Perceptimi Made in Kosova

19 Prill 2016 - 07:54 - Flaka Surroi      

Të kalosh kaq lehtë nëpër rezultatet e një qeverisjeje të keqe dhe shkatërrimtare – këtë mund ta bëjë vetëm dikush që nuk ia do të mirën këtij vendi. Të dalësh në petkun e ri për të thënë se si duhet bërë gjërat tash e mbas, nuk është të pranosh se ke gabuar – se ky është nocion i pakapshëm për këtë kastë politikanësh – por është tallje me ata, jetën e të cilëve e manipulon sipas interesave të ngushta personale dhe klanore

Të shkruash kolumne në kushtet ku përjashta nuk ndalet piskama e darabukut, klarinetës, fizarmonikës dhe një zëri të mërzitshëm që e përsërit veten në çdo të dytën këngë, përherë e më shumë po shndërrohet në një përpjekje tepër të zorshme. Një, për shkak se zhurma e pandalshme e muzikantëve të ndryshëm që e kanë okupuar sheshin prej kohësh bëhet përherë e më irrituese, dhe, dy, për shkak se punët ama bash hiç nuk i kemi për këngë e dëfrim.

E megjithatë, këta njerëz meritojnë respekt për shkak se po mundohen vetes t’ia sigurojnë jetën duke u marrë me tinguj e jo me tenderë, me vjedhje barnash apo me mashtrime –një diçka që na është bërë përditshmëri që nga çlirimi e këndej. Ani që dikujt kjo mund t’i duket vetëm perceptim.

Hipokriti

Ishte Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili kësaj radhe e përkufizoi korrupsionin në Kosovë si endemik – pra një gjendje që e karakterizon një popull apo një shtet. Të të akuzojnë se je i pasinqertë, mashtrues, i paskrupullt, i pandershëm, joetik, jobesnik, i pafytyrë e shumë sinonime të tjera që i nënkupton të jesh i korruptuar, do të duhej të ishte një shuplakë e madhe fytyrës që do të duhej të ta dridhte edhe timpanin e veshit. E posaçërisht kur vjen nga shteti i cili më së shumti e ka përkrahur Kosovën prej kohësh. Do të duhej të merrej si një vërejtje shumë serioze se gjërat duhet të ndryshojnë, sepse kështu siç janë, nuk janë mirë – e kjo po shihet prej aeroplanit.

E atë që e kemi mësuar deri tash – e këtë na e kanë vërtetuar edhe atë vetë, është se asnjë gjë nuk do të ndryshojë në këtë vend, derisa udhëheqësit e këtij vendi të mos ndërrohen dhe në vend të tyre të vijë një brez i ri njerëzish që korrupsionin e kuptojnë si realitet e jo si perceptim.

Nuk patëm ironi më të madhe sivjet sesa me rastin e shënimit të 8-vjetorit të miratimit të Kushtetutës së Kosovës, në një manifestim që kishte organizuar Ministria e Drejtësisë. Folësi kyç në këtë ngjarje ishte ai, i cili Kushtetutën e shndërroi në paçavure të cilën ia modifikuan dhe interpretuan sipas tekeve të tij. Megjithatë, kjo nuk ishte më e rëndësishmja e ngjarjes – ishte fjalimi i tij, fund e krye hipokrit, ku tash në petkun e kryetarit të shtetit po fliste për sundimin e ligjit, ndryshimin e Kodit Penal dhe depolitizimin e bordeve të agjencive të “pavarura” të Kosovës.

Fjalë kot

Tepër përçmuese ishin fjalët e njeriut, i cili pothuajse tetë vjet qe kryeministër, me fuqinë absolute ekzekutive dhe partiake për t’i futur gjërat në binarë, dhe i cili sot çohet dhe e kritikon gjendjen në të cilën gjendet shteti dhe shoqëria kosovare. Si t’i besohet dikujt, që duke e ditur se e ka nënshkruar një marrëveshje të dëmshme për Kosovën, që e formon rrafshin e tretë të pushtetit jashtë asaj që e parasheh Kushtetuta, çohet edhe thotë: “Institucionet tona do të respektojnë dhe implementojnë në tërësi vendimin apo opinionin e Gjykatës Kushtetuese, që e obligon qeverinë të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, gjithnjë sipas ligjeve të Kosovës”. Kjo, duke e ditur njëkohësisht që madje ajo Gjykatë Kushtetuese e manipuluar nga ai, e ka shpallur derivatin e kësaj marrëveshjeje 23 herë në kundërshtim me Kushtetutën. Ani që ligji kurrë nuk mundet me pasë më shumë fuqi sesa Kushtetuta, bile në teori.

Si t’i besohet dikujt që e thotë edhe këtë: “E kam thënë se hero i Kosovës është prokurori i mirë, gjyqtari i drejtë, por shtoj sot se hero edhe më i madh është gardiani i qendrave korrektuese, i cili respekton dhe punon strikt sipas ligjit. Ata që janë të dënuar nuk mund të shëtisin të lirë”. Po a nuk ia mundësoi po ai sistem gjyqësor dhe policor i kontrolluar nga ai, ikjen e bashkëpartiakut të tij Xhabir Zharku në Suedi, ani që me vendim të plotfuqishëm për burgim. A nuk ishte ai, i cili me çdo kusht e mbante kryetarin e Prizrenit në pushtet, pavarësisht vendimit dënues të shkallës së parë, e që nuk e obligonte të tërhiqej nga posti bile për fytyrë e shkaqe morale. A nuk ishte ai në pushtet kur Sami Lushtaku më shumë rrinte në oborrin e QKUK-së e kush e di kah tjetër sesa në burg, derisa supozohej se ishte në paraburgim.

