Përmbyllje e palavdishme e Tribunalit të Hagës

23 Mars 2016 - 08:17 - Augustin Palokaj      

Në kohën kur përgatitet nisja e gjykimeve për disa ish-udhëheqës të UÇK-së në një “dhomë speciale” në Hagë, Tribunali për krimet e luftës në territorin e ish-Jugosllavisë në të njëjtin qytet është duke iu afruar përmbylljes së punës. Dhe këtë po e bën në mënyrë jo të lavdishme. Një prej të akuzuarve kryesorë për krime, Vojislav Sheshel, Tribunali i ka dërguar mesazh se nuk ka nevojë të jetë i pranishëm në shpallje të verdiktit dhe se mund ta vazhdojë fushatën zgjedhore në Serbi. Nëse do bile mund ta shikojë verdiktin edhe në TV. Kjo është fyerje për viktimat

Është e pabesueshme sesa “tolerantë” janë bërë liderët e Kosovës ndaj Serbisë dhe përgjegjësisë së saj për të kaluarën dhe për krimet e luftës që kanë bërë në Kosovë. Ndoshta të preokupuar me shpëtimin e reputacionit të tyre personal ata nuk po gjejnë as guxim e as gatishmëri që së paku në ato pak takime ndërkombëtare të përsërisin vazhdimisht se është Serbia ajo e cila para të tjerëve duhet të përballet me të kaluarën e saj. Madje për t’u treguar sa më të “moderuar” dhe “ të gatshëm për të shikuar nga e ardhmja më e mirë” ata shprehin shpesh edhe mirëkuptim për bashkëbiseduesit e tyre serbë. Këtë e arsyetojnë me “real politikë”.

Nuk duhet insistuar se të tjerët nuk kanë bërë krime, sepse një gjë të tillë është pothuajse e pamundur ta dëshmosh. Dhe nuk është e pavërtetë të thuhet se ka pasur krime edhe ndaj serbëve, edhe në Kroaci, edhe në Bosnjë e Hercegovinë e edhe në Kosovë. Por ajo që nuk duhet lejuar është barazimi i përgjegjësisë, sepse krimet nuk mund të barazohen, as për nga niveli, as përmasat e as metodologjia e tyre. Serbia është ajo e cila ka bërë agresion ndaj të tjerëve, krimet e regjimit të Slobodan Milosheviqit kanë qenë sistematikisht të planifikuara dhe të ekzekutuara, kanë pasur qëllime politike të okupimit të territoreve dhe ndryshimit të strukturës etnike. Krimet ndaj serbëve, pesha e të cilave nuk mund të mohohet, sepse për secilën viktimë krimi ndaj tij është krimi më i madh, kanë qenë reaksion, hakmarrje apo në shumicën e rasteve vepra të individëve apo grupeve të caktuara e jo politika shtetërore. Pasi gjykimi i krimeve më nuk bëhet në stilin e një “Gjykate të fituesve”, siç është bërë pas Luftës së Dytë Botërore në Nyrnberg dhe Tokio kundër ushtarakëve gjermanë dhe japonezë, kësaj radhe as të dyshuarit për krime të cilët kanë luftuar për të mbrojtur tokat e tyre, nga Kroacia e Bosnja e deri në Kosovë, nuk kanë mundur t’i ikin drejtësisë. Dhe as thirrja e tyre se kanë bërë luftë mbrojtëse nuk ka mundur të jetë arsyetim. Prandaj edhe Tribunali i Hagës, edhe gjykatat nacionale, apo edhe ato nën administrimin ndërkombëtar në Kosovë, kanë ngritur akuza kundër atyre që dyshohet se kanë bërë krime ndaj serbëve.

Por Serbia është e vetmja e cila e ka pasur tërë udhëheqjen shtetërore, politike, ushtarake, policore dhe paraushtarake që është akuzuar për krime lufte dhe që edhe janë dënuar nga Tribunali i Hagës. Po të kishte mbetur gjallë edhe Slobodan Milosheviq do të ishte dënuar për krimet në Kosovë. Prandaj se ishte shteti i Serbisë ai i cili ka bërë krime në Kosovë është një fakt i vërtetuar nga vetë Tribunali i OKB-së, ai i vendosur pikërisht për të gjykuar krimet e luftës në territorin e ish-Jugosllavisë. Ky Tribunal kishte ngritur aktakuzat edhe ndaj disa prej ish-udhëheqësve të luftës kundër Serbisë, si gjeneralëve Ante Gotovina dhe Mladen Markaç nga Kroacia, apo Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt nga Kosova, po këto raste prokuroria i humbi dhe ata u shpallën të pafajshëm. Prandaj edhe ai Tribunal i Hagës, i cili ka bërë disa lëshime në punën e tij të deritashme, në një mënyrë ka vërtetuar se, ndonëse edhe të tjerët kanë bërë krime ndaj serbëve, është Serbia dhe krijesat e saj në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë ajo që ka bërë krimet më të mëdha. Dhe ajo Serbi, në të cilën në këtë moment në pushtet janë persona që kanë qenë aktivë edhe në regjimin e kohës së luftës, duhet të dëshmohet më shumë se të tjerët se dëshiron të përballet me pjesët e errëta të së kalueses së saj.

