S’ka shtet rezervë

15 Mars 2016 - 07:50 - Flaka Surroi      

Se Kosova është në krizë prejse ka mbaruar lufta, zor se kush mund ta mohojë. Se jemi mësuar të jetojmë me kriza të turli lloji, edhe atë s’ka shumë kush se mund ta kontestojë. E se ka nisur të na soset durimi, kjo po duket përditë e më tepër.

Arsyet se pse është Kosova e këtillë çfarë është mbase më së miri, dhe me shumë pak fjalë, e kanë përkufizuar dy hulumtues amerikanë: Neil A. Abrams dhe M. Steven Fish, të cilët e kanë publikuar syzheun e një studimi për sundimin e ligjit në prestigjiozen amerikane The Washington Post. Dhe mbase gjëja më e rëndësishme që del në pah nga ky studim është se sundimi i ligjit nuk e bën demokracinë. Sepse, sqarojnë studiuesit, demokracia mund të vendoset relativisht lehtë: zgjedhje, formim trupash legjislativë dhe ekzekutivë, dhe sundim mbi popullin. Por, kjo nuk do të thotë me automatizëm se me këtë garantohet edhe sundimi i ligjit, pavarësisht sa të përkryera të jenë ligjet, të cilat mund t’i miratojë një parlament. E as atëherë kur Perëndimi investon në ngritjen e kapaciteteve vendore për sundimin e ligjit.

Shembulli i Kosovës

Kosova do të ketë qenë rasti më ilustrativ i dështimit të Perëndimit në fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë. “Përpjekjet perëndimore nisen nga premisa se do të ketë sundim ligji po qe se shtetet në zhvillim marrin nxënie, udhëzim, trajnim dhe para të nevojshme për këtë punë”. Por kjo është dëshmuar e pasaktë për shkak të një problemi të natyrës politike.

“Elitat e shteteve në zhvillim shpesh varen nga mungesa e sundimit të ligjit ashtu që të mbijetojnë dhe të pasurohen. Të kota janë paratë dhe trajnimet përderisa atyre që e mbajnë pushtetin nuk u konvenon të fuqizohet sundimi i ligjit dhe përderisa kanë mundësi ta pengojnë atë me çfarëdo forme(...) Zbatimi i ligjeve kërkon bashkëpunimin e ndërsjellë ndërmjet kuvendit, të ministrive, të gjyqësorit, të qeverive lokale e shumë të tjera. Në secilin hap, mbrojtësit e status quo-së mund t’i sabotojnë përpjekjet dhe ta kthejnë situatën në favorin e tyre. Shtetet si Nigeria e Ukraina prej vitesh kanë marrë ndihma në këtë drejtim, por ajo që ndodh atje aktualisht është se prokuroritë operojnë sikur të ishin zhvatës privatë.

Merreni shembullin e Kosovës ta zëmë. Që nga 1999, kur një ndërhyrje ushtarake e NATO-s e çliroi krahinën nga pushteti serb, Kosova nuk ka marrë veç thjesht ndihmë ndërkombëtare; në fakt është qeverisur pjesërisht nga BE-ja dhe OKB-ja, që kanë investuar shumë për ta vendosur sundimin e ligjit. Më 2008 BE-ja solli një mision të dedikuar për këtë qëllim, EULEX-in, me fuqi të plota për të hetuar, ndjekur dhe gjykuar raste të korrupsionit. Më 2014, pasi janë shpenzuar 1 miliard euro, hulumtuesit kanë konkluduar se EULEX-i ka dështuar. Sipas një hulumtuesi, ‘...elita politike dhe EULEX-i janë shkrirë në një. Janë të pandashëm. Ligjet vlejnë vetëm për të shkretin popull të varfër”. Ai konkludon se krimi i organizuar dhe korrupsioni janë përkeqësuar nën udhëheqjen e EULEX-it. Sot Kosova është zhytur në korrupsion dhe në mungesë të sundimit të ligjit, e kontrolluar nga elita që është mbi ligjin”.

Kriza thellohet

Edhe pa e lexuar citatin, nuk nevojitet shumë mend për të konstatuar se sa të rreme janë të gjitha deklaratat që i dëgjojmë të na thuhen nga zyrtarët politikë. Duke nisur fillimisht nga kryetari i zgjedhur dhe i kontestuar që bën be se do t’i respektojë ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës në të mirën e popullit, e deri te deputeti i fundit të cilit nuk ia dimë emrin, e që është betuar të punojë për popullin.

