Rehabilitimi i krimit

16 Prill 2016 - 09:34 - Agron Bajrami      

Por, pajtimi është një proces i gjatë dhe i dhimbshëm, për të cilin është i nevojshëm vullneti i sinqertë politik dhe drejtësia për viktimat e krimeve të kryera.

Kanë kaluar gati dy dekada prejse luftërat në territorin e ish-Jugosllavisë kanë përfunduar formalisht, por armiqësitë ende janë të ndezura mes vendeve të krijuara me shpërbërjen e shtetit të dikurshëm të përbashkët. Duke gjykuar jo vetëm sipas disponimit popullor, por edhe sipas deklaratave zyrtare të liderëve të vendeve, marrëdhëniet mes shteteve janë gjithçka përveçse miqësore – mes Kroacisë dhe Serbisë, Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, e të mos flasim për ato mes Kosovës dhe Serbisë, ku armiqësia pasive konsiderohet të jetë gjendje normale.
Natyrisht, ka qenë për t’u pritur se do të duhej të kalonte kohë që plagët e luftës të shëroheshin dhe të vinte deri te pajtimi mes popujve të ngatërruar, të cilët me shekuj kanë jetuar njëri pranë tjetrit.

Por, pajtimi është një proces i gjatë dhe i dhimbshëm për të cilin është i nevojshëm vullneti i sinqertë politik dhe drejtësia për viktimat e krimeve të kryera.
Gjykuar e bazuar në deklaratat publike të njerëzve të pushtetit dhe të politikës, në shumicën e vendeve të dala nga ish-RSFJ-ja ekziston një nivel i gatishmërisë politike (më pak të sinqertë, e më shumë nën presion të Perëndimit) për përballje me të kaluarën dhe pajtim. Shembulli jo i vetëm dhe gjithsesi jo më i miri, por më i riu, është vendimi i autoriteteve të Kosovës – Qeverisë dhe Kuvendit – që në Hagë të themelohet një Gjykatë Speciale, e cila do t’i gjykojë vetëm të akuzuarit nga radhët e UÇK-së! Një Tribunal i ri i Hagës vetëm për shqiptarë!

Sa ky gjyq do të jetë instrument i drejtësisë dhe i pajtimit mbetet të shihet, por nëse do gjykuar në bazë të Tribunalit tashmë ekzistues, i cili është dashur t’u ndihmonte të gjitha vendeve të Jugosllavisë së dikurshme që të gjenin rrugën e pajtimit, në afatin e parashikueshëm gjasat janë shumë të vogla, nëse ato fare ekzistojnë!
E arsyeja më e madhe për këtë është – Serbia!

Pse? Sepse e vetmja është Serbia që nuk ka ndryshuar, ose, thënë më mirë – ishte ndryshuar për një kohë të shkurtër, ndërsa tani po kthehet në gjendjen në të cilën e pati sjellë Milosheviqi.
Kjo është Serbia e cila nuk do të pranojë përgjegjësinë e vet historike si fajtorja kryesore për të gjitha ato që kanë ndodhur në procesin e shpërbërjes së RSFJ-së.
E që është kështu lehtë dëshmohet, nëse me asgjë tjetër, atëherë me numrin e zyrtarëve serbë të dyshuar që janë akuzuar, gjykuar e dënuar për krime lufte në Tribunalin e Hagës.

Sigurisht, edhe serbët kanë qenë viktima në këto luftëra, që është edhe arsyeja pse në mesin e të burgosurve të Hagës ka pasur edhe të tjerë, jo vetëm serbë. Por është fakt i pamohueshëm se politika zyrtare serbe, me Slobodan Milosheviqin në krye, në mënyrë të planifikuar dhe gjakftohtë, së pari e ka uzurpuar shtetin e përbashkët dhe institucionet më të rëndësishme të tij, e më pas edhe i ka përdorur këto për agresion kundër popujve të tjerë në atë shtet.
Këto luftëra – të shkaktuara nga ana e Serbisë së Milosheviqit, e cila ka dashur të jetë “deri në Tokio”, kanë prodhuar shumë viktima në të gjitha anët dhe një nivel të pabesueshëm të urrejtjes e cila ende ekziston. Por sot, pas më shumë se njëzet vjet nga luftërat në Kroaci dhe Bosnjë, dhe 17 vjet nga lufta në Kosovë dhe bombardimi i Serbisë nga NATO-ja, pothuaj të gjithë kanë ndryshuar: prej Sllovenisë dhe Kroacisë, që tashmë janë anëtare të Bashkimit Evropian, deri te Bosnja, Kosova dhe Mali i Zi, që si shtete të pavarura i kanë një mijë probleme – prej korrupsionit dhe krimit, e deri te jofunksionaliteti shtetëror. Por këto shtete, në njëfarë mënyre, e kanë nisur një jetë të re.

