Na hëngri dreqi!

5 Prill 2016 - 07:51 - Flaka Surroi      

Të huajt thonë se zgjedhjet e reja marrin kohë, energji dhe para. Është e vërtetë. Porse edhe më e vërtetë është se dy vitet e fundit na e kanë shterë edhe kohën edhe energjinë (e për para të mos flas) dhe na kanë sjellë këtu ku jemi sot. Në një pozitë me të cilën askush nuk mund të krenohet. Përkundrazi

Dy ishin lajmet që e shënuan javën në Kosovë: vlerësimi i Komisionit ad-hoc për demarkacionin, sipas të cilit nuk ka gjë kontestuese në lidhje me kufirin me Malin e Zi dhe aktgjykimi skandaloz i Tribunalit të Hagës, që e shpalli Vojisllav Sheshelin të pafajshëm për krime lufte.

Përderisa i pari ngjalli reagimin e menjëhershëm të Qeverisë, të Ambasadës Amerikane dhe të opozitës, pas deklamimit të ngathtë të kryetares Jahjaga që mezi i lexoi dy rreshta që ia kishin përgatitur në lidhje me temën, i dyti ngjalli reagime kryesisht në rrjete sociale dhe përcjellje nga larg të protestave që po organizoheshin në Bosnjë e Kroaci kundër këtij aktgjykimi. Te rasti i Sheshelit, mungesa e reagimit te ne thuaja e pasqyron ndjesinë e popullsisë së Kosovës ndaj konceptit të drejtësisë në përgjithësi: se ai, për kosovarët, nuk ekziston dhe si i tillë aq nuk çon në kandar, sa nuk e meriton as një protestë simbolike.

Megjithatë, punë e pakryer

Nuk ishin të paktë ata që shtronin pyetjen se përse Jahjagës iu desh të priste muajin e fundit të mandatit të saj për t’u inkuadruar në çështjen e demarkacionit. Caktimi i një komisioni ad-hoc, pa përfshirjen e asnjë kosovari u kritikua ashpër nga opozita. Puna dyjavore e këtij komisioni përfundoi me një raport dhjetëfaqësh, që në përgjithësi bënte vlerësimin e metodës së përdorur nga komisionet shtetërore për përcaktimin e kufirit. Por jo edhe të ndonjë metode alternative që do të mund të jetë aplikuar për ta përcaktuar atë.

Se ky gjykim është i gabuar vazhdon ta pohojë profesori Shpejtim Bulliqi. Duke pasur parasysh një studim paraprak që ia kishte bërë kësaj çështjeje, dhe sidomos duke e pasur parasysh se ai është deputet i LDK-së, i cili i kundërvihet qëndrimit të Qeverisë së udhëhequr nga partia e tij në lidhje me këtë temë – ka shumë arsye që Kuvendi të ndalet e të mendojë nëse me ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, shtetit fqinj do t’i falën 8 mijë hektarë tokë. Bulliqi deri tash është dëshmuar të jetë shumë i matur dhe t’i ketë ofruar argumentet e tij profesionale me fakte, pa përdorur as gjuhë arrogante e as pa e fyer askënd. Dhe në këtë kontekst, më parë i besoj Bulliqit, sesa Komisionit ad-hoc të emëruar nga Jahjaga. Kjo për faktin se nuk po më hiqet dyshimi që këta “ekspertë” të kenë ardhur me detyrën apriori të caktuar që ta shpallin procesin të pastër. E që, natyrisht, kështu t’ia shpëtojnë fytyrën Thaçit dhe që problemin t’ia bartin Kuvendit.

Sido që të jetë, vështirë do të jetë të besohet se Kuvendi, i cili duhet t’i sigurojë 80 vota për ta kaluar këtë dokument, do të votojë kundër. Por, kur të vijë dita e votimit, deputetët do të duhej të mendoheshin dy herë, në mos për shkak të mospranimit të gabimit, apo mos e zot, pranimit se opozita kishte pasur të drejtë, vërtet do ta zvogëlojnë Kosovën dhe për 8 mijë hektarë. Kjo do të ishte barrë e madhe që historia do t’u vërë në supe dhe do ta bartin përgjegjësinë për një vendim që ka shumë gjasa të jetë i gabuar.

Çfarë drejtësie është kjo?

