Kroacia - zëri i vetmuar në BE i viktimave të agresionit të Serbisë

20 Prill 2016 - 08:12 - Augustin Palokaj      

Duke insistuar që Serbia të përmbushë të gjitha kushtet në procesin e integrimit në BE, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me të kaluarën e saj, Kroacia sikur po mbetet e vetmuar. Vendet tjera të BE-së sikur nuk duan t’u rikujtohet se çfarë pasojash ka shkaktuar politika serbomadhe e Slobodan Milosheviqit dhe heshtin kur po ky Milosheviq glorifikohet nga anëtarë të qeverisë së sotme “proevropiane” të Serbisë. Kroacia këtu flet dhe në emër të viktimave tjera të politikës agresive të Serbisë së Milosheviqit si në Kosovë, po ashtu dhe Bosnjë e Hercegovinë. Por nga këto dy shtete nuk po i vjen asnjë përkrahje morale

Ka disa javë qëkur Kroacia nuk jep pëlqimin e miratimit të raportit të Komisionit Evropian për përmbushjen e kritereve për hapjen e kapitullit 23 në procesin e anëtarësimit të Serbisë në BE. Për këtë shkak BE-ja nuk mund të lëvizë përpara me përgatitjet e hapjes së këtij kapitulli që konsiderohet si kryesori në mesin e 35 kapitujve që negociohen në këtë proces. Dhe kjo është quajtur si “bllokadë kroate e Serbisë në rrugën e saj drejt BE-së”. Duke pasur parasysh se në Serbi po zhvillohet fushata zgjedhore, kjo bllokadë e Kroacisë është shfrytëzuar edhe për nxitjen e ndjenjave nacionaliste, antikroate në Serbi. Nga politikanë serbë janë dëgjuar porosi si “Serbia nuk do ta lejojë askënd ta fyejë” ose se “Serbia nuk mund të shantazhohet” dhe se “kroatët le t’i shërojnë komplekset e tyre ndaj dikujt tjetër”.

Një fjalor i tillë i dëgjuar nga liderët e sotëm të Serbisë, të cilët përsëri edhe pas 16 vjetësh, lavdërojnë dhe legjitimojnë politikën e Slobodan Milosheviqit, të cilët i presin si heronj të dënuarit për krime lufte, nuk befason. Ajo që befason është heshtja në Bruksel dhe heshtja e ambasadorëve perëndimorë në Beograd ndaj një fjalori të tillë. Nuk dihet nëse është ndryshimi i gjeneratave të politikanëve apo thjesht dëshira që Serbisë t’i harrohen mëkatet, ajo që i shtyn ata të bëhen të tillë. Prandaj as qëndrimet e Kroacisë nuk kanë hasur në mbështetje në Bruksel, por janë quajtur si “sjellje jokonstruktive”.

Duke insistuar që Serbia të përmbushë të gjitha kushtet në procesin e integrimit në BE, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me të kaluarën e saj, Kroacia sikur po mbetet e vetmuar. Vendet tjera të BE-së sikur nuk duan t’u rikujtohet se çfarë pasojash ka shkaktuar politika serbomadhe e Slobodan Milosheviqit dhe heshtin ku po ky Milosheviq glorifikohet nga anëtarë të qeverisë së sotme “proevropiane” të Serbisë. Kroacia këtu flet dhe në emër të viktimave tjera të politikës agresive të Serbisë së Milosheviqit si në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinës. Por nga këto dy shtete nuk po i vjen as një përkrahje morale.

Bosnja e Hercegovina si shtet nuk mund të ketë qëndrim për asgjë. Politika e saj e jashtme dhe qëndrimet e Bosnjë e Hercegovinës si shtet nuk mund të formohet pa konsensus. E për këtë duhet të ketë pajtim edhe të krijesës së quajtur “Republika srpska”, lideri i së cilës vazhdon ta quajë hero edhe Radovan Karagjiqin, pra disa muajsh të dënuar hiç më pak se për gjenocid në Srebrenicë. Sikur që Bosnja e Hercegovina për këtë arsye nuk mund ta njohë Kosovën si shtet ajo nuk mund si shtet të mbështetë edhe Kroacinë në BE.

Sa i përket Kosovës mungesa e mbështetjes për Kroacinë, e cila ndoshta edhe do të ndihmonte në këtë moment kur ajo përballet me kritika se po e përdor për qëllime të veta anëtarësinë e saj në BE për të bllokuar Serbinë, mund të kuptohet edhe si dobësi e udhëheqjes politike, edhe si taktikë e tyre për t’iu vardisur bashkësisë ndërkombëtare, për t’u dukur si “tolerantë” ndaj Serbisë.

Kroacia në arsyetimin e saj se nuk do ta lërë Serbinë që të bëhet anëtare e BE-së pa u përballur me të kaluarën e saj të errët përmend edhe Kosovën, edhe Bosnjë e Hercegovinën. “Nuk mund të marrë Serbia rolin e gjykatësit dhe policit për të gjitha shtetet e ish-Jugosllavisë kur dihet se ajo ka nxitur luftërat në Slloveni, Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë”, ka thënë ministri i Jashtëm i Kroacisë, Miro Kovaç. Ai madje qëllimin e Serbisë që vetes t’i japë rolin e “gjykatësit dhe policit” për qytetarët e gjithë ish-Jugosllavisë e ka quajtur edhe si “perversitet historik”.

