Si të mësohen standardet evropiane nga reagimet ndaj skandalit “Panama Papers”

13 Prill 2016 - 08:23 - Augustin Palokaj      

Nga afera “Panama Papers” pamë edhe një shembull sesa janë dallimet në standarde, kulturë politike, ndjenjë dhe përgjegjësi shoqërore mes botës perëndimore dhe asaj lindore. Dikush mund të thotë se “ja ka korrupsion edhe në Islandë”, por dallimi qëndron në atë se çfarë ndodh kur zbulohet. Në Islandë gjysma e kombit del në rrugë, Kryeministri pa kaluar 24 orë jep dorëheqje. Në Rusi, Turqi, Kosovë, Shqipëri dhe vende tjera nuk njohim raste të dorëheqjes, e as pranime të përgjegjësisë. Ata që zbulojnë quhen “argatë të shërbimeve të huaja”, “tradhtarë”, ndërsa zbulimet e tyre “rrena dhe trillime”. Nuk mungojnë as kërcënimet. E qytetarët nuk e kanë guximin as të protestojnë

Kur do ta mësojnë kosovarët se bota nuk sillet rreth Kosovës. Apo thënë më saktë “nuk sillet më”, sepse vërtet para 17 vjetësh i ra rasti Kosovës që bota të sillej rreth saj. Mendojmë këtu në vëmendjen e botës ndaj kësaj hapësire. Javën e shkuar shumë kosovarë pyesnin se çfarë janë komentet në Evropë për ceremoninë e inaugurimit të Hashim Thaçit si president i Kosovës. Në Evropë pakkujt i interesonte ajo ngjarje. Në BE nuk u përmend fare, ndërsa nga BE-ja përfaqësimi ishte më i ulët i mundshëm në ceremoni të tilla, me një drejtoreshë nga Shërbimi i jashtëm. Edhe pse në Kosovë ishte krijuar përshtypja sikur atje do të jenë pranë njëri-tjetrit Presidenti amerikan Obama, Kancelarja gjermane Merkel, Kryetari i Komisionit Evropian, Juncker, e për presidentët e vendeve më të vogla të mos flasim, ajo ceremoni ishte shumë lokale, me Presidentin e Shqipërisë, i cili do të vinte edhe po ta kishin ftuar për ceremoninë e inaugurimit të një rektori të ndonjë universiteti privat dhe me Presidenten e Kroacisë, e cila erdhi për shkak se në inaugurimin e saj mori pjesë Presidentja e Kosovës. Nga vendet e tjera Thaçi u desh të kënaqej me praninë e zëvendësndihmësit të Departamentit Amerikan të Shtetit, nga drejtorë të ministrive të jashtme, nga ambasadorë. Ishte për Evropën dhe për botën një “non-event”. Jo pse duan të mos e respektojnë Kosovën, por për shkak se bota dhe Evropa kanë probleme tjera dhe nuk kanë kohë të merren me ceremoni të tilla. Evropa dhe bota janë të preokupuara me krizën e terrorizmit, me atë të migracionit dhe me zbulimin e skandalit më të ri me përmasa globale të pagëzuar me emrin “Panama Papers”. Këtë aferë e përcollën edhe mediat e Kosovës, por më shumë duke marrë nga mediat serbe të dhëna se kush nga Serbia përmendet se i ka fshehur paratë e veta në Panama për të shmangur pagesën e taksave më të mëdha. Ndërkaq nga qarqet politike në Kosovë, Panamaja u përmend për shkak se Presidentja në largim kishte dekretuar Ambasadorin e Kosovës në atë shtet rreth të cilit tash edhe po sillet bota.

Skandali i zbuluar nga gazetarët hulumtues edhe kësaj here dridhi botën, sidomos atë politike. Sepse në politikë, në shoqëritë ku ekziston ndjenja e përgjegjësisë te politikanët, nuk mund të kalojnë pa efekt zbulimet për afera të tilla, ku politikanë dhe personalitete të njohura bëjnë shmangie të taksave. Asnjëherë në asnjë aferë më parë nuk u përmendën aq shumë emra të njohur të politikës, estradës, sportit, biznesit sikur në këtë aferë. Dhe kishte emra nga Kryeministri i Islandës, i ati i Kryeministrit të Britanisë, Presidenti i Rusisë e deri te futbollistët e njohur.

“Kjo është vetëm maja e akullnajës”, komentoi Komisarja e BE-së për Konkurrencë Tregtare, Margareth Vestager, duke shfaqur habinë sesa larg mund të shkojnë njerëzit për të mos paguar pjesën e tyre të taksave dhe duke pohuar se “me siguri ka edhe kompani tjera, të cilat u ofrojnë klientëve shërbime të tilla për të shmangur pagesën e taksave”. Dhe bota sikur ishte e bashkuar në këtë dukuri, sepse në mbi 11 milionë dokumente që rrodhën kishte persona nga e tëra bota, ajo demokratike, diktatoriale, perëndimore e lindore. Por në reagimet ndaj shpërthimit të këtij skandali u pa edhe një herë mirë dallimi mes Perëndimit dhe Lindjes.