Kështu krejt situata e lodhshme dhe e pashpresë e Kuvendit të Kosovës mbase është pasqyrimi më i mirë se sa thellë jemi zhytur në krizë prej së cilës nuk dimë të dalim, për shkak të mbrojtjes së interesave të elitës politike që, (po e them edhe unë, se s’po gjej term më të qëlluar), e ka kapur shtetin.

Ajo që u pa në seancën e së enjtes qe vazhdimi i një nonsensi që po shërben për së paku dy qëllime: një për ta mbajtur Thaçin në postin e kryetarit derisa të mos përfundojë procedura para Kushtetueses dhe dy, që t’u sigurohen beneficionet deputetëve të kësaj legjislature, që kualifikohen për to, nëse e kalojnë bile gjysmën e mandatit – e besoj ashtu e thotë ligji. Këtyre dy arsyeve që janë shumë të dukshme, u bashkohet ajo e treta: krijimi i kaosit total dhe i mungesës së llogaridhënies, për të vazhduar të vidhet në secilën skutë, nëse ende ka mbetur ndonjë pa u prekur.

Përderisa i gjithë përqendrimi i popullit ka qenë te gazi lotsjellës, te okupimi i Kuvendit nga policia dhe arrestimi i deputetëve të opozitës sikur të ishin kunguj e qengja, ndërkohë të ngarkuarit me sigurimin e pasurimit të vetes dhe të shefave të tyre kanë vazhduar të operojnë qetazi dhe pa ndërhyrje. Pos nëse ka dalë ndonjë gazetar hulumtues për t’ua zbuluar makinacionet, të cilat, së paku formalisht, më pas janë përcjellë nga një hetim e mbase edhe ndonjë aktakuzë.

Vetëm gjatë javës së shkuar, doli në pah problemi në ujësjellësin rajonal “Prishtina”, ku drejtori u shkarkua për së dyti në shtatë-tetë muajt e fundit, dhe kjo vetëm pasi donatorët vunë kusht. Akuzat që rëndojnë janë për keqpërdorime financiare, e një zot e di nëse do të përcillen me veprime hetimore. Gjithashtu doli problemi me zhdukjen e madje 80 tonelatave të duhanit të papërpunuar, për të cilin importuesit nuk kanë paguar akcizë, duke e dëmtuar buxhetin për plot miliona euro. Arsyetimi i tyre është se e kanë shitur produktin të papërpunuar. Kujt, shtrohet pyetja? Dhe teksa e shkruaja pyetjen më shkoi në mendje që krejt kosovarët si adhurues të Manchester Unitedit që jemi, e imitojmë Alex Fergusonin, duke përtypur duhan gjithë ditën, sepse kemi krizë e kemi nevojë t’i qetësojmë nervat. Ama veç përtypim shumë duhan.

Po në këtë javë, u ngrit çështja e investimit milionësh në kardiologjinë famëkeqe të QKUK-së. Sepse është planifikuar të shpenzohen madje gjysmë milioni euro më shumë për ta rregulluar një hapësirë prej 100 a 200 metrash katrorë. Irrelevante kuadratura – me rëndësi është cilësia e punimeve. Sa më e shtrenjtë, aq më kualitet.

Në të njëjtën kohë, na u kthye në vëmendje rasti i falsifikimit të notave në Fakultetin e Mjekësisë (paramendoni me ra në duar të falsifikatorëve, që mbase do t’jua vendosin një stentë te zorra qorre). Për 15 muaj janë mbajtur vetëm dy seanca gjyqësore dhe tash ekziston rreziku real që disa nga akuzat të bien për shkak të parashkrimit. Thjesht, apo jo?

Dhe java përfundoi me lajmin se Muzeu Etnografik i Prishtinës është dëmtuar seriozisht dhe se, qëllojani, nuk ka mjete për ta konservuar njërin nga monumentet e rralla që kanë njëfarë domethënie për këtë Prishtinën e shkretë. Ama, po të njëjtën ditë e kemi kuptuar se Qeveria i ndau madje 270 mijë euro për ta blerë një skaner, si në aeroport, që t’ua zbulojë gazin lotsjellës deputetëve të opozitës. Kush do t’ia shohë hairin këtij tenderi?