Këtë gatishmëri në Serbi nuk po e shohim, ose së paku jo në nivelin e duhur, në mënyrë të qartë dhe të parezervë. Sepse në qeverinë e Serbisë edhe sot kemi persona të cilët jo vetëm që nuk duan të distancohen nga politika e Slobodan Milosheviqit, por i vënë lule mbi varr dhe madje thonë se “Milosheviqin e ka zgjedhur vetë Zoti”, siç ka deklaruar ministri në qeverinë e Serbisë, Vulin.

Në Serbi sot pa problem fushatë zgjedhore, duke djegur flamuj të BE-së, NATO-s dhe Kroacisë bën Vojislav Sheshel, radikali serb i akuzuar për krime lufte dhe politikanët serbë nuk shohin ndonjë problem për këtë, por thonë se “Sheshel duhet të lejohet të jetojë jetën e vet”.

Në rastin e Sheshelit nuk është problem vetëm sjellja e qeverisë së Serbisë, por edhe më problematike, madje do të mund të thuhej edhe skandaloze, është sjellja e bashkësisë ndërkombëtare, e cila relativizon këtë rast e sidomos sjellja e vet Tribunalit të Hagës, i cili ka marrë këto ditë një vendim shumë të çuditshëm. Së pari kishte vendosur që ai të lirohet deri në shpalljen e verdiktit, ndërsa tash, pasi ai ka thënë se nuk e ka ndërmend që të shkojë vullnetarisht në Hagë, Gjykata e Hagës i ka thënë se “s’ka problem, si të duash ti!” Po, po, pikërisht kështu mund të shihet vendimi i Tribunalit të Hagës që t’i lejojë atij që të mos jetë i pranishëm në sallën e gjykatës, kur do t’i shqiptohet verdikti për krimet e luftës në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë.

Kështu në kohën kur përgatitet nisja e gjykimeve për disa ish-udhëheqës të UÇK-së në një “dhomë speciale” në Hagë, Tribunali për krimet e luftës në territorin e ish- Jugosllavisë në të njëjtin qytet është duke iu afruar përmbylljes së punës së tij. Dhe këtë nuk po e bën në mënyrë të lavdishme. Paramendojeni një prej kriminelëve të akuzuar kryesor, Vojislav Sheshelit, i kanë dërguar mesazh se nuk ka nevojë fare të jetë i pranishëm kur t’i shpallet verdikti, mund të vazhdojë në Serbi fushatën zgjedhore, por nëse do, mund ta shikojë verdiktin në TV. Pos që është joserioze është edhe fyerje për viktimat e krimeve.

Një javë para se Vojislav Sheshelit t’i shpallet verdikti për krime lufte në Gjykatën e Hagës do të shpallet edhe verdikti për ish-liderin e serbëve të Bosnjës, Radovan Karagjiq, të cilin edhe sot në entitetin serb të Bosnjë e Hercegovinës dhe në Serbi e konsiderojnë si hero, edhe pse është i akuzuar për krimet të tmerrshme, përfshirë edhe për gjenocid. Edhe kur liderët e sotëm në Serbi, siç është vetë kryeministri Aleksandar Vuçiq, pranojnë se janë bërë krime të tmerrshme, edhe kur vizitojnë Srebrenicën, sikur bëjnë një politikë të dyfishtë, sepse nuk duan të pranojnë se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocidi dhe me Rusinë pengojnë miratimin e rezolutave në OKB, të cilat do ta dënonin këtë gjenocid. Një lloj politikë të dyfishtë bëjnë edhe kur kinse pajtohen në dialogun e Brukselit me “përfaqësuesit e Prishtinës”, apo i “normalizojnë raportet me Kosovën”, ata në të njëjtën kohë vazhdojnë jo vetëm ta pengojnë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, siç është UNESCO, por edhe e quajnë Kosovën si një krijesë “terroriste dhe ekstremiste”, duke e krahasuar me ISIS-in në Siri dhe Irak.

Duke pasur parasysh gjithë trashëgiminë që do e lërë pas vetes Tribunali i Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, krijimi i “dhomës speciale” po në Hagë të Holandës, për të gjykuar krimet që dyshohet se kanë bërë disa ish-udhëheqës të UÇK-së, duket edhe më i padrejtë. Por për këtë fajin më të madh e ka vetë Kosova dhe ajo pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, të cilët bashkërisht kanë dështuar që në Kosovë të krijohen mundësi për të gjykuar të gjitha llojet e krimeve, qoftë edhe ato më të rënda. Ka dështuar që të krijohen mekanizma për mbrojtjen e dëshmitarëve, për pengimin e ndikimeve politike. Prandaj edhe Kosova do të jetë i vetmi vend qytetarët e së cilës do të gjykohen jashtë territorit të Kosovës edhe pas përfundimit të punës së Tribunalit të Hagës. Dhe kjo do të lërë një njollë të madhe ndaj Kosovës për të ardhmen, me pasoja politike, sepse pasojat politike Kosova po i ndien edhe nga vetë dyshimet për krimet që përmenden në raportin e Dick Martyt dhe me të cilat do të merret kjo “dhomë speciale” në Hagë. 

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...