Opozita që e çoi posht mundin!?

22 Prill 2016 - 08:21 - Halil Matoshi      

”Shkoi mbrapsht gjithçka, ashtu siç edhe nisi. Nga fundi i alfabetit. Opozitës “po i bien” udhës dhëmbët e Kadmosit (Hyjnisë së germave-shkrimit), përkatësisht germat! Ishte në fillim VLAN, me ikjen e LDK-së, për t’iu bërë patericë pushtetit të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, mbeti VAN, dhe tashti me “ikjen” e lëvizjes “Vetëvendosje” mbeti vetëm AN (Aleanca dhe Nisma.) Derisa AAK-ja dhe Nisma u përpoqën ta ndërronin Qeverinë, kurse VV-ja qeverisjen, u prishën ndër vete për postet ende pa u dukur zgjedhjet e parakohshme në horizont. VV-ja tashti e vetme kundër të gjithëve po “i vardiset” shoqërisë civile, të cilën deri dje nuk hezitonte ta cilësonte si “vegël qorre të pushtetit”!?

Dhe AN bënë një marrëveshje, pothuajse për të tilla letra po hiqnim të zitë e ullirit, e jo që po e vuanim zvetënimin dhe rrënimin politik, ekonomik dhe moral.

Qytetaria kosovare ka nevojë për ndërtimin e idesë së rezistencës civile të padhunshme, deri në ndryshimin e rrethanave depressive në vend, pra për ta demontuar strukturën që e ka kapur shtetin, ka nevojë për ide dhe jo për personazhe.

Përçarja e opozitës, duke mos u jetësuar ideja e lëvizjes “Vetëvendosje” për krijimin e një alternative për Kosovën, që do të ishte një lloj shprese për “kapërcimin e malit”, dëshmon se PDK-ja (me koalicionin) tashmë e ka finalizuar kapjen e shtetit dhe ajo vendos se kur dhe si duhet mbajtur zgjedhjet e parakohshme, të jashtëzakonshme ose të rregullta, se si duhet të duket shteti sipas modelit të tyre dhe si duhet të funksionojë LDK-ja, por jo edhe Lista Srpska, se si duhet të sillet opozita dhe me çka duhet të merret shoqëria civile!?

Pra, PDK-ja i ka vendosur edhe konturat se kur, si dhe çka duhet të mendojë secili individ (qytetar kosovar) dhe deri ku tolerohet liria e shprehjes, sepse PDK-ja e konsideron veten etalon (masë) të shprehjes së lirisë!

Thjesht, ky dominim i shoqërisë kosovare ka ndodhur për hir të monopolizimit të luftës për çlirim nga PDK-ja.
Dhe tashti, zgjedhje mund të ketë vetëm kur të dojë PDK-ja (dhe sateliti i saj në pushtet, LDK-ja) dhe deri diku (për çështje triviale) edhe partia e Vuçiqit në Kosovë, Lista Srpska, por kurrë nuk do të ketë prosperitet ekonomik e mirëqenie sociale, sundim të ligjit dhe mposhtje të korrupsionit...

Ashiqare, me këtë koniunkturë në pushtet – që është një pushtet ekstraktiv (përfitues), pra personal - nuk do të ketë ushtri të Kosovës dhe as njohje nga Serbia dhe marrja e karriges në OKB!?
E do të ketë shumë vuajtje të qytetarëve kosovarë. Shumë lot!
Pas shpërbërjes së opozitës së bashkuar, besohet se vendi shkon në zgjedhje të parakohshme sivjet në vjeshtë, ose më së largu në pranverën e 2017-s, jo pse opozita është aq e fortë për të diktuar temp, por pse PDK-ja, përkatësisht Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli do ta çojnë vendin në zgjedhje të parakohshme!?

Natyrisht, nëse ata vlerësojnë se kjo i shtrëngon edhe më shumë vidat e pushtetit që tashmë është shtënë në dorë (në fare pak palë duar!?)
Arsyet janë të shumta.

E para, PDK-ja synon të dalë partia e parë dhe Kadri Veseli të marrë postin e kryeministrit, e dyta, Thaçi synon të luajë lojën e unifikuesit duke hyrë në bisedime me opozitën, dhe së treti, PDK-ja duket se do t'iu bëjë ofertë AAK-së dhe Nismës që të shkojnë së bashku (si koalicion parazgjedhor) në zgjedhje.

Ndonëse në AAK dhe Nisma mendojnë se ideologjikisht janë më të afërta PDK-ja me VV-në se me “krahun e ashtuquajtur të luftës”, pra me këto dy subjekte, edhe pse Nisma deri vonë ishte pjesë e establishmentit të PDK-së, kurse AAK-ja pjesë e establishmentit të shtetit…
Po duket se vetëm LDK-ja nuk është e interesuar për zgjedhje!
Sepse nuk po bëzan.

Është strukur në një qoshe të ndërtesës qeveritare dhe po i sheh ditët që vijnë në ankthin e pritjes, që dikush të “laget” e dikush të mbetet i terur e “me duar në xhepa” kur “shpata” e Gjykatës Speciale të bjerë mbi PDK-në, pa e kalkuluar mirë faktin se partia e Isa Mustafës e ka lidhur ngushtë fatin e vet me Hashim Thaçin dhe me burrat e fortë rreth tij!???

