Cili do të jetë fati i MSA-së mes Kosovës dhe BE-së

7 Maj 2014 - 09:16 - Augustin Palokaj      

Kjo MSA është risi në politikën e BE-së, e cila është dashur të bëjë kompromis mes dëshirës që Kosovën të mos e lërë jashtë Procesit të Stabilizim-Asociimit dhe në të njëjtën kohë të sigurojë shtetet që nuk duan ta njohin pavarësinë e Kosovës se me këtë MSA Kosova kurrsesi nuk trajtohet si shtet sovran dhe i pavarur. Si pasojë do të jetë një MSA me rëndësi të madhe ekonomike dhe tregtare, por me mungesë të obligimeve formale nga ana e BE-së për t’i dhënë Kosovës një perspektivë të integrimit në BE

Të premten e shkuar, siç ishte paralajmëruar dhe më parë, u zhvillua raundi i fundit i negociatave mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA). Me këtë raund praktikisht edhe u përmbyll procesi i negociatave sipas planit. Por fati i kësaj Marrëveshjeje do të mbetet ende i hapur edhe pse në Bruksel dhe Prishtinë shpresojnë që të mos ketë pengesa për fuqizimin e saj. Komisioni Evropian në bazë të kompetencave, të cilat i kishte marrë nga Këshilli, ka zhvilluar negociatat me Kosovën, i ka përmbyllur ato, ndërsa tash tekstin përfundimtar të draftit të MSA-së do t’ua dërgojë shteteve anëtare. Pasi ato të deklarohen, atëherë “diku gjatë verës“ pritet që kryenegociatorët (nga ana e Kosovës ministrja Vlora Çitaku, ndërsa nga ana e Komisionit Evropian drejtori për Ballkanin, Jean - Eric Paquet) të bëjnë inicimin e tekstit. Me këtë Marrëveshje megjithatë nuk do të bëhet ende zyrtare, sepse do të ketë edhe faza të tjera, ku mund të paraqiten edhe pengesa politike.

Gjatë javës së shkuar një zyrtar i BE-së i kishte thënë “Kohës Ditore” se “Inicializimi i MSA-së nuk e ka fuqinë e nënshkrimit, por vetëm do të thotë se palët pajtohen me përmbajtjen e tekstit të Marrëveshjes. Për të nënshkruar do të duhet më vonë pëlqimi formal i Këshillit të BE-së, pra të gjitha vendeve anëtare“, kanë thënë burimet diplomatike në BE. E kur kërkohet konsensus në mesin e shteteve anëtare të BE-së për Kosovën atëherë përvoja na mëson se ai arrihet vetëm në qëllime parimore „të ndihmohet populli i Kosovës“ apo „të sigurohet që edhe Kosova të ketë të ardhme evropiane“. Por kur duhet të merren vendimet formale për të konkretizuar pjesëmarrjen e Kosovës në integrimet evropiane, atëherë fillojnë pengesat juridike.

Pra ka ende shumë paqartësi për këtë në Këshillin e BE-së përkundër rritjes së mbështetjes për një Marrëveshje të tillë me Kosovën. Konsensusi që të niset me negociatat për MSA ishte arritur vetëm pas garancive se me këtë MSA Kosova nuk do të trajtohet në asnjë mënyrë si shtet sovran dhe i pavarur dhe se BE-ja do të ruajë pozitën e saj “neutrale ndaj statusit“.

Përkundër këtyre garancive, Spanja, e në një masë edhe Qiproja, kanë hezitime që të mbështesin edhe autorizimin për nënshkrimin e kësaj Marrëveshjeje. Nga BE-ja ende nuk ka as përgjigje të qartë se kush do ta nënshkruajë këtë Marrëveshje në emrin e saj, a do të jetë përfaqësuesja e lartë apo komisioneri. Edhe kur të vendoset se kush do ta nënshkruajë vendimin atë duhet ta miratojnë shtetet anëtare me konsensus në Këshill, gjë që nuk mund të garantohet përkundër optimizmit që mbretëron në këtë moment.

