Mësim pa dajak

17 Prill 2016 - 08:18 - Valbona Mehmeti      

Fjala edukim vjen nga latinishtja, educare, që do të thotë të udhëzosh, ose nga educere, që do të thotë të nxjerrësh në pah atë që është brenda. E mira nga nxënësit nuk mund të nxirret me dajak.

Shkolla në Kosovë nuk ka ndryshuar shumë nga koha kur unë isha nxënëse. As në aspektin edukativ, as në atë arsimor. Mësimdhënësit ende i ndëshkojnë nxënësit zhurmaxhinj e të pabindur me shpulla faqeve, ngrehje veshi, shkulje flokësh (djemtë me ngrehje zylyfesh), gjuajtje me shkumës, goditje me vizore në gishtat e mbledhur etj. Sikur atëherë, edhe sot ka raste kur mësimdhënësit shfryjnë mllefin mbi nxënësit edhe me grushte e shkelma. Tri raste të tilla dhune janë raportuar vetëm në muajin mars në tri shkolla fillore.

Falë telefonave në tri rastet nxënësit kanë arritur ta regjistrojnë dhunën dhe ta bëjnë publike, duke e plasuar në internet. Me siguri ka pasur edhe raste të tjera, por që kanë mbetur të heshtura, për shkak të mungesës së dëshmive. Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, gjatë vitit 2015 ka pasur 576 raste të sjelljeve devijuese dhe delikuente të shënuara në shkolla dhe përreth tyre. Në këto të dhëna nuk saktësohet sa prej tyre kanë qenë raste dhune të ushtruara nga mësimdhënësit mbi nxënësit.

Pamjet e dhunës gjithmonë janë të pakëndshme dhe të papranueshme për natyrën njerëzore. Përderisa për brezin tim dhe brezat e mëhershëm shkopi në dorën e mësuesit/es ka qenë pamje e zakonshme, ngase ndëshkimi i dhunshëm ka qenë një formë e pranueshme edukimi, sot pamje të tilla janë vepër penale që duhet të raportohen dhe të ndëshkohen me ligj. Fëmijët tashmë e dinë këtë.

“Në fillim të punës sime si arsimtare më ka ndodhur t’u bie shpullë nxënësve, por kjo metodë ndëshkimi nuk më sillte rezultate në mbajtjen e rendit dhe disiplinës. Nxënësit bëheshin edhe më agresivë dhe e shfaqnin mllefin nga përulja që u bëja para klasës me forma të ndryshme rebelimi. Tani i ndëshkoj, duke i obliguar ta pastrojnë klasën apo duke i mbajtur pas mësimit me detyra shtesë. Po vërej përmirësime”, më tregonte me sinqeritet një arsimtare matematike.

Duke e ditur se dhuna ndëshkohet me ligj, mësimdhënësit tani janë më të përmbajtur dhe më të kujdesshëm në përzgjedhjen e metodave ndëshkuese për nxënësit. Sipas tyre, keqpërdorimi i lirisë së shprehjes nga nxënësit shpesh ua lëndon egon dhe nga frika e humbjes së autoritetit në sytë e fëmijëve të tjerë, ata reagojnë dhunshëm. Ky arsyetim është i papranueshëm, sepse ata janë shkolluar për të edukuar dhe arsimuar fëmijë dhe dështimi në menaxhimin e procesit mësimor është dështim i tyre profesional. Ata thonë se transicioni nga një sistem në tjetrin dhe zhvillimi i shpejtë i teknologjisë dhe i internetit po u hapin dilema të vazhdueshme rreth metodologjisë adekuate të mësimdhënies dhe menaxhimit të orës mësimore. Dhe në vend se t’ua lehtësojnë, me mosbashkëpunimin e tyre prindërit ua bëjnë edhe më të vështirë punën. Ka prindër që i mbështesin dhe i inkurajojnë sjelljet e dhunshme të fëmijës, por ka edhe të atillë që i injorojnë fare problemet e fëmijëve të tyre, duke u dhënë leje mësimdhënësve që të përdorin edhe dhunë në zgjidhjen e problemeve.

Me gjithë reformat e proklamuara, trajnimet e vazhdueshme të mësimdhënësve për metoda të reja qasjeje, në praktikë procesi mësimor në shkollat tona vazhdon të zhvillohet si para tridhjetë vjetëve, kur unë isha nxënëse.

Forma e të pyeturit me tri mësime vazhdon të jetë e njëjta, arsimtari e profesori vazhdojnë t’u mbajnë ligjërata monotone fëmijëve të epokës së digjitalizimit, duke e mbytur te ta mendimin kritik dhe duke i vënë në pah të metat e tyre kur janë të papërgatitur në mësime. Risi janë vetëm testet e standardizuara me shkrim.

