Qeveria “status neutrale” e Kosovës

6 Prill 2016 - 08:17 - Augustin Palokaj      

Formalisht Qeveria e Kosovës duket sikur BE-ja sa u përket qëndrimeve ndaj statusit të Kosovës. Sikur në BE që ka shtete të cilat nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ashtu edhe në Qeverinë e Kosovës ka ministra që atë e konsiderojnë si pjesë të Serbisë. Nuk është problem pse kryeministri i Serbisë vjen në Kosovë, por problem është se çfarë flet ai

Nganjëherë Kosova të duket sikur që jeton tërë vitin 1 prillin, ditën që në Kosovë quhet ditë e rrenave. Njeriu asnjëherë nuk e di se çfarë nga deklaratat e politikanëve duhet t’i kuptojë si serioze e çka si hajgare. Nuk e di as cilat lajme nga portalet t’i konsiderojë serioze e cilat jo. Dhe mediat e tjera, përfshirë edhe radiotelevizionet, po u ngjajnë gjithnjë e më shumë portaleve, sepse gjithnjë e më shumë për të mbushur hapësirën e tyre po i përdorin si burim postimet e politikanëve në “Facebook”. Dhe kështu kur diçka postohet në “Facebook”, transmetohet nga një, dy e pastaj tri media, përhapet aq shumë, saqë kuptohet seriozisht. E më vonë del se nuk ka qenë serioze.

Në radhën e shumë deklaratave joserioze, e si të tilla mund t’i quajmë dhe të gjitha premtimet e mëdha që kanë dhënë politikanët për sovranitetin e plotë të Kosovës, për riintegrimin e plotë të veriut, për qindra e mijëra vende të reja pune, për liberalizim vizash, për integrime në BE dhe NATO dhe shumë të tjera, tash janë edhe ato se “serbët në Kosovë do të votojnë për zgjedhjet e Serbisë sipas Kushtetutës së Kosovës”, dhe se “Vuçiq ka vizituar Kosovën si një politikan i huaj me lejen e Qeverisë së Kosovës”. Kështu duket se Qeveria e Kosovës ia bën qejfin vetes, sepse pakkush në Kosovë do të mund të besonte në një gjë të tillë.