Të gjitha, përveç Serbisë!

Kush nuk pajtohet me këtë mendim timin, para se të hedh ndonjë koment të ashpër apo të sharë në llogarinë time, le t’i lexojë lajmet e fundit nga Serbia. Atje tashmë me të madhe po ndodh rehabilitimi i Slobodan Milosheviqit.
Derisa zëvendëskryeministri serb, Ivica Daçiq, thotë se Milosheviqin duhet falënderuar që Serbia ende ekziston, SPS-ja e tij në mitingjet zgjedhore këto ditë si mysafirë specialë i ka anëtarët e familjes së Milosheviqit – nipin e tij dhe të renë.
Bashkëpunëtori i afërt i Milosheviqit, ish-nënkryetari i Qeverisë së RFJ-së, Nikola Shainoviq, pasi vuajti dy të tretat e burgimit prej 18 vjetësh sa e dënoi Tribunali i Hagës për krimet e kryera në Kosovë, u kthye në SPS – dhe menjëherë u zgjodh në Këshillin Qendror të partisë.

Nga ana tjetër, kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili po përgatitet që pas zgjedhjeve të bëhet mbret i pakurorëzuar serb, zyrtarisht flet për pajtim, shkon në akademi përkujtimore në Srebrenicë dhe flet për Evropën si ëndërr serbe, por bashkëpunëtorët e tij, anëtarët e qeverisë së tij dhe partia e tij, përgatisin pritje solemne për kriminelët e dënuar të luftës, sikur që ishte rasti me gjeneralin serb, Vladimir Lazareviq, të dënuar në Hagë me 14 vjet burg për krimet e luftës të kryera në Kosovë.
Për të painformuarit: Lazareviqi në dhjetor është liruar pasi ka mbajtur dy të tretat e dënimit, ndërsa nga Haga u kthye me aeroplan të Qeverisë, i përcjellë nga dy ministra të Vuçiqit – ministrin e Mbrojtjes, Gashiq, dhe ministrin e Drejtësisë, Selakoviq – ndërsa në aeroportin e Nishit e pritën si hero zyrtarë të lartë shtetërorë, përfaqësues të Kishës dhe të Partisë Përparimtare Serbe në pushtet.

Me atë rast ministrat e Vuçiqit e falënderuan gjeneralin-kriminel, duke thënë se dita kur ai u lirua nga Haga është “ditë e madhe për Serbinë”, ndërsa ministri Selakoviq shtoi se “falë gjeneralit sot janë të lira qytetet e Nishit, Kralevës, Valevës e Krushevcit”.
Lirimi i Sheshelit erdhi si shllagu në tortë, posaçërisht arsyetimi i gjykatësve të Hagës sipas të cilëve thirrjet për vrasje e linçim të pjesëtarëve të popujve të tjerë, deklaratat se Bosnja duhet të “pastrohet nga balijat”, ndërsa Kosova “të pastrohet nga shqiptarët”, mbjellja e urrejtjes dhe propaganda e luftës nuk janë krime, por veprimtari politike që është e lejuar në demokraci, gjë që tani u jep të drejtë të gjithëve, jo vetëm në Serbi, që t’u kthehen me zell edhe më të madh armiqësive që kurrë nuk janë harruar.
E pajtimi, kjo mbase mbetet si një rrëfim për fëmijë. Një përrallë në të cilën nuk besojnë as ata që e tregojnë.
Tragjike!

(Kjo kolumne e kryeredaktorit të “Kohës Ditore” është botuar në gazetën më të madhe malaziase, “Vijesti”)

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...