Kryetari i Turqisë po sillet si një rrugaç që kërkon bela me çdokënd

7 Prill 2016 - 08:17 - Enver Robelli      

Sulltan Erdoani nuk i kupton as humorin, as demokracinë, andaj paraqet rrezik jo vetëm për Turqinë, por edhe për Evropën.

Rexhep Taip Erdoani është një burrë prej Turqie të cilit shpejt i prishet hatri. E kur i prishet hatri atij, atëherë duhet të dridhet toka. Për shembull Rexhës dhe Taipit të Turqisë i prishet hatri kur një gazetar e kritikon politikën e tij, kur një gazetë zbulon se pushteti i tij - qe besa - ka lejuar luftëtarët e milicisë terroriste “Shteti Islamik” ta shfrytëzojnë Turqinë si prapavijë të sigurt për të depërtuar në Siri, por më së shumti presidentit të Turqisë i acarohen nervat kur mediumet zbulojnë se shërbimi sekret turk e ka furnizuar me armë “ISIS-in” e shefit të “kalifatit” Abu Bakr al-Bagdadi.

Gazeta “Cumhuriyet” ka bërë një zbulim të tillë dhe kjo pati pasoja të rënda për kryeredaktorin dhe korrespondentin nga Ankaraja: të dy kanë përfunduar në paraburgim, ndërkohë që pasi janë liruar këto ditë ka filluar procesi gjyqësor kundër tyre. Këta gazetarë nuk janë të vetmit që janë gjendur në shënjestër të autoriteteve turke. Republika e Turqisë është shndërruar në ferr për lirinë e shtypit. Kush raporton për korrupsion, keqpërdorime, krime, vjedhje, plaçkitje nga ana e regjimit të Erdoanit – ai rrezikon të përfundojë në qeli dhe të durojë kërcënimet e presidentit turk nga pallati i tij i ri me njëmijë dhoma.

Erdoan duket se ndihet mjaft i fuqishëm për të atakuar edhe mediumet perëndimore. Para pak ditësh korrespondenti i revistës gjermane «Der Spiegel» u largua nga Turqia pasi autoritetet nuk ia vazhduan akreditimin. Gazetari kishte shkruar disa tekste kritike kundër pushtetit të Erdoanit dhe mori shumë kërcënime, mes tjerash edhe mesazhe si ky: «Nëse të shohim në rrugë, do të presim në fyt». Erdoan është zemëruar edhe me një këngë humoristike të një kanali televiziv gjerman. Ministria e Jashtme e Turqisë menjëherë pas emetimit të këngës ka ftuar në bisedë ambasadorin gjerman, i cili i ka shpjeguar palës turke se liria e shprehjes dhe liria e mediumeve në Gjermani është e garantuar me ligj.

Kanali televiziv gjerman është kundërpërgjigjur me satirë therëse duke e shpallur Erdoanin «punëtor të muajit».
Por Erdoan nuk ndalet. Javën që shkoi ai vizitoi Washingtonin, ku mori pjesë në një konferencë për çështje atomike. Në kryeqytetin amerikan truprojat e Erdoanit u përpoqën të merrnin ligjin në duar: ata sulmuan dhe tentuan ta largojnë një gazetar nga salla e institutit politik Brookings, ku Erdoan mbajti një fjalim. Gazetari ishte i afërt me teologun Fethullah Gülen, një ish-bashkëpunëtor i Erdoanit dhe tani kundërshtar i tij i ashpër. Gülen jeton në SHBA. Truprojat e Erdoanit po ashtu u përplasën me demonstrues kurdë në Amerikë.