Fjala edukim vjen nga latinishtja, educare, që do të thotë të udhëzosh, si në stërvitjen e kuajve, ose nga educere, që do të thotë të nxjerrësh në pah atë që është brenda.

Mbi njëqind vjet shkolla shqipe, si shumica e shkollave në botë, i ka udhëzuar dhe vazhdon t’i udhëzojë drejtpërdrejt fëmijët se çfarë është më e mirë për ta në jetë, duke i stërvitur të dalin mirë në testet e standardizuara dhe duke ua trasuar rrugën nga duhet të shkojnë. Ky sistem i vjetër dhe pa imagjinatë prodhon vetëm punëtorë të bindur dhe të disiplinuar, por jo edhe krijues dhe inovatorë të së ardhmes. Ky sistem i bën ata të vetëdijshëm për të metat e tyre, e jo për kualitetet.

Gjërat tani kanë ndryshuar. Mësimdhënësit duhet t’i japin më shumë kuptim shpjegimit, se me edukim nënkuptohet nxjerrja në pah e më së mirës që fëmija mban brenda, e kualiteteve para të metave. Metodë të tillë sugjeron mësuesja dhe psikologia amerikane, Dawna Markova, në librin e saj “Prindër mendjehollë ” (“The Smart Parenting Revolution”, titulli i origjinalit), Spektër/Botimet “Max”, 2005.

Si mësuese e re, Markovas i ishte dhënë një klasë me nxënës të dobët, me etiketa të llojllojshme: “i prapambetur në mësime”, “ngatërrestar”, “krejt i pamotivuar” etj. Nga këta nxënës i kishin çuar duart jo vetëm mësuesit, por edhe prindërit e tyre. Mësuesit me përvojë i kishin sugjeruar asaj se duhet t’ua shtrëngojë penjtë këtyre fëmijëve, sepse do t’ia merrnin pushtetin në klasë.

Me dashurinë e madhe ndaj profesionit dhe dëshirën për të sfiduar veten, puna e parë që kishte bërë Markova u kishte dhënë detyrë nxënësve dhe prindërve të tyre të shënojnë në etiketa jo të metat, por aftësitë dhe kualitetet që i shquajnë ata. Pastaj kishte filluar t’i diskutojë në klasë ato që kishin shënuar. Kështu ajo kishte nisur t’u kthente besimin fëmijëve se janë të veçantë, se kanë vlera brenda vetes, që ata mund t’i japin botës dhe suksesi i tyre në mësime ishte përmirësuar.

Këtë metodë edukimi Markova e sugjeron edhe për prindërit. “Prindërit e pasionuar mund të ndihmojnë fëmijët e vet, duke ua shtuar potencialet dhe jo duke ua ndrequr gabimet. Besoj se më e mira që mund të bëjmë për fëmijët tanë është të nxjerrim në pah anët e tyre më pozitive”, shkruan ajo.

Fatmirësisht, edhe në Kosovë ka mësuese dhe mësues si Markova, që bëjnë të pamundurën për të nxjerrë më të mirën nga fëmijët, duke u nxitur imagjinatën dhe kreativitetin. Vetëm sikur t’i kishim në numër më të madh.

Të dashur mësimdhënës, e dimë se kushtet dhe mjetet e punës nuk i keni të standardeve evropiane, por përpiquni t’i përkushtoheni më shumë profesionit tuaj. Ecni në hap me trendët e teknologjisë, kërkoni prej nxënësve që telefonat modernë që tashmë janë pjesë e pashmangshme e jetës së tyre t’i shfrytëzojnë për hulumtime të dobishme edhe gjatë orëve të mësimit. Bëhuni më kërkues ndaj tyre, por edhe ndaj prindërve. Profesioni juaj është i veçantë dhe i shenjtë. Ju e bartni mbi supe barrën e edukimit të një populli.

Nxiteni tek nxënësit kureshtjen për të hulumtuar dhe për të zbuluar botën. Aftësoni ata për t’u përballur me sfida të reja dhe çlironi potencialin e tyre për të shkëlqyer, jo në të gjitha fushat, por në ato ku ai shpreh talent dhe dëshirë. Nuk na duhen pesëshet e pamerituara. Na duhen fëmijë kreativë me mendime e ide origjinale. Diskutoni me ta gjithnjë në korniza të respektit dhe të mirëkuptimit e jo të ofendimit. Shpresat e këtij vendi janë te puna juaj.

Si prindër dhe mësues ne po u lëmë atyre një shtet jofunksional, me shumë të meta dhe me të ardhme të pasigurt. Prandaj, na përgatisni njerëz të së nesërmes, njerëz që mund të sjellin ndryshimin dhe që mund ta kthejnë këtë vend në rrugë të mbarë.

valbona@koha.net

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...