Jeta me shpresë

29 Mars 2016 - 08:00 - Flaka Surroi      

Gjërat që po na ndodhin janë pasojë e shtetit jofunksional që udhëhiqet keq nga një fraksion njerëzish që mendojnë se dinë, por që në të vërtetë kanë dëshmuar që nuk e kanë idenë se shteti i takon popullit e jo atyre. Është pasojë e zakonit të keq që e kemi ne kosovarët për të duruar deri në pafund, sepse e fundit vdes shpresa se nesër do të jetë ndryshe

Qe një fluturim nga më të rëndomtit – nisja nga Prishtina ishte me kohë; aeroplani qe plot pasagjerë, përfshirë njërin ministër që udhëtonte në klasën ekonomike dhe kisha krijuar bindjen se, meqë ishte fundjavë, pjesa më e madhe syresh shkonin për një vizitë të shkurtër në Stamboll. Por, me t’iu afruar aeroportit Ataturk, piloti filloi të merrte instruksione që të bënte xhiro përmbi qytetin, ngase trafiku i dendur nuk e lejonte aterrimin, deri pas gati 75 minutash qëndrimi në ajër.

Kjo nënkuptoi se krejt ne që kishim fluturime të tjera në vazhdim, rrezikonim që aeroplanët të na “iknin”. Dhe kjo pikërisht më ndodhi mua. Më la të “ngujuar” në Stamboll për një natë, që ta prisja atë të radhës. Më me fat ishin rreth 15 a 20 udhëtarë, të cilëve iu hapën të gjitha shtigjet që të kalonin sa më shpejt kontrollin e sigurisë, e ta “zinin” aeroplanin që do t’i shpinte në Shangai të Kinës. Që të gjithë ishin kosovarë dhe që të gjithë djem relativisht të rinj dhe të veshur me xhinse e xhaketa të lëkurës. Tek-tuk do të përzihej në atë mes edhe ndonjë zë femre.

Nuk dukeshin të ishin turistë. Më parë do të thosha ishin “emisarë” të firmave të vogla kosovare, që do të shkonin për të blerë mall në Kinë – të çfarëdo lloji. Të atij, që pavarësisht cilësisë, e ka vërshuar tregun kosovar që nga paslufta. Që shkonin për të importuar mall të lirë që përherë i vjen era plastikë – por për të cilin mall përherë do të gjejnë myshterinj, sepse çmimet sado të fryra krahasuar me ato burimore, i kap xhepi i kosovarit të shekullit XXI.

Kisha dëgjuar për shumë njerëz që po udhëtonin në Kinën që nuk na e ka pranuar shtetësinë, ama që nuk e sheh fare problematike që të tregtojë me ne e të na i plasojë produktet e veta. Porse që më ndodh ta shoh një ekskursion të tërë, këtë as në ëndërr nuk e kisha parë.

Indiferenca

Ngujimi i paplanifikuar në Stamboll më bëri dëshmitare, nga këndi tjetër, i sulmit terrorist të radhës në qendër të qytetit. Ishte ditë me vranësira e shi, dhe para se të dilja nga hoteli u hamenda shumë a të shkoja në Taksim. Disi i përtoja ecjes që do të m’i ënjte këmbët, dhe vendosa të dilja në bregun përballë. Qe punë koincidence, që me të arritur te Xhamia e Kaltër, në atë çast BBC-ja kumtonte se kishte shpërthyer një bombë afër Taksimit.

Prisja të shihja panik, dhe zbrazje të asaj pjese të qytetit që ishte stërmbushur me turistë nga shumë anë të botës e që dëgjoheshin tek i flisnin gjuhët e tyre. Prisja që edhe vetë turqit që kishin dalë atë ditë të shtunë për të drekuar nëpër lokalet e shumta të asaj ane, t’u ktheheshin shtëpive të tyre.

Por e kisha pasur gabim. “Business as usual” do të thoshin amerikanët – e gjitha vijonte thuajse asgjë nuk kishte ndodhur. Qarkullimi te Sulltanahmeti vazhdonte po me të njëjtin intensitet; autobusi i kuq qarkullonte pa asnjë telash pos atij që nuk mund t’i afrohej Taksimit ngase e gjithë qendra ishte bllokuar dhe zbrazur nga njerëzit, përderisa helikopterët policorë e ushtarakë e vëzhgonin situatën nga lart.