Estonezët për lakmi

Kosova e së sotmes jeton e varfër dhe e ngufatur nga “kumandantat” që në emër të “meritave të luftës” kanë vendosur me na i nxjerrë që të gjitha për hundësh. Debatimet e kohëpaskohshme dhe akuzat që i këmbejnë nuk e di për çfarë shërbejnë, pos nëse janë të lidhura në ndonjë formë me Gjykatën Speciale dhe duan të tregojnë drejtimin nga të hetohet.
Kosova e së sotmes është ajo së cilës dikush si shefi i shefave i shet moral, dhe i tregon popullit sesi “ata të cilët janë dënuar, në vend se të rrinë në burg, vijnë këtu në Kuvend e na rrezikojnë dhe e prishin demokracinë”, duke iu referuar deputetëve të opozitës. Dhe flet ai, i cili nuk e di dallimin ndërmjet të hetuarit në paraburgim dhe të dënuarit, për shkak se nuk do ta dijë. E sa për sqarim, të dënuar i ka pasur dy anëtarë të grupit të tij parlamentar, që refuzonin të jepnin dorëheqje, porse nuk doli astenjihere për të thënë se ata duhej të shkonin, sepse po e shkelnin ligjin dhe Kushtetutën. Dhe në fund, ky është ai, të bijtë e të cilit e kanë rrahur një polic në detyrë; bijve të të cilit u ishte ndërruar kualifikimi nga vepra penale në kundërvajtje dhe bijtë e të cilit në fund e kaluan këtë incident me gjobë prej dy a tre mijë eurosh. Pikërisht ky është shembulli i sundimit të ligjit sipas kutit të elitës.

Kosova e së sotmes ka ardhur në pikën ku nuk mund të shkojë më tutje kështu. Kosovës i nevojitet një ndryshim radikal, po qe se do që të bëhet shtet funksional në kuptimin e plotë të fjalës. I nevojiten zgjedhjet ku do të vijë dikush i mençur (po jo për hajni) dhe me duar të pastra për t’ia rivendosur muret e rrënuara.

Po të ishim me fat, dhe po të donin miqtë ndërkombëtarë të na ndihmonin, atëherë do të vepronin sikurse në Estoni. Kur shpalli pavarësinë e vet, ky shtet baltik i kishte trupat jofunksionalë dhe nuk i kishte punët bash mirë ekonomikisht. Mirëpo, zyrtarët e rinj të shtetit të ri, kishin vendosur t’ia nisnin prej rrënjës së problemit: administrata. Fillimisht i kishin zëvendësuar aparatçikët nga epoka sovjetike me aktivistë të rinj e të motivuar nga radha e opozitës. Gjënë e dytë që e bënë që i ndalën subvencionet për ndërmarrjet shtetërore dhe private, që në shtetet në zhvillim përherë u shërbejnë elitave të korruptuara më shumë sesa popullit. Në Kosovë, mund ta merrni shembullin e KEK-ut, “Termokosit” e të Ujësjellësit, sa për t’i përmendur disa. Shembujt e “menaxhimit të mirëfilltë” të parasë publike.

Duke i bllokuar të paaftët, që marrin para për t’i përkrahur partitë politike dhe bosat e tyre, tregu u hap për ndërmarrësit që vërtet kishin edhe ide, po tash edhe mundësi, për të krijuar vende të punës. Në të njëjtën formë kanë vepruar edhe në hallkat e tjera të pushtetit dhe i kanë pastruar nga ata, që deri në atë moment, e kanë zhvatur shtetin për interesa të ngushta.

Siç do ta thoshin autorët e sipërpërmendur: “Studiuesit shpesh e trajtojnë sundimin e ligjit si parakusht për politikat e tregut të lirë, sikurse janë liberalizimi i çmimeve dhe tregut si dhe zhdukjen e subvencioneve të kota. Porse, e kanë gabim, për shkak se fillimisht duhet të nisen nga eliminimi i burimeve të pasurimit dhe spastrimi i shërbyesve civilë që janë pengesë për sundimin e ligjit. Natyrisht se është vështirë të bëhet. Kjo do të shkaktojë kundërshtim të fuqishëm nga ata që përfitojnë nga status quo-ja, porse është përherë më reale dhe efikase sesa t’u thuhet shteteve zbatojeni sundimin e ligjit”.

Daljen nga kriza Kosova do ta sigurojë në çastin kur brezi i “kumandantave” do ta lëshojë pushtetin dhe t’i kthejë ato të cilat i ka marrë falë “meritave të luftës”. Do ta sigurojë atëherë kur do të vijë dikush në pushtet që nuk do të frikësohet t’i largojë nga puna ata shumë mijë shërbyes civilë e publikë prej 91 mijëve sa i ka Kosova, e që nuk bëjnë tjetër, pos që sigurojnë para “për partinë dhe shefin”, e rrugës “shnukin” edhe nga pak për vete. Do ta sigurojë atëherë kur t’iu hapen mundësitë gjithë atyre të rinjve që janë shkolluar në shkolla të mirëfillta dhe që besojnë në misionin për ta bërë këtë vend një shtet të cilin do ta respektojnë qytetarët e vet, sepse nuk kanë tjetër shtet rezervë.

flaka@koha.net 

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...