Problemi kryesor, të cilin e ka ngritur Kroacia në BE është ligji i Serbisë për procesimin e krimeve të luftës. Me këtë Serbia e ka shpallur veten si një lloj “Hage rajonale”. Kroacia mendon se me këtë “juridiksion ekstra territorial, rajonal” Serbia e ka keqpërdorur parimin e juridiksionit universal që e kanë për rastet e krimeve të luftës edhe shtetet tjera të botës. Por dihet se ky ka qenë qëllimi i Serbisë. Ajo nuk e ka këtë ligj për të dënuar krimet në Ruandë apo Darfur, por për të ngritur aktakuza ndaj popujve të ish- Jugosllavisë, ndaj të cilëve pikërisht nga Beogradi u drejtua lufta, edhe pse Serbia vazhdon të insistojë se në Kroaci ka pasur „luftë qytetare të regjimit kroat kundër serbëve lokalë“, se në Bosnjë e Hercegovinë „serbët kanë luftuar për të drejtat e tyre“ dhe se në Kosovë „Serbia ka luftuar kundër terrorizmit shqiptar“. Kroacia ka përmendur në arsyetimet e saj disa shembuj të keqpërdorimit të juridiksionit që i ka dhënë vetes Serbia. I fundit ka qenë arrestimi në Londër i ish-Presidentit të Federatës së Bosnjë e Hercegovinës, Ejup Ganiq, për shkak të fletarrestit të Serbisë të lëshuar në bazë të aktakuzës së fshehtë për krime lufte. Ganiqit fillimisht në Londër i ishte thënë se do ta ekstradojnë në Serbi dhe „atje le të dëshmojë pafajësinë e tij ndaj organeve serbe“. Por ai ishte ankuar dhe pas më shumë se një viti gjykatësi britanik e liroi dhe tha se, në bazë të gjithë dokumentacionit që ka marrë nga Serbia, „nuk sheh asnjë arsye tjetër për këtë aktakuzë pos një proces me qëllime politike“. E dimë po ashtu se shumë persona nga Kosova janë arrestuar dhe shumë mund të arrestohen edhe në të ardhmen në bazë të akuzave të ngritura nga gjykatat e Serbisë. Këtë fat e kanë pasur edhe Hashim Thaçi i arrestuar një herë në Hungari e edhe Agim Çeku i arrestuar një herë në Slloveni dhe një herë në Bullgari. Në të tria këto rate është dashur ndërhyrje politike që të lirohen. Por ka pasur edhe të tillë për të cilët nuk ka pasur ndërhyrje politike dhe kanë mbetur nëpër burgje. Njëlloj ka ndodhur edhe me ish-luftëtarë kroatë dhe boshnjakë.

Nuk ka dyshim se Kroacia është nën presion të BE-së dhe do të jetë edhe në të ardhmen. Po ajo pritet që të jetë e qëndrueshme në pozicionin e saj. Plagët e luftës në Kroaci ndihen edhe sot. Para dy ditësh një çminues humbi jetën duke pastruar fushat e minuara që kanë mbetur nga lufta. Ende ka mbi 1.000 të pagjetur nga koha e luftës në Vukovar, pra edhe pas 26 vitesh. Dhe për këtë lufta dhe pasojat e saj për Kroacinë nuk janë vetëm çështje e së kaluarës, por edhe e së ardhmes. Njëlloj sikur në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë edhe në Kroaci e kanë të vështirë të mos shqetësohen kur dëgjojnë se si zëvendëskryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, glorifikon Slobodan Milosheviqin, për të cilin ishte përdorur epiteti si „kasapi i Ballkanit“. Me apo pa mbështetje të të tjerëve, Kroacia do të rikujtojë gjithmonë se Serbia duhet të përmbushë të gjitha kriteret për t’u anëtarësuar në BE. Duhet të përmbushë edhe atë të përballjes me të kaluarën dhe atë të bashkëpunimit rajonal që kërkon pajtim me fqinjët. E pajtimi nuk mund të arrihet duke relativizuar apo edhe arsyetuar krimet e luftës dhe ata të cilët ishin në krye të Serbisë në kohën e luftërave. Nëse jo nga politikanët Kroacia pa dyshim e ka mbështetjen morale edhe të popullit të Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës, që sikur kroatët ishin viktima të tentimit të zbatimit të idesë për Serbinë e madhe, ide të cilën një gjykatës i Tribunalit të Hagës e quajti „plan legjitim politik“ e jo krim. Do të ishte mirë që Kroacia me insistimin e saj ta rikujtojë BE-në edhe në dështimet e Evropës që për vite toleruan politikën agresive të Serbisë, e cila solli edhe deri te krimet më të mëdha në historinë e Evropës pas Luftës së Dytë Botërore. 

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...