente, aq edhe më patetike po bëhet ndryshim-qëndrimi i partive opozitare – deri dje të bashkuara, tani të ndara – fillimisht ndaj njëri-tjetrit e më pas ndaj të njëjtëve që i trajtuan si tradhtarë, kriminelë e të rrezikshëm për vendin.

Politika kosovare ka kohë që ka humbur kurrizin e saj, e në këtë humbje nuk bën përjashtim as edhe një parti e vetme në vend; pozitë e opozitë pa dallim. Trajektorja e re e gjuhës ofenduese ndaj të njëjtëve që deri dje i mbanin në krah, në protesta, sheshe e tubime, përbën një përlyerje të re të besueshmërisë politike në vend. Të gjithë janë fluidë, të paparashikueshëm e të transformueshëm – pa fije marreje madje.

Dhe të mos harrojmë, përderisa të njëjtët ishin bashkë në atë marshin opozitar prej aktrimi (siç dhe del të jetë tanimë), nuk lanë mendim të pavarur pa sharë e ofenduar; pa etiketuar si shërbëtorë të pushtetit e dreqit. Ishin në gjendje të ndërtonin aleanca me secilin përgjegjës për rrënim, vjedhje e zaptim – dhe së bashku me ta të përlyenin secilin tjetër që kishte ruajtur me plot zor atë vijimësi mendimesh nëpër kohë. Çfarë kanë për të thënë brigadat revolucionare tashti që fjalët e mendimet e të njëjtëve “shërbëtorë” dolën si profeci të vërteta – siç do ta priste secili me minimalisht dy palë mend? Ku kanë për t’i fshehur fotot e përbashkëta gaz me gaz me ta?

-2-

Sinqerisht është e parëndësishme çfarë kanë për të thënë e bërë ata. Të njëjtët që deri dje shkaktarët e korrupsionit më të madh në vend i promovuan nëpër sheshe plot, nuk kanë hiç rëndësi çfarë kanë për të thënë sot. U panë. Gatishmëria e tyre për të shkuar në shtrat me të ligun (dje disa, nesër të tjerët) është vetëshpjeguese për qëllime të njëmendta që kanë.

E rëndësishme është çfarë kanë për të kuptuar qytetarët e Kosovës nga një transformim i tillë. Dhe e para gjë që duhet kuptuar, është se kjo opozitë, tani e ndarë e deri dje e bashkuar, i ka humbur këtij vendi jo gjashtë muaj, jo një vit, por një mandat të tërë qeverisjeje të mirë. Për shkak të veprimeve të tyre, koalicionet e ardhme do të jenë pak a shumë me kurriz të njëjtë – me një PDK të fuqishme, dhe një a dy paterica të tjera në krah. Promovimet e tjera se është ndryshuar diçka janë prodhime koti. Pra, pa ndryshim të kësaj opozite nuk do të ketë ndryshim të pushtetit. Është mandator transformimi opozitarë në vend.

E dyta, transformimi i ndryshimeve nuk duhet të kalojë pa sanksion. Ky transformim, ndonëse mund të shtrohet, nuk duhet të pranohet si i mirëqenë. Për këtë duhet të ketë natyrisht përgjegjësi. Përgjegjësi fillimisht nga ata që morën plot gjashtë muaj kohë për të kuptuar të kuptueshmen; dhe përgjegjësi nga ata që pas gjashtë muajve kohë ndërruan mendim – thuajse nuk është bërë asgjë. Dhe nuk po flas për sanksion partiak; nuk jam aq naiv për të pritur reagimin partiak nga partitë që s’kanë kurriz – po flas për reagim e sanksion qytetar. Herë duke dënuar gjithsecilin deri në ndryshim të detyruar e rrënjësorë (alternativisht të mbesin në opozitë dhe për një dekadë tjetër), herë duke i mbështetur mendjet reformuese brenda tyre. E në secilin mes të këtyre partive ka megjithatë individë që do të vepronin drejt e mbi parime.

E treta, Kosova nuk ka kohë për të humbur e provuar ide që në thelb janë të njëjta me njëra-tjetrën, e në ekstremet e realizueshmërisë së tyre njëtrajtësisht të dëmshme për vendin. Kosova, ç’është e vërteta, nuk ka kohë për të dëgjuar sërish njerëzit e njëjtë me plane të njëjta e programe të njëjta. Në fund të ditës, alternativat e tilla duhet refuzuar gjithnjë – siç janë refuzuar në secilën zgjedhje pavarësisht se janë sjellë e risjellë plot herë. E kam thënë dhe më parë, ne nuk kemi pse të zgjedhim nga dy të liga njërën më pak të ligë; nga dy të gabueshme, njërën më pak të gabueshme. Shtatëmbëdhjetë vjet pas luftës e tetë pas pavarësisë Kosova duhet të bëjë veç zgjedhje të mira. Nuk ka luks tjetër.

Fuqizimi i të njëjtëve do të na sjellë gjithnjë në rrethana të njëjta. E rrethanat e njëjta do t’i bëjnë këta të marrin veprime të njëjta – mishmash politikë. Në një paralele filmike, politika kosovare është një imitim i dobët i “Game of Thrones”, ku secili bëhet me secilin, kundër gjithsecilit. Për dallim nga “GoT”, megjithatë, në Kosovë karakteret nuk ndryshojnë. Mbesin të njëjtë nëpër secilin sezon.

abdixhiku@facebook.com

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...