Kultivatori i Kushtetutës

12 Prill 2016 - 07:59 - Flaka Surroi      

Kosova dje u bë me një kryetar që përfaqëson qeverisjen e keqe, korrupsionin, krimin dhe keqpërdorimin e aseteve publike për interesa të ngushta personale. U bë me kryetarin që gjatë karrierës së tij politike është veçuar për nga rrena, për nga paaftësia për të negociuar dhe mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe për nga mungesa e sinqeritetit

Hiç nuk e di se përse e hëna do të jetë ditë jopune, kur dje lirshëm ka mundur të festohej edhe Dita e Kushtetutës – edhe ashtu ne që kishim për të shkuar në punë në mëngjes, u desh të negocionim me policinë për të na u lejuar qasja në zyrat tona. Vetëm edhe skaneri i Kuvendit mungonte aty te rruga, dhe do të kompletohej tabloja e ditës kur Kosova u bë me mbretin kultivues të Kushtetutës.

Aq irrituese qe e gjithë pamja e Prishtinës në mëngjesin e djeshëm, sa më shtyri të reagoja me një status në FB, të cilin e ndaj me ju:

“Mirëmjes Prishtinë e shtetrrethuar –

Në të kaluarën qarkullimin nëpër korzo na e ndalonte policia serbe, sepse nuk donte që të qarkullonim më shumë se tre veta bashkë. Sot, qendra e Prishtinës u zgjua plotësisht e bllokuar nga Policia e Kosovës, aq sa njerëzve nuk u lejohet as të shkojnë në vendet e tyre të punës, përderisa kërkohet që Restoranti Rings të mbyllet me zinxhirë e dry, ashtu që të mos lejohet asnjë hyrje e asnjë dalje. Dhe kështu do të jetë deri në orën 14.

Pra, sot e kanë shpallur ditë feste të detyrueshme, sepse në fron do të hipë mbreti i ri i Kosovës.

Njeriu që hiç më larg se dje u betua (dhe sërish gënjeu) se do të punonte për të mirën e popullit dhe se do të jetë faktori unifikues i Kosovës, e përdor aparatin e dhunës jo vetëm për të dëshmuar paprekshmëri, por për të treguar se po i frikësohet popullit të vet”.

“Tradita e re”

Dhe i gjithë cirku i krijuar para përmendores së Skënderbeut, në fakt e pasqyron më së miri formën të vepruarit të Thaçit: açik të gjithëve. Kosova, e përkufizuar si demokraci parlamentare, zgjedh kryetarin e shtetit nëpërmjet përfaqësuesve të popullit në Kuvend. Pra si i tillë, do të duhej të jetë mjaftuar me betimin e dhënë para deputetëve dje, dhe ta bënte pranim-dorëzimin e detyrës në zyrë deri dje të Jahjagës, dhe të niste punën e vet, sikurse kishin bërë gjithë kryetarët paraprakë para tij.

Por jo. Shkëlqesia e tij, siç tani ia shkruajnë titullin, u desh ta angazhonte një aparat të tërë burokratësh, për t’ia organizuar shfaqjen në shesh, ku ai do të shndërrohej në yllin e vetëm, për të cilin e gjithë bota do të çohet në këmbë. Mbi një mijë e treqind të ftuar, prej të cilëve thuhej “shumë delegacione” nga jashtë, dhe në fund u përkufizua në dy kryetarë shtetesh (Shqipëria dhe Kroacia), ca zyrtarë të ministrive të jashtme (SHBA dhe Gjermania) dhe ambasadorët e akredituar në Kosovë. Të gjithë të tjerët që ishin ulur në karriget sikur të Emeraldit apo të Swissit, kishin qenë kosovarë, përfaqësues institucionesh dhe shërbyes civilë që duhej të linin përshtypjen e të mahniturit me ngjarjen.

Më e keqja në gjithë këtë inskenim janë shpenzimet që janë bërë: po qarkullon shifra prej një milion eurosh, e cila duket e ekzagjeruar, porse kur po më kujtohet shpallja e Pavarësisë që kishte kushtuar madje 600 mijë euro, nuk do të duhej përjashtuar si opsion. Prej atëherë kanë kaluar tetë vjet, e s’ka çare pa thënë se inflacioni ia ka humbur vlerën euros...

