Ngritja dhe rënia opozitare

3 Prill 2016 - 08:00 - Agron Bajrami      

Për dy vjet opozita ndërtoi një front kundër pushtetit. Tani duket sikur do ta çmontojë frontin vetë

Zhvillimet e fundit brenda bllokut opozitar nuk mund të jenë befasuese për askënd.

Qysh prej kohës së marrëveshjes së parë për bashkim opozitar, pas zgjedhjeve të 8 qershorit 2014, kur pjesë e bllokut ishte edhe LDK-ja e Isa Mustafës, bashkimi i këtyre forcave politike nuk bazohej në program qeverisës, por synim primar kishte rrëzimin e PDK-së, dhe, natyrisht, marrjen e pushtetit prej duarve të Thaçit.

Në kuadër të kësaj kornize politike sigurisht se zhvilloheshin edhe beteja më të vogla e individuale: Mustafa luftonte për të mbetur në krye të LDK-së përkundër disfatës zgjedhore, Haradinaj luftonte për të marrë kryesimin e qeverisë, Limaj luftonte për mbijetesë politike, ndërsa Kurti me kryetarin e tij, Ymerin, kërkonin rrugën e kompromisit mes idealeve të proklamuara politike dhe pragmatizmit që imponohet si rregull i lojës për secilin që do të ngrihet në pushtet.

Në anën tjetër qëndronin PDK-ja dhe Thaçi, të fuqishëm jo pse kishin fituar më shumë vota në zgjedhje, por sepse kishin nën kontroll sistemin për të imponuar rregullat e lojës sipas të cilave qeveria nuk mund të formohej pa ta.

Mes këtyre ishte shoqëria e Kosovës, një shumicë e qytetarëve të dëshpëruar nga vitet e keqqeverisjes së Thaçit, të etur për një ndryshim, sado të vogël, një lëvizje që do të jepte shpresë edhe aty ku mendja thoshte se shpresa nuk ekziston!

Por, peshorja politike në fund anoi në favor të PDK-së, sepse ishte e shtyrë nga institucionet e kontrolluara të shtetit, si puna e Gjykatës Kushtetuese dhe Presidencës së vendit, si dhe diplomatë të ndryshëm, prej të cilëve ka që korrupsionin dhe keqqeverisjen rëndom i shohin si e keqe më e vogël krahasuar me nacionalizmin dhe radikalizmin në politikë. Thua se Kosova nuk ka kapacitet për të qenë e moderuar dhe e pakorruptuar njëkohësisht!

Sidoqoftë, ky ishte konteksti në të cilin ndodhi shkurorëzimi i parë opozitar – ikja e LDK-së në përqafim të PDK-së.

* * *

Por, kriza e parë opozitare – braktisja e bllokut VLAN nga LDK-ja – përveçse i tërboi Kurtin, Haradinajn & co., ajo edhe forcoi lidhjen mes tyre dhe vendosmërinë që të luftojnë kundër koalicionit të ri Thaçi-Mustafa me entuziazëm të shtuar. Tekefundit, tani gjithçka ishte shumë më personale se më parë; pas gjashtë muajsh besëlidhjeje kundër Thaçit, Mustafa i kishte tradhtuar dhe ata këtë nuk mund t’ia falnin.

Por, këtë lloj loje të paskrupullt politike Mustafës nuk mund t’ia falnin as një numër i madh qytetarësh, përfshirë një pjesë jo e vogël e vet partisë së tij, meqë, pos që hyri në koalicion me partinë më të urryer nga LDK-ja, ai e bëri këtë pasi për gjashtë muaj mbajti gjallë shpresën se Thaçi do të përcillet në opozitë!

Mllefi ndaj Mustafës si kryeministër dhe Qeverisë së Kosovës në përgjithësi do të ishte shumëfish më i vogël nëse koalicioni PDK-LDK do të ishte bërë në qershor të vitit 2014, dhe jo gjashtë muaj më pas. Nuk do të kishte fare VLAN, ndërsa AAK-VV-Nisma zor se do të kishin arritur nivelin e bashkëpunimit që e patën pas “tradhtisë” së Mustafës, që rrjedhimisht nënkupton se edhe konflikti politik i 22 muajve të fundit do të ishte i një intensiteti më të ulët, me shumë më pak akte dhune se që kemi parë, sidomos në dhjetë muajt e fundit.