Qe e pabesueshme që në ajër nuk ndihej asnjë grimë frike. Edhe më e pabesueshme se lokalet, me gjithë “shiun budallë” që rigonte, vlonin nga njerëzit që shijonin ushqimin dhe çajin në bardak. Nuk lëviznin pa e përfunduar ritualin, të cilit ia kishin përkushtuar atë ditë të shtunë. Thuajse shpërthimi matanë detit nuk kishte të bënte me ta, me popullin, por me shtetin, që do të duhej të ndihej përgjegjës për jetën e qytetarëve të vet.

Ndërkohë Kosova

Përderisa këto po ndodhnin, në Kosovë po zbulohej se edhe vëllai i kryeministrit kishte kërkuar azil. Pas publikimit të informatës thuhej sesi kryeministri e kishte kërcënuar gazetarin Kajtazi për këtë punë në Viber – dhe plasi skandali.

E papranueshme është që cilido nga politikanët ta thërrasë cilindo gazetar a redaktor për t’iu ankuar a për ta sharë për ndonjë tekst, apo për t’i bërë presion që ai të mos botohet. E aq më pak i pranueshëm është çfarëdo kërcënimi ndaj gazetarëve, posaçërisht ndaj atyre që i bëjnë publike informatat me mjetin që e kanë: shkrimin ose publikimin e stories. Dikush që është i pakënaqur me këso informata e ka të drejtën e reagimit, e fundja edhe të gjyqit, për të kërkuar “qërim hesapesh”.

E tash, për t’iu kthyer temës së vëllait të kryeministrit. Nuk është përgjegjësi personale e kryeministrit, po qe se vëllai i tij shkon dhe kërkon azil kudo. Në fakt, ne as nuk e dimë se çfarë raportesh i ka ai me të vëllanë. Do të ishte përgjegjësi personale, po qe se do ta udhëzonte që ky të kërkonte azil jashtë, për shërim, apo për çfarëdo.

Mirëpo, është përgjegjësi politike e kryeministrit që e udhëheq një qeveri që është përgjegjëse për sistemin shëndetësor ku, hiç më larg se vjet, gazeta ka zbuluar se janë keqpërdorur shumë para për sigurimin e citostatikëve që kurrë nuk u vijnë në duar pacientëve, por ato duhet t’i sigurojnë privatisht me çmime te ekzagjeruara. Është përgjegjësi politike pra edhe morale, që i njëjti kryeministër kishte kërkuar që familjet të kujdeseshin për ata që nisën të iknin nga Kosova, përderisa thotë se për vëllanë e tij kishte kuptuar nga personat e tretë. Është përgjegjësi politike e kryeministrit që e udhëheq një qeveri që nuk e ka as vizionin më të vogël se si ta nxjerrë nga kriza këtë vend, për shkak se vetë, në bashkëpunim me partnerin e tij, Thaçin, janë burim i krizës.

Sërish, pa hyrë në raportet personale dhe familjare, shkuarja e të vëllait jashtë shtetit në kërkim të shpëtimit flet keq për shtetin, i cili nuk kujdeset për qytetarët e vet. E në krye të qeverisë së atij shteti është vetë Mustafa, që regjistron numrin e pandalshëm të skandaleve në sistemin shëndetësor. Ndikon edhe më shumë në imazhin edhe ashtu të prishur të Kosovës në sytë e botës – që ja, Kosova është aq e pashpresë, sa edhe familjarët e kryeministrit shkojnë e kërkojnë azil jashtë. Me shpresën se nuk do t’i kthejnë prapa.

Është përgjegjësi e po këtij kryeministri e edhe të atij parapraku, se përse në aeroplanin e Stambollit kishte me duzina njerëz që detyrohen të bëjnë biznes me mall kinez, e t’i shpenzojnë paratë e gatshme jashtë, për t’ia siguruar vetes jetën këtu. Sepse Kosova Kinës mund t’ia shesë vetëm xehet e “Trepçës”, dhe kjo me çmim minimal, se as njerëz nuk mund të dërgojë për punë atje, sepse Kina njerëz ka me bollëk.