I gabuar ka qenë edhe vendimi i Tribunalit të Hagës në lidhje me Sheshelin. Nëse për asgjë tjetër, ky është dashur të dënohej për nxitjen e urrejtjes dhe të krimit kundër joserbëve në ish-Jugosllavi. Po të kishte pasur ndërgjegje gjykatësi që e shqiptoi verdiktin, do të mjaftonte vetëm deklarata të cilën ky e kishte bërë para nisjes së bombardimit më 1999: “Ako dođe do bombardovanja NATO-a, ako dođe do američke agresije, mi Srbi ćemo prilično stradati, ali Albanaca na Kosovu neće biti” (Nëse ndodh bombardimi i NATO-s, nëse ndodh agresioni amerikan, ne serbët do të pësojmë mjaft, por më nuk do të ketë shqiptarë në Kosovë). Fakti i pamohueshëm që ndodhi pas kësaj deklarate të cilën e dha si nënkryetar i Qeverisë së Serbisë, ishte dëbimi i 800 mijë shqiptarëve nga Kosova – e këtë fakt e ka vërtetuar edhe UNHCR, agjencia e specializuar e OKB-së për refugjatët. Pra, organizëm i OKB-së, që e ka themeluar Tribunalin e Hagës.

E enjtja ka qenë ditë pikëlluese për të gjithë ne që kemi qenë viktimë e luftës së Millosheviqit dhe kasapëve të tjerë sikurse është Shesheli. Ka qenë ditë kur u dëshmua se drejtësia nuk vjen gjithmonë në vend – sepse drejtësinë megjithatë e ndajnë njerëzit. E këta jo çdoherë janë racionalë.

Ndërkohë në Kosovë

E aspak racionale është dëshmuar Qeveria me në krye Thaçin kur e shiti Distribucionin e rrymës për 23 milionë. Vetëm para tre-katër ditësh u zbulua se së bashku me këtë rrjet ishin shitur edhe katër hidrocentralet (e vetme) që i ka Kosova. Në një proces absolutisht jotransparent, çështja e hidrocentraleve nuk ishte bërë kurrë publike. Kishte kaluar kontrabandë, sikurse shumë gjëra që kalojnë në Kosovë, dhe kështu Kosova i kishte humbur edhe katër asete, vetëm pse kështu ia kishte marrë mendja Thaçit. Dhe çka fitoi Kosova nga ky transaksion? Fitoi çmimet ndër më të shtrenjta të rrymës në rajon, që ngarkohet edhe me “humbjet” d.m.th. mospagesën e borxheve për rrymë nga serbët dhe me konfiskimin madje edhe të lopëve të atyre që mezi e lidhin javën për të mbijetuar. E fitoi futjen e kompanive turke si “investitorë” të jashtëm, që ta gllabërojnë pasurinë për pak para. Dhe fituam titullin e “vëllait të vogël” për Thaçin nga Erdogani.

Ndërkohë Thaçi lëkurëtrashë, i emocionuar fare me faktin se do ta mbajë postin e kryetarit për së paku pesë vjet (nëse nuk ndodh diçka e (pa)paraparë), e ka futur në funksion sërish Gjykatën Kushtetuese për t’ia mbrojtur shpinën. Pavarësisht kërkesës së opozitës, Kushtetuesja nuk e futi në funksion masën e përkohshme të pezullimit të inaugurimit të kryetarit të ri, dhe ky e urdhëroi ekipin e tij që t’ia organizojë një ceremoni për mbamendje me 500 të ftuar te sheshi “Skënderbeu”. Se punët bash i kemi për parada dhe për gjuajtje parash në inaugurime, të një njeriu, që po të kishte drejtësi, nuk do të duhej të zgjidhej kryetar. Ose që do të duhej shpallur i zgjedhur në kundërshtim me “aktgjykimin Pacolli” të po kësaj Gjykate Kushtetuese që, me gjasë, do ta presë afatin e fundit për t’u deklaruar.

Opozita, nga ana tjetër, duket se i tregon shenjat e para të plasaritjes së një aleance jo fort të natyrshme që nga fillimi. Protesta e paralajmëruar gjatë, e që duhej të mbahej më 26 mars, u shty për kohë të pacaktuar. Arsyet zyrtare qenë “nevoja për konsolidim”, por esenca duket se qëndron te metodat e protestës dhe qëllimit përfundimtar politik. Dhe mbi të gjitha, në liderizmin e natyrshëm të VV-së dhe ftesën që kjo ua bëri pjesëtarëve të shoqërisë civile për bashkëpjesëmarrje në garë për pushtet, po qe se mbahen zgjedhjet e reja.