Edhe kur ishte vendosur që Komisionit Evropian t’i jepet mandati për të nisur dhe përmbyllur këto negociata, nga ekspertët ligjorë ishte thënë se “kjo Marrëveshje do të jetë sipas shembujve të marrëveshjeve që BE-ja ka me entitetet të cilat nuk janë shtete sovrane“ dhe si shembuj ishin përmendur marrëveshjet tregtare dhe zhvillimore që BE-ja ka me entitete, si Tajvani, Hong-Kongu, Makao apo Autoriteti Palestinez. Përkundër kësaj Komisioni Evropian është munduar maksimalisht që në përmbajtjen e MSA-së të ketë sa më shumë ngjashmëri me tekstet e marrëveshjeve të ngjashme, të cilat BE-ja i ka me vendet tjera të rajonit, edhe pse do të ketë dallime.

Cilat janë ato dallime do të shihet kur drafti i MSA-së të bëhet publik.

Një prej pasojave të „qëndrimit neutral ndaj statusit“ mund të jetë pikërisht heqja e të gjitha referencave të cilat mund të lënë përshtypjen se Kosova trajtohet si shtet. Spanja dhe Qiproja kanë qenë shtetet të cilat më së shumti kanë bërë pengesa në këtë proces. Kanë kundërshtuar madje edhe përdorimin e disa termeve që janë terme zyrtare të BE-së. Megjithëkëtë në BE shpresojnë se do të hiqen pengesat dhe që të sqarohet edhe mënyra e nënshkrimit dhe hyrjes në fuqi të MSA-së së ardhshme me Kosovën.
Kjo MSA është risi në politikën e BE-së, e cila është dashur të bëjë kompromis mes dëshirës që Kosovën të mos e lërë jashtë Procesit të Stabilizim-Asociimit dhe në të njëjtën kohë të sigurojë shtetet që nuk duan ta njohin pavarësinë e Kosovës se me këtë MSA Kosova kurrsesi nuk trajtohet si shtet sovran dhe i pavarur. Si pasojë do të jetë një MSA me rëndësi të madhe ekonomike dhe tregtare, por me mungesë të obligimeve formale nga ana e BE-së për t’i dhënë Kosovës një perspektivë të integrimit në BE.

Kosovës nuk i mbetet gjë tjetër pos të bëjë përpjekje maksimale që të shfrytëzojë mundësitë të cilat i jep kjo MSA edhe pse ajo nuk është e njëjtë me MSA-të, të cilat BE-ja i ka me shtetet tjera të rajonit. Nuk duhet manipuluar me opinionin dhe nuk ka nevojë të ekzagjerohet kjo MSA, duke u paraqitur sikur të ishte hap vendimtar drejt anëtarësimit në BE. Por në të njëjtën kohë nuk duhet ulur rëndësinë praktike të cilën e ka, sepse do t’i sjellë Kosovës përfitime nëse do të dijë t’i shfrytëzojë.

Sa i përket përfshirjes formale të Kosovës në procesin e anëtarësimit në BE për këtë duhet pritur njohjen nga të gjitha shtetet anëtare. Në të kundërtën nuk do të jetë e mundur që Kosova të përfshihet në këtë proces dhe të bëhet vend me status kandidati. Edhe sipas kritereve të Kopenhagës, që janë bazë për nisjen e një shteti në rrugën e anëtarësimit në BE, për të kërkuar anëtarësim në BE një shtet duhet të jetë shtet. E në procesin e zgjerimit të gjitha vendimet merren me pajtimin e të gjitha vendeve ekzistuese anëtare. Në këtë moment janë 28 e kur Kosova të mund të niset në këtë rrugë nuk dihet se sa shtete anëtare do të ketë Evropa.

© KOHA Ditore

 

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...