Të paide

Për fat të keq, duket se asnjë skandal nuk do të ketë fuqinë për ta kthyer Kosovën në binarë të duhur. Se shpërndarja e buxhetit ka për kriter interesin e ngushtë profitabil, e dëshmon një fakt i thjeshtë: Kosova i shpenzon 70 milionë euro për shëndetësi (një pjesë e majme për blerje të barnave që zakonisht zhduken e stërshiten) në kohën kur i shpenzon 210 milionë për të shtruar asfalt deri në Shkup. Me gjasë për ta lehtësuar transportin e pacientëve në spitalet e Maqedonisë.

Por, i harxhon edhe rreth 12 milionë euro në vit për ta financuar RTK-në, dhe kjo në kundërshtim me Ligjin për RTK-në. E meqë nuk ka hije që ky të vazhdohet e të shkelet, po punohet në plotësimin e ndryshimin e ligjit të vjetër, për t’ia siguruar financimin. Propozimet që dalin në pah janë parapagimi me faturat e KEK-ut, të cilën Gjykata Kushtetuese e ka shpallur kundërkushtetuese dhe ndarja prej 1,1% apo 1,2% të buxhetit të Kosovës – që me buxhetin aktual i bie diku ndërmjet 15 dhe 17 milionë euro në vit. Kjo pa i llogaritur reklamat që i mbledh çdo vit e që mund ta tejkalojnë 3-milionëshin pa problem.

RTK-ja publike nuk e ka problem mungesën e parave, por menaxhimin e keq financiar dhe me burime njerëzore. E ka problem që asnjëherë të vetme nuk doli para Kuvendit me një raport financiar të specifikuar të shpenzimeve. Përfundimisht, e ka problem nepotizmin dhe ndikimin politik në politikën redaktuese. Për faj të keqmenaxhimit të financave të brendshme, mund të ndodhë që transmetimi tokësor i RTK-së të bjerë, ngase ka vite që RTK-ja nuk i paguan obligimet ndaj Rrjetit Transmetues Tokësor të Kosovës, që tashmë e kanë kaluar shifrën prej 350 mijë eurosh. Për një institucion që vjet i ka marrë 12 milionë para të taksapaguesve, do të duhej të ishte prioritet transmetimi i asaj që e prodhon, e për të cilën ka marrë licencë nga KPM-ja. E as licencën nuk e ka paguar.

Para se të merret me çfarëdo vendimi për ndryshimin e ligjit, Kuvendi i Kosovës do të duhej të merrej me vetë RTK-në dhe të marrë vesh se ku shkuan gjithë ato para, që e kalojnë 100-milionëshin prejse është themeluar transmetuesi publik. Dhe këtu, nuk po i llogaris paratë e mbledhura nga reklama në Kosovë dhe jashtë, me çmime dumping që i ndalon Ligji për konkurrencën.

Puna e RTK-së nuk mund të vazhdojë të trajtohet si “business as usual” – thuajse asgjë nuk po ndodh. Për Kosovën është shumë me rëndësi ta ketë një transmetues publik të fuqishëm dhe cilësor. Është e rëndësishme për tregun medial, sepse kjo e nxit konkurrencën luajale. Është me rëndësi për Kosovën, sepse ka investuar shumë në një institucion, që ka mundur të bëhej i mëvetësishëm dhe i pavarur nga ndikimet politike po qe se do të kishte pasur vullnet. E vazhdimi i varësisë së RTK-së nga buxheti i shtetit do të vazhdojë ta mbajë atë peng të interesave politike.

* * *

Gjërat që po na ndodhin janë pasojë e shtetit jofunksional që udhëhiqet keq nga një fraksion njerëzish që mendojnë se dinë, por që në të vërtetë kanë dëshmuar që nuk e kanë idenë se shteti i takon popullit e jo atyre. Është pasojë e heshtjes së popullit që, sikurse në Sulltanahmet, e beson se të këqijat nuk kanë të bëjnë me të, por me Qeverinë që do të duhej të punonte për të mirën e tij. Dhe, t’ia bënte jetën më të dinjitetshme. Është pasojë e zakonit të keq që e kemi ne kosovarët për të duruar deri në pafund, sepse e fundit vdes shpresa se nesër do të jetë ndryshe. Mund të jetë më ndryshe. Por jo kështu.

flaka@koha.net 

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...