Dhe në këtë tollovitje, befasisht, AAK-në e braktisi Donika Kadaj-Bujupi me një argumentim jo fort bindës, apo së paku, argumentim që nuk kishte për qëllim të shpjegonte për problemet e brendshme në AAK. Spekulimi i radhës është se, duke u kanosur rreziku që e gjithë AAK-ja ta braktisë Kuvendin me dorëzimin e mandateve të deputetëve, Kadaj-Bujupi do të kishte për të humbur privilegjet që ia siguron ligji – tri legjislatura, një pension jo i keq për ditë të pleqërisë së hershme. Sido që të jetë, shkuarja e shefes së Grupit parlamentar, është porosi e keqe që përçon AAK-ja, edhe ashtu bashkëpjesëmarrëse në proceset që e kanë sjellë Kosovën në këtë gjendje. Sa për të rifreskuar memorien, ishte ministri i AAK-së, Bujar Dugolli, ai që e shiti “Ferronikelin” për 33 milionë dhe ishin deputetët e AAK-së ata që e votuan Marrëveshjen e Brukselit, të cilën sot e kontestojnë me gjysmë goje.

Plani i krijimit të një liste të përbashkët për zgjedhjet e ardhshme ku AAK-ja e barazon veten me Vetëvendosjen sa i përket numrit të kandidatëve për deputetë, është mbase përpjekja e fundit e Haradinajt për ta shpëtuar partinë e vet nga rënia e mëtejshme. Porse është edhe qëndrim pretencioz, e njëkohësisht edhe kufizues për prurjen e fytyrave të reja me integritet që do t’i nevojiteshin Kosovës urgjentisht.

* * *

Do të pajtohem me ambasadorin amerikan në një pjesë të deklaratës së tij që thotë se Kosova ka shumë telashe dhe duhet të merret edhe me korrupsionin, edhe me shëndetësinë e edhe me zhvillimin ekonomik. Në fakt kjo është ajo që prej çlirimit e kërkojnë kosovarët. Porse fatkeqësia e këtij vendi është se në 15 vjetët e fundit është udhëhequr nga njerëz të korruptuar, që nuk donë të dinë për ligjin e aq më pak për zhvillimin ekonomik – sepse këto nuk u konvenojnë. Sepse sa më kaotike të jetë situata, aq më lehtë pozicionohen në shkallë të ndryshme të pushtetit dhe të kontrollit të parasë.

Përkrahja e atyre që e kanë sjellë shtetin buzë shkatërrimit, nuk i ndihmon zgjidhjes së krizës së thellë politike, të cilën vetëm dikush që shtiret i verbër nuk do që ta shohë. Të akuzosh për inskenime krizash në kohën kur po zhytemi në to me konsistencë qe gati dy vjet, është të mos duash të pranosh se zgjedhja e “bashkëpunëtorëve” të dëgjueshëm ka pasur efekte katastrofale për këtë vend. Aq sa e kemi shtetin jofunksional, pa kontroll në veri, pa Kuvend demokratik, me Qeveri e pa kurrfarë plani zhvillimi, pos pallavrave për punësimin e qindra mijëra njerëzve dhe një kryetare që e pati shansin për të zgjidhur shumë probleme, vetëm po të donte dhe po të dinte të zgjidhte këshillën më të mirë, e që tash shkon, duke na e lënë shijen e hidhur.

Të huajt thonë se zgjedhjet e reja marrin kohë, energji dhe para. Është vërtetë. Porse edhe më e vërtetë është se dy vitet e fundit na e kanë shterë edhe kohën edhe energjinë (e për para të mos flas) dhe na kanë sjellë këtu ku jemi sot. Në një pozitë me të cilën askush nuk mund të krenohet. Përkundrazi.

Insistimi që gjërat të mos preken, nuk do të sjellin ndryshim. E diçka duhet të ndryshojë për t’u bërë më mirë. Ndryshe, na hëngri dreqi!

flaka@koha.net 

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...