Dhe, kjo ndodh në kohën kur Kosova shënon nivelin më të lartë të papunësisë dhe të varfërisë në Evropë; pra po qe milionëshi është i saktë, ngjarja e paprecedent që ndodhi dje kushton rrafsh rreth 14 mijë ndihma sociale që ndahen në muaj. Shumë, për një njeri, i cili është përgjegjësi kryesor se përse këta 14 mijë dhe shumë të tjerë sikur këta, varen nga kjo “lëmoshë” që u jepet çdo muaj.

Fjalim për veten

Në mungesë të opozitës, e cila ia doli t’i ushqejë mysafirët me pak gaz lotsjellës para se të fillonte ceremonia, të përfaqësuesve serbë dhe të homologëve, ndër të cilët, më i dalluari Erdogan, pika e vetme e veçuar ishte performanca e Filarmonisë së Kosovës. E anëtarët e orkestrës, policia i trajtoi njësoj keq: nuk u lejoi që të kalonin nëpër shesh të veshur me fustane e tesha solemne dhe plus duke bartur instrumente, por i detyroi të shkonin pas ndërtesave, thuajse ishin klandestinë, për të arritur deri te skena ku do të performonin. “Urdhër e kemi”, u thoshin.

Nuk e di nëse përzgjedhja e pikëve të ekzekutuara muzikore ka qenë e rastësishme, por nisja me Imagine të John Lennonit – rrëfimin për një vend ideal që nuk ekziston e vazhdimi me Fortunën e Carmina Buranas, thuajse është porosi për popullin – se fati di ta kthejë shpinën. Kulminacioni me “Unë biri yt Kosovë”, për fat të keq, e degradoi poezinë e Ali Podrimes – sepse Thaçi u emocionua me të – mbase duke imagjinuar se fati e kishte shtyrë poetin e ndjerë t’ia dedikonte atij këto vargje.

Sidoqoftë, siç edhe mund të pritej, fjalimi kryesisht kishte të bënte me të dhe me gjithë atë që i kishte bërë në karrierën e tij 30-vjeçare (me vete mendova sa do të jetë hidhëruar Fjolla Tahiri, e cila nuk lë ditë pa na treguar se i ka 20 vjet përvojë diplomatike, e tash edhe akademike, kurse Thaçi po ia kalon për hiç më pak se 10 vjet, ani pse është më i ri se ajo), dhe më pas me një seri deklaratash, siç do ta komentonte mikja ime B në FB, për atë sesi tash do t’i rregullonte të gjitha punët që i kishte prishur sa kishte qenë kryeministër.

Kultivatori

Ceremonia nisi me marshimin e Jahjagës dhe Thaçit mbi tepihun e kuq, përcjellë nga një pjesëtar i gardës që e bartte Kushtetutën e Kosovës, të cilën kjo e para ia dorëzoi, duke gabuar në qasjen protokollare: shkëlqesisë nuk mund t’i drejtohesh me ti, as kur je vetë shkëlqesi, sepse bontoni nuk e duron atë gafë. Po kjo është Kosovë, bën edhe kështu. E më pas erdhi edhe gafa e parë e Thaçit, i cili tha se “...do ta kultivoj Kushtetutën”, e më pas se do të ishte gardian dhe roje e saj. Kjo e dyta do të ketë qenë shkarje frojdiane – se kjo punë, në teori i takon Gjykatës Kushtetuese, por përvoja e deritanishme ka treguar se GJK-ja në fakt ka qenë roje e interesave të Thaçit.

Gjëja e parë që ma përshkoi mendjen qe imazhi i Thaçit, të kthyer në Burojë, me lopatë në dorë, duke e hapur një gropë ku do ta mbillte Kushtetutën, ta mbulonte me dhé e më pas ta plehëronte. Si bimë vjeçare, çdo vit do të na gufonte një kushtetutë, e cila do të shartohej ashtu që vitin tjetër t’i fitonim dy Kushtetuta dhe kështu deri në fund të mandatit.