Gjithqysh kjo qeveri është e pabesueshme që do të mund ta sosë mandatin e saj!
Në anën tjetër, me gjithë ngërçet e turret e VV-së, ajo mbetet ose së paku perceptohet nga qytetarët si opozitë e mirëfilltë, sepse VV-ja e bën diferencën, ajo është shquar për opozitarizëm jokonvencional dhe se nuk do të jetë pjesë e “kapjes së shtetit”, por fare lehtë mund të bëhet pjesë e dështimit të tij!???
VV-ja do të shkojë në zgjedhje (kurdo që ato ndodhin) e vetme, natyrisht e mbështetur nga nisma eventuale qytetare dhe individë të shoqërisë civile, porse ajo rrezikon që të dalë e katërta, sepse vendin e “King Makerit” mund t’ia rrezikojë “boshti”.

Koha ka për të dëshmuar nëse VV-ja është ngutur duke dalë me ide të një alternative unike kundër kësaj qeverisjeje, sepse me këtë ide i ka trembur partnerët e vet të deridjeshëm, të cilët janë ndier të nënshtruar diktatit, pra mundësisë për dominim nga VV-ja. Mirëpo çartja e bllokut opozitar sefte do t’ia zgjasë jetën pushtetit, dhe tjetra, ky model opozitarizmi e ka devalvuar të bërit opozitë në Kosovë deri në përmasat e zmbrapsjes së turmave, ngase tepër gjatë janë marrë me dy kauza etnonacionaliste (që akceptohen nga aleatët e Kosovës si tendenca kundër serbëve dhe malazezve) në vend se të ishin pro Gjykatës Speciale dhe kundër krimit të organizuar e korrupsionit, që janë shndërruar në gangrenë për shtetin.

Së këndejmi, në dritën e zhvillimeve të dukshme dhe të atyre që rëndom fshihen nën rrogoz, fuzionimi i AAK-së dhe i Nismës për Kosovën në të ashtuquajturin “bosht” mësyn që ta mundë VV-në në zgjedhjet eventuale të parakohshme, për të dalë si partia e tretë dhe kështu ta marrë hisen e vet të pretenduar në pushtet, sepse “boshti” nuk shquhet për ndonjë alternativë për vendin, së paku nëse mbështetemi tek profilet e figurave qendrore që i prijnë kësaj opozite “të shkurtuar”!?

Në anën tjetër, VV-ja duhet ta rimendojë veten, ta moderojë qasjen duke hequr dorë nga parullat entonacionaliste dhe qasjet shpeshherë ekskluziviste në raport me qytetarin, shtetin dhe shoqërinë e për t'u shndërruar në parti moderne politike.
Pra, VV-ja duhet ta njohë përhershmëninë e Republikës së Kosovës, rendin e saj kushtetues - ligjor dhe simbolik dhe të lidhet me shtresat e mundura (!?) shoqërore duke i dhënë Kosovës një alternativë të një pushteti gjithëpërfshirës (inkluziv) dhe jo pushtet përfitues (eksatrktiv.) Arsyeja thelbësore pse u ça blloku i ashtuquajtur opozitar së pari është intenca absurde (që habitshëm vazhdon të funksionojë në Kosovë! ) që të ndahet “kulaçi i pushtetit” ende pa u dukur zgjedhjet e reja në horizont dhe ende pa i fituar ato!?

Dhe së dyti, ashiqare lëvizja VV dhe AAK-ja e Nisma janë prishur rreth idesë se kush është promotori i opozitarizmit dhe kush duhet të jetë kryeministër i ardhshëm.
Sepse lideri i AAK-së thuajse e ka shndërruar në fiksion idenë e të qenit shef Qeverie.

Në anën tjetër, vetë Thaçi mund të ketë gisht në prishjen e VAN-it (sepse ai është mjeshtër i dëshmuar për të vënë kurthe për kundërshtarët politikë), porse po të ishte kjo lidhje e “popullit opozitar” në baza parimore, ideologjike dhe demokratike, atëherë s'do të gjendej Thaç që do t'i përçante!!!

Ideja e VV-së për krijimin e Alternativës për Kosovën, si front unik ndaj kapjes së shtetit nga ana e PDK-së, koha do të dëshmojë se ka qenë ide e mirë, porse VV-ja po get ka gabuar në hapa, kurse AAK-ja dhe Nisma pa dyshim i janë trembur mundësisë së dominimit të organizatës së Albin Kurtit, duke e ndier përqafimin e tyre si lak rreth qafe.

Dhe mund të thuhet se u çue posht gjithë ai mund e gjithë ata lot (jo vetëm nga gazi lotsjellës) që në Kosovë të ngrihet rezistenca qytetare kundër rrokullisjes së shtetit drejt humnerës, pra ka edhe ndër miq të Kosovës që tashmë e shohin si shtet të dështuar!
Adios opozitë! U pafshim përsëri!

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...