Qeveria amerikane (ashtu si ajo gjermane) është e brengosur me shndërrimin e Erdoanit në autokrat të pamëshirshëm. Këtë Washingtoni po përpiqet t’ia bëjë me dije Erdoanit. Presidenti turk kishte kërkuar që Barack Obama ta shoqëronte në hapjen e një xhamie në Maryland. Por Shtëpia e Bardhë theksoi se Obama kishte obligime të tjera. Kjo është një shuplakë për Erdoanin. Por ai zor se do të bëhet merak për këtë. Shtetet perëndimore po ngurrojnë të marrin masa të ashpra kundër tij për shkak se janë të varura nga bashkëpunimi i Turqisë në zgjidhjen e krizës së refugjatëve.

Turqia ka pranuar 2,5 milionë sirianë dhe që nga shpërthimi i konfliktit në Siri më 2011 ka bërë shumë pak për të penguar valën e refugjatëve drejt Evropës Perëndimore. Së fundi Qeveria e Ankarasë ka lidhur një marrëveshje me Bashkimin Evropian, në të cilën pala turke obligohet të pranojë kthimin e refugjatëve nga Greqia – me kusht që BE për çdo sirian të kthyer në Turqi të pranojë një sirian të strehuar në Turqi.

Nëse Evropa e zemëron Erdoanin me kërkesa aq të tmerrshme siç janë respektimi i të drejtave të njeriut dhe garantimi i lirisë së shtypit, atëherë presidenti turk mund të tërhiqet nga marrëveshja dhe të vërshojë Evropën, përmes Ballkanit, me valë të reja të refugjatëve. «Ne në çdo çast mund t’i hapim portat drejt Greqisë dhe Bullgarisë dhe t’i fusim refugjatët në autobusë». Kështu iu kërcënua Erdoani shefit të Komisionit të BE-së, Jean-Claude Juncker, gjatë një takimi nëntorin e kaluar.

Erdoan ka merita të mëdha për zhvillimin e Turqisë, por sa më shumë ka zgjatur qëndrimi i tij në pushtet, aq më autoritar është bërë. Dikur ai ishte një besimtar i devotshëm (ose së paku e luante mirë këtë rol), ndërsa tani ai është një islamik agresiv që synon ringjalljen e Perandorisë Osmane, duke hedhur shikimin si në drejtim të botës arabe ashtu dhe nga trevat ballkanike të banuara me myslimanë.

«Demokracia është vetëm tren në të cilin ngjitemi derisa të arrijmë në cak». Kështu kishte thënë Erdoan dikur. Cili është caku? Një kalifat islamik? Suspendimi i demokracisë? Shtypja e mendimit të lirë? Shkelja e të drejtave të njeriut? Dominimi i burrave? Tallja me gra? (Erdoan së fundi tha se rolin e gruas e sheh në radhë të parë si nënë). Rolin e dhëndrit po ashtu e ka të qartë Erdoani: dhëndri i tij së fundi është emëruar ministër, ndërsa ish-shoferi i Erdoanit ka zënë vend në parlament. Ky është nepotizmi postosman, i cili më gjerësisht përshkruhet në numrin më të ri të revistës gjermane «Der Spiegel».

Si të gjithë autokratët, edhe Erdoan jeton në një botë lajkatarësh e çanaklëpirësish. Së fundi, siç shkruan «Der Spiegel», një politikan i ri i partisë së Erdoanit AKP publikoi në Twitter një fotografi të një gote të ujit. Këtë fotografi ai e shoqëroi me këto fjalë: «Kjo është gota prej së cilës piu ujë presidenti ynë, ndërsa po mbante fjalim». Ky është humor i pavullnetshëm.

Ndërkaq, humor i vullnetshëm është ky që hodhi në eter emisioni humoristik «heute-show» i ZDF, kanalit të dytë të televizionit publik gjerman: pasi e thirri ambasadorin gjerman për të protestuar kundër satirës së një kanali televiziv gjerman, Erdoani tani e ka ftuar edhe hënën e plotë në bisedë informative që të protestojë «për shkak të njollosjes së flamurit turk». Hëna në flamurin turk është e shenjtë, por nuk është e plotë!

robelli@bluwin.ch

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...