E dyta, ishte më pak figurative: ky, si tashmë kultivator i rryer i Kushtetutës të cilën prejse është miratuar e ka bërë shoshë falë Babës, me përvojën e që ka, do të vazhdojë ta rrëmihë, sikurse me plug, aq sa do t’ia ndërrojë komplet pamjen, por çka është më me rëndësi, edhe përmbajtjen. Rreziku është që Kushtetuta të ndërrojë asisoj që pushteti ekzekutiv të bartet te kryetari i shtetit – njësoj sikurse bën Putini në Rusi. Sa herë e ndërron postin, e ndërron edhe Kushtetutën për t’i siguruar vetes pushtet absolut.

Dhe hiç nuk është larg mendsh që këtë mund ta bëjë në cilën kohë të dojë, për shkak se, pavarësisht se është shpallur njeri jopartiak, ai megjithatë pas vetes, në të gjitha institucionet, ka lënë një establishment të tërë aparatçikësh, që do t’ia mundësojnë PDK-së, përkatësisht njerëzve të tij, t’i fitojnë zgjedhjet sa herë duan.

Kjo edhe për shkak se opozita e bashkuar ka javë që më nuk funksionon dhe se nuk do të mundet kurrë ta paraqesë një front të përbashkët opozitar, përderisa sedrat e liderëve të partive më të vogla opozitare do t’jua mbisundojnë logjikën – ja unë i pari, ja kurrkush. Dhe në fund do jetë kurrkush prej opozitës.

Zgjedhje megjithatë?

Sado që pretendon të paraqitet simbol unifikimi, Thaçi ka arritur ta përçajë Kosovën deri në skaj. Ftesat e tij për dialog me opozitën nuk do t’i marrë askush seriozisht, pos nëse e ka planifikuar ta mashtrojë Haradinajn për të tretën herë, ashtu që ta joshë në marrëveshje për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme. Se kjo është shumë e mundur e ka vërtetuar bashkëpartiaku i tij, i cili kinse vepron i pavarur nga grupi parlamentar, Nait Hasani, i cili troç e tha se marrëveshja e koalicionit ka pasur për qëllim që Thaçi të zgjidhej kryetar. E meqë kjo tashmë ka ndodhur, tash ai është i gatshëm që të bisedojë me opozitën edhe për zgjedhje, dhe nëse zgjedhjet janë ato që kërkohen, ai do t’i dekretojë ato, për shkak se demokracia pa opozitën në parlament nuk ka kuptim. Porse ka pasur kuptim deri në zgjedhjen e tij, me mospjesëmarrjen e opozitës.

Nëse ky do të jetë ndër vendimet e para që do t’i marrë, ky do të jetë një dënim i merituar për LDK-në që ia bëri të mundshme hipjen në fron dhe marrjen e kontrollit mbi shumë gjëra të tjera që Jahjaga nuk ka ditur t’i menaxhojë si duhet.

* * *

Kosova dje u bë me një kryetar që përfaqëson qeverisjen e keqe, korrupsionin, krimin dhe keqpërdorimin e aseteve publike për interesa të ngushta personale. U bë me kryetarin që gjatë karrierës së tij politike është veçuar për nga rrena, për nga paaftësia për të negociuar dhe mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe për nga mungesa e sinqeritetit. Nuk mërzitet se pse shumëkush nuk e do, sepse e di që gjithmonë mund t’i qaset policisë për ta mbrojtur, edhe atëherë kur nuk ka rrezik nga populli që heshtazi, me vite të tëra, bëhet dëshmitar i dërrmimit të shtetit të shumë ëndërruar.

Të tillë e pati edhe përfundimin e fjalimit – përderisa e kishte gojën plot për mbrojtjen e Kosovës shekullare ku të gjithë jemi të barabartë, në fund iu qas Zotit në kërkim të bekimit të popullit të Kosovës. Thuajse po na thoshte: “Kur ta kultivoj Kushtetutën sipas qejfit tim, e ta marr krejt pushtetin veç për vete, edhe ju që nuk besoni në Zot do t’i ktheheni atij për ndihmë, se s’ka kush ju shpëton”.

flaka@koha.net 

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...