Si të mos irritohesh kur e dëgjon edhe një broçkull si këtë: “Çështja e politizimit apo departizimit të institucioneve. Mund të jetë ironike që unë, si një ish-kryetar i partisë më të madhe, të bëj thirrje për më pak ndikime partiake në borde e agjenci, por mendoj se na duhet të ribalancojmë institucionet tona konform nevojës për performancë optimale të qeverisë dhe agjencive. Por, në disa raste, kur partitë emërojnë në nivel komunal apo qendror persona me dosje inkriminuese apo dyshime serioze për shkelje ligjore, ndërsa njerëz të kualifikuar rrinë anash dhe nuk angazhohen – mendoj se edhe kjo e dobëson besimin e qytetarit në shtet”. Po kush e privatizoi shtetin? Po kush i politizoi të gjitha agjencitë dhe ndërmarrjet publike e besa edhe Universitetin e Prishtinës? Po pse nuk mundi të kalonte as vendimi në Kuvend për emërimin e anëtarëve të OSHP-së apo të Komisionit të Konkurrencës – sepse kulaçi nuk ishte ndarë mirë ndërmjet dy partive në koalicion, derisa ky ishte kryetar partie, dhe ishte problem kush kishte me pasë më shumë ndikim te tenderët. Qysh realizohet rebalancimi i institucioneve që janë mbushur me militantë partiakë e që për pasojë i sigurojnë votat? Me robotë? Asi ende nuk ka shpikur Kosova.

Perceptimi

Mbase do të duhej rikujtuar ish-kryeministrit e tash kryetarit se ishte ai që i kishte formuar listat zgjedhore të partisë së tij. Në listën e kandidatëve për deputetë i ka pasur së paku dy veta tashmë të dënuar për krime lufte, por në pritje të aktgjykimit të shkallës së dytë. Ishte ai, i cili i propozoi kandidatët për kryetarë komunash dhe madje 8 syresh ishin nën hetime prej kohës kur kishin shërbyer në mandatin paraprak. Të tregosh se tash ka ardhur koha për t’i ndërruar me njerëz të tjerë, të mirë, është mashtrim i radhës, sepse në fakt atë po e thotë është: “nuk e kemi ndërmend të lëvizim prej këtij pozicioni, sepse ky është ai i cili na mban në pushtet”.

Po natyrisht, nisur nga filozofia e të gjitha qeverive të pasluftës, fjalia paraprake do të mund të quhej perceptim. Kosova as nuk është e korruptuar; as nuk ka politikanë gënjeshtarë; as nuk është e varfër; as nuk ka papunësi astronomike; as nuk e ka një sistem gjyqësor të paaftë, të ngadalshëm dhe të padrejtë; as nuk i ka agjencitë e pavarura të politizuara; as nuk ka evazion fiskal; as nuk ka mision të huaj për sundimin e ligjit në Kosovë; as nuk ka oda të veçanta për krime lufte në Hagë që janë themeluar për të; as nuk i është shkelur kurrë Kushtetuta; as nuk ka polici që ndalon gazetarët nga raportimi; as nuk ka politikanë milionerë; as nuk ka pasur fonde për ndihmë juridike që kanë shërbyer për shpëlarje parash të pista; as Serbia nuk ndërton vendbanime etnike për serbët në veri; as Serbia nuk i organizon zgjedhjet në Kosovë nëpër “qendra grumbulluese”; as nuk e ka Qeverinë më të madhe në rajon me një zilion ministra, zëvendësministra, këshilltarësh të kotë politikë e as nuk ka politikanë që marrin rroga në universitet as pa e mbajtur një ligjëratë apo provim të vetëm, sepse ai është privilegj i shteteve që janë e kundërta e Kosovës.

Të kalosh kaq lehtë nëpër rezultatet e një qeverisjeje të keqe dhe shkatërrimtare – këtë mund ta bëjë vetëm dikush që nuk ia do të mirën këtij vendi. Të dalësh në petkun e ri për të thënë se si duhet bërë gjërat tash e mbas, nuk është të pranosh se ke gabuar – se ky është nocion i pakapshëm për këtë kastë politikanësh – por është tallje me ata, jetën e të cilëve e manipulon sipas interesave të ngushta personale dhe klanore.

E nëse rrugës e gjen edhe një përkrahës kokëfortë dhe inatçi – nuk hahet prej së miri: fajin për gjithçka ke kujt ia lë. Dikujt që është në gjendje të përlahet me këdo që nuk i shkon për shtati dhe i cili të vetmen gjë që di ta bëjë mirë është t’i mbyllë sytë para realitetit dhe të jetojë në mikrokozmosin e vet, ku bashkëpunëtorët më të afërm ia luajnë lojën prapa shpine, përderisa ia rrahin krahun në shenjë përkrahjeje.

Kjo është Kosova e perceptimeve. Kosova e pushtetarëve të vet që mbijetojnë edhe për shkak se ky vend ka pak alternativë politike. Për shkak se një pjese të alternativës e udhëheqin njerëzit e sojit të ngjashëm me ata që janë në pushtet: ata që e ëndërrojnë pushtetin jo për të bërë ndryshime pozitive, por për t’ia siguruar stërnipave të tyre jetën komode dhe luksoze, sepse edhe vetë janë të stërpikur nga keqpërdorimet dhe uzurpimi i publikes për nevoja private.

Kjo është Kosova e politikanëve që barazohen me muzikantët e rrugës për nga dhunimi sistematik që ia bëjnë qytetarit. Dallimi është që këta të dytët bile mundohen për të fituar para, përderisa të parëve ato u vijnë pa mund në xhep – sepse tjetërkush, dikush që është vendosur nga ta në ato vende strategjike, përkujdeset që t’ua mbushë rezervat. Si perceptim.

Perceptim Made in Kosova!

flaka@koha.net 

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...