Por, ndodhi si ndodhi dhe LDK-ja iu bashkua PDK-së vetëm pas gjashtë muajsh bllokimi, ndërsa VLAN-i u shndërrua në VAN, më i paktë në numra, por më i mllefosur në veprim, mllef ky të cilin e provoi i pari vetë Mustafa, në janar, kur protestat opozitare kundër ministrit Jablanoviq përshkallëzuan në dhunë të hapur, në qendër të Prishtinës.

Aty edhe nisi kriza e madhe.

Viti 2015 do të bëhet vit i përplasjeve të dhunshme, i arrestimeve politike, gazit lotsjellës, koktejeve të molotovit, gjuhës fyese dhe të urrejtjes nga goja e zyrtarëve më të lartë të pushtetit dhe opozitës. Mllefi ushqeu urrejtjen e urrejtja përshkallëzoi krizën. Pushteti përdori shtetin, opozita përdori rrugën.

Dhe sa më shumë që përshkallëzonte situata, lidhja mes partive opozitare dukej se forcohej. Dallimet që gjithmonë e dinim se ekzistojnë, nuk shiheshin më. Kur duhej hedhur gazin lotsjellës, këtë tashmë e bënin deputetët nga të tri partitë opozitare. Në përplasje me policinë, në përballje me sigurimin e Kuvendit, në sharje me deputetët dhe eksponentët e Qeverisë, në rezistim ndaj sistemit të drejtësisë – ishin bashkë, nga të tri partitë.

Prej verës së kaluar, gushtit 2015, ato edhe gjetën dy kauzat që u shërbyen si ngjitës shtesë mes tyre – Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe demarkacionin me Malin e Zi. VV-AAK-Nisma i deklaruan këto dy pika si kauza të përbashkëta dhe ndërmorën veprime, shpeshherë edhe të dhunshme, për të bllokuar pushtetin që nënshkroi këto dy marrëveshje. E bënë këtë edhe me koston e irritimit dhe prishjes së raporteve me një pjesë të bashkësisë ndërkombëtare, e cila qëndronte në krah të dy projekteve që kontestoheshin nga opozita. Duke bërë këtë, ato forcuan përkrahjen ndërkombëtare për Qeverinë, por edhe shkuan një hap më larg në deklarimin e trupit opozitar si një alternativë të qartë përballë pushtetit: Shkrirjes në një subjekt të vetëm politik.

* * *

Alternativë e qartë po, por jo edhe e definuar mirë.

Ishte e qartë, sepse kishte kërkesa të qarta: “Kundër Zajednicës”, “Kundër demarkacionit”, “Kundër Qeverisë”, “Kundër Mustafës”, “Kundër Thaçit”.

Por nuk ishte e definuar, sepse qytetari nuk e dinte se çka saktë e bashkon këtë opozitë përveç kundërshtimit ndaj pushtetit dhe projekteve të tij!

Si në kohën e VLAN-it, para dy vjetësh, opozita nuk ka një platformë të përbashkët alternative ndaj pushtetit, përveç kundërshtimit. Si në kohën e VLAN-it, publiku është më se i vetëdijshëm për dallimet, shpeshherë substanciale, si mes partive të opozitës, ashtu edhe mes liderëve të tyre.

Derisa për dy vjet rresht theksonin ato që i bashkojnë, ditët e fundit opozitarët kanë nisur të flasin çdoherë e më shumë për dallimet mes tyre.

Ky është ogur i qartë se mllefi që i mbante tok ka nisur të qetësohet. Është shenjë që secili ka nisur të bëjë kalkulimin e vet dhe se interesi i shpallur madhor nuk mjafton më për t’i frenuar interesat e veçanta partiake e individuale.

Por nëse gjithçka përfundon këtu dhe kështu, pyetja që do mbetet është: çka bënë këta për dy vjet bashkë?

E futën gazin dhe molotovin dhe hedhjen e vezëve e gurëve në vokabularin e përditshëm politik, por Asociacionin nuk e ndalën. As demarkacionin. As Qeverinë nuk e rrëzuan. As zgjedhjet e parakohshme nuk i imponuan. As Thaçin nuk e penguan të bëhet president. As Mustafën të mbetet kryeministër.

Dhe, nëse ndahen përfundimisht, siç mund të kuptohet nga mënyra si komunikojnë mes vete publikisht, konkludimi do të jetë se janë ndarë pa e kryer asnjë nga punët pse u bënë bashkë!

agronb@kohaditore.com 

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...