Sa u përket votimeve për zgjedhjet e Serbisë edhe në territorin e Kosovës asgjë nuk ka ndryshuar këtu nga zgjedhjet e kaluara. Dhe tashmë zhvillimi i këtyre zgjedhjeve, sikur Kosova vërtet të ishte pjesë e Serbisë, është shndërruar në rutinë dhe sikur është bërë një normë e pranueshme edhe për Kosovën. As pas marrëveshjeve të Brukselit, me të cilat Qeveria e Kosovës thotë se janë shpërbërë strukturat e Serbisë në Kosovë, nuk ka ndryshuar asgjë rreth zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë. Ato i zhvillon Serbia, ndërsa i lehtëson Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë - OSBE, e cila nuk e njeh Kosovën si shtet dhe Kosova nuk është pjesë e saj. Nuk di se çfarë mendojnë kryeministri Mustafa dhe pjesëtarët e tjerë të Qeverisë së Kosovës kur thonë se pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në zgjedhjet e Serbisë mund të bëhet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Zakonisht shtetasit e një shteti të cilët jetojnë në një shtet tjetër mund të votojnë për zgjedhjet e shtetit të tyre, por ato votime nuk bëhen nëpër shkolla dhe vende publike, por në përfaqësitë diplomatike të atij shteti, përfaqësi të cilat sipas konventave ndërkombëtare e kanë statusin exterritorial dhe mund të konsiderohen si pjesë sovrane e shtetit që i ka ato përfaqësi. Nuk kemi parë që Serbia për shtetasit e vet që jetojnë në Kosovë të organizojë votime në Ambasadën e Republikës së Serbisë në Republikën e Kosovës. Serbia nuk ka një ambasadë të tillë. Por shohim se Serbia i organizon ato duke thënë se zgjedhjet zhvillohen në “territorin e Serbisë, përfshirë edhe në Kosovë dhe Metohi, që është pjesë e Serbisë”. Në asnjë shtet tjetër Serbia nuk i organizon zgjedhjet sikur në territorin e Kosovës dhe asnjë shtet tjetër në territorin e Kosovës nuk i organizon zgjedhjet sikur Serbia. Dhe nuk shohim se çfarë mund të jetë këtu në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Por nuk do të na habiste sikur të dilnin “ekspertë” apo “komisione ndërkombëtare” që do të na bindin se vërtet këtu nuk ka asgjë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Në Kosovë, siç pamë me rastin e tre ekspertëve të huaj që me shpejtësi, që e bën mendimin e tyre joserioz, “konfirmuan” se demarkacioni i kufirit me Malin e Zi është në përputhje me ligjet e Kosovës. Nuk kuptohet se si në Kosovë mund të quhet “ndërkombëtar” një komision të cilin e formon presidentja e Kosovës e jo ndonjë organizatë ndërkombëtare. Nuk duhet të përzihet termi “të huaj” dhe “ndërkombëtarë”, sepse vetë autoritetet e Kosovës mund të formojnë komisione me të huaj, por kjo nuk i bën ata ndërkombëtarë. Nuk e di se për çfarë komisioni ekspertësh të demarkacionit është fjala kur ata në raportin e tyre përmendin “raportet e mira fqinjësore mes Kosovës dhe Malit të Zi”, kur dihet se askush nuk i ka problematizuar raportet me Malin e zi, të cilat vërtet janë shumë të mira, por demarkacionin e kufirit. Dhe ka shumë shtete të cilat kanë raporte edhe më të mira mes vete sesa Kosova dhe Mali i Zi dhe kanë mospajtime të pazgjidhura për vijën kufitare. Dhe ato shtete janë serioze dhe e dinë se asnjë komision nuk mundet me saktësi të theksojë për vetëm tri javë se çka është në përputhje me standardet ndërkombëtare e çfarë jo. Nuk janë këto vetëm mendimi i komisionit, sepse ata mund ta kenë thënë një gjë të drejtë, por mënyra se si në Kosovë u qasen zgjidhjes së problemeve dhe sqarimeve ndaj opinionit duke përdorur gjithmonë si argument mbështetjen e “faktorit ndërkombëtarë” apo “ekspertëve ndërkombëtarë”. Tash edhe Gjykatën Speciale, që do të gjykojë disa nga ish-udhëheqësit e UÇK-së, do ta kemi “ndërkombëtare”, edhe pse ajo është formuar nga Kosova, për Kosovën dhe në bazë të ligjeve të Kosovës.

Edhe për pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhjet e Serbisë, duke votuar në territorin e Kosovës, edhe për vizitat e kryeministrit të Serbisë dhe të shumë politikanëve të tjerë të këtij shteti në Kosovë, mund të marrë Kosova mbështetje ndërkombëtare. Por kjo nuk i bën ato vizita më pak problematike, sepse të gjithë e dinë se më së paku në këto raste dëgjohet fjala e Qeverisë së Kosovës.

Formalisht Qeveria e Kosovës duket sikur BE-ja sa u përket qëndrimeve ndaj statusit të Kosovës. Sikur në BE që ka shtete të cilat nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ashtu edhe në Qeverinë e Kosovës ka ministra që atë e konsiderojnë si pjesë të Serbisë. Nuk është problem pse kryeministri i Serbisë vjen në Kosovë, por është problem se çfarë flet ai.

Vuçiq tha se në Kosovë Serbia do të investojë “sikur edhe në pjesë të tjera të Serbisë” dhe bëri të qartë se e konsideron Kosovën pjesë të Serbisë. Në shoqërim të tij ishin edhe ministra të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të cilët kur thonë “qeveria jonë” mendojnë në Qeverinë e Serbisë. Kosova gjithsesi duhet të ketë pjesëtarë të komunitetit serb të Kosovës në Qeverinë e saj. Kosova nuk do të ishte shtet normal pa serbët. Por është bërë një situatë bizare kur në Kosovë në Qeveri të saj ka ministra të cilët nuk e njohin shtetin në Qeverinë e të cilit janë ministra. 

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...