Nga afera “Panama Papers” pamë edhe një shembull sesa janë dallimet në standarde, kulturë politike, ndjenjë dhe përgjegjësi shoqërore mes botës perëndimore dhe asaj lindore. Jo vetëm dallimet e politikanëve, por edhe të popullit. Dikush mund të thotë se “ja ka korrupsion edhe në Islandë”, por dallimi qëndron në atë se çfarë ndodh kur zbulohet. Në Islandë gjysma e kombit del në rrugë, Kryeministri pa kaluar 24 orë jep dorëheqje. Në Rusi, Turqi, Kosovë, Shqipëri dhe vende tjera nuk njohim raste të dorëheqjes, e as pranime të përgjegjësisë. Ata që zbulojnë quhen “argatë të shërbimeve të huaja”, “tradhtarë”, ndërsa zbulimet e tyre “rrena dhe trillime”. Nuk mungojnë as kërcënimet. E qytetarët nuk e kanë guximin as të protestojnë. Apo nuk kanë as interes apo as fuqi, sepse nuk besojnë se mund të ndryshojnë diçka. Dhe këtu shihet qartë se çfarë do të thotë të jesh një shoqëri e cila toleron korrupsion e çfarë të jesh në një shoqëri e cila nuk e toleron korrupsionin.

Islanda është një shtet i zhvilluar, më i zhvilluar sesa mesatarja e Bashkimit Evropian. Ka edhe traditë demokratike. Dhe korrupsioni është pothuajse si një fenomen i panjohur. Gjasat janë të mëdha që Kryeministri i dorëhequr i Islandës të mos ketë bërë asgjë jashtë ligjit. Por mjaftoi që emri i tij të përmendet dhe i gjithë popullit të ngrihet kundër tij. Sa për krahasim në Rusi Presidentit Putin iu ngrit edhe më shumë popullariteti, sepse ai e kishte të gatshme përgjigjen. Ai akuzoj shërbimet amerikane që qëndrojnë para kësaj stuhie, e cila ka për qëllimi diskreditimin e Rusisë. Tingëllon si një qasje shumë e njohur edhe për politikanët në Ballkan. Pa marrë parasysh se a janë ata “pro BE dhe pro NATO” apo “pro Rusi” me sjelljet e tyre padyshim i ngjajnë më shumë Rusisë sesa Evropës Perëndimore.

Është problem i madh kur në Ballkan ka aq shumë korrupsion. Këtë problem e bën edhe më të madhe mungesa e çfarëdo ndjenje përgjegjësie nga ana e politikanëve për ta luftuar këtë dukuri. Edhe kur thonë se “e luftojnë” mendojnë në kundërshtarët e tyre politikë që mund t’i kenë konkurrentë edhe në tregun e madh të korrupsionit. Ende vlen një thënie e para 20 viteve e një politikani të BE-së kur tha se “kur liderëve të Ballkanit u themi se duhet të luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar, ata me siguri e kuptojnë se kjo mund të thotë që të luftojnë edhe kundër vetvetes!" Problem është edhe pse shoqëria po ashtu është mësuar me këtë gjendje dhe problem edhe më i madh është se vetë përfaqësuesit e botës perëndimore nuk e çajnë kokën dhe nuk kanë asnjë problem që të punojnë pikërisht me politikanë të korruptuar të Ballkanit. Dhe këtë e arsyetojnë duke ua hedhur fajin qytetarëve të cilët mbajnë përgjegjësi pse i kanë në krye pikërisht ata politikanë dhe shpesh duke thënë thjesht se “ju jeni ndryshe” dhe “duhet kohë që ju të mësoheni”, sepse “ju nuk jeni Islandë”.

Tash në BE do të ketë hetime shtesë për aferën “Panama Papers”. Komisioni Evropian tashmë është duke avancuar me ligjet për të parandaluar evazionin fiskal. Pasojat personale nuk do të ndalen me Kryeministrin e Islandës. Do të dalin edhe emra tjerë. E në Ballkan ata që janë në pushtet do të mbeten edhe një kohë të gjatë. Edhe nëse ndërrohet qeveria nuk do të ndryshojë qeverisja. Edhe ata që do të vijnë do të sillen sikur ata që janë tash. Dhe kjo e bën këtë rajon të jetë ndryshe nga pjesa perëndimore e kontinentit, të cilit mendon se i takon dhe synon që t’i bashkohet. 

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...